Luftë doni…por luftë nuk do të keni!

ReSpEcT

Anëtar me përvoje.
Luftë doni...por luftë nuk do të keni!

Nga Mero Baze
Mero-Baze.jpg
Sot Sali Berisha u betua se do ta skuqë përsëri Shqipërinë. Ishte një nga ato sokëllimat e tij, kur mendon se duke ngritur zërin, i nxjerr dhe frikën vetes.

Shqipëria është vërtetë në ditë të këqija dhe shkaku është pasiguria dhe mungesa e qetësisë e një njeriu, që duhej mbyllur ose në burg, ose në shtëpi, prej vitesh.

Shoqëria shqiptare zgjodhi ta ndëshkojë Sali Berishën me një milionë vota kundër tij, me shpresë se pas kësaj, ai do të paguante dhe do dilte para drejtësisë. Kjo shpresë e madhe e shqiptarëve u plasarit, u zvarrit dhe u bë dita- ditës e paarritshme, për shkak të pafuqisë që shumica e sotme në pushtet, dëshmoi para 1 milionë votave që ishin për ndëshkimin e Sali Berishës. Reforma në drejtësi u kthye në një betejë sfilitëse edhe brenda shumicës, e cila nuk është e bashkuar në qëndrimin që duhet mbajtur ndaj pandëshkueshmërisë në vend.

Por atë që nuk e bëri shumica me këtë njeri, e bëri shoqëria shqiptare, e cila është e qartë kundër tij. Në katër palë zgjedhje, prej vitit 2013, ajo ka përsëritur të njëjtin ndëshkim ndaj tij, duke humbur çdo betejë elektorale më thellë se në vitin 2013. Ajo e ka ndëshkuar atë njeri të rrijë në opozitë dhe ai e ka marrë këtë mesazh.

Tani ai nuk ka betejë me Edi Ramën. Ai ka betejë me shoqërinë shqiptare që nuk e voton dhe faktorin ndërkombëtar, që kërkon kthimin e ndëshkueshmërisë në vend. Dhe mendon se duke kërcënuar se do të djegë Shqipërinë, ai do të hakmerret ndaj shqiptarëve që nuk e duan dhe ndaj Perëndimorëve që e kanë izoluar.

Me një fjalë, po kërkon luftë!

Por luftë nuk do të ketë.

Nuk do të ketë se nuk ka palë mes shqiptarëve që të rivriten për Sali Berishën. Sali Berisha është në anën e humbësve të historisë sonë, dhe përpjekjet për të futur vendin në spiralen e një përplasje civile, janë thjesht problem mendor i tij.

Shqiptarët nuk kanë hak për të marrë për Sali Berishën, por kanë hak për të marrë kundër Sali Berishës. Por për këtë nuk do t’i lejojmë, se jemi shtet europian dhe Sali Berishën do ta dënojmë, nuk do ta vrasim.

Nuk di cili shqiptar është gati të rrëmbejë armët nën kushtrimin e Sali Berishës, për të mbrojtur të mos digjen dyqanet e brekëve luksoze të Arminës në Bllok, vilat e Shkëlzenit në Farkë, vila e Saliut në Lalëz apo pasuritë e tyre në koncesione dhe biznese të tjera të deleguara në Shqipëri.

Nuk di kush u ka rënë më qafë këtyre miliarderëve që të ngrihen shqiptarët me armë e të mbrojnë Saliun.

Nuk di kush i ka shqetësuar vajzat e Lulzim Bashës në Hollandë për të marr gjak, edhe pse ka lënë tetë jetimë, që të jepet kushtrimi për luftë.

Nuk di kush shqiptar është i gatshëm të vritet për të shpëtuar nga rreziku këtë miliarder që akoma nuk ka mbaruar paratë e pajës së gruas nga VEFA në vitin 1997.

Nuk di kush shqiptar është gati të marrë armët e të vritet me vëllezërit e tij, për të bërë zgjedhje si ato të Lulzim Bashës apo Arben Ristanit, që kur nuk fiton, të kërkosh vota në kosha plehrash.

Nuk di cili shqiptar është gati të vritet për Nard Ndokën e Agron Dukën, por di të them se përballë kësaj aleance qesharake, ka një aleancë jo me 1 milionë, por me mbi 2 milionë shqiptarë, të cilëve nuk u shkon mendja kurrë për luftë, por për votë kundër “Don Kishotëve” të shekullit 21 në Tiranë.

Ideja se dikush do të na pengojë të votojmë më 18 qershor është urrejtje ndaj shoqërisë shqiptare, që nuk i voton dhe që kërkon ndëshkimin e tyre. Beteja për të shpallur faktorin ndërkombëtar si mafie ndërkombëtare, është dëshpërimi i tyre.

Luftë kërkoni… por luftë nuk do të keni. Nuk ua jep njeri atë shans.

Dhe plumbat u dhimbsen shqiptarëve për këta politikanë që kanë vrarë dhe vjedhur 25 vjet dhe duan ta rinisin nga e para. Sidomos kur këtë kushtrim e jep Sali Berisha.

Të vetmen këshillë e kam për Lulzim Bashën. Le të bëjë ç’të dojë me zgjedhjet dhe vendimet politike, se votën e kanë në dorë shqiptarët dhe jo ai. Ai ka në dorë të sigurojë të ardhmen e tij dhe familjes së tij, përmes reformës në drejtësi.

ثshtë një ish-ministër i Brendshëm që ka vrarë dhe ka lënë tetë jetimë që e shikojnë se si po sillet me gjakun e baballarëve të tyre. Disave prej tyre, ndoshta u gufon zemra nga gëzimi, kur dëgjojnë Lulzimin të thotë: “Luftë doni.. luftë do të keni”. Ndoshta disa prej tyre presin ta vënë drejtësinë në vend me luftë. Të gjithë i kemi këshilluar të besojnë se një ditë në këtë vend do të vendoset drejtësia. Shumë miq të mi e kanë bërë këtë.

Por Lulzim Basha duhet ta bëjë i pari.

Se po u çmend dhe e la Shqipërinë në dorë të hakmarrjes, në këtë vend të vetmit që kanë për të marrë hak e gjak, janë ata që ka vrarë Shkëlzeni, Saliu dhe Lulzim Basha. Dhe nuk është se nëse ndodh, do zbatojnë “Kanunin”, të vrasin djalin më të mirë të racës. Mund të vrasin dhe më budallain. Ndaj Lulzimi duhet të ketë kujdes nëse vërtet mendon se do të ketë luftë.

Por unë e siguroj se nuk do ta lëmë të ketë luftë. Nuk do ta lëmë të rrezikojë aq shumë qoftë dhe për veten e vet. Do të jetë më mirë t’i lërë vajzat e veta të qeta në Hollandë dhe vetë të përballet me drejtësinë dhe votën e shqiptarëve, se sa të shpresojë se vrasësit e tij, mund të mundin dhe poshtërojnë shoqërinë shqiptare.

Burimi : Lufte doni…por lufte nuk do te keni! – Gazeta Tema
 
Back
Top