Mbyllet Kongresi i PS-së, kryetari zgjidhet më 26 shtator

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P

Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka mbyllur punimet e ditës së sotme.

Përfundimisht në garën për kreun e partisë, janë tre kandidatë, Edi Rama, kryetar në detyrë, Arben Malaj, deputet i kësaj partie si dhe Maqo Lakrori, një eksponent i vjetër në Partinë Socialiste.

Votimet për përzgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie do të zhvillohen më 26 shtator. Mbyllja e kongresit, erdhi pasi tre kandidatët paraqitën para 1.500 delegatëve programin e tyre.

Edi Rama shpalli rikandidimin

Edi Rama shpalli rikandidimin për kryetar të Partisë Socialiste. Duke akuzuar se Berisha po bashkëpunon me Metën e Nanon për të punuar kundër Partisë Socialiste, kryetari i PS me mandat të ndërprerë, Rama ftoi socialistët të ecin para dhe të luftojnë kundër këtyre interesave.

Ne fillim te fjalës se tij para socialisteve ne Kongres, Rama theksoi se pavarësisht krimit elektoral në procesin e 28 Qershorit, PS fitoi zgjedhjet. “PS e fitoi garën me Berishën e PD. Me gjithë krimin elektoral, kryeministri komunist nuk e nxori partinë e tij dot të parë. Ne dolëm të parë në një betejë të pabarabartë. Por, ne u mundëm prapëseprapë nga një makinë elektorale e shtetit”.

Duke e deklaruar PS fituese, por dinjiteti i së cilës u shkel nga makinacionet, Rama në fjalën e tij sot në Kongresin e PS, shpalli kandidaturën e tij për të drejtuar sërish PS-në dhe për të larguar përfundimisht Berishën nga pushteti.

“Pranoni kandidaturën time për të rifilluar dhe çuar përpara një mision historik që është i PS, për të punuar dhe sakrifikuar në këto kohë të zymta për të shkuar drejt fitores së domosdoshme sot më shumë se kurrë...Për të larguar njëherë e mirë Berishën nga pushteti”.

Duke akuzuar se Berisha po bashkëpunon me Metën e Nanon për të punuar kundër Partisë Socialiste, Rama ftoi socialistët të ecin para dhe të luftojnë kundër këtyre interesave. Duke theksuar se nuk e dëshiron të ruajë karrigen si kryetar, Rama theksoi se “rikandidoj për të mbrojtur të vërtetën e 28 qershorit që u kërcënua nga makina kriminale elektorale shtet pushtet”.

Ai justifikoi edhe heshtjen e tij gjatë gjithë kësaj kohe. “Nuk kam folur, por kam parë e dëgjuar në këto muaj të pështjelluar, gënjeshtrat zyrtare të 28 Qershorit. Por kush nuk merret më të drejtën time për të kandiduar”, vuri në dukje Rama.

Arben Malaj: Votomëni si kryetar se di të fitoj

Kandidati i dytë në radhë për kreun e PS ishte Arben Malaj. Deputeti socialist prezantoi platformën e tij për drejtimin e Partisë Socialiste.

Malaj kërkoi të votohet për kryetar të PS pasi ka projekte për socialistët që do të çojnë në fitore PS në zgjedhjet e ardhshme e më pas gjithë vendin.

“Dua të bëhem pjesë e garës socialiste, dua të shkoj në krye të PS për të shkuar në terminalin e fitores në zgjedhjet e ardhshme. Jam i gatshëm të plotësoj angazhimet e mia”.

Malaj tha se do të ketë përparësi të luftojë për të gjitha hallkat që sot kanë ngecur në Shqipëri dhe të kërkojë përmirësimin e tyre. Sa i përket socialistëve, Malaj theksoi se i urren karrieristët dhe është pro të rinjve që dinë dhe duan të punojnë për partinë.

Shpallet kandidatura e pare për kryetar të PS-së, Maqo Lakrori

Një emër i njohur nga socialistët, Maqo Lakrori ka shpallur kandidaturën për Kryetar të Partisë Socialiste.

Menjëherë pas mbylljes së votimit për Rezolutën e Asamblesë së PS, u kalua në pikën tjetër të rendit të ditës, në shpalljen e kandidaturave per kreun e PS. I pari që shpalli kandidaturën ka qenë Maqo Lakrori.

Ai prezantoi platformën e tij ku premtoi se në rast zgjedhjeve do të kërkojë rikthimin e kultit të individit, solidaritetit në PS si dhe do të luftojë për të mbajtur sa më të bashkuar të majtën.

Kongresi i PS-së vendos të mos njihen zgjedhjet

Delegatët e Kongresit të PS-së, votuan rezolutën për mos njohjen e zgjedhjeve paraqitur nga kryetari në detyre, Edi Rama. Mësohet se vetëm 4 vota kundër ka pasur kjo rezolutë dhe një abstenim nga afro 1.500 vetë që gjendeshin në sallë. Pra me shumice votash fiton projekti Rama.

Meksi: Procesi i zgjedhjeve i dështuar. Nuk do e njohim rezultatin

Deputetja socialiste Ermelinda Meksi ka mbrojtur sot tezën e Edi Ramës për të mos njohur zgjedhjet e 28 Qershorit.

Për Meksin, PS është e bindur tashmë se zgjedhjet janë manipuluar dhe shumë shkelje, “sidomos në Fier treguan procesin e dështuar të zgjedhjeve”.

Në një prononcim për TVNews24, nga ambientet e Pallatit te Kongreseve ku po zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së, Meksi ka vlerësuar edhe Kongresin e jashtëzakonshëm socialist që po zhvillohet sot.

“Ky Kongres ishte i nxituar, i nxitur nga një grusht njerëzish”, por sipas saj debatet janë një formë demokratike që gjithsesi dëshmojnë demokracinë në parti.

“Debati është për të forcuar partinë, për përgatitjen tonë dhe për t’i ballafaquar socialistët për fushatën e ardhshme elektorale”, shton ajo.

Malaj: Nuk më tremb shumica numerike

Kandidati për postin e kreut të PS-së, Arben Malaj, deklaroi sot se nuk trembet nga shumicat numerike në Kongres pasi ky është një ballafaqim modelesh dhe vlerash.

"Nëse në një rast të caktuar propozimet tona për ndryshime statutore nuk gjetën një shumicë të caktuar, kjo minimalisht nuk i jep të drejtë një shumice abuzive që bazohet mbi interesa jo të pastra politike dhe keqpërdorim të pushtetit partiak apo ekzekutiv. Zakonisht këto shumica nuk mbijetojnë gjatë dhe unë jam i detyruar ta ndihmoj partinë time të kuptojë problematikën e saj dhe të kuptojë që ne po shkojmë drejt një krize të ardhshme", tha Malaj.

Duke komentuar zhvillimet e sotme në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, Malaj u shpreh se "pas një performance të dobët publike elektorale të PS, ne nuk duam që nëse sot konsiderohemi bashkëpërgjegjës për mosfitoren e PS-së, nesër të jemi bashkëfajtorë për humbjen e radhës së kësaj force politike".

"Ne nuk dëshirojmë kurrë që të heshtim duke parë që kjo problematikë e brendshme e Partisë Socialiste rrezikon të sjellë të njëjtin rezultat elektoral", vijoi ai duke shtuar se "për këto çështje do të flasë përballë delegatëve të Kongresit të PS-së".

Kongresi i PS-së hedh poshtë paketën “Blushi”

Kongresi i Jashtëzakonshëm ka hedhur poshtë paketën e ndryshimeve të statusit të propozuara nga një prej eksponentëve kryesor të Partisë Socialiste Ben Blushi, duke mos e futur në rend dite.

Me vetëm 31 mbështetje, paketa është hedhur poshtë nga shumica prej delegatëve të asamblesë. Kjo është goditja e parë, kundër grupimit anti-Rama në Partinë më të madhe në opozitë, e cila me sa duket po “vlon” nga brenda. Gjithashtu, Kongresi ka miratuar rendin e ditës, ndërsa vijon punimet me dyer të mbyllura. Paketa “Blushi” synonte ndryshime në statutin e partisë, ku një ndër pikat ishte edhe largimi i kryetarit nëse humbet zgjedhjet.

Deputeti Marko Bello deklaroi për mediat se paketa synonte shëndoshjen e Partisë Socialiste.

"Propozimi ynë ishte ta fusnin në rend të ditës paketën e ndryshimeve statusore. Delegatët nuk u shprehën kundër por thanë se nuk është momenti. Kongresi humbi një shans, paketa nuk është kundër askujt por i shërben demokratizimit të partisë."- deklaroi Bello.

Ruçi: Zgjedhjet u manipuluan

Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Kombëtare ka mbajtur një fjalim para rreth 1.500 delegatëve, ku ka radhitur arsyet se pse zgjedhjet janë të manipuluara dhe pse ky proces është i deformuar. Ai theksoi se Shqipëria është vendi i fundit në Rajon, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet ishin jo të lira dhe pa standarde.

“Në zgjedhjet, nuk ishim përballë Partisë Demokratike. Duhet të gjejmë përgjegjësitë për zgjedhjet. Partia Socialiste është e hapur për idetë progresistë”, theksoi ndër të tjerash Ruçi.

Sipas tij, zgjedhjet janë të manipuluara dhe qeveria e dalë prej tyre është ilegjitime. Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së është çelur me një material filmik, nga ku pretendohet se janë regjistruar abuzimet gjatë zgjedhjeve.

Nis punimet kongresi i jashtëzakonshëm i PS

Me shfaqjen e një materiali filmik që dokumenton të gjitha parregullsitë e konstatuara nga PS gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit, ka nisur Kongresi i jashtëzakonshëm i socialistëve.

Raporti filmik, i cili zgjati rreth 30 minuta, denoncoi shumë parregullsi të procesit mes të cilave mospjesëmarrja në votime e rreth 250 mijë zgjedhësve, mospastrimi i listave nga dublikimet, votimi familjar, presioni i ushtruar në disa qendra votimin etj.

Në përfundim të filmimit, kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi paraqiti axhendën e kongresit, diskutimin dhe analizimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Pas këtij momenti të hapur për mediat, kongresi zhvillohet me dyer te mbyllura dhe pritet qe kamerat te lejohen vetëm kur kandidatet për kryetar do të paraqesin platformat e tyre. Përveç Edi Rames qe rikandidon, Arben Malajt që ka vetëshpallur kandidaturën më parë, sot në mëngjes në garën për postin e kryetarit u lakua edhe hyrja e një të treti, Maqo Lakrorit.

Në Kongresin e Jashtëzakonshëm marrin pjesë 1500 delegatë, 1000 prej të cilëve janë të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga anëtarësia e PS në të gjithë territorin e vendit. Të gjitha komunat dhe bashkitë do të kenë delegatët përkatës.
*shekulli*
 
Back
Top