Profesori i Fakultetit të Sigurisë në Shkup, Ivan Babamovski i njohur si ish-zyrtar i shërbimit sekret ka renditur një varg akuzash dhe të pavërteta lidhur me shqiptarët në Maqedoni dhe rajon dhe pretendimet e hedhura për gjoja lidhjet e tyre me shërbimet sekrete siriane.
Babamovski në një intervistë për gazetën “DAN”, ka theksuar se në Maqedoni ka kampe ku tubohen dhe përgatiten vullnetarë për të luftuar në Siri dhe ku përmes këtyre organizimeve krijohen struktura ekstremiste myslimane.
“Ata trajnohen në të njëjtat qendra në Maqedoni që shfrytëzoheshin nga Al Kaeda gjatë luftës në Bosnjë – Hercegovinë dhe Kosovë, por edhe për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni. Bëhet fjalë për kampe në Malin Sharr në Tetovë dhe në zonat në afërsi të kufirit me Kosovën, si në Leshnicë dhe vendin e quajtur “3 ujëvarat”. Trajnimet përgatiten dhe udhëhiqen nga struktura të MPRI dhe Halibarton, selitë e të cilëve janë në Kosovë në afërsi të Kaçanikut. Në mesin e tyre ka shumë luftëtarë të përgatitur”, ka folur Babamovski.
Sipas tij, Shërbimi sekret Sirian është i përqendruar fortë në Maqedoni dhe qëllimi nuk është për të destabilizuar vendin, por për të mbrojtur interesat e veta të sigurisë dhe në planin diplomatik. Ndaj këtyre akuzave pritet të reagojnë organizatat joqeveritare shqiptare lidhur me këto të pavërteta të hedhura nga ish-sigurismi Babamovski.
/Shekulli