4.5 miliardë euro llogaritet xhiroja vjetore e hashashit të prodhuar vetëm në Lazarat. Shifra u bë publike pak kohë më parë gjatë një konference të përbashkët për shtyp të drejtorit të Repartit të Aviacionit në Guardia Di Financa, Stefano Bastoni, dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
“Fshati i Marijuanës”, siç njihet ndryshe nga mediat europiane, është bërë tashmë një bastion. Fermerët që punojnë brenda zonës
prodhojnë rreth 900 ton kanabis çdo vit, sasi e cila në treg kap vlerë të paimagjinueshme. Mediat e huaja raportojnë se fshatarët e Lazaratit mbrohen me armë dhe madje kërcënojnë çdo person që nuk është banor i fshatit. Me shumë kujdes vendasit punësojnë si ndihmës fshatarë nga qytete afër Gjirokastrës.
Prej vitesh, agjencitë e zbatimit të ligjit janë përpjekur të marrin hapa për parandalimin e kultivimit të marijuanës, por “biznesi” vazhdon ende. Operacionet për të ndaluar aktivitetin kanë qenë të panumërta. Nuk kanë munguar kontrollet rutinë apo bllokimet e akseve hyrëse të fshatit, kur janë shoqëruar vazhdimisht shumë punëtorë. Në vitet e mëparshme, forcat e policisë kanë asgjesuar kanabis në rrethinat e fshatit, por pa u futur dot në brendësi. Shtrirja buzë malit, me një gjatësi rreth 4 kilometra, e bën të pamundur që strukturat e policisë të mund të futen në zonë, pasi do ishte vdekjeprurëse.
Deutsche ثelle raporton se rrjeti kriminal është i organizuar midis Shqipërisë dhe Italisë e ndërsa kontrollohet në shumë raste nga anëtarë të mbrojtur prej njerëzve të drejtësisë dhe politikës, ku në këmbim të heshtjes u ofrohen para’.
Gazetari Artan Hoxha theksoi në studion e ‘Pasdite në Top Channel’ se “në Lazarat mund të shkosh vetëm i shoqëruar nga një person nga Lazarati. Nuk lejohet të bësh foto apo video dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shkosh vetëm”.
Në lidhje me pritjen që i bëhet gazetarëve, Hoxha tha: “Njerëzit e Lazaratit janë shumë mikpritës, por qëndrimi është i ndryshëm ndaj gazetarëve të mediave të ndryshme. Ndryshe trajtohet një gazetar i Top Channel dhe ndryshe një gazetar i një mediaje tjetër. Vendasit i njohin shumë mirë politikat editoriale të mediave dhe nuk i trajtojnë njësoj gazetarët.”// Top Channel