Prej 10 vitesh vëmendja ndaj së kaluarës – si ajo kombëtare, ashtu edhe ajo e ndarë me vende të tjera – është pjesë përbërëse e politikës së jashtme ruse. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendet e Europës Perëndimore kanë arritur të tejkalojnë trashëgimitë e dhimbshme të së kaluarës duke u bazuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë e të drejtave të njeriut dhe kjo i ka ndihmuar jo vetëm që të përmirësojnë raportet e tyre reciproke, por edhe t’u japin jetë strukturave mbikombëtare integruese (Bashkim Europian e NATO). Rivalë dhe armiq historikë (Francë, Gjermani, Britani e Madhe, Itali, etj.) janë bërë anëtarë të këtyre strukturave.
Në të kundërt, raportet aktuale midis Rusisë dhe disa vendeve të ish bllokut sovjetik (i ashtuquajturi “kamp socialist”) janë shënuar nga konflikte e mosbesime, në disa raste të shkaktuara nga vizione divergjuese të historisë. Është mjaft e natyrshme që çdo vend të ketë narrativën historike dhe interpretimin e tij për ngjarjet e së kaluarës ku është përfshirë drejtpërsëdrejti. Këto narrativa mund të ndryshojnë njëra nga tjetra, nganjëherë në mënyrë domethënëse. Kjo ndodh parasëgjithash në vende kufitare që në të kaluarën kanë pasur raporte të komplikuara dhe në mënyrë të veçantë ka të bëjë me ato vende që kanë qenë të përfshira në një organizëm shtetëror, por që nuk gëzonin të njëjtat të drejta si të tjerët.
Bashkëekzistencë paqësore apo luftë rrëfimesh
Për të dhënë një shembull, interpretimet e historisë së shtetit hungarez dhe të motiveve që kanë çuar në rënien e monarkisë austro – hungareze janë shumë të ndryshëm për hungarezët dhe për sllovakët (natyrisht edhe për çekët, rumunët, serbët dhe kroatët). Edhe shumë vende kanë shembujt e tyre të narrativave historike divergjuese. Shumë shpesh këto versione bashkëekzistojnë në mënyrë pakashumë paqësore, natyra e tyre reciprokisht përjashtuese nuk shpaloset në një rritje të tensioneve në raportet midis shteteve dhe nuk çon në konflikte të hapura. Por ngjarjet e kohëve të fundit kanë demonstruar se në rastin e marrëdhënieve midis disa vendeve të Europës Qendrore dhe Rusisë gjërat nuk janë kështu. Pse?
Çuditërisht, përgjigja është e thjeshtë: sepse Rusia e sotme është ndoshta shteti i vetëm në botë që po shtrëngon vendet e tjera të pranojnë interpretimet e historisë dhe narrativat historike të saj. Kur kjo nuk ndodh, ushtron presione, formulon kërcënime dhe zbaton ndëshkime. Kuptueshëm që qasja ruse perceptohet në mënyrë polemike në vendet e shënjestruara. Në radhë të parë sepse kërkimet serioze historike shpesh nuk konfirmojnë faktet e propozuara nga Kremlini, të ndërtuara mbi mite më shumë sesa mbi prova dokumentare dhe të bazuara mbi ngjarje specifike historike. Në radhë të dytë sepse në vende të ndryshme këto narrativa kundërshtojnë doktrinat historike e adoptuara zyrtarisht nga shteti, siç kanë nënvizuar kohët e fundit ministrat e Jashtëm e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në një deklaratë të përbashkët për përvjetorin e mbarimit e Luftës së Dytë Botërore në Europë.
Kundër kujt po luftojmë?
Deri më sot Moska ka kryer (ose po kryen akoma) “luftëra historike” (ose “luftëra të kujtesës”) me 6 vende: shtetet balltike (Lituani, Letoni dhe Estoni), Ukrainën, Poloninë dhe, më së fundmi, Republikën Çeke. Pas jo shumë kohe në këtë listë mund të përfundojë edhe Bullgaria. Midis këtyre vendeve, 4 kanë qenë republika të Bashkimit Sovjetike (balltiket dhe Ukraina) dhe 2 (3 me Bullgarinë) qenë të përfshira në bllokun sovjetik, domethënë ishin pjesë e Këshillit për Ndihmën Ekonomike Reciproke (KNER) dhe Traktatit të Varshavës. Gjatë 40 viteve që ka ekzistuar, blloku sovjetik ka parë të hapen brenda të çara që në pjesën më të maddhe të rasteve Moska ka kërkuar t’i mbyllë me ndërhyrje ushtarake, në radhë të parë për të shpëtuar qeveri komuniste që kishte instaluar në këto vende me objektiv ruajtjen e dominimit të saj gjeopolitik (Republikë Demoratike Gjermane 1953; Hungari 1956; Çekosllovaki 1968).
Në fillimin e viteve ’90, pas revolucioneve të 1989 në Europën Qendrore dhe Lindore, blloku komunist është shembur. Për shkak të humbjes në Luftën e Ftohtë dhe të kolapsit pasues të brendshëm, Bashkimi Sovjetik ka pushuar së ekzistuari. Zhdukja e tij perceptohet ndryshe në botë. Për shumë ka përfaqësuar çlirimin e vendeve (përfshi atë të kombit) nga shtypja e një regjimi totalitar. Klasa drejtuese aktuale ruse, e drejtuar nga Vladimir Putin, e konsideron megjithatë rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”. E njëjta vlen edhe për perceptimin e saj për humbjen e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë. Për Kremlinin është ende e vështirë që të pranojë faktin se në 1989, pasi ka eksperimentuar për 40 vjet rendin komunist të importuar nga Lindja, Europa Qendrore dhe Lindore ka preferuar demokracinë liberale perëndimore dhe ka refuzuar autoritarizmin e markës lindore. Sistemi autoritar që është afirmuar në Rusi pas intermexos së shkurtër demokratike të përfaqësuar nga presidenca e Boris Yeltsin, konsolidimi i këtij regjimi dhe aventurat perandorak – revanshiste e kryera nga Moska (në Gjeorgji më 2008 e në Ukrainë më 2014) kanë konfirmuar sesa qenë në të drejtë ato forca sociale e politike të Europës Qendrore, që përveç zgjedhjes së liberaldemokracisë, i kanë orientuar vendet e tyre drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Katastrofa më e madhe gjeopolitike
Nëqoftëse shembja e Bashkimit Sovjetik ka qenë “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit” (deklaratë e Presidentit rus Putin tashmë e hyrë në diskursin publik, politik dhe gazetaresk në Rusi), gjithçka që në një farë mënyre është e lidhur me Bashkimin Sovjetik dhe politikës së jashtme të tij sipas pikëpamjes së Kremlinit ka automatikisht një domethënie pozitive: për shembull, lindja e regjimeve komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, krijimi i “kampit socialist” nën egjidën e Moskës dhe tentativat e Moskës për ta ruajtur unitetin e këtij blloku, edhe me përdorimin e forcës. Në të kundërt, gjithçka është e lidhur me dobësimin e Bashkimit Sovjetik dhe me shpërbërjen e tij perceptohet si negative dhe e dëmshme: për shembull, tentativat e futjes së reformave autonome në vendet socialiste, lëvizjet civile dhe kundërshtimi, rënia e regjimeve komuniste në fundin e viteve ’80, krijimi i demokracisë dhe hyrja e ish vendeve socialiste në Bashkim Europian dhe NATO.
Ishte e pashmangshme që zgjedhja e Kremlinit për të përqafuar trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik nëpërmjet interpretimit sovjetik e ngjarjeve historike të shekullit të XX, sidomos në gjysmën e dytë të tij, domethënë periudhën ku është shfaqur “kampi socialist”, të vihej në konflikt me rrëfimet historike rrënjësisht të ndryshme të shfqaura në Europën Qendrore dhe Lindore pas rënies së regjimeve komuniste. Sot kjo përplasje ka të bëjë me rrethanat që kanë çuar në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, mënyrën sesi është zhvilluar lufta, humbja e nazizmit dhe e fashizmit, ndarja e sferave të influencës midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, krijimi i regjimeve komuniste dhe pasojat e tjera e rendit të pasluftës në Europë.
E gjitha kjo shërben si sfond historik për “luftërat e kujtesës” që Rusia po realizon dhe është e kuptueshme, në mos deri logjike, që në këto konflikte armiqtë të jenë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Në sytë e drejtuesve aktualë të Kremlinit, këto vende janë “arratisur” në Perëndim, duke përfunduar kështu që t’i “varrosin mbeturinat” e planit të përpunuar në vitet ’30 nga Stalini dhe i mbijetuar Luftës së Dytë Botërore për ta çliruar Europën nga zgjedha kapitaliste, një plan që duhet të shoqërohej nga ekspansioni territorial i Bashkimit Sovjetik mbi të gjithë kontinentin europian. Një analizë e vëmendshme e deklaratave dhe e veprimeve të politikës së jashtme e klasës dejtuese aktuale ruse, sidomos në dritën e ngjarjeve të mëparshme historike, na bën të konkludojmë se në këtë moment në Rusi është në pushtet një forcë revanshiste. Nga pikëpamja gjeoopolitike, kjo forcë trashëgon sa nga Perandoria Rusie, aq edhe nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit, të dy entitete shtetërore të karakterizuar nga një shtytje e fortë ndaj ekspansionit të jashtëm territorial.
Kjo forcë autoritare është armike me demokracinë liberale, refuzon projektin e integrimit europian dhe e konsideron Perëndimin si armikun kryesor të saj. Dhe qëllimi kryesor i saj është t’i reduktojë sa më shumë të jetë e mundur pasojat e humbjes së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë me Perëndimin. Do të vinte të pyetej nëse për Rusinë paskomuniste nuk do të ishte më e favorshme të kërkonte të nxirrte maksimumin e përfitimeve nga kjo humbje, duke u impenjuar në një bashkëpunim intensiv dhe në raporte partneriteti, në mos të një aleance në kuptimin e vërtetë të fjalës, sidomos me Perëndimin. Por lidershipi aktual rus nuk duket se ngre pyetje të kësaj natyre. Sipas Kremlinit, një prej mënyrave që është e mundur të minimizohet humbja e sipërpërmendur është pikërisht duke shkaktuar “luftëra kujtese” me ish vendet “vëllezër” apo ish republika të Bashkimit, duke ushqyer diskutime dhe polemika mbi episode të vecanta dhe figura historike të caktuara.
Në këtë optikë, Rusia ka nisur një kundërshti me Poloninë lidhur me përgjegjësinë e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe është në polemikë me Republikën Çeke, fajtore se ka vendosur që ta spostojë monumentin e Marshallit Ivan Konev (oficerit sovjetik që udhëhoqi çlirimin e Pragës nga nazistët më 1945) nga vendndodhja fillestare e tij. Gjithmonë në Pragë, Moska i kundërvihet realizimit të një pllake përkujtimore në nderit të ushtarëve të kontroverses Ushtri Çlirimtare Ruse (e udhëhequr nga Gjenerali Andrej Vlasov, i akuzuar nga disa historianë për kolaboracionizëm) të rënë gjatë kryengritjes së 1945 kundër nazistëve në kryeqytetin çek. Kështu, këto “luftëra të kujtesës” janë reflekse të Luftës së Ftohtë, që tashmë i përket së kaluarës. Kremlini po kërkon që të përfitojë nga kjo luftë e humbur, duke i adresuar sulmet e saj kundër atyre që i konsideron tradhëtarë, të akuzuar se kanë dezertuar për të kaluar nga ana e armikut.
Rrethi vicioz i trashëgimisë sovjetike
Se çfarë pamjeje ka një laborator profesional ku zgjidhen shënjestrat e “luftërave të kujtesës” ruse, këtë na e tregojnë transkriptimet e një diskutimi midis kolneve historike afër me qeverinë ruse. Transkriptimi është botuar nga revista “Russia in Global Affairs” në fillimin e 2020 me titullin “Historical memory – Another space where political tasks are solved” (Kujtesë historike – Një tjetër hapësirë ku zgjidhen detyra politike). Është një lexim i çuditshëm. Gjatë diskutimit, protagonistët flasin për mënyrën me të cilën rrëfimet historike mund të përdoren për të diskredituar një shtet në kurriz të një tjetri dhe se cilat interpretime specifike mund të përdoren për të forcuar raportet me vende të caktuara.
Ia vlen barra qiranë të citohen pjesë të diskutimit ku pjesëmarrësit reflektojnë mbi atë sesi mund të promovohet në 2020, viti i përvjetorit të 75-të i fitores mbi nazizmin, historia e Luftës së Dytë Botërore në Europë. Konfrontohen mbi atë sesi të lëvizet në kontekstet e raporteve aktuale midis shteteve të veçanta, me të gjitha problemet dhe sfumaturat e rastit. Fedor Gaida, Profesor i Asociiuar i Fakultetit të Historisë i Universitetit Shtetëror të Moskës, shpjegon sesi të promovohet interpretimi ruso – sovjetik për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Ja propozimi i tij: “Në terma të ndërtimit konceptual, duhet të punohet mbi kontrastin (për t’i zbuluar dritëhijet) dhe të shtyhen drejt absurdes konceptet e tjera (falë Zotit, në këtë rast nuk do të ishte e nevojshme një përpjekje kushedi sa e madhe)”. Ndërhyrja vazhdon kështu: “Janë armiqtë, janë aleatët. Kemi kokën e përkryer të turkut, domethënë Poloninë. Në rast se duhet të gjejmë një armik të përbashkët që mund ta ndajmë me burokratët e Bashkimit Europian, atëhere Polonia ka mundësi që është kandidati i parë. Sipas mendimit tim, duhet të këmbëngulet lidhur me rolin e Polonisë, gjë që jemi duke e bërë. Dhe, po, në këtë aleati ynë kryesor është Izraeli”.
Niveli i cinizmit të historianit të lë pa fjalë. Aktualisht problemet që karakterizojnë raportet midis qeverisë polake dhe Bashkimit Europian janë të njohura, ashtu si edhe tensionet midis Polonisë dhe Izraelit, të shkaktuara nga kritikat e shhtetit hebraik ndaj interpretimit të Luftës së Dytë Botërore të marrë mbi vete nga Varshava. Këto probleme kanë përmbajtje e dinamika specifike dhe nuk kanë të bëjnë aspak me raportet e Polonisë dhe Izraelit, natyrisht edhe të Bashkimit Europian, me Rusinë. Megjithatë, gjëja ndoshta më e çuditshme në transkriptimin e diskutimit nuk është as ky cinizëm sesa kordoni ombilikal mendor dhe ideologjik që lidh pjesëmarrësit e tij me narrativën sovjetike, kaq dhimbshëm familjar. Historianët nuk pyesin nëse ka ardhur apo jo momenti që të lihen menjanë të gjitha këto rrëfime “fitimtare” me tone histerikisht solemne që në fakt ekzaltojnë regjimin sovjetik dhe kundërshtojnë të vërtetën e dimensionin njerëzor të heroizmit, të tragjedive dhe të krimeve që kanë përjetuar Rusia dhe qytetarët e saj.
Në debat vazhdojnë të lëvizin në një rreth vicioz interpretimesh, që me gjithë qëllimet më të mira, nuk mund t’i përshtaten së tashmes. Për të mos folur për faktin se mbi këto baza është e pamundur të ndërtohet një raport i qëndrueshëm bashkëpunimi në Europë. Midis gjërave të tjera, ky diskutim demonstron sesi lidershipi aktual rus nuk parashikon kurrfarë ndryshimi në leximin e tij të ngjarjeve më të rëndësishme të ‘900. Kjo nënkupton se sipas çdo gjase “luftërat e kujtesës” të kryera nga Rusia kundër ish satelitëve të saj, që sot janë të lira e demokratike të Europës Qendrore, janë të destinuara të vazhdojnë.
(Grigorij Mesezhnikov për Visegrad Insight, Poloni)
bota.al