Mediokracia, kur mediokrit vijnë në pushtet

Mediokër është dikush që i bën gjërat poshtë nivelit mesatar ose siç e përcakton fjalori i gjuhës shqipe që nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për aktivitetin që kryen.

Nëse meritokracia është qeverisja nga më të mirët, mediokracia është qevrisja nga mediokrit.
Filozofi kanades Alain Denault e analizon këtë fenomen në librin e tij “Mediokracia. Kur mediokrit vijnë në pushtet”. Sipas tij, arsyeja kryesore e ardhjes së mediokërve në pushtet është se sistemi nuk i favorizon më të mirët por favorizon ata që nuk bezdisin shefin.
Mediokër është dikush që i bën gjërat poshtë nivelit mesatar ose siç e përcakton fjalori i gjuhës shqipe që nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për aktivitetin që kryen.

MEDIOKËR mb. mospërf., libr.
1. Që ka aftësi të kufizuara, që nuk shquhet për ndonjë zotësi ose për ndonjë cilësi të veçantë; që është i rëndomtë (për njerëzit). Njeri mediokër. Nxënës (student) mediokër. Shkrimtar (poet) mediokër.
2. Që është poshtë mesatares nga cilësia ose i papërfillshëm nga sasia; që s’ka shumë vlerë, që është tepër i rëndomtë; që s’është as i mirë, as i keq (për diçka).
Vepër (pjesë) mediokre. Jetë mediokre.
3. Përd. em. sipas kuptimit 1 të mbiemrit. Punë mediokrish.
Unë mendoj se ne jetojmë në një vend mediokër. Mediokër në infrastrukturë, mediokër në shëndetësi, mediokër në arsim, mediokër në legjislativ, mediokër në ekzekutiv, mediokër në gjyqësor. Por tek ne mediokër është edhe media, televizionet, gazetat, portalet. Këta të fundit, ndërkohë që duhet të ishin pjesa më e përparuar e shoqërisë përkundrazi bëjnë pjesë në këtë mediokritet sepse gjithçka që bëjnë është shumë larg gazetarisë por janë kthyer në reklamues të paguar të politikës.

“Mediokracia përcakton një regjim në të cilin mesatarja bëhet norma sunduese që duhet të mishërohet”, thotë Deneault. Por ai vazhdon në përcaktimin e tij: «Në politikanët e sotëm ekziston natyra e mediokrit. Por të jesh mediokër nuk është e barabartë me të qenit i paaftë. Por të jesh pjesë e një tufe, pra të mos dallohesh. Ajo që zhduket është mendja kritike. Politika dhe idetë janë zhdukur në favor të asaj që manualet e menaxhimit e quajnë zgjidhja e problemit dhe ajo që kërkohet është një zgjidhje e menjëhershme e një problemi të menjëhershëm, i cili përjashton çdo mendim afatgjatë.”
Ne po drejtohemi nga politikanë mediokër, ligjet tona i bëjnë deputetë mediokër, gjykohemi nga gjyqtarë e prokurorë mediokër, arsimohemi nga mësues mediokër, kujdesimi nga mjekë mediokër mund të vazhdojmë kështu me radhë pa fund, sepse tek ne medikoriteti është bërë modë, është bërë normalitet.
Unë gjithmonë kam besuar se një vend është pasqyrimi i sjelljes dhe kulturës së njerëzve të tij. Gjermania apo Zvicra, Norvegjia apo Danimarka janë pothuajse vende perfekte, jo vetëm sepse qeveritë ose udhëheqësit e tyre nuk janë të korruptuar, por sepse të gjithë qytetarët e tyre bëjnë gjënë e duhur. Ata e dinë përgjegjësinë e qeverive por më shumë dinë përgjegjësinë e tyre. Ata e dinë se nëse në kutitë e votimit do të votojnë mediokrin do të thotë se ata kanë zgjedhur të jenë një vend mediokër.

Ka shumë gjëra që qeveritë tona bëjnë gabim, por ka shumë gjëra që ne shqiptarët i bëjmë gabim, që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë, dhe shuma e të dy elementëve rezulton në shoqërinë dhe vendin që kemi.
Nëse këto kohë do t’i kushtonim pak vëmendje postimeve nëpër rrjete sociale, do të shohim se të gjithë kanë një përbërës “MJAFT MË”. Jo si mjafti i Erion Velias por… mjaft më me qeveri të këqija, mjaft më me korrupsion, mjaft më me abuzime, mjaft më me deputetë të neveritshëm, mjaft më me krim në politikë, mjaftë më me papunësi, mjaft më me taksa të çorodituar, por edhe mjaft më me këtë shoqëri që nuk po di më t’i tregoj “muskujt” poltikës së paskrupullt.

Edhe unë jam gjithashtu mediokre, po tamam kështu, në momentin që kuptova se nuk kisha asgjë për të thënë, në atë çast e dija se duhej të shijoja mediokritetin tim. Pranimi i të qenit mediokër ka qenë gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Unë ndalova të veproj dhe fillova të shijoja jetën time duke fituar një lojë Merge Dragons ose Angry Birds dhe e lashë vendin tim të futej njësoj si unë në strofkën e mediokritetit.

/Dosja.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top