Nga: AGIM SHEHU
100-vjetori i Pavarësisë për madhështinë e saj t'i kthen sytë natyrshëm në majat tona të historisë. Një ndër këto maja e në ballë të shoqeve është Lufta e Vlorës-1920, epope e denjë për kohën e Skënderbeut. Këtë vlerësim e përcaktojnë përmasat, organizimi dhe pasojat që pati. Në kohën e vet ajo mbuloi me bujë Shqipërinë dhe tërë Europën. Ajo shkatërroi planet e Fuqive të Mëdha dhe intrigat e shovenëve fqinjë për ta copëzuar përfundimisht dhe atë Shqipëri që kish mbetur nga gërshërët e tyre. Faqet e asaj epopeje, shkruar me gjak e tejmundime nga një popull i vogël përballë një perandorie të madhe, çdo kohe e çdo brezi i japin lexim të ri. Qe një ndodhi gati e pabesueshme. Atdhetaria e zjarrtë, trimëria gjer në flijim dhe mençuria në organizim patën një energji dhe harmoni të tillë sa kur i sheh arkitekturën e zhvillimit të bëhet se ke përpara veç luftës edhe një vepër arti. E këtë e bënë dy mijë fshatarë e qytetarë vlonjatë e dy mijë kurveleshas me armët që gjetën. Më 1920 Vlora dëshmoi se aq sa di të bëjë për Shqipërinë, po aq di dhe ta mbrojë.
Në atë vit fati-Vlorë qe fat i tërë Shqipërisë. Epopeja e 1920-ës qe një vullkan me kraterin në Vlorë, por damarët që e ushqenin me llavë vinin nga tërë anët ku kish shqiptarë. Detit me valë të bukura blu Vlora i shtoi dhe një det me flakë zjarri të armëve. (Veterani Z. Veleshnja tregon në kujtime se nga krahina e tij dilnin mbi Tendën e Qypit dhe shihnin që larg me adhurim atë luftë që bëhej në Vlorë. E pastaj dhe ata i vanë në ndihmë). Atje përcaktohej: do jetonte apo do digjej përfundimisht Shqipëria!
Atdhetari i shquar Ago Agaj (i mbiquajtur "Kosovari nga Vlora" si prefekt i Mitrovicës dikur) ka lënë librin e shkëlqyer "Lufta e Vlorës" shkruar në mërgim. Aty jep dhe gjykim e amanet aq të ndjeshëm për brezat: "Kurrë s'më kish shkuar në mend të përshkruaja unë veprën e atyre burrave, por u detyrova duke parë se emrat e prijësve, të dëshmorëve e të plagosurve u harruan, u mohuan fare dhe vepra e tyre shtrembërohet sipas nevojave ideologjike të sunduesve të sotëm". Dhe e mbyll po aq bukur për vlerën e kujtimeve të shkruara: "Graniti i zi e i ashpër (i një busti të munguar-a.sh.) u zëvendësua me letrën e butë e të bardhë. Vallë kush do jetojë më shumë"?!
Skenari i Epopesë së Vlorës u nis nga pushtuesit e huaj dhe u mbyll nga të zotët e vendit. Fillimin e ka me tregun që Fuqitë e Mëdha guxuan bënë përsëri me trojet shqiptare. Kësaj here piketuan Vlorën si "nyjë gordiane" të ëndrrës së tyre dhe këtë nyjë shqiptarët e prenë me shpatën e së drejtës së tyre: "Mjaft më, Shqipëria ka për të marrë, jo për të dhënë! Prerja më tej e saj do të thotë zhdukje e saj". E shpjegon qartë Miss Durham si e shkruar për sot: Në Korçë pyeta kapitenin grek Kondulis, se si është e mundur që ju kërkoni gjer dhe Korçën, djep i pastër shqiptar i Rilindjes, e ai m'u përgjigj i zgërdheshur: "Ne kemi ngrënë shumë sa na është shtuar oreksi të hamë edhe më shumë"!
Kish nisur Lufta I Botërore. Për t'u futur në luftë Italia bëri kërkesën-kusht, që t'i jepej Vlora me krahinën! Pazar banditësh ordinerë me borselina diplomati! Franca e Anglia pranuan dhe më 1915 u bë "Marrëveshja e Fshehtë e Londrës". Ministri J. Italian, Shelba njofton Komisarin e lartë në Shqipëri, Kastoldin: "Ju e dini mirë pikëpamjen e qeverisë sonë rreth Vlorës. Kjo bazë detare përbën interesin tonë themelor në Adriatik". Plotëson zv. ministri K. Sforza, kur i thotë Kryeministrit Nitti: "Pikëmbështetja e politikës sonë tashmë duhet të jetë zotërimi i sigurt i Vlorës. Gjer tani asnjeri nuk na ka kundërshtuar zotërimin e Vlorës… Fati i Vlorës duhet parë në të njëjtën mënyrë me atë të krahinave që më parë i janë dhënë Serbisë dhe Greqisë"! Sforza kujton përsëri më 28 prill 1920 komisarin e vet në Shqipëri: "ثshtë e domosdoshme që Vlora, e rrethuar me një hapësirë të mjaftueshme të mbetet në duart tona në mënyrë të qëndrueshme e pa pengesa"!
Jo rastësisht - Vlora! Presidenti Uilson duke mbrojtur kombin shqiptar tha se "Vlora për Shqipërinë ka atë rëndësinë që ka Nju Jorku për Amerikën". (Historiani francez G. L. Jaray vlerëson: "Otranto është dera e Adriatikut. اelësin e kësaj dere e ka Vlora"). Armiqtë pikërisht aty vunë majën e thikës për ta copëtuar të tërën. Të ndërgjegjshëm se firmosnin një akt të turpshëm krimi e pabesie ndaj një kombi të pafaj në trojet e tij mijëvjeçare, Pika 5 e "Traktatit të Fshehtë të Londrës" thotë që "ky pakt të mbetet i fshehtë" sa të bëhej fakt i kryer. Të tilla, selitë diplomatike qenë në një farë mënyre dhe kurvëtore politike (detyrohet ta pohojë hapur së fundi min. Jashtëm Sforza në Parlament më 6 gusht 1920 duke shpjeguar humbjen, se "Paktet ndërkombëtare duhej të ishin sekrete, por s'mbetën të tilla")!
Lufta Botërore mbaroi dhe pas thertores, "fituesit" do mblidheshin të ndanin thelat. Viktima qenë përsëri trojet shqiptare. Më 29 korrik 1919 mbi paktin e parë u nënshkrua dhe i dyti, Traktati Titoni-Venizelos, ku Athina legalizonte me Romën ndarjen konkrete të fqinjit. Pika 2. thoshte se Italia përkrah kërkesën e Greqisë për Shqipërinë e Jugut. Pika 3: Greqia njeh pushtimin italian të Vlorës. Min. J. francez Cambon duke kryesuar "Komisionin për kërkesat greke" kishte vendosur vdekjen e Shqipërisë. Fjala u mbeti shqiptarëve.
Më 1915 Greqia e kish bërë fakt të kryer pushtimin e Jugut të Shqipërisë nisur nga Himara (ku sot i zëvendëson Bollano-Dule me shokë), te Këlcyra (ku sot vunë varrezat greke) e mbyllej në Korçë (ku sot mbinë shkollat dhe kishat greke, duke shkelur eshtrat e shqiptarëve) etj. Shkak pushtimi vunë ëndrrën se ajo qe "Greqi". Italia nuk deshi të vonohej. Ajo e kërkoi shkakun, sado fëminor, për pushtimin e një populli. Më 25 dhjetor 1914, në kohë lufte të përgjithshme vunë një aventurier, një اako që shtiu lart me kobure. Italia "e shqetësuar" u fut ushtarakisht. Emisari i tyre, Alessandro Patris, u shpalli shqiptarëve pa e pyetur njeri: "Duke iu përgjigjur dëshirave tuaja, marinarët italianë kanë shkarkuar për të ruajtur rendin dhe për të siguruar mbrojtjen tuaj". اdo gjë u bë e qartë. Vlora, që mbetet gjithmonë "Vlorë", këtë pushtim dhe mashtrim bashkë nuk do ta falte. Atdhetarizmi krenar, epitet gjenetik i lebërve si i gjithë shqiptarëve, nisi të lëvizë në strukturën e një stuhie, si një zhvillim i harmonishëm drame. Fillon si me pikat e para të shiut për të ardhur te shtrëngata.
Si kish ndjerë me intuitën e gjeniut rrezikun e atdheut pas lufte, Ismail Bej Qemali në mërgim, i detyruar do rikthehej guximshëm te populli i tij në përballimin e kësaj gjëme të re. Udhës në Peruxhia të Italisë tek mbante një intervistë me gazetarët, qe helmuar bashkë me të birin (si i ri, i biri mbijetoi). Ata që ndiqnin Paktin Tittoni-Venizelos (italianët e grekët) sigurisht nuk mund ta linin gjallë. E trembur nga zemërimi kryengritës i vlonjatëve komanda italiane e la disi të lirë festimin e 28 Nëntorit 1919. Vlonjatët bënë lutjen e zakontë në xhaminë e Tabakëve, pastaj dolën duke kënduar këngën e flamurit. Majori italian rrethoi vendin e urdhëroi - "Flamuri italian përpara"! Osman Haxhia ngriti flamurin e Ismail Bej Vlorës dhe fuqizuan këngën. Të huajt sulmuan vendasit. Një vlonjat hoqi copën e flamurit për ta mbrojtur dhe ra përmbys i përgjakur me të në gji. Turma italianësh ia rrëmbyen, e shqyen dhe morën nga një copë secili (u përsërit historia biblike kur osmanët rrëmbyen nga një copë eshtre të Skënderbeut). Vendasve u theri fyerja e flamurit si të qe një i vdekur shtëpie dhe hanin thonjtë me inat Labërie. Zjarri i qe afruar barotit.
Burrat e mençur u mblodhën në Kongresin e Lushnjës për t'i thënë botës se vendi ka zot me qeveri të tij. Luftëtari i ri 24-vjeçar nga Mati, Ahmet Zogu me trimat e tij i bënë një mbrojtje të pathyeshme. Pushtuesit dërgojnë letër kërcënuese që të shpërndaheshin! Qazim Kokoshi iu përgjigj se shqiptari të vret po t'i prekësh gardhin e shtëpinë, jo më Shqipërinë! Mbrojtja e atdheut qe mbrojtje e shtëpisë dhe kopshtit të saj, mbrojtje e arës dhe bagëtisë së secilit. Mbi të gjitha - mbrojtje e dinjitetit dhe krenarisë shqiptare, nga kreu i burrave te më i thjeshti, bari a qytetar. Që nga viti 1915 në Vlorë shkollat kishin mësues shqiptarë e italianë. Roja e Gjeneral Piaçentinit hiqej dhe poet e kish bërë këngën: "Trimen Shqiponjën e zezë/ne duam që t'ia martojmë/përmbi male e përtej deti/ Flamurit të Italisë" (të kujton "këngën" e përçudnuar që pas Luftës së II-të fabrikoi udhëheqja jonë komuniste: "Enver-Koçi ka pa andër/ - Shqpinia nuse, Titua dhëndër")! Në Tragjas Avni Rustemi nxënësve u mësonte këngë patriotike. Këngën e rojes së gjeneralit nuk e këndonin. "اuditem, pse s'e duan italishten e këngën e saj?" pyeti mësuesi italian Rico. Avniu iu përgjigj: "Pyet gjyshin tënd, pse dikur italianët i këndonin më mirë këngët e tyre nga ato të pushtuesve austriakë"! Ago Agaj, luftëtar dhe tregues i hollë i asaj lufte kujton se një të riu i këndoi këngën "Për Mëmëdhenë". Ai qau nga mallëngjimi për luftëtarët e paharruar rilindës, e në sy i vezullonte ëndrra që dhe ai të bëhej si ata. Njëri tregon: "Isha 15 vjeç e kisha një armë. U dha urdhëri që kush kish pushkë o do shkonte në luftë, o do dorëzonte armën. Shkova i vogël në luftë, pa u ndarë nga arma e nga shokët". Në Paris ca kontë Europe i jepnin të drejtë Italisë që pushtonte Shqipërinë e Nuredin bej Vlora i thërret me damarin vlonjat në duel në mes të kryeqytetit europian. Esat Pasha vazhdonte në Paris intrigat e tradhtarit. Avni Rustemi shkon e vret në emër të atdheut të rrezikuar. Luftëtarët në Vlorë e përshëndetën me nga dy të shtëna armësh (aq plumba kishin). Italianët iu përgjigjën me breshëri tërë natën (pa dashje, festuan dhe ata vrasjen e tradhtarit shqiptar)!
Lufta qe bërë fakt i kryer. Kërkohej organizimi. Në Barçalla mes Dukatit e Tragjazit u mblodhën burrat me emër të krahinës të pleqëronin gjendjen në traditën e të parëve. Vunë flamurin majë një peme afër dhe vetë u ulën këmbëkryq në rreth. Njëri më i thjeshtë se tjetri e njëri më madhështor se tjetri flisnin qetë, me radhë, me pjekuri të matur e me hijeshi burri. Pa asnjë lëvizje teatri, duke dëgjuar shokët me vëmendje fjala e njërit qe vazhdim e tjetrit, pa e ndërprerë shokun e tyre. Qazim Koculi i tha me modesti fisnike Baba Turanit me emër: "Udhëhiqna ti e ne të vijmë pas, ose ju udhëheq unë e ju ndiqmëni"! Qe një rreth burrash me shajak e veshje të ditës, që ulur thjeshtë e hijshëm në një pllajë të vendlindjes, ngjanin me tendat mbretërore të Iliadës, mbledhur mbi brigjet e Vlorës. Si krahinarë fisnikë nuk donin ta trazonin Qeverinë e Tiranës për t'u prishur me Europën në kohërat e vështira të vendit. Nëse qeveria do t'u jepte vetë ndihmë, pastë faqen e bardhë! Në mos - dy duar për një kokë e përgjegjësinë e mbanin vetë para historisë! Nga ana e saj qeveria e Sulejman Delvinës njofton Francën: "Popullsia e Vlorës duke parë se Italia kundër çdo të drejte hyjnore e njerëzore ngul këmbë për të mbajtur Vlorën, u mblodh më 28 maj dhe mori vendimin të derdhë gjakun gjer në pikën e fundit për të mbrojtur atdheun. Banorët e të gjitha krahinave të Shqipërisë po sulen drejt Vlorës për t'u ardhur në ndihmë banorëve të saj, për t'i shërbyer idealit të tyre kombëtar…". U zgjodh "Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare" me 12 burra. Vunë dorën në betim te Kurani: "Më thertë me gjithë ç'kam…"! Pastaj te arma: "Më marrtë në zëmër…"! E dinin që kjo luftë do qe me shumë viktima e mundime, por secili në shpirt kish këngën e bardhë (e mbaj mend si këndohej dhe në fshatin tim dikur): "Labëri moj armëlara/, pas të zezës vjen e bardha" (liria)! Si e mbyllën vendimin, u përqafuan me njeri-tjetrin të ndërgjegjshëm se në atë përqafim burrash qe dhe vdekja që do zgjidhte me dorë më trimat mes tyre. Pastaj u ulën të hanin drekën si një festë lirie.
Në Barçalla u mblodh së pari truri i Luftës. Më tej u vendos që të bëhej mbledhja e armëve të luftës. U caktua Beuni i fshatit Vajzë te Rrapi i Gurrave (më vonë u quajt "Rrapi i Burrave"). Prej mbi 60 fshatrash të krahinës - Vlorë, Kurvelesh, Mallakastër etj., do vinte nga një burrë për derë, e me armë. اdo fshat, në javën e caktuar do sillte bukë e bagëti. Karvani i vllehëve, sivëllezër historikisht me shqiptarët po sillnin bukë e fishekë nga ana e tyre. Djemtë e lirisë vërshonin nga tërë anët më vrullshëm se përrenjtë e maleve në dimër. Ago Agaj e thotë si poet e filozof: "Vinin si të ftuar prej xhindeve! Me këngën labe në buzë që të frikuarin e bënë luan e të butin tigër. Qazim Koculi u betua të mos rruhej sa të lirohej Vlora". Një luftëtar vendi tregon jo pa humor: "Ditët e para pushkët tona qenë lara-lara: mauzerë, martina, dogra, maliher, pisqolla, jataganë, shishpashua a kapsolli të sulltan Hazizit e të çdo mbretërie që na ka ardhur". Tjetri kujton: "U nisëm dy e dy në luftë, një me pushkë, një me sëpatë. Po të vritej i pushkës, armën e merrte tjetri"! Populli i bekonte bijtë e bukur të tij: "Mos ju shpoftë as gjembi! Plumbat drejt jush u bëfshin ujë në ajër"!
Pas fërkimit të mendimeve u vendos një nga veprimet më të çuditshme, kur sulmi duhej mbajtur i fshehur: T'i dërgonin dhe një Letër gjeneral Piaçentinit, t'i dilnin borxhit! Rrallë ka ndodhur një guxim i zbuluar e fisnikëri e tillë e kryengritësve si në kohë kalorësie - të njoftosh kundërshtarin armatosur kokë e këmbë: Ik se të erdha! Sidoqoftë letra rreptësisht fshikulluese ka një gjykim të thellë e hijeshi të rrallë, ku spikat dhe kripa e humorit të hollë lab në grykë pushke: "Gjeneral Piaçentinit! Populli shqiptar ka 5 vjet që po duron kaq padrejtësi nga shteti italian në Vlorën e Shqipërisë… Por e vetëquajtura Itali e lirë caktoi ndarjen e Shqipërisë përmes traktatesh të fshehta, duke shkelur nderin e saj me mohimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1913… Komiteti 'Mbrojtja Kombëtare' e Vlorës, i shtrënguar nga populli i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë i mbledhur këtu, dëshiron që zotëria juaj t'i përgjigjeni kërkesës sonë gjer nesër 4 qershor, përpara orës 19"! Firmosur: Osman Nuri, Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri. Pastaj vranë mendjen - kush do guxonte t'ia çonte!? Doli qetë-qetë një bari delesh, Mehmet Selim Mallkeqi. Nuk kërkoi asgjë veç të zgjidhte kalin më të mirë, thua do nisej krushk dasme jo misionar sallonesh gjer te shtabi i gjeneralit të huaj hijerëndë! Futi ultimatumin europian në xhamadanin vlonjat prej shajaku, lidhi mirë shollët e u nis. Te qafa e Koçiut e ndalën rojet. U habitën për detyrën që ai u tha! I lidhën sytë dhe e çuan te zyra e gjeneralit. Sa lexoi "Ultimatumin", gjenerali klithi egërsisht i fyer: "T'u thoni brigandëve se përgjigjen do t'jua japin topat e Kotës, Gjormit, Llogarasë, Drashovicës, Tepelenës…"! Lajmësi i vendit u kthye qetë-qetë te shokët. Lufta kish filluar. Ajo do zhvillohej me ligjet e luftës si dhe me zakonet e vendit. Dy vetë po ziheshin në sedër labi dhe komiteti i nisi në ballë të luftës: "Atje tregohet sa burrë je"!
Më pas edhe gjenerali, pak më i kthjelluar, dërgoi te lebërit njeriun e vet, Ulise Bozo, italian i vendosur prej kohe në Vlorë si punonjës në vaporin "Pulia". Shoqëruar prej fshatarit Manxhar Selfo nga Shkoza, vinte gjer në Drashovicë me flamur të bardhë në makinë, kurse shoferi i tij, pilot, vëzhgonte vendet. Gjenerali zënë ngushtë u kërkonte shqiptarëve vetëm një pikë limani në portat detare me Sazan e Karaburun dhe ta lironin Vlorën. Komisioni s'e pranoi as këtë. Dy ditë pasi qenë larguar, nisi një bombardim i rëndë prej ajrit, detit e tokës. Sesi ua dha Zoti, lebërit qëlluan kot nga qielli e rrëzuan aeroplanin dhe që ahere lindi kënga: "Atë ditë që rrëzuam/ me dy plumba një ballonë". Këndohej me kohë e pa kohë gjer në fshatin tim, thua secili lab e kish goditur dhe vetë me dyfekun e tij nga një çikë! Pas muzgut tre vlonjatë hynë fshehur në fushën e avionëve, u hodhën vajguri dhe u vunë zjarrin.
Më 27 maj nënkoloneli francez Kreten njoftonte nga Korça shefin e tij: "Vendimi për qëndresë nuk është nxitje e disave mbi një popull me nerva shumë të ndjeshme. ثshtë një vendim i marrë pa gjaknxehtësi nga vetë banorët, të cilët me qetësi të plotë u ushqen prijësve vendimet që duhen marrë dhe pohon qysh më parë vullnetin e vet për të qëndruar gjer në pikën e fundit". Gjeneral Piaçentini nga ana e tij i bënte thirrje lutëse popullsisë: "Jepni provë qytetarie e mençurie! Mos iu trembni italianëve, të cilët për ju do tregojnë kujdes e miqësi! Ndalohet hedhja e pushkëve dhe çdo zbrazje e çdo arme"!..
Komisioni urdhëroi nisjen e luftës. Ajo plasi në një orë për të gjitha anët. U dha parulla "pushka" e kundërparulla "plumbi". Përpara sulmit luftëtarët laheshin në përrenj mali, pasi nëse vriteshin, nuk do kishin hoxhë pranë dhe donin të vdisnin të pastër. Në mendimin popullor të tyre plumbi gjurmon më shumë ata që ndodhen të palarë! Prozhektorët e armikut që zbulonin çdo lëvizje natën i quajtën "pasqyra e djallit" dhe qenë të parat në shenjë. Më të egër qenë "arditët", sidomos marokenë të blerë. Ata mbanin tmerrshëm thikën në gojë. Shqiptarët prisnin degë dhe u afroheshin me to në krye si të qenë pemë që i lëviz era... Kur u vinte drita, ndalonin dhe ngjanin si pyll i ngulur në vend (ngjanin me Makbethin e Shekspirit, ku "pylli i Brinjës" lëvizte në duart e luftëtarëve). Kur i vërviteshin pushtuesit thirrnin frikshëm një zë që zgjatej bubullimë: "Ha-ha-haaa!" (as "allah-allah"-un lindor, as "urra"-në perëndimore). Shtabi italian mblodhi zilet e këmborët që mundi e i varën në telat rrethues që të njoftonin futjen aty të shqiptarëve. Vlonjatët iu afruan barkas natën, lidhën aty tela të hollë të gjatë e u kthyen pas pa zë me to në duar. Pastaj i tundnin nga larg. Italianët e gdhinin duke qëlluar nga të mundnin që nga kalaja e Kaninës. Duke parë si ruhej ajo nga pushtuesi, kryengritësit i këndonin: "Kam përpara një kalà/, do më hajë a do ta ha"! (aty mbiu dhe shprehja "ulu se të pa kalaja!").
Për luftën e Vlorës më e vështira qe marrja e Kotës. Qe e tejforcuar me armë të betonuara. Komandonte kolonel Gotti (para 4 ditësh qe graduar gjeneral). Shqiptarët rrëzuan shtyllat e telefonit dhe u prenë fijet. Motoçikleta italiane u nis për ndihmë në Vlorë, por vritet në pritë. Qe marrë vendimi: në mëngjes te sheshi i liruar i Kotës do hidhej vallja e parë. E dyta - në Drashovicë dhe e treta në Sheshin e Flamurit në qytet. Para sulmit kishte ndodhur një akt legjende: Heroi Zigur Lelo studioi në zakon shpatullën e mishit të pjekur: "Shikoj Kotën të fituar. Aty shoh dhe varrin tim". Shokët e ndaluan për atë luftë. Ai nuk i pyeti. Vajti e u vra dhe atje ia bënë varrin (më pas në popull thuhej: "Piqemi te varri i Zigurit" thua do piqeshin me hijen e pavdekshme të tij). Kota nuk jepej. U qëlluan që nga afër mitralozët në beton, e ata pushuan. "Mbi ta"! thirri Kanan Mazja. U turrën si të qenë hije që s'i kap asgjë! Zjarri armik heshti. Italianët dolën me duar përpjetë. Kolonel Gotti qe vrarë (s'e lanë të gëzonte spaletat e gjeneralit). Të hijshmit Kanan Maze predha i kish prerë nofullën. Populli i këndoi: "Kanan, t'u prish bukuria". "Të më rrojë Shqipëria" përgjigjej ai brenda këngës së shokëve.
Duke ndjerë se luftën në tokë po e humbte Shtabi i huaj filloi të qëllonte këdo nga deti (në Orikum e Zvërnec) me kryqëzorët Duilio e San Marko. Vlonjatët iu drejtuan me humorin e tyre tanimë superior: "Dil steresë jo limanit/, breshkamadh i breshkamanit"! Siç dëshmon Ago Agaj, Bahri Omari, i pranishëm, u ndihmua për çështjen kombëtare nga miku i tij J. Bollano, "besnik i pashoq i zakoneve shqiptare" dhe Bregu i Detit qe afruar si Shqipëri te Lufta e Vlorës.
Ngjarjet ziejnë e kryqëzohen nga të gjitha anët. Më 12. 2. 1920 shqiptarët e Amerikës e Kanadasë i shkruan Partisë Socialiste italiane: "Ju drejtohemi juve, të paprekur nga virusi i egërsisë dhe përbuzjes që ka pushtuar botën. Të ngresh zërin kundër krimit të përbindshëm që po bën Qeveria italiane e Romës do të thotë t'i shërbesh më shumë sesa Shqipërisë, demokracisë dhe Italisë". Bashkimi italian i punës u bën thirrje punëtorëve dhe ushtarëve të tyre: "Qeveria e Xhiolitit, këtij asnjanësi të madh po vazhdon të dërgojë ushtarë në Shqipëri. Po e çojmë edhe një herë më fort zërin: Jashtë nga Vlora"! Studentët në Zvicër, më 30.6.1920: "Imperialistët italianë nuk mund të thonë se ne (shqiptarët) nuk qenkemi në gjendje të mbrojmë tokën tonë! Ne sot po ju japim provën e kundërt me njerëzit tanë që bëjnë jetën fli. Ne jemi të bindur se me energjinë dhe symprehtësinë e vet, populli italian do t'i bindë qeveritarët e tij t'i japin fund kësaj katrahure kaq mizore, në dobi të paqes botërore si dhe të vetë Italisë". Mes kampit armik ndodhi një nga ngjarjet më humane e të paharrueshme: Tërë depot e armatimeve pranë qytetit u hodhën në erë, të mos i merrnin kryengritësit. U ruajt vetëm njëra, në Panaja. Atë e mbrojti roja i tyre, Xhovani Valente (i quajtur më pas me dashuri nga vlonjatët "Pëllumbi"). Ai ftoi fshehur ca shqiptarë e ua dorëzoi. Qenë plumba maliheri, arma kryesore e kryengritësve. "Pëllumbi" ndenji në Vlorë si bir i saj (u vra më pas prej agjentëve të Musolinit). Halim Xhelo shkruan në "Mbrojtja Kombëtare" një ese shumë të ndjeshme nderimi për të, se tërë shqiptarët "i detyrohen një kurorë me trëndafila të kuq dhe ta varrosin në krah me Selam Musanë, Hodo Zeqirin, Dino Mustehakun, Hariz Lulën etj.".
Tanimë ka hyrë në legjendë trimëria e Selam Musait. Salarioti i pavdekshëm kish luftuar çdo pushtues: osmanët, grekët, e tani me italianët. "Në luftë me ta më daltë shpirti" u thoshte shokëve posa armiqtë drejtoheshin në Shqipëri dhe u nis mbi ta. Hodhi sharkun mbi tela t'i kapte të gjallë… dhe u shua. Thonë e dogjën sa u bë hi e u shpërnda në hapësirë si frymë lirie në çdo pikë të atdheut.
Gjenerali dorëzoi armët. Një popull i vogël, frymëzuar nga liria gjunjëzoi një perandori të madhe. Romës iu desh t'i shpjegohej popullit dhe tërë botës. Më 6 gusht 1921 ministri i Jashtëm Sforza tha në Parlament: "…Ne duhet të pranojmë… ne nuk kishim mundësi të qëndronim të sigurt e të qetë në Vlorë, duke shkaktuar më tej keqardhjen dhe zemërimin e shqiptarëve. Pakti (Tittoni-Venizelos) nga i cili sot na mbeti vetëm mendimi për të, u bë haptazi i pavlefshëm". Më poshtë (pavarësisht të ndershëm apo të detyruar nga humbja) ka dhe një kërkim ndjese, e cila sidoqoftë e nderon fqinjin human tejdeti: "Ky fuqizim (i atdhetarizmit të shqiptarëve) i ka krijuar Qeverisë italiane nevojën të ndryshojë qëllimet. Edhe ndershmëria jonë nuk na lejon që të mos e dënojmë këtë traktat"! Shqipërinë ai e donte si nevojë strategjie, por jo si tokë Italie. Athina s'ka kërkuar kurrë një ndjesë të tillë, për asnjë nga krimet pa fund të saj.
Po këto kohë, besnikë të paktit italo-grek, pushtuesit francezë të Korçës i qëndronin ende planit, që qytetin t'ia falnin Greqisë si paradhënie. Atdhetarët e zjarrtë të Korçës i dërguan ultimatum të ngjashëm kolonelit francez Kreten: "Kemi nderin t'ju njoftojmë, se na është e pamundur të presim përgjigjen e komandës franceze që të marrim në dorë qeverisjen e trojeve tona. Na vjen keq zoti kolonel që rrethanat na detyrojnë të marrim një vendim kaq të rëndësishëm, pa pasur mundësinë që ju ta miratoni"! Mblodhën plaçkat e u larguan.
Më 3 shtator 4000 luftëtarë të Labërisë dhe nga rrethe të tjera hynë në qytet me armën e fitimtarit në sup. Printe banda muzikore "Vatra" e korçarëve të ardhur në mes të Luftës që nga Amerika. Qenë zënë 1500 robër, mëse 100 mitralozë, 15 topa të rëndë. Përleshja u bë mes 15 mijë ushtri mbretërie me 4000 vendas. Shtypi i kohës vlerësoi:"Nëse Greqia e moçme pati një Spartë e një Termopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e një Qafë të Koçiut". Qeveria në Tiranë dërgonte telegram: "Atdhetaria e therorizma që asht rrëfye në Vlonë do të ndriçojë faqet ma të famëshme të historisë sonë kombëtare".
Shtypi italian shkroi se kur dëgjoi largimin nga Vlora, Musolini kish qarë (meqë gjenerali s'e mbrojti dot Vlorën si burrë, Duçja qau si grua). Pastaj shpalli nga ana e tij për të nesërmen: "Humbja jonë është e llojit moral. Pak mijëra shqiptarë, pa artileri, na flakën vetëtimthi nga Vlora e për të shmangur rihedhjen në det, hapim bisedime kotsëkoti". Vlonjatët, sa burrërorë dhe fisnikë i drejtohen popullit italian me një frymë prej fqinji njerëzor, gati me dhimbje të përbashkët për atë që ngjau jashtë dëshirës së tyre: "Gjaku i të pafajshmëve u derdh nga të dyja anët. Kur imperializmi italian po bëhej gati të priste dorën e shqiptarëve që mbante shpatën e drejtësisë, populli italian, i prekur nga kjo vepër e përgjakshme kundër një populli të vogël ngriti zërin. Populli shqiptar do kujtojë gjithmonë me mirënjohje të thellë këtë qëndrim burrëror të popullit italian në rrethanat kur për Shqipërinë shtrohej çështja e jetës apo e vdekjes". Këtë fisnikëri e shprehin dhe në këngën e tyre ku e largojnë kacafytjen e padëshiruar të njeriut mbi njeriun dhe thonë me frymë kalorësie: "Bënetë dyfek në Vlorë", si të thoshin se, pa dëshirën e njeriut, bëhej një zanat i detyruar për të zgjidhur një hall me anë të dyfekut, gati po bëhej një art.
Ajo epope e paharrueshme, veç lirisë, dha dhe mësime të mëdha, të përjetshme, kurdoherë që liria të rrezikohet (si nga jashtë dhe nga brenda vendit). Ajo mëson se një popull me atdhetarizëm të pashuar, kur është i vendosur gjer në flijim për atdheun, është i pamposhtur. Ajo ripohon gjykimin e Sami Frashërit se kombet janë si njerëzit, ç'vlerë t'i vënë vetes, atë vlerë i japin dhe të tjerët (në fund Roma u detyrua të pohojë për mundjen: "Ndoshta nuk qe marrë parasysh rizgjimi i ndjenjave kombëtare të shqiptarit, i cili sot ka arritur të ngrejë në këmbë tërë popullin". (populli e pohon thjeshtë: "Po ule qafën të gëlasin pulat"). Ajo vërtetoi se shqiptarët të bashkuar krah njeri-tjetrit janë mbrojtësit e parë të vendit të tyre. Lufta e Vlorës pohoi në jetë mendimin e madh të Presidentit Uilson se një paqe e gjatë mes fqinjëve qëndron mbi drejtësinë e secilit komb e jo thjeshtë mbi qetësinë a stabilitetin (qetësi ka edhe në varreza). Lufta e Vlorës mëson se burrat që drejtuan me trimëri e mençuri atë legjendë, e bënë këtë për të shpëtuar atdheun, jo për karrige (asnjë nga ata burra aq të hijshëm e madhështorë nuk vajti, as nuk kërkoi të ngjitej në qeveri). Lufta e Vlorës mëson se shqiptarët, të dalluar në tërë kohërat për trimëri e mençuri, i drejtojnë vetë betejat e lirisë, pa thirrur si udhëheqës në gjirin e tyre emisarë fqinjë, aq më tepër të fqinjëve grabitës e të pabesë. Kombin shqiptar mund ta shpëtojnë e ta ngrenë në këmbë bijtë e tij shqiptarë, me dëshmi që nga (siç thonë gjermanët) "kinderstube" - djepi i fëmijërisë. Populli është deti. Atdhetarizmi nga fundi i detit nxjerr sipër korale rubini - heronjtë.
E mbyll me gjykimin e figurës së shquar Ago Agajt: "Harresa e veprave të shkëlqyera të të parëve nuk ka qënë zakon, por në u bëftë zakon, i zëntë nëma e gjysheve tona! Mos u zëntë këmba dhè e turpi iu duktë nder"! E në fund, edhe më drejtpërdrejt si të thuhej për sot: "Po vrasin trimat! Po torturojnë të diturit"! Nëse sot dikush synon të errësojë këtë lavdi, kryesisht të Vlorës, ka skicuar turpin e tij që do ta ndjekë gjatë në histori. Kushdo qoftë, ai i ngjan resë në ecje: mburret se duke mbuluar përkohësisht diellin e ka zhdukur atë.
* Autori është poet dhe studiues
(er.nu/GSH/BalkanWeb)