“Më e keqja nuk ka ardhur ende”. Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimaterike është tronditës.
Pasojat e tyre po ndihen në çdo kontinent e në të gjithë oqeanet e botës, por problemi sipas shkencëtarëve mund të përkeqësohet me ritme të larta nëse emetimit të gazeve shkaktare të efektit serë nuk vihet nën kontroll.
Raporti i panelit ndërqeveritar të ndryshimeve të klimës, një grup i OKB-së që bën në mënyrë periodike një përmbledhje të të dhënave klimatike, del në përfundimin se:
Majat e mbuluara me akull po shkrijnë, ajsbergët në Arktik gjithashtu, rezervat ujore po zvogëlohen, valët e të nxehtit dhe reshjet e pazakonta të shiut po shtohen, barrierat koralore po reduktohen, peshqit e të tjera krijesa janë duke emigruar drejt poleve dhe në disa raste po shkojnë drejt zhdukjes.
Niveli i oqeaneve është shtuar me një ritëm kërcënues për komunitetet bregdetare dhe uji i tyre është duke fituar më shumë aciditet për shkak të thithjes së një pjese të dioksidit të karbonit të lëshuar nga automjetet e fabrikat, çka po sjell humbjen e disa krijesave ose po pengon zhvillimin e tyre.
Në Arktik raportohet të jenë duke u shkrirë materiale organike të ngrira që përpara fillesave të civilizimit. Kjo lejon kalbëzimin e tyre dhe shndërrimin në gazra të dëmshme që do ta shtojnë ngrohjen globale.
“Më të keqen s’e kemi parë akoma”, profetizojnë shkencëtaret në raportin e dytë nga tre që do të paraqesin gjithësej. Bëhet fjalë për studime që pritet të kenë peshë të konsiderueshme në diskutimet e vitit të ardhshëm, kur shtetet do të ulen të negociojnë mbi një traktat të ri klimaterik.
/Top Channel