“Ndëshkim inspektorëve që ‘fshehin’ hashashin”

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
GJIROKASTER/ PIRO NASE

Kreu i policisë së Gjirokastrës paralajmëron masa të rrepta ndaj inspektorëve që nuk kanë raportuar për zonat që ata kanë nën kontroll mbjelljen e bimëve narkotike. Deklarata e kryekomisarit Arben Hyseni u bë dje, ndërsa bëri të ditur edhe gjendjen e mbjelljes së kësaj bime në zonën më problematike, atë të Lazaratit. Sipas tij, këtë vit ka minimizim të kultivimit të kanabis sativës në këtë zonë. Hyseni theksoi se të gjithë inspektorët që kanë dhënë raportime të kundërta nga situata reale, do të vihen para përgjegjësisë ligjore. Ai tashmë bashkë me strukturat që ka në varësi e ka përqendruar punën e tij në asgjësimin e lëndëve narkotike në të gjithë hapësirën jugore. Hyseni është mjaft i prerë me inspektorët e rendit në të tre rrethet e Qarkut të Gjirokastrës. "Do të vihen para ligjit nëse raportimet e tyre nga terreni për mosekzistencën e parcelave me drogë do të rezultojnë të kundërta", u shpreh ai. Ky reagim ka ardhur pasi ditët e fundit në disa zona të Tepelenës dhe në fshatin Dervician të Gjirokastrës, janë evidentuar mbi 2 mijë rrënjë kanabis, ndërkohë që në tre raste, vetëm një kultivues është prangosur, ndërsa dy të tjerë kanë marrë arratinë. Për momentin aksionet antikanabis janë shtrirë në Tepelenë. Në Gjirokastër operacionet e deritanishme janë përqendruar vetëm në fshatin Dervician, ndërsa në Lazarat ende nuk kanë zbarkuar uniformat blu. Në precedentët e mëparshëm, policia për t'u futur në këtë fshat ka kërkuar edhe ndihmën e specialëve. Fakt shqetësues për kryekomisarin Hyseni qëndron pikërisht Lazarati. Sipas tij, ndryshe nga vitet e tjera, ka një ulje të ndjeshme të kultivimit në këtë fshat. "Sipas raportimeve nga terreni, por edhe marrëdhënieve që kemi pasur me pushtetin lokal, në Lazarat ka një ulje të kultivimit të hashashit deri në masën 60 për qind", bëri të ditur kreu i Policisë së Gjirokastrës. Sipas Hysenit, për këtë ka ndikuar bllokimi i mjeteve të transportit me lëndë të parë të kanabisit, ujit apo plehut që në fazën fillestare të kultivimit të hashashit. Policia falë kontrolleve të përqendruara gjatë kësaj kohe ka minimizuar depërtimin e lëndëve stimuluese të hashashit në Lazarat.

Goditen 7 grupe kriminale
Shtatë grupe kriminale janë goditur nga Policia e Gjirokastrës kohët e fundit, të cilat kishin për aktivitet transportimin e lëndëve narkotike me lidhje edhe me qarqet e tjera të vendit. Policia greke gjatë kohëve të fundit nuk ka kapur asnjë automjet me drogë të ardhur nga Shqipëria dhe ky është një tregues i qartë i luftës kundër transportit dhe tregtimit të lëndëve narkotike: u shpreh drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni.
*panorama*

dsc01965ml9.jpg
 
Back
Top