Manipulimi i turmave dhe keqpërdorimi i “aferës” së vrasjes së Doshit

LeVoyageur

Once upon a time...
Viktor Malaj

“Aktualisht jemi shndërruar në një turmë vulgare, pasionet e së cilës mobilizohen lehtësisht nga demagogët, njerëzit e shtypit, agjitatorët etj. ثshtë blasfemi ta quash këtë shoqëri të njerëzve të lirë.“/ Henry Miller



Studimet për sjelljet individuale të kafshëve si dhe për sjelljet e tyre në grupe kanë filluar herët nga shkencëtarët, ndërsa sjelljet e njerëzve në grupe (sjelljet e turmave) kanë nisur të studiohen kryesisht në fillim të shekullit të 20-të. Studimet e kryera nga psikologë, psikoanalistë, sociologë etj., përgjithësisht janë të bashkuar në dy përfundime (konkluzione) të përbashkëta: niveli i ndërgjegjes që manifestojnë turmat, si grupime të mëdha njerëzish, është më e ulët se ndërgjegjja e një individi mesatar dhe sjelljet e turmave janë kryesisht irracionale dhe shpesh të rrezikshme.

Historia na tregon se manipulimi i turmave nga demagogët dhe politikanët ka filluar qysh në lashtësi. Gjithashtu, historia dëshmon se, në të shumtën e rasteve, turma gabon në vlerësimet dhe reagimet e saj. Tre ndër rastet më klasike janë ato të fajsimit dhe ekzekutimit të filozofit grek të shekullit të 5-të p.e.s. Sokratit; fajësimi dhe ekzekutimi i themeluesit të Krishtërimit, Jezu Krishtit, në shekullin e parë të e.s. ( dhe shpalljen si të pafajshëm të kriminelit Baraba, po prej turmave të ndërsyera ) dhe fakti shumë domethënës i shekullit të njëzettë kur miliona pjesëtarë të njërit prej kombeve më të zhvilluar, atij gjerman, i shkuan mbrapa Adolf Hitlerit, i përcaktuar si krimineli më i madh i shekullit.

Në këtë shkrim po ndalem për turmat e thirrura në veprimtari politike pavarësisht kush i ka thirrur, nxitur, organizuar apo drejtuar nëpër sheshe dhe mjedise të tjera për manifestim, për të hedhur kështu vështrimin tek turmat e ditëve të sotme dhe trashëgimia që mbartin.

Turmat janë gjithmonë laramane sa i përket inteligjencës, kulturës, interesave dhe moralit të pjesëmarrësve. Kur individët i bashkohen turmës ekziston gjithmonë mundësia që ata me intelekt më të lartë të priren drejt nivelit të individëve pjesëmarrës me nivel më të ulët, të mendojnë e sillen si ata, madje edhe t’i imitojnë duke u vetëshkrirë në grupin e njerëzve “që kanë pasione, por jo tru”, siç thoshte Dan Simmons.

Turmat nuk mblidhen në mitingje për të diskutuar, arsyetuar, pyetur apo vendosur. Ato shkojnë atje të përgatitura për të miratuar dhe duartrokitur liderët e tyre dhe për të mallkuar kundërshtarët e këtyre liderve. Turmat nuk kanë as kohë, as predispozicion dhe as mundësi të kuptojnë çfarë është e drejtë dhe jo e drejtë, kush e ka drejt e kush po gabon. Ky nuk është as qëllimi i thirrjes së tyre nëpër mitingje. Turma është thirrur atje vetëm për të aprovuar fjalët dhe sjelljet e liderve ndërsa liderët i thërrasin turmat për të krijuar një lloj shfaqje apo reklame me të cilën kërkojnë të sugjestionojnë pjesën tjetër të popullit që t’iu bashkohet këtyre turmave pro tyre.

Arkivat filmike të fillim viteve ’90 na mundësojnë të shohim mjekë, inxhinierë e profesorë shkollash që qëndronin përballë tribunave politike dhe të eksituar duartrokisnin individë me arsim tetëvjeçar që s’kishin shumë kohë që kishin lënë burgjet ku qenë mbyllur si vjedhës, grabitës etj. por që iu ishte dhënë mundësia të bënin agjitatorin dhe “liderin” politik krahinor apo rajonal.

Kur m’u dha rasti e pyeta një profesor pjesëmarrës në ato mitingje, tashmë fqinji im i nderuar, se si ndihej përballë folësve të tillë. M’u përgjigj se në ato momente kishte qenë pjesë e së tërës dhe ndante thuajse të njëjtat emocione dhe mendime me pjesëmarrësit e tjerë, por “kur e mendoja atë moment një ditë më pas më erdhi turp nga vetja ime”.

Sociologët kanë arritur në përfundimin se asnjëherë nuk ndodh që turmat të ngrihen në nivelin e liderit por shpesh ndodh e kundërta, që lideri bie në nivelin vulgar të turmës. Më kujtohet një miting i PD-së në vitin 1998 kur rreth 100 halabakë që qëndronin në skalionin e parë thërrisnin në kor: “O Fatos, o hajdut, e ke gruan prostitutë” dhe ndërkohë lideri i tyre Sali Berisha nga tribuna, fare pranë tyre, me gojën e hapur si çakall, i përshëndeste dhe i nxiste me dy gishtat e ngritur drejt tyre. Ishte dëshpëruese dhe e vajtueshme kur mendoje se ky farë burri, pa kurrfarë dinjiteti, na kishte përfaqësuar si popull dhe si shtet, për pesë vjet në cilësinë e Presidentit të vendit.

Në qoftë se i referohemi mitingut të fundit të PD-së mund të arrijmë në disa përfundime sa iu përket marrëdhënieve turmë-lider (parti politike). Dihet se mitingjet dhe protestat politike janë të garantuara me kushtetutë, për aq kohë sa nuk cenojnë rendin juridik. Por, që protesta të jetë demokratike dhe t’i shërbejë përparimit shoqëror duhet, më së paku, të plotësojë dy kushte: kauza për të cilën thirret të jetë e vërtetë dhe e drejtë dhe ata që e drejtojnë dhe thërrasin protestën të kenë të drejtë morale, politike dhe historike për ta bërë një gjë të tillë.

Jam i sigurt se po të ishte bërë një sondazh i fshehtë me pjesëmarrësit e protestës së 12 marsit do të kishte rezultuar se mbi 90% e tyre nuk e besonin kauzën për të cilën ishin thirrur. Atëherë, pse erdhën ata njerëz atje në bulevard? Shkaqet janë të shumta dhe të ndryshme. Disa janë ushtarë të përjetshëm partiakë (të gjitha partitë kanë kontingjentin e tyre), disa janë individë që, për arsye të ndryshme, janë hequr nga puna nga qeveritarët e sotëm, të tjerë janë hatërmbetur nga ndëshkimet ligjore për shkak të veprimtarive të tyre të paligjshme (ndërtime pa leje, mospagime apo vjedhje të energjisë elektrike, mbyllje të veprimtarive të dëmshme dhe pa licencë si ato të furrave të gëlqeres apo qendrave të bixhozit), disa janë kriminelë (kujtoni njoftimin e SHIK-ut për 80 të tillë nga Shkodra) të cilët janë kundërshtarë të përjetshëm të qeverive, sidomos atyre që kërkojnë rivendosjen e rendit.

Në turmë ka gjithmonë edhe individë të mashtruar. Sidomos në një vend si Shqipëria, ku më shumë se gjysma e brezit të ri po rriten analfabetë dhe analfabetë funksionalë, është shumë e lehtë që të sigurosh në mitingje pjesëmarrjen e individëve që s’kanë kurrfarë ideje se çfarë po ndodh në realitet. Qysh nga viti 2011 u bë hit në media intervista e një banori të periferisë së Tiranës i cili tha: “Rroftë Sali Berisha. Për atë do të votoj. Ba me ardhë komunistët në pushtet na merr lumi…”. Kur e pyetën se si jetonte deklaroi se ishte vetë i katërt në familje, të gjithë pa punë dhe e mbanin frymën me një ndihmë sociale prej 4500 lekësh në muaj.

Po ta kërkojmë identifikimin e problemit tek rasti konkret del se si turmat ashtu edhe liderët mashtrojnë njëri-tjetrin dhe, njëkohësisht, vetëmashtrohen. Turmat u krijojnë liderëve iluzionin se e kanë besuar gënjeshtrën e udhëheqjes dhe udhëheqësit u krijojnë turmave iluzionin se problemet e tyre (që s’kanë të bëjnë me kauzën e rreme) do të zgjidhen shumë shpejt. As njëra, as tjetra nuk janë të vërteta. Prania dhe histeria e turmave iu krijon liderëve iluzionin se janë figura të mëdha kombëtare dhe se koha i ka thirrur për një mision që dikur s’e kishin parë as në ëndërr. Kur shikon Lulëzim Bashën përballë turmës (sjelljen dhe grimasat e tij) nuk mund të mos qeshësh me tjetërsimin dhe vetëmashtrimin e individit politik. Madje, “entuziazmi” i mitingut e shtyu deri në një marrëzi të tillë sa, edhe pas dy ditësh, i fliste një zyrtari gjerman në emër të të gjithë popullit shqiptar.

Liderët, jo vetëm i gënjejnë turmat por, mund të them pa droje, se edhe i poshtërojnë ato. Në prononcimet publike të figurave të PD-së thuhej se ata si parti, me demek, janë nën presionin e popullit për të dalë nëpër mitingje, se populli është i revoltuar, se nëpër mitingje iu vijnë edhe simpatizantë të pushtetarëve etj.

E vërteta është se populli shqiptar, prej 25 vjetësh, është mësuar me gjithfarë skandalesh dhe krimesh, reale dhe të sajuara, dhe i “është bërë lëkura shollë opinge”. Ne po jetojmë në një shoqëri ku sot nuk do t’ia dijë as vëllai për vëllanë, fëmija për prindin, dhe tingëllon qesharake dhe tallëse të përpiqesh të bindësh shqiptarët se mitingashët e 12 marsit ishin të indinjuar sepse Ilir Meta donte të vriste Tomë Doshin. Sikur shqiptarët të kishin një vetëdije më të madhe qytetare dhe solidaritet më të lartë njerëzor, thirrësit e mitingut të 12 marsit do të kishin qenë nëpër burgje atë ditë për krime të kryer prej tyre e të faktuar dhe jo në tribunë duke kërkuar llogari për krime të pakryer e të sajuar.

Sikur mitingashët e 12 marsit të ishin qytetarë të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, përpara se të mblidheshin në Tiranë pas thirrjeve partiake, do të kishin protestuar nëpër fshatra, lagje e qytete kundër papunësisë, papastërtisë, korrupsionit në gjykata e mjekësi, prerjes së pyjeve dhe ndërtimeve pa leje dhe shëmtimeve urbanistike.

Ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë pasi shumë prej tyre janë autorë të këtyre mbrapshtive dhe nëpër mitingje shkojnë për shkak të pasioneve partiake, interesave vetjake ose budallallëkut dhe jo për shkak të ndjenjave dhe mendimeve të tyre të civilizuara. Madje, në miting kishte edhe kultivues droge të goditur nga qeveria dhe drejtues të pushtetit lokal që janë mospagues të energjisë elektrike në miliona lekë.

Si mund të pranojë arsyeja njerëzore se ata që miratonin para katër vitesh vrasjen e katër demonstruesve të pafajshëm në bulevard shtyhen sot nga vetëdija qytetare dhe ligjësitë demokratike për të protestuar në të njëjtin vend kundër një krimi të pakryer dhe dukshëm të trilluar?

Si mund të na lejojë logjika të pranojmë se ata që në vitin 2010 justifikonin aferën e Ilir Metës, që shihej e dëgjohej në TV, sot protestojnë kundër Ilir Metës për një aferë të padukshme, të pakryer, të padëgjuar por thjesht të pretenduar?

Si mund të besojmë ne se ata qytetarë shqiptarë që nuk u revoltuan nga katrahura e 1997, grushti i shtetit të 1998, vrasja e 27 qytetarëve në Gërdec, dhunimi i zgjedhjeve të 1996 apo falsifikimi i atyre të 2009 e të tjera bëma e gjëma na qenkan revoltuar tani, madje më shumë se të afërmit e Tomë Doshit?

Zhgënjimi i herëpashershëm i turmave ndaj lidershipit të tyre është dëshmia më e qartë e budallallëkut të mëparshëm të tyre, të manifestuar në mënyrë të përsëritur dhe me kokëfortësi, qoftë edhe përballë fakteve dhe provave që ka dhënë lidershipi si mashtrues dhe manipulator i pjesëmarrësve në tubime.

Kupola e sotme politike e PD-së, e dukshme dhe e padukshme, ishte ajo që i ndërseu njerëzit (disa prej të cilëve ishin edhe në mitingun e 12 marsit 2015 ) në 14 shtator 1998 kundër institucioneve legjitime të shtetit shqiptar.

Kjo kupolë ia paraqiti turmës vrasjen e Azem Hajdarit si një krim politik të kryer nga qeveria dhe kryeministri Fatos Nano.. Turma kreu një sërë aktesh të dhunshme dhe kriminale dhe shumica e saj e besonin në atë kohë versionin manipulues. Mirëpo, kryemanipulatori Sali Berisha, pak vjet më vonë, deklaroi se akuzat që i kishte bërë Nanos “ishin për qëllime elektorale ” që do të thotë se i kishte mashtruar për qëllime pushtetmarrëse.

I thirrur në prokurori për ” çështjen Doshi ” pak ditë më parë, po i njëjti dirigjent i mashtrimit dhe kaosit, deklaroi se ” Unë jam në parlament për të folur politikisht për të vërtetat që nuk ka fakte “. Në të gjithë botën ” të vërtetat ” për të cilat s’ka fakte quhen gënjeshtra. Të gjitha këto nuk i hynë në punë turmës pa mend që ndjek verbërisht keqpërdoruesin dhe përqeshësin e saj.

ثshtë e pavend të kërkosh nga drejtuesit e PD t’i lënë mënjanë këto mashtrime që tentojnë të poshtërojnë qytetarët shqiptarë deri në atë shkallë sa t’i konsiderojnë dhe trajtojnë si një tufë delesh, sepse këta drejtues nuk ndahen dot nga përvoja dhe trashëgimia e tyre. Praktikisht ata nuk i kanë lënë vetes asnjë të drejtë morale për të udhëhequr. Por, kur edhe kauza për të cilën po thërrasin mitingjet është e rreme, kjo bëhet shumë e dëmshme për vetë grupin politik dhe funksionimin normal të sistemit demokratik.

Të drejtën morale dhe politike për të thirrur dhe drejtuar protesta të tilla do ta kishin vetëm ata që kanë dënuar pa mëdyshje berishizmin me të gjitha shfaqjet e tij banale, imorale, të dhunshme, antidemokratike dhe kriminale. Vetëm ata që e kanë bërë një gjë të tillë pa kthim dhe që personalisht nuk janë të përfshirë në krimet e regjimit të tij në dy fazat e veta kohore do të mund ta bënin një gjë të tillë. Por, ku janë këta?

Kur shikon L.Bashën që skërmitet para turmës dhe flet për protestë kundër krimit në të njëjtin vend ku, katër vjet më parë, ka qenë në krye të vrasësve të demonstruesve paqësorë, ka fshehur provat (fshirë videot e regjistruara dhe ndërruar tytat e armëve që kryen vrasjet) dhe ka penguar organet e drejtësisë për arrestimin e fajtorëve (madje i ka shpërblyer fajtorët me pesë rroga shtesë), nuk ke se si të mbetesh i pandjeshëm ndaj përmasave të imoralitetit dhe pafytyrësisë të berishizmit të vjetër që shfaqet besnikërisht tek një manekin i ri.

Kjo pafytyrësi arrin deri atje sa përpiqet të na shfaqet si “një ofertë e re”. Po! Kjo është një ofertë po aq “e re” dhe e dobishme sa ç’ishin të rinj dhe të vlefshëm fishekët kinezë të viteve ’60 që Delijorgji dhe pushtetarët që qëndronin prapa tij u përpoqën në vitin 2008 t’ia shesin qeverisë afgane pasi i futën në arka të reja dhe iu ndërruan datat e prodhimit.

ثshtë e qartë se manipulimi i turmave dhe keqpërdorimi i “aferës” së vrasjes së Doshit ka si synim mobilizimin e fanatikëve partiakë të opozitës dhe pakësimin sado të vogël të mbështetjes së qeverisë në prag të zgjedhjeve lokale.

Përveç kësaj kjo “iniciativë politike” është pjesë integrale e berishizmit të prapaskenës, i cili, i shoqëruar edhe me çantat dhe valixhet “e dyshimta” që po vihen çdo ditë nëpër vendgrumbullime njerëzish për të shkaktuar panik dhe për të mbështetur dhe përforcuar propagandën opozitare se “këtu sundon krimi dhe terrori”, synon të bëjë atë që ai di të bëjë që prej vitit 1991: t’iu tregojë shqiptarëve devizën e vet se “Ose unë në pushtet ose ju nuk do të shihni një ditë të mirë!”.

Të gjithë e mbajmë mend reagimin e PD-së pas humbjes së 23 qershorit 2013 kur e quanin popullin shqiptar “mosmirënjohës”. Dhe dihet se mosmirënjohësit duhen ndëshkuar. Por drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë, drejtimin nga progresi apo nga regresi, do ta përcaktojë fakti se kush do të ndëshkohet, ata që kanë kryer krime ndaj popullit e vendit apo populli që tregohet “mosmirënjohës” ndaj banditëve politikë.

dita
 
Back
Top