Lufta në Ukrainë, bota rrezikohet nga një krizë ushqimore
Ndryshimi i klimës. Pastaj pandemia. Dhe së fundi lufta në Ukrainë. Kjo periudhë është katastrofike, dhe tani pritet një ‘Annus Horribilis’ (një vit i tmerrshëm) për sektorin e bujqësisë, që mund të vërë në rrezik sigurinë ushqimore në zonat më të varfra të globit, dhe që është i destinuar të ndikojë seriozisht edhe në konsumin e të ashtuquajturës bota e parë, ose vendeve më të zhvilluara të botës.
Me sulmin rus në Ukrainës, sanksionet perëndimore që sollën edhe kundërpërgjigjen e Rusisë, tregu i plehrave kimikë po shkon drejt një krize me përmasa të paprecedenta:një kolaps i eksporteve dhe një rritje pasuese e çmimeve, që do të godasë rëndë prodhuesit në një moment kritik për Hemisferën Veriore, pikërisht në fillim të sezonit të mbjelljes së kulturave pranverore (misri, sojës, lulediellit etj), dhe fazës së plehërimit për drithërat e vjeshtës siç është gruri.
Më 4 mars, Ministria ruse e Tregtisë, rekomandoi ndalimin e eksporteve të plehrave kimikë, duke u ankuar për pamundësinë e garantimit të transportit, për shkak të sanksioneve perëndimore dhe efektin që kanë ato në dërgesat e mallrave drejt dhe nga Rusia.
Kjo situatë është e destinuar të shkaktojë pasoja të rënda në bujqësinë botërore. Rusia është eksportuesja kryesore në botë e plehrave kimikë, me 50 milionë tonë të prodhuar çdo vit (13për qind e prodhimit botëror), dhe me një xhiro që në vitin 2020 arriti në rreth 7 miliardë dollarë.
Sa i përket Evropës, edhe Bjellorusia nuk do ta furnizojë dot me plehra kimikë në të ardhmen e afërt, pasi sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, synojnë gjithashtu importin e potasit (një përbërës kyç i plehrave kimikë), ku Minsku është ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë.
Po ashtu Ukraina nuk do të lejojë më shitjen e plehrave dhe përbërësve për prodhimin e tyre (azot, fosfor dhe kalium) jashtë kufijve të saj kombëtarë, në përpjekje për të garantuar prodhimin bujqësor të vendit gjatë konfliktit. Rezultati është një rënie e madhe e furnizimeve globale.
Por lufta po ndikon edhe mbi prodhimin dhe kostot e plehrave kimike në një mënyrë më indirekte. Proceset industriale me të cilat prodhohen plehrat kërkojnë sasi të mëdha energjie. Për shembull llogaritet që vetëm sinteza industriale e amoniakut, përmes një procesi kimik të njohur si procesi Haber-Bosch, harxhon 1-2 për qind të gjithë energjisë së prodhuar në planet.
Prandaj, kostot e prodhimit të plehrave kimikë, ndikohen drejtpërdrejt nga ato të lëndëve djegëse të përdorura në prodhimin e energjisë, dhe rrjedhimisht të naftës dhe gazit, çmimet e të cilave janë rritur shumë qëkur ka nisur lufta në Ukrainë.
Situata ndërlikohet më shumë nga fakti se lufta vjen pas 2 vitesh pandemi, që e kishin goditur tashmë rëndë tregun e energjisë dhe transportin, duke shkaktuar rritje të çmimit të plehravekimikë dhe zvogëluar shumë normën e fitimit për fermerët.
Vitin e kaluar, Kina njoftoi një ndalim të eksporteve të plehrave kimikë deri në qershor të këtij viti, pas mbylljes së disa fabrikave, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Prodhuesi kryesor në botë, norvegjezja Yara International, e uli prodhimin me 40 për qind në vitin 2021, për shkak të rritjes së çmimit të gazit në Evropë.
Po kështu kanë vepruar edhe disa kompani amerikane. Rezultati ishte një rritje e çmimeve të plehrave dhe përbërësve të tyre. Për shembull nitrati i amonit, u rrit me 260 për qind vetëm gjatë vitit 2021. Dhe në një situatë tashmë komplekse, sulmi rus ndaj Ukrainës përfaqëson goditjen përfundimtare.
Gazi dhe nafta kanë arritur rekorde të reja çmimesh, dhe kostoja e plehrave po kap majat.
Në këto kushte, ekspertët thonë se kostot në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë do të bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshme, ndaj përveç rritjes së çmimeve në supermarkete, konsumatorët mund të përballen me mungesën e disa produkteve ushqimore.
Efektet që do të ketë lufta ndaj prodhimit global të ushqimit, do të shihen konkretisht vetëm pas disa muajsh. Mjerisht, ato ka të ngjarë të rezultojnë dramatike në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Vetëm vitin e parë të pandemisë, në vitin 2020, u rrit nga 8.4 në 10.4 për qind përqindja e popullsisë globale pa qasje në sasi ushqimi të mjaftueshëm, një rritje që korrespondon me rreth 100 milionë njerëz të cilët nuk kanë më qasje tek vaktet e rregullta ushqimore.
Që atëherë, situata është përkeqësuar më tej. Në fakt, Ukraina dhe Rusia janë edhe ndër eksportuesit kryesorë të grurit, misrit dhe lulediellit. Dhe sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), konflikti mund të rrisë me 8–22 për qindçmimet e këtyre ushqimeve. Në skenarin më të mirë, numri i njerëzve të keq–ushqyer në botë mund të rritet me 7.6 milionë deri në vitin 2023. Në skenarin më të keq, kjo rritje do të jetë13.1 milionë njerëz.
bota.al