Meta: Njohjet e Kosovës, prioritet i Qeverisë Berisha 2

Ado

FISEBILIL-LAH
I nominuari për postin e zëvendëskryeministrit dhe shefit të diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, një intervistë për Radio Dukagjinin ka theksuar se avancimi i njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës do të jetë prioritet, jo vetëm i diplomacisë por edhe i gjithë qeverisë së re shqiptare.

Po ashtu Meta ka thënë se marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe në të gjitha fushat tjera mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të jenë shumë më intensive gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa ka vlerësuar se, një rol të madh në këtë drejtim padyshim se ka rruga e re që bashkon shqiptarët.

Meta ka theksuar se ndër prioritetet kryesore të ministrisë që ai do të udhëheqë është shtimi i numrit të njohjeve të Kosovës.

“Avancimi për njohjen ndërkombëtare për shtetin e ri të Kosovës do të jetë një prioritet i veçantë dhe shumë i rëndësishëm i shtetit, qeverisë, dhe diplomacisë shqiptare, dhe për këtë, pa asnjë diskutim, do të forcojmë bashkëpunimin jo vetëm me shtetin e Kosovës, por, në radhë të parë edhe me partnerët më të mëdhenj që kanë marrë atë vendim historik të deritanishëm për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, si SHBA-të dhe disa nga parterët kryesorë evropian”, ka thënë Meta.

Duke mos përmendur ndonjë datë se kur Kosova mund të ketë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shefi i ardhshëm i diplomacisë shqiptare, ka potencuar se Shqipëria do të bëjë ç’është e mundur që Kosova të jetë anëtare e mekanizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Unë besoj dhe do të kontribuojë që kjo gjë të ndodhi sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të mos mungojë në asnjë institucion të rëndësishëm vendimmarrës botëror”, ka thënë Meta për Radio Dukagjinin. /Telegrafi/
 
Back
Top