Situata e rënduar nga reshjet e shiut në disa prej zonave të Shqipërisë ka detyruar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, të urdhërojë mbledhjen e shtabeve të emergjencave të të gjitha qarqeve, për të përballuar çdo situatë.
Tahiri, përveç se ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e emergjencave civile për përballimin e gjendjes së rënduar, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit, edhe kur kanë probleme emergjente nga reshjet e shiut.
Reshjet kanë sjellë një situatë të përkeqësuar jo vetëm në kryeqytet, ku gjatë ditës së sotme ka pasur kufizime të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe në zonat e largëta të vendit.
Moti i keq godet vendin; reshje të dendura, stuhi, përmbytje e bllokime rrugësh
Vendi është gdhirë të dielën me reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta. Në Tiranë, shumë rrugë u përmbytën, kryesisht në kryqëzime të rëndësishme lidhëse të kryeqytetit.
Në Kombinat ishte një nga pikat kritike. Por edhe në zonën e Laprakës, deri në mesditë, pothuajse e gjithë rruga ishte e mbuluar nga uji. Në rrjetet sociale u raportua edhe për përmbytjen disaminutëshe të një pjese të autostradës Tiranë-Durrës.
Situatë problematike është krijuar edhe në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin, ku qytetarët kanë raportuar për prani të shtuar të baltës dhe gurëve në rrugë, por pa e bllokuar atë.
Në Durrës, ku era dhe deti bëhen bashkë, gjendja duket më dramatike, por pa pasoja për punën në port.
Forca e detit nuk i kalon 6 ballët dhe raportohet se të gjitha anijet janë ankoruar. Lajmi më i keq i ditës vjen nga Peshkopia, ku një punëtor është rrëmbyer nga uji gjatë punës për pastrimin e një kanali. Policia e konsideron atë të zhdukur dhe thotë se po e kërkon.
Reshjet e dendura të shiut nuk kanë kaluar pa dëme edhe në shumë familje, përfshi disa banesa në Tiranë.
Në lumin e Lanës është vërejtur një fryrje e menjëhershme, por Bashkia e Tiranës thotë se e ka gjendjen nën kontroll. Përveç përmbytjes së disa rrugëve, ajo çfarë bie në sy në kryeqytet është numri i lartë i punëtorëve që pastrojnë rrugët nga gjethet e fundit të vjeshtës, në mënyrë që ato të mos bllokojnë kanalizimet.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se, deri të dielën e ardhshme do të ketë reshje shiu dhe ulje temperaturash.
/ Top Channel
Redaktimi i fundit: