Musliman i mirë, qenie njerëzore e mirë!

Ado

FISEBILIL-LAH
Autor: Khalid Baig

“Patjetër të jesh qenie njerëzore e mirë para se të bëhesh musliman i mirë!”
Ihsani është term i veçantë islam, i cili është definuar përmes hadithit të famshëm, që gjithashtu njihet edhe si hadithi i Xhibrilit. Një herë, Xhibrili [alejhi selam] vizitoi Pejgamberin [alejhi selam] në paraqitje njerëzore, në prezencë të shokëve të Pejgamberit [alejhi selam]. Kjo ka ngjarë kah fundi i misionit pejgamberik, ndërsa qëllimi i kësaj (ngjarje) ishte për të përmbledhur ca mësime rrënjësore të Islamit, që të gjithë ne të mësojmë.
Xhibrili [alejhi selam] pyeti rreth Islamit, imanit, ihsanit, Ditës së Gjykimit dhe rreth Paracaktimit (Kaderit). Sa i përket ihsanit (mirëbërjes), Pejgamberi [alejhi selam] iu përgjigj: “Ai nënkupton të adhurosh Allahun sikur je duke e parë. Meqë, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh.” (Muslimi) Siç duket, të adhuruarit tonë do të ishte më i mirë kur do ta bënim me atë vetëdije. Së këndejmi, ihsan do të thotë të përpiqesh të përsosesh në arritjen e devotshmërisë përmes një vetëdije të lartë afërsie me Allahun.
Këtë duhet të synojnë ata që duan të purifikohen shpirtërisht. Abdul Hamid Sidiki, i njohur për përkthimin e Sahihut të Muslimit në gjuhën angleze, shënon se ajo që nënkuptohet nga termi “tasavuf” është kryekëput ajo që përthekon nocioni i ihsanit. Duke pasur këtë në mendje mund të kuptojmë gëzimin e një njeriu që, një herë, i pati thënë mësuesit të vet se ka arritur ihsanin në namaz. Ai ndiente sikur të ishte para Allahut gjithherë kur ka bërë namaz. “ثshtë për mrekulli të ndihesh ashtu kur bën namaz,” i kishte thënë mësuesi. “Por, a e ke të njëjtën ndjenjë kur ke të bësh me njerëzit? A e ke arritur ihsanin në marrëdhëniet e tua me bashkëshorten dhe fëmijët; në marrëdhëniet me shokët e të afërmit? Në të gjitha marrëdhëniet shoqërore?”. Këtij nxënësi të hutuar mësuesi vazhdoi t’i shpjegojë se koncepti i ihsanit nuk duhet të brendashkruhet vetëm në aspektin e namazeve. Termi ka përdorim të përgjithshëm dhe gjen zbatim në të gjitha segmentet e jetës.
Mësuesi sufi në këtë rrëfim ishte dr. Abdul Haj Arfi, e ky nxënës i Mevlana Eshref Ali Thanviut. Një nga shumë kontributet e mëdha të Mevlana Thanviut ishte që mësimet islame që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shoqërore midis njerëzve ai i ka rindërfutur në mesin e çështjeve fetare. Porosia e tij ishte: “Patjetër duhet të bëhesh qenie njerëzore e mirë para se të bëhesh musliman i mirë. Kjo porosi rrënon keqkonceptimin katastrofal dhe tragjik që redukton Islamin vetëm në kryerjen e adhurimeve – përmbushjen e pesë kushteve – e me këtë duke plaçkitur një pjesë të madhe të “ndërtesës” (Islamit). Një pjesë shumë e rëndësishme dhe integrale e kësaj ndërtese ka të bëjë me marrëdhëniet tona shoqërore. Ajo merret me atë se si sillemi në familje; se si ndërveprojmë me familjarët, me miqtë, me fqinjtë, me kolegët dhe me të gjithë njerëzit në përgjithësi.
Shtylla e mësimeve islame në këtë aspekt është parashkrimi se nuk duhet shkaktuar dëm ndaj askujt përmes fjalësh a veprimesh. Në hadithin e shumënjohur thuhet: “Musliman është ai, nga duart dhe gjuha e të cilit të tjerët janë të qetë.” (Buhariu). “Nga duart dhe gjuha e të cilit...” nuk nënkupton vetëm se ne nuk hedhim gurë ndaj tyre, por gjithashtu edhe se nuk themi e as nuk bëjmë gjë që do t’i lëndonte ata.
Islami mëton të ndërtojë një shoqëri, e cila është model për njerëzi, mirësjellje dhe interesim e kujdesje për të tjerët.
Ky hadith qartazi e përshkruan këtë (koncept/parim) si tipar i një muslimani. Kur kemi të bëjmë me “muslimanët e tjerë”, dijetarët biejnë në ujdi se ky parim është i përgjithshëm, që zbatohet edhe ndaj jomuslimanëve, me përjashtim ndaj atyre që janë në luftë me muslimanët. Së këndejmi, një njeri që përmes veprimeve të tij të qëllimta ose të shkujdesura shkakton vuajtje a mundim ndaj të tjerëve, nuk meriton të quhet musliman.
Mund të nisim të çmojmë vlerën e këtij mësimi duke vërejtur se shumica e problemeve në jetë bëhen nga vetë njeriu. Jeta mund të bëhet ferr i gjallë, nëse në familje ka probleme: tendosje ndërmjet bashkëshortëve, fërkim ndërmjet prindërve dhe fëmijëve të vet, grindjet ndërmjet vëllezërve e motrave dhe të afërmve të tjerë. Në ditët e sotme këto janë ngjarje të zakonshme kudo. Por, a mund të ngjajnë këto probleme dhe të arrijnë intensitetin që e kanë, nëse gjithsecili me të vërtetë brengoset të mos lëndojë askënd? E njëjta pyetje ka të bëjë me analogjinë, më konkretisht, me miqtë, me fqinjtë, me kolegët dhe me shoqëritë.
Islami, pra mëton të ndërtojë një shoqëri, e cila është model për njerëzi, mirësjellje dhe interesim e kujdesje për të tjerët, kështu duke i shquar këto veti si çështje fetare. Transmetohet nga ebu Hurejra se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Besimi është shtatëdhjete-disadegësh ose gjashtëdhjete-disadegësh, më e larta prej të cilave është të deklarosh se s’ka hyjni me meritë për adhurim, përveç Allahut, ndërsa më e ulëta është të largosh ndonjë gjë që pengon në rrugë.” (Muslimi). E kjo është konsideratë. E me gjasë nuk ka nivel imani më poshtë se kaq.
Shohim këtë konsideratë për të tjerët nëpërmjet jetës së Pejgamberit Muhamed [salallahu alejhi ue selem]. Natyrisht se një qëndrim i tillë shfaqet në detale “të vogla”. Sa për ilustrim, Muslimi ka rrëfyer se kurdoherë që Pejgamberi [salallahu alejhi ue selem] ka vizituar ndonjë grup njerëzish, ku ca do të ishin zgjuar e të tjerët fjetur, ai do t’i përshëndeste me një zë mjaft të ulët, aq sa të zgjuarit do të mundnin ta dëgjonin, gjersa të fjeturit nuk do të trazoheshin. Dhe kurdoherë që kishte zakon të zgjohej natën për të bërë namaz, do të dilte nga shtrati shumë qetazi, ashtu që nuk do të trazonte bashkëshorten e vet që flinte.
Tutje, kurdoherë që shihte dikënd që bënte ndonjë gjë të gabuar, për të cilën kishte nevojë publikisht të bëhej qortimi, do të fliste rreth atij veprimi në trajtë të përgjithshme, duke mos e përmendur emrin e vepruesit. Kjo praktikë gjithashtu përshkruan dy skajshmëritë në këtë drejtim, të cilat duhet t’i shmangim. Në njërën anë është shtysa për të kompromisuar në çështjen e së mirës dhe së keqes me qëllim për të parandaluar së lënduari ndjenjat, ndërkaq, në anën tjetër, është shtysa për të ndëshkuar veprimin e keq duke mos i shfaqur detalet, me atë që vepruesi në fjalë të mos ofendohet e lëndohet. Teksa shohim këto qëndrime të skajshme te njerëz që u ngjajnë poleve, veç praktikimit të tyre të fesë, që të dyja grupet-skajet burojnë nga i njëjti vizion i ngushtë për fenë, i cili marrëdhëniet tona me të tjerët, si çështjet e kësaj bote, i mban jashtë kufijve të Islamit!
ثshtë mirë të mos harrojmë se Islami është mënyrë e të jetuarit. Ne duhet ta nënshtrojmë tërë jetën, e jo vetëm ca aspekte të saj që i caktojmë, ndaj urdhrave e mësimeve të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij [salallahu alejhi ue selem]. Zotimi ynë në Islam nuk duhet të jetë vetëm i gjithmonshëm, po edhe gjithaspektual duhet të jetë.

I marrë me modifikime të pakta editoriale nga Albalagh.net
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi
Burimi: Good Muslim ... Good Human Being - Advice - Shari`ah - OnIslam.net
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top