Masakra, pse u shmang RENEA nga aksioni

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Krerët e policisë nuk e vlerësuan operacionin si shumë të rrezikshëm. Zbardhet skena e përplasjes me armë: Si u bë ndërhyrja dhe kush shtiu i pari



A ishte aksioni i së premtes në Durrës i dështuar për policinë? Kjo është pyetja që mundon jo vetëm qytetarët, por edhe vetë ekspertët e policisë. E askush nuk jep një përgjigje pse ky operacion nuk u realizua nga forcat speciale RENEA, të cilat janë forca elitë e policisë, e specializuar për neutralizimin e personave të armatosur e me rrezikshmëri të lartë. Burimet policore tregojnë se situata ishte vlerësuar më parë nga drejtuesit e policisë dhe mes forcave RENEA dhe sektorit të operacioneve speciale, është vendosur që këta të fundit të realizonin arrestimin.

Diskutimi për operacionin

Sipas të dhënave të marra dje nga burimet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se, pas marrjes së informacionit në lidhje me lëvizjet e Dritan Dajtit, situata është vlerësuar nga një grup drejtimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në vlerësimin e situatës është diskutuar rrezikshmëria e këtij personi dhe metodat speciale të hetimit që do të çonin në kapjen e të shumëkërkuarit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga Interpoli. Nga burimet mësohet, por nuk është e konfirmuar nga zyrtarë të policisë, se është kërkuar që në arrestimin e tij të ishte RENEA, duke vlerësuar rrezikshmërinë e tij, e sofistikimin, pasi tre herë të tjera kishte mundur t‘i shpëtonte prangosjes, duke çuar në dështim punonjësit e policisë. Por, në përfundim është vendosur që operacioni të kryhet nga forcat e sektorit të operacioneve speciale. E pikërisht ky mbase ka qenë gabimi i drejtuesve të operacionit, të cilët nuk e kanë vlerësuar rrezikshmërinë e operacionit. Zëra ka pasur edhe për dekonspirim të tij, por ato janë hedhur poshtë, dje në mbrëmje, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në prononcimin e tij për media, ai deklaroi se ky nuk ka qenë një operacion i dekonspiruar. Megjithatë, situata do të vlerësohet nga grupi i prokurorëve për Krime të Rënda dhe më vonë pritet të dalin konkluzionet nëse ka qenë një gabim në menaxhim të situatës, një gabim njerëzor, apo diçka tjetër, për të nxjerrë përgjegjësit e kësaj tragjedie. Burimet policore shpjegojnë se ky nuk është rasti i parë që diskutohet nëse në operacion do merrnin pjesë forca të RENEA-s, apo ato të sektorit të operacioneve speciale. Sipas të dhënave, në çdo rast ka diskutime për vlerësimin e situatës dhe drejtuesit e hetimeve vendosin si do të veprohet.

Tuaregu i kërkuar

Ndërkaq, nga informacionet e policisë, mësohet se mjeti me të cilin lëvizte Dritan Dajti ishte identifikuar i dyshimtë që më datë 3 gusht. Sipas të dhënave policore, në atë datë, shërbimet e Komisariatit nr. 1 kishin ngritur postblloqe në Rrugën e Elbasanit dhe para tyre ka kaluar një makinë Volkswagen "Tuareg" me targa të huaja. Postblloku i ka bërë shenjë të ndalojë, por makina nuk ka ndaluar, por thjesht i ka dhënë gaz më shumë dhe duke u larguar një dorë, me një radio policie në dorë, i ka përshëndetur. Punonjësit e policisë kanë mbetur të shtangur nga ky veprim dhe pavarësisht se nuk kanë fiksuar mirë targën, ua kanë dhënë këtë mjet gjithë shërbimeve. Megjithatë, atë natë nuk është mundësuar të gjendet ky mjet dhe burimet policore tregojnë se dyshohet që është pikërisht ai që përdorte Dritan Dajti për t‘u fshehur, bashkë me kunatin e tij të arrestuar, Erges Xhaxhi. Megjithatë, konkluzionet e hetimeve nuk kanë dalë ende dhe pritet që nga dita në ditë, kjo ngjarje të dokumentohet plotësisht. E nuk mund të mohohet se Dritan Dajti ishte pa dyshim kreu i një rrjeti kriminal, që ishte më i rrezikshmi në vend dhe që padyshim ka marrë një goditje të rëndë.



Deklarata


Ai kishte grup kriminal dhe kapja e tij na kushtoi shumë


Prençi: Operacioni për Dritan

Dajtin, i vetmi i padekonspiruar


Kreu i Policisë së Shtetit ka deklaruar se operacioni i dy ditëve më parë për kapjen e Dritan Dajtit ishte i vetmi i padekonspiruar në të gjitha operacionet e realizuara për kapjen e tij, ndërkohë që ka shtuar se personi i shumëkërkuar, që mori jetën e katër punonjësve të policisë, kishte një grup kriminal. Sipas tij, kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur me efektivët e Policisë së Shtetit në historinë e saj. "ثshtë një dhimbje mjaft e thellë dhe gjej rastin të ngushëlloj familjet e kolegëve të mi. Njëkohësisht dora kriminale që vrau ata, do të vendoset para drejtësisë me gjithë grupin e tij kriminal", ka deklaruar Prençi. Më tej, ai shpjegoi se policia e ka paguar shtrenjtë me jetën e gjithë atyre punonjësve të policisë kapjen e këtij personi, por edhe goditjen e shumë grupeve të tjera kriminale. Më tej, ai përshëndeti klasën politike, trupin diplomatik, trupën e huaj dhe gjithë komunitetin, që u solidarizuan dje në homazhet për lamtumirën e fundit të katër punonjësve të policisë. "Katër martirët e rënë ishin mjaft të devotshëm dhe ishte trupa më e mirë që mund të kemi, e specializuar nga partneriteti ndërkombëtar. Ka qenë dhe është krenaria e Policisë së Shtetit", u shpreh Prençi. Ai tha se ky është i vetmi operacion që nuk është dekonspiruar për kapjen e Dajtit, në katër të tilla që janë organizuar deri më sot. "Ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion gjithë kapacitetet e nevojshme për dokumentimin e kësaj çështjeje. Ky është një operacion i mirorganizuar. Policia ishte përgatitur për ta arrestuar këtë person dhe jo për ta vrarë, siç kemi vepruar në çdo rast tjetër", deklaroi Prençi. Më tej, ai shpjegoi se që nga dje, ka katër kolegë më pak në radhët e policisë. "Na kanë ikur katër kolegë shumë të mirë, por kjo do shërbejë si motivim për ne për të luftuar krimin e organizuar", përfundoi kreu i policisë.



Operacioni


Elvis Karoli dyshohet se e ka ndihmuar të fshihet për 6 vjet


Arrestohet edhe një

bashkëpunëtor i Dajtit


Një bashkëpunëtor i Dritan Dajtit, personit që vrau dje gjatë një aksioni policor katër policë, është arrestuar në Tiranë gjatë natës duke u gdhirë dita e shtunë. Në banesën e të kapurit u gjetën eksplozive dhe materiale të tjera të dyshimta. Dje, gjatë orëve të vona, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Elvis Robert Karoli, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dje, pas shumë informacionesh të marra në rrugë operative, dyshohet se 21-vjeçari ka lidhje shoqërore me të arrestuarin Dritan Dajti. Në banesën e tij u ushtrua një kontroll nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale municione, shtatë fishekë, një detonator eksplozivash luftarakë, aparatura të cilat dyshohen se shërbejnë për plasje eksplozivi, si dhe dy dylbi. Dyshohet se Karoli ka ndihmuar Dajtin në arratinë e tij 6-vjeçare nga forcat e policisë. Dritan Dajti, i arrestuar vite më parë nën akuzën e vrasjes dhe i arratisur nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003, vrau katër efektivë policie në qytetin e Durrësit në një operacion policor për kapjen e tij. Rrethanat në të cilat u vranë katër policët janë konsideruar të pazakonta për një operacion të specializuar policie dhe për këto arsye për ngjarjen që u mori jetën atyre, ka nisur hetimi. Dajti, aktualisht ndodhet në Spitalin e Burgut në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, ku po mjekohet për plagët e marra. Në operacionin e dy ditëve më parë, mbeti i vrarë edhe nipi i Dajtit.



Kartela


E shkuara kriminale e viktimës, që u vra në ngjarjen e Durrësit


Mara, i dënuar për drogë

dhe i dyshuar për disa krime


I afërti i Dritan Dajtit, i cili humbi jetën mesditën e së premtes, në tentativë për të mbrojtur më të kërkuarin e vendit, ka qenë me precedentë të mëparshëm penalë për Policinë e Lushnjës. Kjo konfirmohet nga burimet zyrtare të Komisariatit të Lushnjës. Këto burime tregojnë se jo vetëm ditën e premte kur ndodhi ngjarja e Durrësit, por edhe më parë Ledion Mara konsiderohej si person i rrezikshëm. Emri i tij ka dalë në shumë ngjarje të ndodhura para vitit 2008 në qytetin e Lushnjës. Zyrtarisht seksioni i antikrimit në Komisariatin e Lushnjës pohon për "Shqip" se Ledion Mara, dy vjet më parë është arrestuar për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Ai është prangosur falë një operacioni antidrogë, por pas mbërritjes së çështjes së tij në gjykatë, Mara ka fituar lirinë. Mara është kapur me një sasi të vogël lënde narkotike, e llojit heroinë. Edhe pse policia e konsideronte Ledion Marën si shpërndarës droge, për grupin e hetimit ka rezultuar se sasia që kishte në xhep ishte për përdorim personal. Ndërkohë, Ledion Mara ka jetuar vite më parë në qytetin myzeqar. Sipas burimeve policore, ai është zhvendosur familjarisht drejt Tiranës. Fillimisht, ai ka larguar familjen dhe pas daljes së tij nga burgu për shitje droge i është bashkuar asaj. Mësohet se Ledion Mara ka marrë edhe shpërnguljen nga gjendja civile e lagjes së Lushnjës, ku dhe jetonte. Mara ka mbaruar vetëm shkollën 8-vjeçare në Lushnjë dhe që në moshë të vogël u bë një nga të besuarit e dajës së vet, Dritan Dajtit. Ky i fundit e kishte rekrutuar nipin për faktin e vetëm se kishte të dhënat e sakta të një personi të besuar dhe shumë "të zotë", në aktivitetin që ai kryente.


Hetuesit: Skema e ekzekutimit

të katër punonjësve të policisë


Ekspertët: Dritan Dajti mbante dy pistoleta, qëlloi të katër policët




Një vrasës gjakftohtë. Një skenar që do ta kishin zili edhe regjisorët hollivudianë. Dritan Dajti ka arritur të ekzekutojë të katër punonjësit e policisë që donin ta arrestonin. Madje, përdorte dy pistoleta dhe kishte një vigjilencë në maksimum. Gjithmonë ishte gati t‘i shpëtonte ndjekjes policore, e cila për hir të së vërtetës kishte gjashtë vjet që e ndiqte. Vendndodhja e tij ishte aksi Tiranë-Durrës. Qëndronte gjithmonë pas turmave. Madje, banesat e tij ishin në zona të populluara, si në Tiranë dhe Durrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda pas hetimeve të hollësishme, ka arritur të zbardhë skemën e ekzekutimit të katër punonjësve të policisë, ku ka rezultuar se "protagonisti" absolut në përplasjen e policisë ka qenë pa dyshim Dritan Dajti, një emër i njohur i drejtësisë shqiptare, pasi ka arritur të arratiset nga institucionet e vuajtjes së dënimit dhe ka mundur t‘u shpëtojë disa operacioneve për arrestimin e tij.


Lëvizjet e Dajtit

Grupi hetimor në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka arritur të zbardhë edhe lëvizjet e Dritan Dajtit ditën që ndodhi masakra në Durrës. Ekspertët më të mirë janë angazhuar nga prokuroria, të cilët brenda një kohe të shkurtër kanë arritur të zbardhin mekanizmin e ngjarjes. Sipas të dhënave konfidenciale mësohet se bashkëpunëtori më i ngushtë i Dajtit ka qenë kunati i tij, Ergest Xhaxhi. ثshtë zbardhur plotësisht se kunati i Dritan Dajtit, ditën e ngjarjes, rreth mesditës ka ardhur në Tiranë. Hetuesit kanë arritur të zbardhin se Xhaxhi ka shkuar me automjetin e tij në afërsi të shkollës së mesme në Tiranë "Sami Frashëri". Ka të dhëna operative se në këtë vend e priste pikërisht Dajti dhe të dy së bashku shkojnë e marrin "ushtarin" Ledion Mara. Më pas janë nisur drejt qytetit të Durrësit. Pas një qëndrese të vogël në këtë qytet, grupi është nisur drejt qytetit të Rrogozhinës për "punë". Të arrestuarit kanë deklaruar se Dajti do të merrte ca vazo për lule, por "justifikimi: i tyre nuk është panair, pasi ka dyshime se grupi kriminal kishte një "punë" për të mbaruar. Pasi kanë marrë "pakon" nga Rrogozhina, tre personat janë kthyer në Durrës. Dajti donte të shkonte në apartamentin e tij, në afërsi të zonës "Iliria" dhe për këtë ka urdhëruar kunatin e tij që të shkonin në afërsi të banesës. Fillimisht nuk kanë gjetur parkim dhe pas një xhiroje kanë parë një vend bosh afër banesës së Dajtit. Në këtë moment kanë parkuar dhe pas disa sekondash dikush e ka marrë në telefon Dritanin. Sipas dëshmive, ai u ka bërë me dije dy shoqëruesve të tij Mara dhe Xhaxhi të largoheshin, pasi do të priste mikun e tij.


Përplasja me policinë

Grupi hetimor dyshon se në këtë moment uniformat blu kanë ndërhyrë, pas një vëzhgimi disaditor të grupit kriminal. Urdhri ka qenë i prerë: neutralizoni personat që ndodhen në automjetin tip "Touareg" dhe arrestojini, pasi dyshohen se kanë kryer vepra të rënda penale. Pas "urdhrit", automjeti i policisë ka "parkuar" afër automjetit të Dritan Dajtit, i cili ishte në sediljen e pasme. Fillimisht ka pasur një përleshje midis punonjësve të policisë dhe Ledion Marës dhe pas disa sekondash Mara është shtrirë në afërsi të automjetit. Dy punonjësit e policisë Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj janë drejtuar tek automjeti "Touareg" me një shpejtësi të madhe. Në momentin që janë afruar te makina ka filluar përleshja me armë. Dyshohet se Dritan Dajti, duke ndierë rrezikun e prangosjes, ka qëlluar fillimisht ndaj punonjësit të policisë, Festim Xhani, me një plumb në kokë. Më pas, duke përfituar nga xhamat e errët të automjetit, qëllon për vdekje edhe punonjësin Kastriot Feskaj. Pasi neutralizon dy oficerët e policisë del jashtë automjetit dhe sheh shtrirë përtokë Ledion Marën dhe kunatin e tij, i cili ishte me duar në kokë. Më pas ndjek dy agjentët e policisë, të cilët, për t‘i shpëtuar ekzekutimit, vrapojnë disa metra. Por Dajti i ndjek me një pistoletë në dorë dhe pasi i arrin qëllon mbi trupat e punonjësve të policisë rreth 12 fishekë, duke lënë të vdekur Sajmir Duçkollarin dhe Altin Dizdarin.


Largimi nga vendngjarja

Megjithëse kishte ndodhur një masakër e vërtetë, Dritan Dajti gjen forca dhe tenton t‘i shpëtojë arrestimit të policisë. Pasi sigurohet se kishte asgjësuar edhe dy policët e tjerë tentoi të ikë nga një rrugicë midis pallatesh, ndërsa është ndjekur këmba-këmbës nga një agjent policie. Gjatë ndjekjes, Dajti qëllon edhe një pushues që ishte në vendin dhe kohën e gabuar në këmbë. Sipas grupit hetimor, Dajti dyshonte se pushuesi ishte një punonjës policie. Ndërkohë, agjenti i policisë që e ndiqte e godet pas shpine në pjesën e mushkërive dhe pjesën e këmbës. Në këtë moment hedh çantën dhe pistoletën dhe duke çaluar tenton të ikë sërish. Pasi ecën disa metra, ai rrëzohet dhe këtu neutralizohet nga punonjësit e policisë, të cilët mbërrijnë të shumtë në vendngjarje.



Kunati i Dajtit, një "oficer i policisë"


Erges Xhaxhi posedonte një dokument policie me emrin Agron Zeneli


Grupi kriminal me në krye Dritan Dajtin ishte trajnuar për të gjitha pakënaqësitë që mund të hasnin gjatë lëvizjeve në të gjithë Shqipërinë. Kunatit të Dajtit, Ergys Xhaxhi, gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së tij i janë gjetur tre dokumente të policisë shqiptare. Fytyra e Xhaxhit ishte "stampuar" në dokumentet e policisë me emrin Agron Zeneli. Madje me këto dokumente policie arrinte t‘u shpëtonte kontrolleve rutinë të policisë shqiptare në rrugë. Mosnjohja e Xhaxhit dhe Dajtit ka sjellë lëvizjen e lirë të të kërkuarve. Hetuesit e prokurorisë kanë arritur që të gjejnë edhe një patentë italiane me emrin Agron Zeneli. Patenta është gjetur në automjetin tip "Touareg", për të cilin pretendohet se është në pronësi të Dajtit, por ishte regjistruar me emrin e Ergys Xhaxhit, krahut të djathtë të 38-vjeçarit. Me gjithë gjetjen e këtyre dokumenteve ende nuk është arritur që të vërtetohet nëse këto dokumente ishin apo jo origjinale. Nëse po, atëherë do të fillojë një hetim i gjerë ndaj personave që kanë arritur të prodhojnë këto dokumente. Grupi hetimor thotë se, krahas Ergys Xhaxhit që kishte dokumente policie, Ledion Mara, dispononte një dokument si investigator privat. Dokumenti ishte i përafërt me dokumentin e policisë dhe mund të ngatërrohej si i tillë nga punonjësit e policisë rrugore. Duket se "stërvitja" e të gjithë grupit kriminal të Dajtit ka pasur vetëm një qëllim: të shmangnin çdo dyshim se merreshin me aktivitet kriminal. Grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda thotë se grupi i Dajtit ishte disa hapa para mekanizmave të policisë, të cilat e gjurmonin. Madje, grupi ka pasur edhe informatorë brenda uniformave të policisë, për të cilët hetimet e mëvonshme mund të identifikojnë bashkëpunëtorët. Mësohet se, gjatë një këqyrje të automjetit që udhëtonte Dajti, janë gjetur dy radiomarrëse të policisë, me frekuencat e policisë së Durrësit. Sipas të dhënave hetimore, radiomarrëset përdoreshin edhe në Tiranë me frekuencat e policisë kryeqytetase. Krahas këtyre pajisjeve, hetuesit kanë gjetur edhe një fenelinë policie, e cila vihej mbi automjetin "Touareg". Të gjitha pajisjet e mësipërme kanë ngritur dyshimin se grupi kriminal kishte lidhje të fortë në strukturën e Policisë së Shtetit.


Provat


"Killeri"-t i sekuestrohen 10 celularë


Një ndër provat që mund të hedhë dritë mbi funksionimin e grupit kriminal të Dritan Dajtit janë aparatet e telefonit, që janë sekuestruar në vendngjarje. Sipas burimeve nga Krimet e Rënda ka rezultuar se Dritan Dajtit, gjatë momentit të ndalimit, i janë gjetur rreth 10 aparate të telefonisë celulare me karta të ndryshme. Frika e përgjimit e ka çuar Dajtin të përdorë një numër të madh celularësh. Mësohet se për çdo komunikim me "ushtarët" Dajti përdorte nga një numër të ndryshëm. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se celularët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe gjatë ditëve në vazhdim do të këqyren nga hetuesit e çështjes.

*shqip*
 
Back
Top