Murgeshat, priftërinjtë dhe mjekët akuzohen për trafikim të foshnjave në Spanjë

Kresha

A pretty face can never trick me


Shoqëria spanjolle është tronditur nga akuzat për rrëmbimin dhe trafikimin e mijëra foshnjave nga murgeshat, priftërinjtë dhe mjekët, praktikë kjo e cila filloi në kohën e diktatorit Franco dhe zgjati deri në vitet e 90-ta.

Për herë të parë u takova me Manoli Pagadore në Getafe, një paralagje e klasës punëtore në Madrid. Ajo po merrte pjesë në një takim të njerëzve, të cilët janë goditur nga skandali, të cilin spanjollët e quajnë “ninos robados”- fëmijët e vjedhur.

Ajo ka tri vajza dhe shumë nipër dhe mbesa, por ajo kurrë nuk ka arritur të pajtohet me humbjen e fëmijës së saj të parë-djalit-para më shumë se katër dekadave.

Pagadore madje filloi të besojë se ishte e çmendur, ngase besonte edhe më tutje se djali i saj ishte gjallë, e jo i vdekur dhe i varrosur, siç i kishin thënë mjekët e spitalit.

“Tani, shikoni përreth dhomës, në fytyrat e femrave tjera këtu. Të gjitha si unë. Me të njëjtin sfond. Me të njejtën përvojë. Nuk jam e marrë dhe familja më në fund po më beson”, thotë ajo.

Në vitin 1971, Manoli, e cila atëbotë kishte 23 vjet dhe sapo e martuar, lindi një djalë të shëndoshë, siç e njoftuan në spital, por ai menjëherë u nda nga e ëma, për t’iu nënshtruar një “testi rutinor”.

Kaluan nëntë orë. “Më pas, një murgeshë, e cila ishte gjithashtu infermiere, me njoftoi me gjakftohtësi se foshnja ime ka vdekur”, rrëfen Pagadore.

Nuk e lejuan ta shoh kufomën e djalit, e nuk e njoftuan as për atë se kur dhe ku do të varrosej ai.

Por a nuk i kishte shkuar në mend që t’i bëjë pyetje personelit të spitalit?

“Mjekëve, murgeshave? Nuk mund t’i akuzoja se po gënjenin. Ishte Spanja e Francos. Një diktaturë. Madje edhe sot, ne spanjollët jemi të prirë që mos të vëmë në dyshim autoritetet”, thotë ajo pothuajse e tmerruar.

Përmasat e trafikimit me foshnje mbeten të panjohura deri këtë vit, kur dy persona-Antonio Barroso dhe Juan Luis Moreno, shokë nga fëmijëria, në një qytet afër Barcelonës-zbuluan se ata ishin blerë nga një murgeshë. Prindërit e tyre nuk ishin prindërit e vërtetë dhe jeta e tyre kishte bazuar në një gënjeshtër.

Juan Luis Moreno kuptoi të vërtetën, kur njeriu, të cilin ai gjatë gjithë jetës e quajti “baba”, ishte në shtratin e vdekjes.

“Ai më tha, ‘Të kam blerë nga një prift në Saragosa’. Më tha se edhe Antonio ishte blerë”, rrëfen Moreno.

Dy shokët ishin të lënduar dhe të hidhëruar. Ata thonë se e kanë ndier vetën si dy qenë, të cilët janë blerë në një dyqan të kafshëve shtëpiake. Një avokat për adoptim, të cilit ata ju drejtuan për këshilla, ju tha atyre se raste të këtilla ai kishte hasur gjatë gjithë kohës.

Dy shokët ju drejtuan medieve dhe befas, rrëfimi u shpërnda në të gjitha anët. Nënat filluan të shfaqen në të gjitha anët e Spanjës, me rrëfime të ngjashme.

Pas disa muajve të kërkesave, të bëra nga BBC, qeveria e Spanjës më në fund vuri në dispozicion Angel Nunezin, nga ministria e Drejtësisë, për të folur në lidhje me fëmijët e vjedhur në Spanjë.

I pyetur se a janë vjedhur foshnjat, Nunez u përgjigj:”Pa asnjë dyshim”.

“Sa?”, ishte pyetja e radhës.

“Nuk kam guxim të përmend shifra. Por në bazë të volumit të hetimeve zyrtare, mund të them se ishin shumë”, përgjigjet ai me kujdes.

Avokatët besojnë se mbi 300 mijë foshnje janë ndarë në këtë mënyrë nga prindërit e tyre biologjik.

Praktika e largimit të fëmijëve nga prindërit, të cilët konsideroheshin si të “padëshirueshëm” dhe dërgimi i fëmijëve te familjet e “aprovuara”, filloi në vitet e 30-ta, në kohën e diktaturës së gjeneralit Francisco Franco.

Atëbotë, motivi ndoshta ka qenë ideologjik. Por disa vite më vonë, dukej se gjërat filluan të ndryshojnë-foshnjat filluan të merren nga prindërit, të cilët konsideroheshin moralisht apo ekonomikisht të papërshtatshëm. Gjithashtu, kjo praktikë u shndërrua edhe në burim të të ardhurave.

Skandali është i lidhur ngushtë me kishën katolike, e cila nën kryesimin e Francos mori përsipër një rol prominent në kuadër të shërbimeve sociale në Spanjë, përfshirë këtu edhe në spitale, shkolla dhe jetimore.

Murgeshat dhe priftërinjtë hartonin listat e personave të gatshëm për adoptim, ndërsa mjekët thuhet se kanë gënjyer nënat e reja, në lidhje me fatin e fëmijëve të tyre.

Emri i një mjeku, Eduardo Vela, është paraqitur në disa raste të hetimeve, të zhvilluara nga viktimat.

Në vitin 1981, sipas disa burimeve të Regjistrit Civil, mbi 70 për qind të foshnjave të lindura në Klinikën e Velas, San amon, në Madrid, u regjistruan si foshnje me “nënë të panjohur”.

Kjo ishte në përputhje me ligjin spanjoll dhe kishte për qëllim që të mbrohej anonimiteti i nënave të pamartuara. Dyshohet se kjo ishte mënyra që është përdorur, për të mbuluar vjedhjen dhe trafikimin e foshnjave.

Vela akuzohet se ju ka thënë nënave se foshnjat e tyre kanë vdekur, edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, për t’ia shitur foshnjat më pas çifteve tjera.

Me Velan u takuam në ordinancën e tij private, në Madrid. Njeriu, i cili në mediet spanjolle u përtretua si përbindësh, është i moshuar dhe u paraqit i buzëqeshur, por buzëqeshja e tij u zhduk.

Ai kapi në dorë një kryq prej metali, i cili gjendej mbi tavolinën e tij. “A e di çka është ky. Gjithmonë kam vepruar në emër të tij. Gjithmonë për të mirën e fëmijëve dhe të nënave. Mjaft”, deklaroi Vela, duke insistuar se gjithmonë ka respektuar ligjin.

Pas vdekjes së Francos, në vitin 1975, partitë kryesore politike arritën pajtimin për amnisti, për të ndihmuar tranzicionin drejtë demokracisë. Ligji për amnisti nuk u shfuqizua kurrë, kështu që përpjekjet për të hetuar vdekjen e fëmijëve në Spanjë si krim kundër njerëzimit, janë refuzuar nga sistemi spanjoll i drejtësisë dhe nga politikanët.

Manoli Pagadorin ende e torturon ngjarja, e cila ka ndodhur para katër dekadave. Ajo thotë se që nga ajo kohë ka marrë ilaçe.

“Nuk mund t’i thuash vetës duhet ta harrosh dhe përfundon me kaq. Nuk është një gjë që mund të harrohet, është një gjë që të përcjell gjatë gjithë jetës”, nënvizon Pagadorin.



Marrë nga: Gazeta Express

Burimi: BBC
 
Pe: Murgeshat, priftërinjtë dhe mjekët akuzohen për trafikim të foshnjave në Spanjë

dhe ne i besojme ketyre sepse jan ata qe perfyterojen otin miresine omg kulmi
 
Back
Top