Më të korruptuarit në rajon

Më të korruptuarit në rajon

Kosova prin në ranglistën e vendeve më të korruptuara
Mbi 101 emra zyrtarësh të lartë gjenden në Prokurorinë e Shtetit, nën akuzën e korrupsionit. Gjatë këtij viti janë deponuar më shumë se 39 kallëzime penale për korrupsion. Prokuroria e Shtetit, sipas kryeprokurorit Ismet Kabashi, ka ngrehur aktakuzë për 50 zyrtarë të lartë. Pavarësisht kësaj, në Kosovë korrupsioni akoma është në ngritje
Korrupsioni e vazhdon rritjen në Kosovë. Së paku një konkludim i tillë mund të arrihet po qe se merren parasysh shifrat e raporteve të Transparency International, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian dhe të organizatave tjera relevante ndërkombëtare që merren me monitorimin e këtij problem.
Pa dilemë, Kosova e kryeson listën e shteteve të korruptuara në rajon sipas Transparency International. Kjo mbështetet në faktin se korrupsioni ka shënuar një rritje të dukshme që nga viti 2010, kur ka qenë 2,8 për qind, për të shënuar një rritje të skajshme këtë vit, prej 3,4 për qind.
Agjencia Kundër Korrupsionit konfirmon
Këtyre të dhënave u referohet edhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Sipas kreut të kësaj agjencie, Hasan Preteni, e gjithë transparenca ndërkombëtare mbi korrupsionin është reale. Kjo për arsye se nga viti në vit ka rritje të numrit të kallëzimeve penale, që Agjencia Kundër Korrupsionit i ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit. Sipas tij, shumë informacione të bazuara me prova janë dërguar në organin e akuzës, por duhet pritur vendimi i gjykatave. Gjatë vitit 2012 janë dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Shtetit më shumë se 100 zyrtarë të lartë, rastet e të cilëve janë konstatuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit. “Këtë vit i kemi dërguar në Prokurorinë e Shtetit më shumë se 39 kallëzime penale për më shumë se 101 zyrtarë të lartë. Sipas këtyre shifrave, ne si Agjenci Kundër Korrupsionit kemi dërguar në organin e akuzës më shumë kallëzime penale se vitin e shkuar, çka do të thotë se ka një trend të shtimit të korrupsionit, ku janë përfshirë një numër i madh i zyrtarëve të lartë, të cilët numërohen mbi 100 sish”, i ka thënë gazetës “Kosova Sot” kreu i AKK-së, Hasan Preteni.
 
Back
Top