“Na qëlloi Jetmir Llani dhe tha: M’i bëni të fala djalit te varri”

BoOoMBaStiCk

Il Silenzio
V.I.P
Atentati në Mamurras

Dëshmia e Ledi (Aurel) Shkretës, të sapodalë nga reanimacioni

Fushe-Mamurras-320x213.jpg


Djali i familjes Shkreta, Ledi (Aurel) Shkreta, i cili i mbijetoi atentatit të dy ditëve më parë në Mamurras të Kurbinit, ka dalë nga reanimacioni dhe ka dëshmuar se personi që qëlloi mbi të dhe vëllain e tij, i cili vdiq në vend, ishte Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit të vrarë më 5 qershor të këtij viti. “Para se të qëllonte, ai na tha ‘m’i bëni të fala djalit te varri’. Ishte i shoqëruar edhe me vëllain e tij, Muharremin”, është shprehur 29-vjeçari nga fshati Shpërdhet vetëm pak minuta pasi ka dalë nga reanimacioni i Spitalit Ushtarak, teksa ruhej nga dy punonjës policie nga frika e një hakmarrjeje tjetër e familjes Llani.

Dëshmia e të plagosurit

Ledi (Aurel) Shkreta, i cili mbeti i plagosur rëndë, ndërkohë që vëllai i tij, Arjan (Gentian) Shkreta, 31 vjeç, mbeti i vrarë, ka dalë dje në mëngjes nga gjendja e rëndë shëndetësore dhe është shtruar në katin e dytë të pavijonit të kirurgjisë në Spitalin Ushtarak. Në çdo moment, ai është mbajtur me masa sigurie, ku dy punonjës policie, nuk janë larguar asnjëherë nga dera e dhomës së tij, ndërkohë që janë vënë re vetëm 3-4 familjarë, që kujdeseshin për të. Policia tha se këto masa mbrojtjeje janë marrë pas kërkesës së familjarëve të tij, nga frika se autorët e atentatit, do vinin ta vrisnin edhe në spital 29-vjeçarin, i cili i shpëtoi vdekjes, pavarësisht se nëna e dy vëllezërve, vetëm një ditë para këtij krimi të rëndë, kishte bërë apel për mbrojtje nga shteti, pasi ndiheshin të kërcënuar. Megjithatë, edhe pse Nexhmije Shkreta apeloi, nuk u mor asnjë masë për mbrojtjen e familjes, që dje i dha lamtumirën 31-vjeçarit. Në orët e mesditës, të plagosurin e kanë vizituar dy oficerë të policisë gjyqësore nga Laçi, të cilët kishin marrë informacion nga kolegët e Tiranës se ai mund të fliste. Gjatë marrjes në pyetje, Shkreta ka shpjeguar se sapo ishte kthyer me vëllain e tij nga jashtë vendit. “Rrugës na dolën para Jetmir Llani me vëllain e tij, Muharremin. Të dy ishin të armatosur, ndërkohë që Jetmiri na fajësoi për vrasjen e djalit të tij nga vëllai ynë. Para se të qëllonte, ai na tha ‘M’i bëni të fala djalit te varri’ dhe pastaj shtiu mbi ne. Tentuam të largoheshim, ndërkohë që ata filluan të qëllojnë me automatikë. Më tej, nuk mbaj mend ndonjë gjë tjetër, pasi kam ngrënë plumba e kam humbur ndjenjat”, është shprehur 29-vjeçari për policinë.

Kërkimet për vëllezërit

jetmir-llani-305x320.jpg

Jetmir Llani

Policia, e cila deri dje nuk kishte asnjë provë për dy vëllezërit e dyshuar për krimin e rëndë, menjëherë ka marrë në dorë një dëshmi të fortë për të akuzuar ata për vrasje në rrethana cilësuese dhe i ka shpallur në kërkim. Nga ana tjetër, duke u bazuar në dëshminë e tij ka rindërtuar vendin e ngjarjes, pasi dy vëllezërit janë gjetur shumë metra larg njëri-tjetrit, ku janë ngritur dyshime se viktima mund të ishte marrë peng dhe keqtrajtuar para vrasjes. Por, duke u bazuar në dëshminë e vëllait të tij, tashmë është ngritur hipoteza se Arjan (Gentian) Shkreta, ka tentuar të largohet me vrap, derisa e kanë kapur plumbat dhe është vrarë mizorisht. Megjithatë, dëshmia e Shkretës do të verifikohet me provat e tjera të mbledhura në vendin e ngjarjes, pasi autorët mund të ngrenë alibi se 29-vjeçari ka gënjyer për shkak të hasmërisë mes dy familjeve, e nisur që me 5 qershor të këtij viti, kur u vra djali i Jetmirit dhe u plagos Muharrem Llani, i cili tashmë është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor me vëllain e tij.

Arrestimi i bashkëpunëtorit

Duke hetuar ngjarjen e rëndë, policia ka arritur në konkluzionet paraprake se dy vëllezërit Llani janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes dhe për t’iu fshehur arrestimit. Në këto kushte, shërbimet e Komisariatit të Kurbinit kanë bërë ndalimin e Xhelal Peposhit, që sipas të dhënave dyshohet se u ka ardhur në ndihmë Muharrem dhe Jetmir Llanit, pas atentatit që u kryen ndaj djemve të familjes Shkreta në Mamurras. Peposhi ka ndihmuar Muharrem dhe Jetmir Llanin të largohen nga vendi i krimit. Policia po vazhdon kërkimet për kapjen e dy autorëve. Kërkimet janë përqendruar në zonat përreth Mamurrasit.

Lamtumira për Gentianin

Gent-shkreta.jpg-240x320.jpg

Gent Shkreta

Teksa policia ka rrethuar Mamurrasin, familja i ka dhënë lamtumirën e fundit Gentian Shkretës, i cili po kthehej në shtëpi, kur u vra në pritë. Ceremonia është zhvilluar në banesën e njërit prej xhaxhallarëve të tij, pasi ajo e vetja është bërë e pabanueshme që në momentin e vënies së tritolit.Pak burra të zinte syri, teksa prisnin ngushëllime, të cilët dukeshin të frikësuar dhe e kishin të vështirë të pranonin njerëz që nuk i njihnin. Disa prej burrave shikonin në rrugë çdo lëvizje, ndërkohë që nga familja Llani nuk shikohet asnjë njeri, teksa policia kontrollon në çdo cep për kapjen e të dyshuarve.

Hetimet

I plagosuri - “Rrugës na dolën para Jetmiri me vëllain e tij, Muharremin. Të dy ishin të armatosur, ndërkohë që Jetmiri na fajësoi për vrasjen e djalit të tij nga vëllai ynë”

Bashkëpunëtori - Shërbimet e komisariatit të Kurbinit kanë bërë ndalimin e Xhelal Peposhit, që sipas të dhënave dyshohet se u ka ardhur në ndihmë Muharrem dhe Jetmir Llani

Lamtumira - Ceremonia e varrimit të Gentianit u zhvillua në banesën e njërit prej xhaxhallarëve, pasi e vetja është bërë e pabanueshme që në momentin e vënies së tritolit



Historia

Një pompë uji mendohet se ishte zanafilla e sherrit mes Llanit dhe dajës së vëllezërve Shkreta

Familjet Shkreta-Llani, si u prish miqësia e ngushtë brenda 24 orëve

Shoqëria e ngushtë, e nisur qëkur ishin të vegjël, mes fëmijëve të familjes Shkreta dhe atyre të familjes Llani u shkatërrua brenda 24 orëve dhe solli një valë hakmarrjesh, që ende nuk dihet se kur do të mbyllet dhe e gjitha erdhi për një pompë uji dhe disa fjalëve të thëna pa u menduar mirë. Të paktën kështu thonë banorët e zonës, teksa po përcjellin për në banesën e fundit Gentian Shkretën, ashtu siç e njohin ata, pasi e kishte ndryshuar emrin dhe me dokumente zyrtare quhej Arjan. Ata shprehen se e gjitha mendohet se ka ardhur pas vendimit të marrë nga Mark Shkreta, një natë para atentatit që i hapi rrugë hakmarrjes, kur u tentua të vritet Muharrem Llani, i cili u plagos rëndë, por që mbeti i vrarë Endri Llani, nipi i Muharremit dhe djali i Jetmirit, ku ky i fundit dyshohet se është edhe autori i vrasjes së Mark Shkretës në Tiranë. Banorët tregojnë se fëmijët e dy familjeve kanë punuar më shumë jashtë vendit sesa në Mamurras. Sipas tyre, më 4 qershor të këtij viti, një ditë para ngjarjes së rëndë, kur u vra Endri Llani, 9 vjeç, mu në mes të Mamurrasit bëhet një përleshje, që nis për një pompë uji. Nga ajo ngjarje dhunohet daja i djemve Shkreta, ndërsa në këtë konflikt të egër merr pjesë edhe Jetmir Llani. Djemtë e Mark Shkretës mësojnë për rrahjen e dajës së tyre, pasi ai u thotë se e kishte rrahur shoku i tyre, dhe e thërrasin Mirin në shtëpinë e tyre për të sqaruar situatën. Thyerja e madhe mes tyre nis pikërisht në shtëpinë e Mark Shkretës, mbrëmjen e 4 qershorit. Miri dhe Muharremi shkojnë në shtëpinë e shokëve të tyre për të sqaruar pozicionin në atë ngjarje, ku Jetmiri mësohet se ka qenë me dy shokë të tij dhe jo me vëllain. Megjithatë, atë natë, situata nuk e qartësua, por u komplikua edhe më shumë. Banorët thonë se në shtëpinë e Shkretëve, atë natë janë nxjerrë armët mes palëve. Situata konfliktuale, por që nuk pati të shtëna me armë pranohet edhe nga policia, e cila thotë se gjithçka është zgjidhur pa përdorimin e tyre. Por, si për rastin e konfliktit me dajën e djemve të Shkretëve, ashtu edhe për përplasjen e 4 qershorit në banesën e Shkretëve, dokumentimi policor ka ardhur vetëm pas atentatit ku u vra 9-vjeçari Llani. Megjithatë, pasi vëllezërit Llani kanë ikur nga familja Shkreta, nga dëshmitë e mbledhura, policia dyshon se babai u ka kërkuar fëmijëve të marrin hak, pasi vëllezërit Llani kishin shkuar të armatosur në shtëpinë e tij. Mëngjesin e 5 qershorit 2012, vëllezërit Altin dhe Alban Shkreta i zunë pritë Muharremit. Nga atentati u plagos Muharremi, ndërkohë që mbeti i vrarë nipi i tij 9-vjeçar, Endri Llani. Katër ditë pas të “dyzetave” të vdekjes së 9-vjeçarit, më 9 korrik, në Tiranë vritet Mark Shkreta, babai i dy vëllezërve të arrestuar për vrasjen e të miturit. Policia tha se për krimin dyshohet babai i fëmijës, Jetmir Llani, por ai e hodhi poshtë akuzën me një telefonatë nga Greqia, duke deklaruar se ai nuk ndodhej në Shqipëri dhe që nuk “kishte ndyrë duart me vrasjen e një të moshuari”. Më 31 korrik vjen një tjetër atentat ndaj familjes Shkreta. Një makinë me eksploziv lihet para banesës së braktisur të tyre dhe shpërthen gjatë natës, duke shkatërruar plotësisht ndërtesën. Edhe për këtë krim, policia dyshoi mbi Llanin, por nuk arriti t’ia faktojë. Më 19 shtator, Jetmir Llani kthehet në Rinas, por policia nuk ia vërteton dyshimet për dy atentatet e para. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, ai dyshohet se qëlloi dy vëllezërit e tjerë të familjes Shkreta. Edhe ky krim mund të jetë i vështirë që të vërtetohet, por dëshmia kyçe e të mbijetuarit i ka dhënë “krahë” policisë që të dokumentojë këtë dosje, e të shpallë në kërkim dy vëllezërit Llani.

G.Shqip
 
Redaktimi i fundit:
Titulli: “Na qëlloi Jetmir Llani dhe tha: M’i bëni të fala djalit te varri”

Po policia ca ben apo u mban pishtarin ketyre?
Vertet gjakmarrja eshte nje fenomen qe do kohe te zhduket,por me vjen me paaftesine e shtetit (policise) per ti mbajte nen kontroll keto raste.
 
Titulli: “Na qëlloi Jetmir Llani dhe tha: M’i bëni të fala djalit te varri”

Si vrasin si pa te keqe kaq pa llogjike jane keta njerez sikur jan pula dreqi ta haje....
 
Back
Top