Lufta ime civile me latinishten

Love

βeℓℓe â๓e
Puna: Nermin Basha është një ndër përkthyeset e pakta të latinishtes. Ajo ka përkthyer “Komploti i Katilinës”, një vepër nga Kaj Salust Krispi dhe “Mbi luftën civile” të Jul Cezarit. Ish – drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Nermin Basha, është sot pedagoge në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo jep aty lëndën e latinishtes, një lëndë mjaft e rëndësishme për këta studentë. Sapo ka mbaruar edhe një studim mbi librin e tretë të veprës së Jul Cezarit.
Bio: Emri : Nermin Basha
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi : Tiranë
Statusi: E martuar dhe nëna e një vajze, Orindës
Arsimi : Gjuhë dhe letërsi klasike
Profesioni: Pedagoge

timthumb.php

Nga: Luela Myftari

-Nermin Basha, bija e familjes Deliu dhe mbesa e familjes Turdiu vjen sot për t’i rrëfyer lexuesit të “Trup dhe Shpirt” se si ka mundur të luftojë çdo ditë, derisa arriti në pozitat e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare dhe në figurën e përkthyeses nga latinishtja. Ajo ishte vajza që u dënua për hir të “gabimeve” të familjes së mamasë. Babai i saj ishte shkolluar në shkollën teknike amerikane të Fultzit, ndaj edhe ajo u rrit mes një fryme të ngrohtë për librat dhe për kulturën e gjuhëve të huaja.

Nermin, si ishte fillesa e asaj vajze që arriti sot këtu dhe kështu?

Atë vit që unë mbarova tetëvjeçaren, u hap edhe shkolla e mesme e gjuhëve të huaja. Babai im kishte studiuar në shkollën amerikane dhe unë dëshiroja shumë të studioja për anglisht, por nuk ndodhi kështu. Më pëlqente edhe frëngjishtja, por kushtet aso kohe më ofruan që të studioja për latinisht. Sigurisht, që pranova. Në atë kohë, nuk ishte e mundur që të refuzoja, për më tepër më pëlqenin gjuhët e huaja, sepse isha rritur në një mjedis të tillë. Pata fatin që, në shkollë të mesme, të kisha mësues njohësin e shkëlqyer të gjuhës latine, Pashko Gjecin. Edhe në shkollën e lartë kam studiuar me një pedagog po aq të mrekullueshëm, profesor Henrik Lacaj. Të dy kanë qenë profesorë të nderuar dhe unë kam pasur fat që kam mësuar nga ta.

A ishte e vështirë për një vajzë që e kishte Turdiu mbiemrin e nënës?

Familja e nënës sime, përfshi këtu edhe familjen time, vuajti pasojat e një familjeje me biografi “të keqe”. Unë e pata të vështirë të merrja të drejtën e studimeve të larta. Jam lutur në disa instanca shtetërore aso kohe, por vetëm pas një letre drejtuar Ramiz Alisë munda të siguroj studimet e larta. Nuk e fillova universitetin në shtator si të gjithë, por në janar.

Sot jeni përkthyese e dy botimeve nga gjuha latine : “Komploti i Katilinës” dhe “Mbi luftën civile”. ا’mund të na thoni për eksperiencën tuaj si përkthyese?

Pas largimit nga puna në Bibliotekën Kombëtare, në 6 nëntor të vitit 1997, më vjen një letër me 13 faqe nga studiuesi Jup Kastrati, i cili, me fjalët e tij më preku tek ajo dëshirë, që rrinte e strukur tek unë prej vitesh. Kjo qe nxitja për t’iu futur përkthimit. Për veprën e parë, që përbëhet nga 61 kapituj, punova mbi tre vjet,.kurse për përkthimin e veprës “Mbi luftën civile” të Jul Cezarit, punova mbi gjashtë vjet. Më janë dashur gjashtë vjet jo vetëm ta përkthej, por edhe të punoj për parathënien, shënimet, komentet dhe gjithë aparatin shkencor, që i shërbejnë lexuesit për ta kuptuar më mirë veprën. Ky libër tregon për një ngjarje të ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit të parë para erës së re. Kjo vepër ka rëndësi për shkencën albanologjike sepse lufta civile mes dy romakëve më të fuqishëm të kohës u zhvillua në trojet ilire.

A mund të presim një përkthim tjetër?

Jo, nuk jam duke punuar për përkthimin e ndonjë vepre tjetër. Sapo kam mbaruar një studim mbi librin e tretë të veprës “Mbi luftën civile”, ku autori përmend emra vendesh, qytetesh, lumenjsh, fisesh etj, gjatë ekspeditës në trojet ilire. Pas përkthimit të botimit “Mbi luftën civile”, u lidha shumë me këtë figurë.

Sot jeni pedagoge në fakultetin e Mjekësisë? Sa mësojnë studentët latinisht dhe jo vetëm ata, por a ka interes për latinishten sot?

Nuk mund të thuhet që studentët e mjekësisë mësojnë latinisht. Ata njohin elementë të fonetikës dhe morfologjisë së gjuhës latine në funksion të anatomisë dhe të termave mjekësore, në përgjithësi. Studentët njihen me latinishten në vitin e parë dhe, gjatë gjithë viteve që punoj në këtë fakultet, kam ndjerë e ndjej kënaqësinë e punës dhe kujdesin e interesin e tyre për këtë lëndë.

Ju keni qenë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare në vitet në fillim të demokracisë e deri në vitin e trazirave, në 1997-ën. Si ishte biblioteka atë kohë? Si ishte lexuesi?

Pas rënies së diktaturës, numri i lexuesve ra e bashkë me të ra edhe interesi për librin. Më së shumti lexuesit filluan të kërkonin librat që nuk ishte e mundur t’i shfletoje më parë. Sot keni të drejtën të lexoni dhe të studioni për çfarë të dëshironi, prandaj mos humbni kohë.

Jul Kastrati më dërgoi një letër ku më shkruante se njohësit e latinishtes janë si mizat e bardha. Kjo fjali më shtyu drejt përkthimit të librave që kam sjellë për lexuesin shqiptar.



 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top