Mitrovica, spastrimi etnik i popullsisë shqiptare

  • Hapësi i temës Hapësi i temës Ado
  • Start date Start date

Ado

FISEBILIL-LAH
Faton Mehmetaj

Serbia edhe sot e kësaj dite po i zbaton me ngulm planet serbomëdha të اubrilloviqit, Garashaninit, Andriqit, Qosiqit e të tjerëve. Ajo, nëpërmjet zbatimit të këtyre planeve, pothuajse e ka zbrazur pjesën veriore të Mitrovicës, apo thënë më troç e ka bërë spastrimin etnik të veriut të Kosovës nga popullsia shqiptare.

Dukuria e braktisjes dhe shitjes së shtëpive dhe të pasurisë së patundshme të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës ka marrë dimensione alarmante, madje ky proces është në përfundim. Që nga fillimi i zbatimit të këtij procesi, institucionet qeverisëse të Kosovës kanë bërë fare pak për pengimin dhe parandalimin e kësaj dukurie. Vetë fakti i blerjes së banesave dhe pasurisë së patundshme të shqiptarëve në mënyrë të organizuar nga Qeveria e Serbisë me çmime astronomike lë të kuptohet se ky proces ka prapavijë të thellë politike.

Para se të fillojë shitja e pronave të shqiptarëve, elementi serb i përqendruar në veri ka bërë presione të vazhdueshme mbi elementin shqiptar në Mitrovicë, duke filluar që nga vrasjet, hedhja e lëndëve plasëse në lokalitetet shqiptare, rrahjet e keqtrajtimet e fëmijëve, pengimi i shkuarjes në shkollë dhe i lëvizjes së lirë, djegiet e shtëpive e të pasurisë dhe, në një mënyrë, duke i izoluar nga procesi i jetës normale. Planprogramet serbe janë zbatuar nëpërmjet të ashtuquajturave struktura paralele serbe të sigurisë, të dirigjuara nga Beogradi, ekzistencën e të cilave për një kohë të gjatë nuk e kanë pranuar publikisht as KFOR-i, as UNMIK-u, as SHPK-ja por me këtë çështje nuk janë marrë seriozisht as drejtuesit e politikës në Kosovë. Ndonëse këto struktura ekstremiste militare e paramilitare serbe kanë vepruar dhe veprojnë ilegalisht në Kosovë, në kundërshtim me rendin dhe ligjet në fuqi, megjithatë ato janë lejuar të veprojnë dhe të zhvillohen të papenguara, duke qenë të dirigjuara dhe të financuara nga Beogradi. Ato përbëjnë rrezik permanent për destabilizimin e vendit dhe shpërthim të konflikteve të reja. Përmasat e shtrirjes ilegale të strukturave serbe dhe pasojat që mund të sjellin më së miri u panë pas 17 shkurtit brenda qytetit dhe në kufi.

Qeveria serbe e kolonizon veriun

Qeveria e Serbisë ka kohë që ka startuar me zgjerimin e kolonive serbe në veri. Ajo është duke ndërtuar objekte të larta (gjashtë sosh) për banim kolektiv në veri dhe atë me pëlqimin e ish-kryeshefit të ekzekutivit të Komunës së Mitrovicës, gjatë vitit 2007. Miratimet e tilla krijuan vakum anarkik, të cilin strukturat paralele serbe që veprojnë në veri dhe në viset tjera të Kosovës e shfrytëzuan në mënyrë profesionale për realizimin e planeve serbomëdha. Në fakt, ndërtimi i këtyre gjashtë banesave kolektive e krijoi një vijë ndarëse, duke i dhënë hapësirë elementit serb atje për krijimin e një “autonomie substanciale”.

Duke e parë këtë veprim publik të Qeverisë së Serbisë, banorët shqiptarë të atjeshëm filluan të ushtrojnë rezistencë të llojit të vet. Mirëpo, pa mbështetjen institucionale të vendit mbetën zë i shurdhër përballë fluksit shumë të shpejtë të zhvillimit të infrastrukturës serbe në veri.

Pas fillimit të ndërtimit të banesave kolektive për serbë nga qeveria e Serbisë fillon vala e shpërnguljes së shqiptarëve në mënyrë të organizuar nga pjesa veriore e Mitrovicës. Sipas disa statistikave publike, deri në vitin 2007 nga pjesa veriore e Mitrovicës janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e veta dhe pasuritë e patundshme 28.820 banorë shqiptarë.

Përballë situatës së krijuar atje, sipas dëshmive të shumë qytetarëve, por edhe të qindra shkrimeve e analizave, del se as institucionet komunale të Mitrovicës, por as ato qendrore të pasluftës nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje. Edhe pse sipas dokumentit të Ahtisaarit duhet të pezullohet çdo ndërtim kolektiv, posaçërisht në zonën buzë Ibrit, si zonë e sigurisë, aty gjatë vitit 2007 kishte filluar ndërtimi i pesë shumëkatësheve me rreth 180 banesa. Këta janë shembuj konkretë, të cilët e kanë debalancuar strukturën etnike në këtë pjesë.

Në veriun e Mitrovicës ndërtohen banesa kolektive serbe, por nuk lejohet ndërtimi i shtëpive dhe banesave individuale të shqiptarëve në lagjet veriore të qytetit. Ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara nga forcat serbe është penguar nga UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet tjera. Madje, UNMIK-u i ka penguar banorët shqiptarë të kthehen në pronat e tyre në Mitrovicë. Këtë e kanë konstatuar edhe përfaqësuesit zyrtarë dhe OJQ-të e ndryshme.

Që nga paslufta e deri në vitin 2007, banorët shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës as që janë lejuar nga UNMIK-u t’u afrohen shtëpive të tyre!

Në shkurt të vitit 2007, gjatë kontrollit doganor në pikën kufitare të veri të vendit, vetëm në një rast janë gjetur të holla në vlerë prej dy milionë eurosh. Këto nuk ishin para të një individi, por të Qeverisë së Serbisë, të cilat ishin të dedikuara për blerjen e banesave të shqiptarëve, edhe pse pasi u zunë këto para u deklaruan se ato ishin të dedikuara për ndihma humanitare refugjatëve, të cilat nuk iu dhanë kurrë.

Në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë janë ndërtuar gjashtë ndërtesa shumëkatëshe që nuk kanë ekzistuar kurrë. Në lagjen “7 Shtatori”, dy shtëpi me nga gjashtë kate, pastaj ndërtesa tjetër në afërsi të ndërtesës S/1 etj., kurse pranë tyre gjenden shtëpitë e djegura të banorëve shqiptarë, të cilëve nuk u është lejuar rindërtimi i tyre. Disa herë është kërkuar ndërprerja e menjëhershme e punimeve ilegale të këtyre ndërtesave nga zyrtarë shqiptarë të Komunës së Mitrovicës, por këto kërkesa nuk kanë hasur në mbështetje të pushtetit qendror. Pjesa dërmuese e pasurisë së shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës është blerë nëpërmjet të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb, i cili direkt e ka mbështetjen e Qeverisë serbe. Qeveria serbe, jo vetëm që i ka blerë këto prona, por ajo edhe ka ndërmarrë një fushatë të tmerrshme propaganduese për dëbimin e banorëve shqiptarë.

Përveç në Mitrovicë, Serbia është duke ndërtuar ilegalisht edhe në Graçanicë, në Brezovicë, Gjilan, në fshatrat e Gorës, etj. Në lokalitetin “Badovci 2” të Graçanicës, e ashtuquajtura “Qendër Koordinuese Serbe për Kosovë e Metohi” këtë vit e ka filluar ndërtimin e mbi dyzet shtëpive për serbët e shpërngulur pa e pyetur askënd, pra ilegalisht dhe pa leje ndërtimi. Këto punime kanë filluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Vlen të ceket se shitja e pronave të shqiptarëve në Mitrovicë në shumicën e rasteve është bërë fshehtas, kurse banorët e dëbuar me dhunë nga Mitrovica nuk kanë gjetur as më të voglën përkrahje nga institucionet tona tash nëntë vjet. Ata vazhdojnë të jetojnë në kushte shumë të këqija (bëhet fjalë për ata që nuk e kanë shitur pasurinë e tyre, por jetojnë me qira kah të munden apo edhe te farefisi dhe të njohurit e tyre si refugjatë, apo edhe në shtetet e ndryshme të Perëndimit).

Rasti i ndarjes së Mitrovicës është flagrant. Ndonëse urat simbolikisht janë simbol bashkimi e bashkëjetese, ura mbi lumin Ibër po e ndan dhunshëm Mitrovicën, që dikur ishte qyteti më i zhvilluar dhe më i pasur i Kosovës falë Kombinatit “Trepça”. Mitrovica tashmë është shndërruar në qytetin më të varfër e më të pazhvilluar të vendit. Ndërkaq, popullsia shqiptare e këtij qyteti është zvogëluar jashtëzakonisht shumë.

Sipas disa statistikave të bëra nga struktura ndërkombëtare, Mitrovica aktualisht ka rreth 130 000 banorë. Në pjesën veriore të Mitrovicës jetonin mbi 15 mijë banorë shqiptarë, kurse tash kanë mbetur rreth 4 mijë shqiptarë. Ajo pjesë, siç dihet, ishte e banuar me shumicë shqiptare, pjesa dërrmuese e të cilëve janë larguar dhunshëm gjatë dhe pas luftës nga ekstremistët serbë. Këtu duhet veçuar spastrimin etnik që bëri Serbia, më 11 shkurt të vitit 2000, kur u dëbuan dhunshëm 1 564 familje shqiptare me 11 364 banorë, me ç’rast në sy të KFOR-it u vranë edhe 11 qytetarë shqiptarë.

Drama e shqiptarëve të shpërngulur nga veriu i Mitrovicës është e dhimbshme, sepse ata janë harruar nga të gjithë. Edhe ata pak banorë shqiptarë që kanë mbetur në Mitrovicë e nëpër fshatrat përreth nuk guxojnë të ndërtojnë asgjë. اdo ditë kërcënohen. Edhe mbishkrimi “Kosova është Serbi” i vendosur pranë ndërtesës së “Qeverisë së Serbisë” në pjesën veriore të Mitrovicës, konkretisht në Lagjen e Boshnjakëve, për shqiptarët e atjeshëm është kërcënim më vete. Ka kohë që banorët shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës disi i kanë humbur shpresat për t’u kthyer në trojet dhe pronat e veta, pasi nuk gëzojnë përkrahje dhe mbështetje shtetërore. Ata kanë vështirësi për banim, pagesat e larta të qirasë i kanë shtrënguar një pjesë të këtyre banorëve që t’i shesin pronat e tyre me qëllim të zgjidhjes së problemit të banimit. Një pjesë e këtyre banorëve jetojnë në varfëri të skajshme. Disa prej tyre nuk i marrin as ndihmat sociale. Disa banorëve shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës, Qeveria serbe ua ka rrënuar shtëpitë dhe mbi to ka ndërtuar banesa kolektive, konvikte për studentë etj.

Qeveria serbe, jo vetëm që vazhdon të ndërtojë banesa për serbët në pjesën veriore të Kosovës, por praktikisht po u ofron benificione të ndryshme edhe atyre serbëve që nuk kanë qenë kurrë banorë të Mitrovicës, me qëllim që t’i mbajnë aty për të ndërruar strukturën etnike të popullsisë.

Ndarja e institucionalizuar e qytetit
Në vitin 2007, Mitrovica u bë qytet me dy komuna. Serbisë i duhej patjetër komuna e veriut të Mitrovicës për ta ndërlidhur më pas institucionalisht me komunën e Zveçanit. Edhe me planin e decentralizimit, Mitrovica është e ndarë në dy komuna. Filozofia politike e ndarjes së Mitrovicës është legjitimuar tashmë. Atje është bërë një lloj balancimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Përderisa serbët e kësaj komune lëvizin lirshëm, jo vetëm në pjesën jugore të qytetit të ndarë, por në tërë territorin e Kosovës, shqiptarët e kësaj pjese kanë pengesa dhe nuk mund të lëvizin lirshëm nga strukturat e ekstremistëve serbë dhe strukturat e MUP-it dhe të BIA-s, pjesë të të cilëve veprojnë papengueshëm në këtë rajon.

Gjatë vitit të kaluar vetëm në fshatrat Jagnenicë dhe Zupçe të komunës së Zubin-Potokut, Qeveria e Serbisë në “realizim të planit nacional” vuri gurthemelin për ndërtimin e mbi 20 shtëpive për serbët. Po ashtu, në fund të janarit të këtij viti, në njërën nga tetë ndërtesat shumëkatëshe të ndërtuara nga Qeveria serbe në Mitrovicën veriore janë vendosur refugjatë serbë nga Kroacia me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike në atë pjesë. Nga prilli i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti janë shitur 33 shtëpi në “Lagjen e Boshnjakëve”. Gjatë janarit të këtij viti, përfaqësues të qytetit të Beogradit e kishin dorëzuar objektin shumëkatësh të njohur si “Beogradjanka” i cili ka 24 banesa. Po ashtu, Qeveria e Serbisë, në vitin 2008, e vendosi gurthemelin e palestrës sportive në Leposaviq.
Qeveria serbe ka ndërmarrë tentativa të reja për blerjen e pronave të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, duke u ofruar çmime të larta për to. Vetëm për dy shtëpitë e Ali Kadriut, që gjenden në pikën më të lartë të kësaj lagjeje, Qeveria e Serbisë kishte ofruar hiq më pak se një milion e dyqind mijë euro.

Në fillim të nëntorit të këtij viti, pjesëtarët e Njësisë Speciale të UNMIK-ut, sipas udhëzimeve të strukturave paralele serbe, kanë keqtrajtuar dhe kanë ndërhyrë brutalisht ndaj banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës, të cilët kishin nisur rindërtimin e shtëpive në lagjen “Kroi i Vitakut”. Ajo çfarë ndodhi më pas me Ali Kadriun tashmë dihet.

Deshëm apo jo, këto projekte janë të motivuara politikisht. Kjo është strategji e Serbisë për ta spastruar tërësisht këtë lagje nga elementi shqiptar. Përderisa organet e rendit, të drejtësisë dhe organet tona qeverisëse, në përgjithësi, nuk kanë qasje në veriun e Mitrovicës edhe pas tetë muajsh qysh kur Kosova u shpall shtet i pavarur, kjo pjesë konsiderohet e okupuar nga Serbia, ngase ata nuk e njohin pushtetin as kushtetutën e Kosovës, i zbatojnë ligjet dhe direktivat e Beogradit. Në këtë pjesë të Kosovës është funksional pushteti serb, i cili pamëshirshëm abuzon me të drejtat e banorëve shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë në truallin e vet.

Këtë vit, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i kanë ndarë dy milionë euro për veriun e Kosovës, të cilat megjithatë nuk mjaftojnë për të ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të atjeshëm, të cilët për vite të tëra janë lënë në harresë. Do të ishte e udhës që për nevoja të banorëve të atjeshëm të hartohen plane dhe të ndahen mjete shtesë nga suficiti buxhetor i Kosovës.

I gjithë ky proces për Qeverinë e Kosovës dhe për të gjithë ne është një sfidë e re, që shpresojmë ta kalojmë suksesshëm. Kosova edhe më tutje nuk i ka përmbushur elementet për t’u quajtur shtet funksional. Kosova, sidoqoftë, tashmë është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht. Kjo logjikë duhet të dominojë te institucionet shtetërore të Kosovës, por edhe te mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe të OKB-së, sepse çdo tentativë për ndarje etnike të Kosovës bart me vete rrezikun e konflikteve të reja në Ballkan.

(Autori është drejtor i OJQ-së për Hulumtime dhe Ndriçime Historike “Anatema”)
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top