Fatmir Limaj, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Shaban Shala, Sabit Shala, Besim Shurdhaj dhe Refki Mazreku janë shpallur të pafajshëm në rastin “Kleçka”.
Vitin e kaluar Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për rastin “Kleçka”, mirëpo në po të njëjtin vit Gjykata Supreme kishte marrë vendim ta kthejë komplet në rigjykim rastin “Kleçka”.
Ndryshe, në kumtesën e EULEX-it thuhet se këtë pasdite në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it i liroi të pandehurit Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Fatmir Limaj, Behlul Limaj, Shaban Shala, Sabit Shala, Besim Shurdhaj dhe Refki Mazreku nga akuzat për Krimeve të Luftës dhe veprat tjera të ndërlidhura në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”.
Po ashtu, trupi gjykues e ndërpreu masën e paraqitjes në stacionin e policisë për të gjithë të pandehurit dhe urdhëroi që atyre t’u kthehen pasaportat e tyre.
Trupi gjykues konsideroi se lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë.
Megjithatë, trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera.
Në përgjithësi, Trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza.
Aktgjykimi me arsyetimin e plotë do të dorëzohet brenda tridhjetë ditëve.
Po ashtu, trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se: në vitin 1999, UاK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë; disa të ndaluar ishin keqtrajtuar gjatë mbajtjes së tyre në Kleçkë; Dragoljub Tanaskovic, Zarko Filipovic, Zivota Todorovic, Dragan Vucetic dhe Bojan Cvetkovic ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë; Veljko Markovic dhe Nebojsa Djuricic ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KEQ01 në fshatin Kleçkë si dhe Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur.
Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e EULEX-it. Të gjitha palët kanë të drejtë ankese. /Telegrafi/