Marrezia elektorale e Berishes çon ne shembjen e tunelit te Kalimashit

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Marrezia elektorale e Berishes çon ne shembjen e tunelit te Kalimashit
Tuneli ishte i pabetonuar përgjatë një kilometri, mbahej vetëm me rrjetë hekuri. Firma ndërtuese ndërpreu qarkullimin dhe nisi ekspertimin e gjendjes

Tiranë - Shembet rrjeta mbajtëse, e sajuar vetëm për efekt fushate, e tunelit të Kalimashit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërsa shkak duket se ka qenë cilësia e dobët e punimeve që u shkaktua nga nguti për përurimin e veprës përpara mbylljes së fushatës elektorale. Përgjatë 1 kilometri tuneli është shpërthyer me një sasi më të madhe eksplozivi nga sa lejonin rregullat teknike për të përshpejtuar punën. Kësisoj, nga kilometri 6 deri në kilometrin 3.5 (në drejtimin veri-jug) dhe nga kilometri 2.5 deri në kilometrin 1 ishte kryer punimi normal deri një muaj para nisjes së fushatës. Nguti për të përfunduar tunelin bëri që punimet të ndryshonin itinerarin e tyre normal. Ndërsa përgjatë gjithë punimeve normale itinerari i punimeve ishte shpërthimi, vendosja provizore e rrjetës dhe betonimi armaturë për çdo metër të gërmuar në kilometrin 2.5-3.5 për efekt të fushatës shpërthimi i tejkaloi sasitë e eksplozivit që garantojnë sigurinë teknike, por edhe një gjatësi e konsiderueshme rruge, pra rreth 1 kilometër, u la pa beton, por me rrjetë. Kjo mbështjellje kaq e gjatë vetëm me rrjetë tejkalon të gjitha limitet që imponojnë rregullat e sigurisë teknike pasi marzhi i shtrimit me rrjetë lejohet vetëm për pak metra.
Shkaqet
Deri dje në mbrëmje u konfirmua shembja e tunelit në kilometrin 2.5 dhe bllokimi dhe ndalimi i trafikut. Ndërkohë që mësohet se shumë pranë segmentit të shembur po kryhen shpërthime pasi firma është duke përfunduar tunelin tjetër që është përbri ekzistuesit, i cili u përurua dhe nga kryeministri. Janë pikërisht këto shpërthime që mendohet se mund të kenë ndikuar edhe më tej në dobësimin e strukturës dhe në shembjen e rrjetës. Për shkak të angazhimeve maksimale elektorale dje ka qenë thuajse e pamundur për të siguruar informacion zyrtar lidhur me ngjarjen, ndërsa ekspertë dhe inxhinierë rrugësh, të pyetur nga gazeta, janë shprehur se “kishte probabilitet të mjaftueshëm që një gjë e tillë të ndodhte për shkak se nxitimi në kryerjen e punimeve është delikat edhe në rrugë të thjeshta. Në terrene komplekse si tuneli ky rrezik shumëfishohet për shkak të strukturës që krijon presion”.
Tuneli
Pas përurimit të tunelit në një ceremoni të madhe prej kryeministrit, në shtypin e shkruar, disa zëra ekspertësh sugjeruan lejimin e qarkullimit në tunel vetëm pasi të ishin plotësuar rreptësisht të gjitha kondicionet teknike. Këto këshilla erdhën për shkak se jo vetëm përgjatë kilometrit të mbrojtur me rrjetë (dhe jo me beton), por përgjatë gjithë gjatësisë së tunelit nuk janë ezauruar të gjitha masat strikte mbi kushtet dhe parametrat teknikë dhe sinjalistikë të tunelit. Përtej kësaj shembjeje duket se i vetmi lajm i mirë ka qenë fakti se ndonëse shembjet janë tejet të rrezikshme, nuk është shënuar asnjë viktimë nga radhët e automjeteve që kanë qarkulluar përgjatë ditës së djeshme. Të paktën informacionet deri në orët e vona të mbrëmjes e përjashtonin mundësinë e ndonjë viktime të kësaj shembjeje.



27 Qershor 2009

Gazeta Albania
 
Back
Top