Lugina e ujqërve!

WxP

Staf në FV.AL
Lugina e ujqërve!

Beqë Cufaj

Këtë javë jam çuditur. Me vetveten. Me atë sesi nganjëherë edhe tregu i lajmeve dhe ngjarjeve krejt të zakonshme të ditës, me ritmin e vet dinë dhe ka fuqinë që njëkohësisht të shtrojë pyetje të mëdha. Dilema tronditëse. Gjëra të cilat deshi apo nuk deshi njeriu kanë të bëjnë me të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. Të pararendësve, tonën dhe të pasardhësve tanë. Të shqiptarëve më pak dhe të njerëzimit shumë më tepër. Ose të shqiptarëve në mënyrë banale dhe të njerëzimit në mënyrë brutale.
Të ndalemi te shqiptarët. Temat e tyre janë të mërzitshme. Të vonuara. ثshtë gjynah i madh që as këtë tren të trandjeve dhe fërkimeve kaq të rëndësishme, intelegjenca dhe elitat shqiptare nuk e kapin dot. Shqiptarët merren me tema dhe çështje me të cilat popuj tjerë të lindjes, apo thënë më mirë, ish-lindjes, i kanë tejkaluar që nja 15 vite. Për këtë më bind krejt rastësisht kanali i shkëlqyeshëm televiziv franko-gjerman “Arté”. Një temë për shqiptarët. Albaner. Albanien. Albanese. Albanians. Albania. Al. Shkurtesa. Emisioni e ka titullin “Zap International”. Rrëfehet për Al. Shqipërinë e sodit në peizazhin e saj mediatik. Gazetat dhe sidomos televizionet. Gazetarët e rëndësishëm dhe parëndësishëm. Njërit prej tyre sidomos i jepet hapësirë e madhe. Po, po është ai. Që bën opinion me opinion. Figura e tij para gazetarëve franko-gjermanë më del e zbehtë. Sidomos zbehet, për të mos thënë venitet ajo figurë e tij kur ekipin nga Parisi/Berlini e dërgon në dhomën e Mehmet Shehut të ekzekutuar para dekadash të tëra në rrethana misterioze. Opinionisti flet më me qejf për Mehmet Shehun dhe periudhën e diktaturës se sa për Albaninë e sodit! Pse? Sepse edhe kur e shan peizazhin e sotëm mediatik e bën këtë gjë me kujdes. Me të drejtë. Sepse si pak kryegazetarë e kryeopinionistë shqiptarë nuk i ka kontribuar katrahurës së sotme mediatike më shumë sesa ky! Prandaj e ka të lehtë, shumë më të lehtë që dokumentaristët franko-gjermanë t’i dërgojë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut! Shyqyr që nuk i çon edhe te ndonjë bunker apo ndonjë familje shkodrane të mbyllur në kthetrat e gjakmarrjes! Emisioni shpëton. Autorët e filmit e kanë kuptuar laryshinë me të gjitha kontradiktat e jetës mediatike dhe me këtë edhe politike tiranase. Prandaj filmi del aq i mirë. Një shikim nga jashtë i klithjeve të fëmijës shqiptar në periudhën e rëndë të tranzicionit.
Iki nga shqiptarët. I kthehem globit. Temave globale. Glob me prapashtesën e të qenit edhe Al(banian). Glob-Al! Ngado më rrethojnë karikaturat e Muhamedit dhe debati sa madhështor aq edhe frikësues për këtë temë. Faqet e kulturës së gazetave gjermane, amerikane, spanjolle, franceze dhe angleze janë të mbushura me tekste dhe analiza, kritika dhe profeci të autorëve të mëdhenjtë të kohës. Salman Rushdiu (NYT), Günter Grassi (El Pais), Botho Straus (Spiegel), Frank Schirrmacher (FAZ). Të gjithë hezitojnë, sulmojnë apo përkrahin provincën daneze për nxitjen e botës islame. Natyrisht që duhet pajtuar me faktin që tezat e mëdha të Francis Fukuyamës (për “Fundin e Historisë” dhe “Fitoren e Demokracisë”) apo Samuel Huntingtonit (për “Ndeshjen e Civilizimeve”) me karikaturat e Muhamedit bien në ujë. Tezat e të parit shumë thjesht, sepse në botën islame nuk ka dhe për një kohë të gjatë, thjesht, nuk do të ketë demokraci. Dhe tezat e të dytit, sepse ai i vë këto civilizime dhe kultura kundër dhe jo pranë njëra-tjetrës. Apo siç teologu më i madh i gjallë që sot për sot njerëzimi ka, dhe rebeli i përjetshëm i Kishës Katolike autori i librit të tij monumental për fenë islame, Hans Küng, thoshte që tezat e Huntingtonit ndoshta do të mund edhe të shkonin po të mos ishte shumësia dhe laryshia edhe e vetë civilizimeve për të cilat ai flet. Me një fjalë, dallonin protestat për karikaturat në Afganistan, prej atyre në Indonezi!
Sidoqoftë, katrahura për “shkaqet dhe pasojat” e karikaturave nuk mbaron me kaq. Një film. Një film i cili në plan të dytë ka hedhur këto ditë edhe vepra madhështore të “Berlinales” ka trazuar shpirtrat e imamëve (lexo: kulturologëve!) të gazetarisë dhe shkencës perëndimore. Filmi turk i “llojit aksion” me titullin “Lugina e ujqërve”, pas suksesit me disa miliona shikues vetëm në Turqi, tash po i mbush kinematë me shikues të rinj myslimanë anekënd Evropës. Në Gjermani, Francë, Skandinavi, Britani. Rrëfimi në këtë film është klasik. Vetëm se këso anë medalja është kthyer ndryshe. Janë ushtarët amerikanë ata që vrasin fëmijë, gra dhe pleq në Irak dhe janë heronjtë turq të tipit të Rambos ata që çlirojnë popullin dhe i luftojnë për t’i mundur natyrisht në fund “pushtuesit” amerikanë! A është ky film një përgjigje e myslimanëve për karikaturat daneze? Ndoshta!
Sidoqoftë, Hans Küng duket që ka të drejtë. Sepse, a nuk është edhe ky film një vlerë e përbashkët e, kësaj radhe, anës tjetër, së keqes, për problemet e njohjes së shoqërive, civilizimeve, jo në luftë, por në përgatitje - të shpresojmë për paqe!
Mendoj për shqiptarët. Për globin. Dhe për atë sesi te ne njerëzit tanë që dinë dhe munden të bëjnë diçka, nëse asgjë tjetër, atëherë së paku nuk do të ishte keq të vështrojnë se çka po ngjet jashtë horizontit që sytë e tyre mund të shohin! Duket që njerëzit tanë të mençur kanë frikë të hyjnë luginave me ujqër! Definitivisht nuk e njohin atë shteg!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top