Nata e madhe, Israja dhe Miraxhi

Kresha

A pretty face can never trick me
Këtë vit nata e madhe e Miraxhit daton me 27 Shkurt 2022, e Diele (sot). Pse kjo natë është e vecantë?


Në fundet e periudhës njëmbëdhjetëvjeçare të profetësisë në Mekë, në vitin 621 dhe sipas pikëpamjes së pranuar, natën e njëzetegjashtë që lidh natën e njëzeteshtatë të muajit Rexhep, Hz. Muhamedi (a.s.), me urdhërin e ardhur nga Allahu i Lartë, është dërguar natën nga Mesxhidi Harami që i themi “Qabe” e që ndodhet në qytetin e Mekes, në Mesxhidi Aksa në Kudus (Jerusalem). Ky dërgim quhet “isra” që do të thotë “udhëtim natën”. Dhe prej këtu, është ngjitur në qiell, në mjedise të larta hyjnore, duke parë shumë shenja e argumente që tregojnë fuqinë dhe madhështinë e të Vërtetit. Kjo ngjitje apo lartësim quhet “miraxh” dhe i gjithë ky udhëtim është bërë me trup dhe me shpirt nga Profeti (a.s.). Këtë specifikë e bën të qartë në Kur’an ajeti i parë i kapitullit “el-Isra”:

“E lartë është fama e Atij që robin e Vet, për t’i treguar disa nga argumentet, e dërgoi në një pjesë të natës nga Mesxhidi Harami në Mesxhidi Aksa që ia kemi bekuar mjedisin. Është Ai që dëgjon e sheh çdo gjë!”
Kur’an, Isra, 1
Nuk ka dyshim se Miraxhi është një eveniment në kundërshtim me ligjet e natyrës që njohim ne. Por nuk është jashtë fuqisë dhe kompetencës së Allahut (xh.sh.), zotëruesit të fuqisë absolute që ka krijuar çdo gjë dhe që i jep vazhdimësi gjithësisë në harmoni të plotë. Miraxhi është një ngjarje e posaçme vetëm për Profetin tonë dhe ne i besojmë asaj së bashku me enigmat e panjohura për ne, duke qenë se është cekur në Kur’an dhe është bërë e ditur me hadithe të sakta.

Si mund të kapërcehen distanca mijëra vjeçare brenda pak minutave?​

Tregohet se profeti Muhammed (a.s.) në ndodhitë e Israsë dhe Miraxhit për një kohë shumë të shkurtër ka kapërcyer distancë shumë të madhe. A mund të pranohet kjo logjikisht?

Përgjigje: Lëvizjet janë nga më të shumëllojshmet për Allahun (xh.sh.). Për shembull, dihet se sa të ndryshme janë shpejtësitë e zërit, dritës, elektricitetit, shpirtit dhe imagjinatës me njëra-tjetrën. Shkencërisht ne jemi të informuar edhe për shpejtësitë e yjeve, për të cilët mendja jonë mbetet e shtangur. Atëherë, përse të na vijë çudi kur trupi i Pejgamberit (a.s.) t’i përshtatet shpejtësisë së shpirtit të tij mjaft të shpejtë gjatë natës së Miraxhit?

Njeriut mund t’i vijnë ndër mend një mori gjërash për dhjetë minuta në ëndërr, që mund t’i jetojë brenda një viti. Për më tepër, njeriu sheh dhe dëgjon aq shumë gjëra në një ëndërr saqë kur i mbledh dhe i thotë ato i duhet një ditë e tërë, ndoshta edhe më tepër. Kjo do të thotë se e njëjta kohë e krahasuar sipas dy personave të ndryshëm, herë duket sa një ditë, herë duket sa një vit i tërë. Përfundimisht, është e mundur të pranosh logjikisht se vetëm për disa minuta mund të kalohet një distancë mijëra vjeçare.

Historiku i Israsë dhe Miraxhit​

Njëra prej ngjarjeve më të rënda të periudhës së Mekës për myslimanët si dhe më e vështira për t’u duruar prej tyre, ishte vdekja e dy njerëzve të mëdhenj që u patën dalë krah dhe u qenë bërë mbështetje profetit dhe myslimanëve, Ebu Talibit xhaxhait të profetit dhe Hz. Hatixhesë gruas së Profetit (a.s.). Kjo situatë rëndohet edhe më tepër kur pejgamberin e përzunë me gurë nga qyteti i Taifit. Të gjitha këto ngjarje të hidhura të ardhura njëra pas tjetrës, e dëshpëruan Profetin (a.s.), i cili në fund të fundit, ishte njeri prej mishi dhe kocke. Megjithatë, ai kurrë nuk ra në pesimizëm. Në një gjendje të tillë ndodhi ngjarja e Israsë dhe Miraxhit, ku Profeti u bë dëshmitar i shumë bukurive hyjnore, i një dukurie të jashtëzakonshme të realizuar jashtë kufizimeve kohore e hapsinore, në një mënyrë të pashpjegueshme me mend e të pashprehshme me fjalë. Ai bisedoi me Zotin dhe u ngushëllua prej Tij për ngjarjet e fundit që kishte përjetuar.

Në një natë kur Profeti po flinte në pjesën Hatim të Qabes, i vjen kryeengjëlli Xhebrail. Ai i hap gjoksin profetit dhe pasi e lan zemrën e tij me ujin zemzem, e vendos përsëri në vend. Më pas Profeti hip në një kafshë me ngjyrë të bardhë që ishte më e vogël se mushka dhe më e madhe se gomari. Ai ishte Buraku. Fjala “Burak” vjen prej fjalës “berk” që do të thotë vetëtimë. Distanca e hapit të tij ishte tej largësisë së shikimit. Hz. Muhamedi (a.s.) në shoqërimin e Xhebrailit mbërrin në tempullin e Jeruzalemit, ku i prin si imam në namaz të gjithë profëve të Zotit. Më pas fillon ngjitjen në qiell duke iu zbuluar të gjitha sekretet dhe misteret hyjnore të gjithësisë lëndore dhe shpirtërore. Pejgamberit (a.s.) i prezantohen tri gota; një me ujë, një me sherbet dhe një me qumësht. I dërguari i Allahut zgjodhi dhe piu atë me qumësht. Xhebraili i tha: “Qumështi përfaqëson natyrshmërinë tënde dhe të ymetit tënd”. Profeti tregon që, Xhebraili u ngjit me mua në qiellin e parë dhe kërkoi që ata të hapen. Një zë e pyeti “Kush je ti?” dhe ai iu përgjigj: “Jam unë Xhebraili”. Zëri e pyeti përsëri: “Kush është me ty?” dhe ai iu përgjigj: “Muhamedi”. Pastaj ai e pyeti përsëri. “A është koha e shpalljes?” Dhe ai u përgjigj që ishte. Qielli u hap për ne dhe ja ku pashë Ademin, i cili më uroi mirëseardhjen dhe u lut për të mirën time.

Hadithi vazhdon duke përshkruar Profetin e dashur dhe Xhebrailin, duke u ngjitur lart. Në qiellin e dytë ata takuan Hz. Isain dhe Hz. Jahjanë. Në qiellin e tretë ata takuan Jusufin (a.s.), simbolin e bukurisë. Profeti Idriz i përshëndeti ata në qiellin e katërt. Në të pestin ishte Haruni, në të gjashtin Musai (a.s.) dhe në të shtatin Ibrahimi (a.s.). Secili prej tyre e përshëndeti si vëlla Muhamedin e bekuar duke u lutur për të. Kur arriti në sferën më të lartë të Sidretu’l-Muntehasë, Xhebraili u ndal duke i thënë profetit se deri aty ishte kufiri i tij. Profeti Islam vazhdon më tej i vetëm dhe paraqet para Zotit përshëndetjen e njohur si et-tehijatu, të cilën e këndojmë kur jemi ulur në namaz. “Përshëndetjet, respekti, lavdia dhe zotërimi i takon Allahut (xh.sh.)”. Allahu i plotfuqishëm urdhëroi: “Shpëtimi, mëshira dhe bekimi i Zotit janë për ty, o Profeti Im!” I dërguari i Allahut shtoi: “Shpëtimi qoftë për ne dhe për njerëzit e sinqertë të Zotit!” Atëherë, e gjithë bota engjëllore, njëzëri shqiptoi maksimën e dëshmisë, duke dëshmuar njësimin e Allahut të lavdëruar si dhe Muhamedin si rob dhe të dërguarin e Tij.

Këtu profetit i jipen dymbëdhjetë principet e Islamit, që përmenden në ajetet 22-39 të sures Isra:

  1. Mos i bëni ortak Allahut
  2. Respektoni dhe bindjuni prindërve
  3. Jepuni te drejtën që u takon të afërmëve, të varfërve dhe udhëtarëve
  4. Mos shpërdëroni. Mos ji koprac e as dorëlëshuar
  5. Mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë
  6. Mos iu afroni imoralitetit
  7. Mos vrisni njeri me pa të drejtë
  8. Mos abuzo me pasurinë e jetimit
  9. Mbaji premtimet
  10. Mos u shmangni prej drejtësisë në matje e peshim
  11. Mos ndiq atë për të cilën nuk ke dijeni dhe përmbahu nga pohimet e pabaza dhe hamendjet
  12. Shmangu nga mburrja dhe mëndjemadhësia.
Profeti Muhamed (s.a.s.) teksa kthehej nga miraxhi tek populli i tij plot me dhurata, u shpreh: “Unë s’kam parë ndonjëherë gjë më të bukur se miraxhi”. Dhuratat ishin:

1) Ymetit të Muhamedit (s.a.s.) iu premtua që herët apo vonë ata që s’i kanë bërë ortak Zotit, pasi të shpaguajnë gjynahet do të shkojnë në xhenet.

2) Pesë kohët e namazit. Namazet e falura me ndjenjën e ihsanit, adhurimin sikur ti e sheh Zotin, edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty. Hadithi shpjegon se si Allahu e urdhëroi profetin që namazi duhej të falej pesëdhjetë herë në ditë nga çdo mysliman qoftë burrë apo grua. Gjatë rrugës së kthimit, ai takoi Musain, i cili i thotë se njerëzit nuk mund ta kryenin kaq shumë këtë detyrë. Ai me përulësi u rikthye disa herë në prezencë të Allahut derisa numri u zvogëlua në pesë. I dërguari i Allahut do të shprehet më vonë se: “Namazi është miraxhi i besimtarit”.

3) Kishte sjellë nga kjo gosti hyjnore dy ajetet e fundit të sures Bekare të njohura si “Ameneresulu…” Në ajetin e parë tregohen me radhë kushtet e besimit si dhe urdhërohet besimi në të gjithë pejgamberët dhe librat që i kanë zbritur atyre duke treguar kështu një tolerancë të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë historisë shtetet Islame janë mbështetur në këtë ajet duke demonstruar paqe dhe drejtësi ndaj jomyslimanëve. Në ajetin e fundit tregohet që askujt nuk i ngarkohet një barrë përtej mundësive të tija dhe çdokush e jeton Islamin në bazë të mundësive, fuqisë dhe kapacitetit që posedon.

Kur Profeti lajmëroi të nesërmen për Miraxhin, politeistët e mbytën në pyetje. E pyetën për Jeruzalemin dhe faltoren Aksa. Megjithëse Profeti nuk i pat shkelur kurrë më parë ato vende, iu përgjigj një për një pyetjeve të politeistëve. Megjithatë, në zemrat e tyre nuk ndodhi ndonjë anim. Politeistët shkuan e i thanë Hz. Ebu Bekrit: “E dëgjove? Shoku yt thotë se mbrëmë shkoi në Jeruzalem dhe prej atje, u ngjit në qiell!” Sikur deshën të thonin “Tani e teproi!” Hz. Ebu Bekri, i cili ende s’ish takuar me profetin dhe se kish dëgjuar ngjarjen prej vetë atij, i pyeti: “Këto që po thoni, Muhamedi vetë i thotë?” “Po!” – Iu përgjigjën ata. “Nëse i thotë vetë ai, domethënë se janë të vërteta” – u përgjigj pa asnjë mëdyshje Ebu Bekri. Për këtë përgjigje të prerë dhe me besim ta patundshëm, Profeti e mbiquajti atë “Sidik”, “Besnik”, që do të thotë person i drejtë dhe i sinqertë në besim pa pasur as dyshimin më të vogël.

Rrëfimi i mësipërm i prezantuar në përmbledhjen e haditheve të Imam Buhariut, përbën momentin kulmor të karrierës profetike. Dhe meqenëse Muhamedi (s.a.s.) është “Vula e të Dërguarve” dhe profeti i fundit, myslimanët besojnë se ky është momenti kulminant i historisë së shenjtë. Është mbresëlënës për shembull fakti se miraxhi i profetit mori udhë në një drejtim që bashkon Mekën me Jeruzalemin e Is’hakut. Ndaj profeti i fundit, pasardhës i Ismailit, në momentin më të lartë të karrierës së tij, u bë urë lidhëse mes këtyre dy vendeve. Është e qartë se misioni i tij është mbyllja e të çarave midis dy dejeve më të mëdha të familjes së Ibrahimit. Feja e re e prezantuar për herë të parë në Mekë, ishte për nderim e jo për përçmimin e vendeve dhe simboleve të profetëve të tjerë dhe epokave të tjera. Jo vetëm vendet, por edhe njerëzit duhet të përfshihen në këtë përqafim.

Nëse duam edhe më tej ta ndjekim Pejgamberin e Zotit në miraxhin e tij, mos të ndahemi nga falja e namazit. I kemi dhënë besë Zotit se namazin do ta falim dhe Pejgamberin (s.a.s.) në miraxhin e tij do ta ndjekim. Miraxhi është treguesi më i mirë se si besimtari mysliman duhet të marrë si model Muhamedin (a.s.). Ai duhet të përballet në mënyrë heroike me jetën dhe problemet e saj, me vështirësitë dhe krizat eventuale dhe në fund të dalë fitimtar. Miraxhi ishte dhe mbeti pishtar dhe dritë e përjetshme për shpirtin e myslimanëve. Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam” Këshilli Botues, KMSH

Eja ndigjo, ndër qiellna si është ngjitë,
N’qofsh ashik, n’zjarrm t’ashkut mos u digj!
Sa çel e mbyll sytë, menjëherë ai Padisha,
N’Kudsi Sherif erdh, ia mbrrini e pa.
Shpirtrat e pejgamberëve gjithë kur e panë,
Para i dolën dhe shumë ikram i banë.
Doli në mihrab, të gjithë tabi iu banë,
Gjithë atyne iu prini e iu bë imam.
Zoti urdhënoj e tha t’vijn me pa,
Arsh e Qyrs, hem edhe Mue, ja Mustafa!
Ty të kallzon sonte gjithë çka jeretisë,
Dhe të diftohet Xhemali i Perëndisë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top