Që prej kësaj jave rripi i sigurimit dhe ndenjësja e posaçme e fëmijëve, mund t’iu kushtojë heqjen e lejes së drejtimit për drejtuesit e mjeteve, nga gjashtë muaj deri në një vit.
Po kështu për këtë kategori, ndryshimet e reja të Kodit Rrugor të futura në fuqi prej pak ditësh, parashikojnë veç tërheqjes së lejes së drejtimit edhe një penalitet nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja. Nga penaliteti nuk do të shpëtojnë as pasagjerët që udhëtojnë me mjete të ndryshme.
Kjo në varësi të vendimit të Komisionit të Policisë Rrugore, në komisariatin përkatës. Gjatë javës që sapo u mbyll shërbimet e policisë rrugore në të gjithë vendin vijuan me fushatë ndërgjegjësimi, ndërsa gjatë javës, pritet të nisë edhe penalizimi i drejtuesve të mjeteve që nuk zbatojnë ndryshimet e nenit 170 të Kodit Rrugor. Ndryshimet kanë prekur një sërë pjesësh të këtij Kodi që tashmë kanë hyrë në fuqi, por që mbeten të pazbatueshme. Ndër to është edhe ajo e ndëshkimit të drejtuesve të motoçikletave me kubik deri në 49 ç që lëvizin pa leje drejtimi.
Ndërkaq eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, është kundër mënyrës së zbatimit në këtë mënyrë të Kodit Rrugor.
Sipas Hoxhës, ndryshimet në Kodin Rrugor duhet të bëhen të zbatueshme sipas parashikimeve të dhëna nga ligjvënësi. Ndërkaq eksperti i sigurisë rrugore thotë se vonesat në vënien në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor cenojnë sigurinë e përdoruesve të rrugës, si drejtues mjetesh apo edhe pasagjerë, apo këmbësorë.
Po ashtu Hoxha shton se ndryshimet, vënien në zbatim dhe të gjithë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve duhen kryer mbi bazën e studimeve të mirë përcaktuara si të psikologjisë së drejtuesve të mjeteve, por edhe mbi gjendjen e rrugëve.
syri.net