Monarkia shqiptare dhe patetizmi komunist

Bilderberg

Anëtar i ri
Monarkia shqiptare dhe patetizmi komunist
Nga ARDIAN MARASHI Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike


Shpeshherë thuhet se për Monarkinë nuk ka më çfarë të thuhet, se historianët e kanë “zbardhur” rolin e saj në historinë tonë të afërt dhe ne sot do të bënim mirë t’i lëmë të shkruarat siç janë. Atëherë: Pse të flitet mbi Monarkinë?
Monarkia është një moment kyç në historinë tonë kombëtare.
Për arsyet që tashmë i njohim, roli i saj jo vetëm nuk është “zbardhur”, por është nxirë. Revolucioni komunist nuk mund t’I njihte merita asaj që e quante “bota e vjetër”, përndryshe do t’i duhej të pranonte disa vlera të saj themelore, siç qenë liria, prona, tregu. Trashëgimia shqiptare shënon dy thyerje të mëdha në histori: epokën otomane, që theu trashëgiminë humaniste të Skënderbeut dhe Barletit, dhe epokën komuniste, që theu trashëgiminë liberale të Mbretit Zog dhe Konicës. Të dy thyerjet patën si pasojë izolimin e Shqipërisë nga orientimi perëndimor, mohimin thuajse total të trashëgimisë politike e kulturore, si dhe modelimin identitar të popullsisë përmes imponimit të surrogatove historike të tipit ‘njeriu otoman’ në një anë dhe ‘njeriu i ri’ në anë tjetër.
U tha dhe u shkrua se epoka e qeverisjes së Mbretit Zog paska qenë epoka më e zezë, më çnjerëzore e madje më komikja e historisë kombëtare. U teatralizuan xhandari, prefekti dhe e gjithë epoka, me qëllimin e vetëm për të krijuar në popull një imazh degradues të Mbretërisë dhe të Mbretit.
Kjo vënie në skenë e Historisë sipas ambicjeve të regjisorit ishte diçka që pritej: për të ndërtuar diktaturën, komunizmit i duhej që të karikaturonte historinë.
Përgjegjësia e historianëve qëndron pikërisht në faktin se këta e luajtën me kënaqësi dhe deri në fund rolin që u caktoi regjisori në këtë mise-en-scène të turpshme. Detyra e shkencës historike sot konsiston në çmontimin e mizanskenave të parafabrikuara, përmes dokumentimit historik dhe faktologjisë.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo detyrë është krejtësisht e realizueshme, aq sa ç’jemi të vetë-dijshëm për vështirësitë. Në të kuptuarit e historisë, një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare vazhdon të mbetet peng i interpretimeve teatrore, ku roli i personazheve është përcaktuar sipas optikës socrealiste bardhezi me heronj “pozitivë” dhe “negativë”, një skemë që për fat të keq i përshtatet fare mirë mentalitetit thjeshtëzues popullor, në të cilin, me të zënë vend, ajo ngelet e ngulitur për një kohë bukur të gjatë. Paragjykimi ndaj epokës së Monarkisë është ngritur, pra, mbi një keqkuptim monumental, të përforcuar dhe të stabilizuar emocionalisht në popull edhe nga fjala patetike e poetëve zyrtarë.
Mjafton t’u përgjigjemi ndershmërisht tri pyetjeve për të krijuar një ide fillestare mbi rolin e Monarkisë dhe të Mbretit Zog I në historinë shqiptare:
1) Nga erdhi Shqipëria, përpara se Monarkia të merrte në dorë punët e shtetit shqiptar? Trashëgimia otomane disashekullore la gjurmë të thella deri në identitetin e shqiptarve; kujtojmë formulën e Fishtës / Konicës:
“Tani që u bë Shqipëria, duhen bërë shqiptarët”.
Luftërat Ballkanike, më të egra se Lufta Botërore që pasoi, përgjakën vendin dhe shpirtin e shqiptarëve, duke krijuar një komb të përgjysmuar.
Vendi ishte pa infrastrukturë rrugore, ekonomike, tregtare; s’kishte rrjet arsimor, kultu-ror, shkencor, spitalor e shërbimesh sociale; asnjë potencial administrativ, industrial, ushtarak; sistem ligjor jashtëfunksional; sistem politik empirik dhe i pastabilizuar; sistem doganor e taksativ pothuaj inekzistent; sistem pronësie i tipit feudal.
Në planin e brendshëm: skamje, emigracion masiv, pasiguri, papunësi; në planin e jashtëm: izolim nga bota, aleanca inekzistente ose krejtësisht të kompromentuara.
2) Si e la Monarkia Shqipërinë në fund të dhjetëvjeçarit të qeverisjes së saj, përpara se Lufta tjetër Botërore ta nxirrte jashtë skenës politike?
Një orientim euro-perëndimor, i mbështetur në aleancat me Italinë dhe me Austrinë, dy ndër Fuqitë e Mëdha botërore. Një periudhë paqeje dhe stabiliteti për gjithë vendin, pa ushtruar dhunë politike apo institucionale mbi popullsinë. Punime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, hedhje e bazave të ekonomisë së tregut, tregti e lirë dhe në përmasa serioze më fqinjët, me prioritet aleancat ekonomiko-tregtare me Italinë ; rrjet arsimor i nivelit të mesëm në gjithë qytetet, financim shtetëror për bursistët nëpër universite të njohura europiane, promovim i figurave të shkencës nëpërmjet inkurajimit të medias së lirë, të shoqatave dhe revistave kulturore-shkencore
; krijim i një rrjeti funksional spitalor dhe të shërbimeve sociale ; ngritje dhe konsolidim i administratës shtetërore, i bazave të industrisë së lehtë dhe të rëndë, krijim i një ushtrie profesionale nën mbikëqyrjen e ekspertëve nga Italia, Austria, Turqia; konsolidim i ligjit, i kuadrit politik, i sistemit të doganave dhe taksave; arritje serioze drejt një sistemi pronësie të garantuar
dhe modern. Rritje e mirëqenies, kryesisht për qytetet, rënie e ndjeshme e emigracionit, mundësi punësimi dhe vlerësim korrekt për nëpunësit shtetërorë; dalje nga izolimi, por mbetje e vendit në nivelin e aleancave të kompromentuara, kryesisht për shkaqe të jashtme të gjeopolitikave
ndërkombëtare në prag të Luftës II Botërore.
Të gjitha këto në një dhjetëvjeçar të vetëm dhe në kushtet e krizës ekonomike botërore.
3) Cila qe gjendja e brendshme e vendit, nën Monarkinë: Liri e besimit, liri e fjalës, liri e shtypit, liri e lëvizjes. Garanci e pronës dhe e të drejtave themelore. Respektim i komuniteteve fetare dhe i personaliteteve të kombit,
edhe në rastin kur mëritë personale mund t’i kishin imponuar Mbretit qëndrim të kundërt, si psh. në raportet e tij me Konicën dhe me Fishtën ; nëse më përpara kishte pasur larje hesapesh me rivalët politikë, në vitet e Monarkisë situata politike paraqitet e stabilizuar.
Lulëzim i vërtetë dhe i qëndrueshëm i kulturës, artit e sidomos letërsisë, aq sa periudha e monarkisë mund të cilësohet si periudha mbretërore ose periudha e artë e letrave shqipe.
Detyra e shkencës së sotme historike nuk është kurrsesi që të vazhdojë t’i përmbahet skemës bardhezi, duke e pranuar atë siç qe ose duke ndërruar vetëm vendin e personazheve: më tepër sesa amatorizëm, ky do të ishte krim intelektual e njëkohësisht krim social, në vazhdën e para-ardhësve. Sot, detyra e historianëve është që të evidentojnë me skrupulozitet përmbajtjen e
qenësishme të epokave dhe të periudhave të historisë kombëtare, si dhe rolin e personaliteteve e të forcave politike në lojën komplekse të faktorëve historikë të ndërlidhur. Angazhimi i QSA në këtë drejtim është i qartë: ne synojmë t’u kthejmë shqiptarëve pronën e tyre të përbashkët, historinë kombëtare, në të cilën të gjitha forcat politike e të gjithë personalitetet janë aktorë me të drejta të barabarta përfaqësimi, sipas kontributit e sipas meritës realizuese.

link: Gazeta Shqiptare Online
 

Attachments

  • 100_Franka_Albania_%281926%29.jpg
    100_Franka_Albania_%281926%29.jpg
    66.3 KB · Shikime: 29
  • Albanian Girls' Battalion.jpg
    Albanian Girls' Battalion.jpg
    72.2 KB · Shikime: 19
  • Albanian Girls' Battalion Saluting.jpg
    Albanian Girls' Battalion Saluting.jpg
    53.2 KB · Shikime: 26
  • Albanian School Girls Singing2.jpg
    Albanian School Girls Singing2.jpg
    54 KB · Shikime: 20
  • cifti mbreteror.jpg
    cifti mbreteror.jpg
    20.7 KB · Shikime: 16

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 26.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 13.3%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.7%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 20.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 13.3%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 3 20.0%
Back
Top