Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Mandatet, PS bllokon minibashkitë

eGo0sTyle

System Engineer
kqz-ankesat-300x185.jpg

Partia Socialiste bllokon shpërndarjen e mandateve në këshillat e njësive bashkiake në Tiranë. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, ku ishte planifikuar ndarja e mandateve për 10 njësi vendore, nga 11 që ka Tirana, PS-ja kërkoi që në tabelat përfundimtare të llogariten edhe votat e nxjerra nga hapja e 1793 kutive sipas urdhërimit të Kolegjit.Por, për PD-në dhe shumicën e anëtarëve të KQZ-së, ky propozim është i paligjshëm sepse tabelat janë nxjerrë nga KZAZ-të dhe në momentin e përllogaritjes së votave nuk ka pasur ankimim në KQZ. Në fund, propozimi për ndarjen e mandateve mori 4 vota, ndërkohë që për këtë vendim duheshin minimumi 5.
Debati
Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, tha në fillim të mbledhjes se në tabelat përfundimtare duhet të përfshihen të gjitha votat e hedhura në kutinë e gabuar. “Kemi disa fletë votimi që i keni vlerësuar të vlefshme dhe i keni shpërndarë nëpër tabela. Duhet të na jepni përgjigje, ose ky vlerësim është bërë kot, ose duhet të përfshihet në tabelën përfundimtare. Përderisa ato tabela janë ligjore, të gjitha duan pasqyrim në materialin e paraqitur nga ana juaj”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, theksoi se vendimi është për ndarjen e mandateve, dhe jo për miratimin e tabelave, pasi këtë veprim më parë e kanë bërë KZAZ-të. Në këto kushte, sipas demokratëve, ndryshimi i tyre mund të bëhej vetëm me ankimim në KQZ. “Materiali që kemi përpara nuk është miratimi i tabelave nga KQZ, por ndarja e mandateve. Tabelat nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes për t’u miratuar nga KQZ-ja, por nga KZAZ-të. KZAZ-të kanë shpallur edhe kryetarët e minibashkive dhe numrat e votave për subjektet politike. Ky rezultat është i fiksuar, mbi bazën e të cilit nuk ka pasur ankim në KQZ. Nga 11 minibashki ne e kemi kaluar 1 prej tyre, kështu që jemi në një tjetër fazë sot”, tha Kosovrasti. Qëndrimet e dy partive të mëdha janë transferuar edhe në tavolinën e mbledhjeve të KQZ-së, ku katër anëtarët e djathtë kërkuan që të miratohet vendimi mbi bazën e tabelave fillestare të KZAZ-ve, ndërkohë që dy anëtarët e opozitës kërkuan përfshirjen e të gjitha votave. Në fund, me katër vota pro dhe dy kundër, ndarja e mandateve nuk u miratua për shkak se duhet të plotësohej kuorumi prej pesë votash. Në këto kushte, do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të vihet në lëvizje nga Partia Demokratike, i cili do të vendosë përfundimisht nëse ndarja e mandateve do të bëhet mbi bazën e tabelave që ka përgatitur tani KQZ-ja, apo do të përfshihen edhe votat e hedhura gabimisht.
Këshilli Bashkiak
Në mbledhjen e pasdites, KQZ-ja miratoi me katër vota pro dhe dy kundër tabelën përfundimtare të rezultatit për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në këtë tabelë u përfshinë edhe votat e gjetura në kutinë e gabuar. Socialistët e kundërshtuan tabelën me argumentin se ka mospërputhje të numrave mes votuesve dhe fletëve të votimit të gjetura në kuti. “Numri i zgjedhësve që kanë votuar nuk korrespondon me numrin e votave të gjetura në kuti; numri i fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme nuk korrespondon me numrin e votave të gjetura në kuti. Këtu është bërë një çoroditje e madhe”, tha përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji. Nga ana e administratës ky pretendim u argumentua me faktin se këto mospërputhje ekzistonin edhe përpara se KQZ-ja të hapte kutitë e votimit për të gjetur votat e hedhura në kutinë e gabuar. Sipas tabelës përfundimtare, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka 488 vota më shumë, ose një mandat më shumë se koalicioni “Aleanca për të ardhmen”.
Replikat në KQZ
Debati për Këshillin Bashkiak
Eridian Salianji: Numri i zgjedhësve që kanë votuar nuk korrespondon me numrin e votave të gjetura në kuti; numri i fletëve të vlefshme dhe të pavlefshme nuk korrespondon me numrin e votave të gjetura në kuti. Këtu është bërë një çoroditje e madhe.
Arben Ristani: Tabela përmbledhëse ka tabelat e grupeve të numërimit, plus 117 kutitë, plus numërimin e votave të panumëruara sipas vendimit të Gjykatës. Rezultati është ky që kemi përpara. Ju s’jeni shumë mirë të orientuar, ju jeni peshkatarë pa det. Nuk ka peshkatarë pa det. Doni pak det që të bëni gjueti për peshk. Më kupton Eridian, se je me perspektivë si djalë?
Eridian Salianji: Ma jep fjalën. Nëse s’do ishte diskutuar, unë s’do ta kisha hedhur grepin në këtë det që nuk është det. Përderisa këtu po notohet, po hidhen peshq, po hidhen karrema dhe ne po diskutojmë.
Arben Ristani: Të iku deti prapë, po gjuan në të thatë. اfarë do ti të pasqyrojmë në tabela?
Eridian Salianji: Sa për gjuetinë, ne jemi në pyll këtu, nuk jemi në det. Ne jemi gjahtarët, ju nuk jeni preha jonë, por e PD-së.
Arben Ristani: Do vazhdosh të gjuash në të thatë?
Eridian Salianji: Ky është pylli, ju jeni kafshët e pyllit, gjuheni nga PD-ja, jo nga ne.
Arben Ristani: اfarë do ti, ta shtojmë ne në tabelë?
Eridian Salianji: Ju me buzëqeshje dhe me shaka doni ta kaloni këtë çorbë që keni bërë. Duhet të miratoni tabelat e 485 tabelave të grupeve të numërimit.
Dëshira Subashi: Ka disa diferenca mes numrit të zgjedhësve e votave në kuti. Ka diferencë edhe midis fletëve të pavlefshme dhe të vlefshme me ato të gjetura në kuti.
Petrit Gjokuta (drejtor i KQZ): Ka disa diferenca logjike në tabela. Jemi munduar t’i shpjegojmë duke i parë që në tabelat e QV-ve.
Arben Ristani: Këto diferenca ekzistonin edhe para ndërhyrjes së KQZ-së për vlerësimin e votave të hedhura gabim?
Petrit Gjokuta: Diferenca mes votave në kuti dhe numrit të zgjedhësve ka qenë njësoj gjithmonë. Edhe gabimi njerëzor është një nga supozimet.
Artan Laze: Sot metoda e peshkimit ka ndryshuar, disa që mund ta quajnë veten peshkatarë, mund ta blejnë peshkun në dyqan dhe të thonë që e kanë zënë në det, por peshku nuk ka dalë nga deti, por nga dyqani.
Arben Ristani: Problemi është që edhe ti, edhe Eridiani, edhe Xhafa, e dini sheshin “Skënderbej” sikur është deti, po nuk është deti aty. Ka vajtur deti në vend tjetër, vëlla. Mos gjuani te sheshi Skënderbej.
Debati për minibashkitë
Eridian Salianji (përfaqësues i PS): Kemi disa fletë votimi që i keni vlerësuar të vlefshme dhe i keni shpërndarë nëpër tabela. Duhet të na jepni përgjigje, ose ky vlerësim është bërë kot, ose duhet të përfshihet në tabelën përfundimtare. Përderisa ato tabela janë ligjore, të gjitha duan pasqyrim në materialin e paraqitur nga ana juaj.
Arben Ristani: Tabela e rezultateve është miratuar nga KZAZ-ja. Për këto tabela nuk pati ankim nga palët dhe duke mos pasur ankim nga palët, ky proces është i përmbyllur. KZAZ-të kanë marrë vendim, atje ku ndërhyri KQZ-ja mori vendim Gjykata dhe i la në fuqi. Në këtë moment ky proces është i mbyllur dhe ne nuk mund të ndërhyjmë më.
Njazi Kosovrasti (përfaqësues i PD): Materiali që kemi përpara nuk është miratimi i tabelave nga KQZ-ja, por ndarja e mandateve. Tabelat nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes për t’u miratuar nga KQZ-ja, por nga KZAZ-të. KZAZ-të kanë shpallur edhe kryetarët e minibashkive dhe numrat e votave për subjektet politike. Ky rezultat është i fiksuar, mbi bazën e të cilit nuk ka pasur ankim në KQZ. Nga 11 minibashki, ne e kemi kaluar një prej tyre, kështu që jemi në një tjetër fazë sot.
Dëshira Subashi: Kodi thotë që mandatet llogariten mbi bazën e tabelave të KZAZ-ve, dhe këto tabela sot janë të ndryshuara. Gjithë procedura që u ndoq ishte në kundërshtim me ligjin, sepse afektoi pasoja në tabelat e njësive bashkiake, të Këshillit dhe të kryetarit. Tabela e rezultatit për njësitë bashkiake bëri ndryshime, të cilat duhet të pasqyrohen në tabelën e rezultateve, sepse nuk mund të kalojnë mandatet e këshillave pa u pasqyruar ato vota.
Minibashkitë
Megjithëse KQZ-ja nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të miratuar ndarjen e mandateve në këshillat bashkiakë, pas vendimit të Kolegjit nuk pritet të ketë asnjë ndryshim nga parashikimet e partive. Sipas shifrave të dala nga KQZ-ja rezulton se koalicioni i djathtë ka fituar shumicën e mandateve në shtatë këshilla të minibashkive, ndërsa koalicioni i majtë ka fituar katër njësi vendore. Në Njësinë Nr. 1, Lindita Nikolla e PS-së, e zgjedhur edhe për katër vjet të tjera, do të ketë përballë 14 këshilltarë të djathtë, ndërsa e majta ka fituar 13 vende. E njëjta situatë është edhe në Njësinë Nr. 2.
Vendimi
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u rrëzua kërkesa e Partisë së Unitetit Kombëtar, e cila kërkonte të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet në Tiranë. Kësaj partie i ishin lënë 24 orë kohë për të plotësuar dokumentacionin dhe dje u vendos që ajo të rrëzohej. Kjo është kërkesa e tretë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë që rrëzohet nga anëtarët e KQZ-së. Fillimisht u rrëzua kërkesa e Partisë Socialiste dhe më pas kërkesa e Partisë Bashkimi Popullor Pensionisteve Shqiptar. Me këtë objekt, Partia Socialiste i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor, i cili ka vendosur ta shqyrtojë paditë të mërkurën në orën 10:00.
PS: Votat nuk rakordojnë as në tabelat e Këshillit

Avokati i PS në KQZ, Eridian Salianji
Partia Socialiste ka ngritur dje në KQZ shqetësimin për mosrakordim të shifrave në tabelën përfundimtare të rezultatit për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kështu, në krye të tabelës thuhet se në zgjedhjet e 8 majit kanë marrë pjesë 257 175 zgjedhës, ose 51.97% e atyre që kanë pasur të drejtë vote. Ndërkohë, në rreshtin ku shkruhet numri i votave të gjetura në kuti rezulton se janë 257 081 vota. Nga një llogaritje e thjeshtë del që në kuti mungojnë 94 vota. Një tjetër mosrakordim i shifrave, sipas socialistëve, është edhe për llogaritjen e votave të gjetura në kuti me votat e vlefshme dhe të pavlefshme. Nga numërimi i 485 kutive të Bashkisë së Tiranës rezulton se janë gjetur 248 008 vota të vlefshme dhe 8976 vota të pavlefshme, të cilat së bashku bëjnë 256 984 vota. Normalisht këto vota duhet të ishin në kutitë e votimit, por sipas tabelave të KQZ-së, numri i votave të gjetura në kuti është 257 081 vota, pra 97 vota më shumë. Sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, tashmë nuk mund të diskutohet më për mosrakordimin e shifrave për shkak se kanë kaluar të gjitha afatet.
Numërohet një qendër votimi
Me kërkesë të Partisë Socialiste, KQZ-ja ka bërë pjesë të tabelës përfundimtare rezultatin e një qendre votimi, në të cilën më 8 maj ishte ngatërruar i gjithë procesi. Në kutinë e Këshillit Bashkiak ishin hedhur votat e këshillit të minibashkisë dhe anasjelltas. Në procesin e hapjes së kutive pas vendimit të Kolegjit, KQZ-ja u detyrua ta numërojë Qendrën e Votimit Nr. 1958/1 të Njësisë Bashkiake Nr. 9, ku ishin 486 fletë votimi. Nga numërimi i 1793 kutive (pa qendrën ku ishte ngatërruar procesi), rezultoi se koalicioni i PD-së ka marrë 176 vota, nga të cilat 104 vota PD-ja dhe koalicioni i PS-së ka marrë 147 vota, nga të cilat 114 vota PS-ja.

Panorama.
 

Konkursi Letërsisë

  • Endacaku

    Votat: 3 33.3%
  • Ky qytet i trisht.

    Votat: 2 22.2%
  • Ndjenjë

    Votat: 1 11.1%
  • Pas gjurmëve të shiut

    Votat: 3 33.3%
Back
Top