Ky vend i bukur plot me karagjozë

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
KY VEND I BUKUR PLOT ME KARAGJOZث

Ilir Yzeiri

ilir-yzeiri-foto.jpg


Nëse një i huaj do të vijë në Shqipëri dhe do të kërkojë të gjejë se çfarë i shqetëson sot shqiptarët e ka të pamundur të kuptojë gjë. Ndjesia e parë që do të provojë do të jetë ajo e zhytjes në llumin të ngrohtë e gjithë diell të asgjësë.
Pasi të ketë mbetur i befasuar nga ndërtime kaotike dhe banesa që duket sikur kanë rënë nga qielli si copëra meteorësh me ngjyra, do të vërejë se ky është vendi tipik ku të gjithë janë të kënaqur dhe të gjithë vuajnë nga melankolia e jetës së mërzitshme.
Pastaj nëse do të kërkojë të kuptojë se si qeverisen këta njerëz, çfarë bëjnë qeveritarët e tyre, si i administrojnë paratë publike ata, çfarë ligjesh miratojnë që të përmirësojnë jetën e popullit të tyre, këtë nuk ka për ta marrë vesh kurrë.
Me mundim të madh do të kuptojë ndonjë fjalë nga një ministër i Ekonomisë dikur dhe i Financës tani që paguan me raste dasmash e ditëlindjesh gjithë botuesit e gazetave me mbi 5 mijë euro e përpjetë dhe që deklaron me dëshpërim se ka vetëm 2 milionë euro pasuri, se ekonomia shqiptare bashkë me dimrin largoi dhe krizën, se tani bashkë me pranverën do vijë dhe lulëzimi, se qeveria shqiptare bashkë me atë të Kosovës sapo arritën një marrëveshje historike!!!! Uau thotë njeriu i shkretë, po çfarë është kjo marrëveshje????
Hetim i përbashkët, fiskalitet i përbashkët. Aha punë policësh tatimorë. Por kjo është ngjarje historike sipas ministrit që të bën për të qeshur kur flet për ekonominë dhe kur deklaron sidomos se tani qeveria do të mbështesë bujqësinë. Mirëpo, të gjithë e dinë në këtë vend se shqiptarët nuk e vrasin mendjen për ekonominë dhe për financat. Mirëpo një i huaj që vjen këtu do të kuptojë se me çfarë jeton ky popull, si ushqehet ai, çfarë prodhon? Dhe çfarë konsumon gjithashtu. Askujt nuk i hyn në punë kjo gjë. Shqiptarëve nuk u ha palla për këto marrëzira. Ne tani në fund kemi zbuluar një nga cilësitë tona më të spikatura që është kënaqësia e spektaklit. Shqiptarët e kanë ndaluar kohën e tyre dhe nuk u intereson më se çfarë ndodh me paratë e tyre, me jetën e tyre. Tani ata, po ashtu si ata spektatorët e stadiumeve apo të cirkut, po kualifikohen me shpejtësi për të mprehur gjykimin. Teatri i jetës së tyre nuk përmban më asgjë nga idiotësitë e jetës serioze si paratë publike, investimet, rritja ekonomike, punësimi. Për të tilla idiotësi shqiptarëve nuk u ha palla. Ata tani ushqehen me komedinë e karagjozëve dhe me filma pornografikë që nuk shfaqen, por që tregohen. Mirëpo një i huaj që vjen në Shqipëri çuditet se si ka mundësi që në Shqipëri para disa kohësh u mbajt Asambleja e NATO-s dhe askush nuk e çau kokën ta ndiqte këtë ngjarje, të komentonte vendimet që u morën aty, ta propagandonte faktin që kjo Aleancë e madhe zgjodhi Shqipërinë për një veprimtari të tillë dhe po nga ky vend u dhanë mesazhe të rëndësishme për sigurinë globale, për aleancat e mëdha dhe për rendin e ri botëror. Gjithë mediat që paraqesin karagjozët e vendit tim dhanë vetëm një lajm, porosinë e kryekaragjozit të vendit tim që NATO-ja të pranojë Kosovën dhe Maqedonia të mos bëhet ish-Jugosllavi. Mirëpo një i huaj që vjen në këtë vend e ka të vështirë ta kuptojë se përse prapa Kryeministrisë ditën e përfundimit të punimeve të Asamblesë, orkestra e RTSH-së jep koncert simfonik dhe në po ato ditë lulishtja e Kryeministrisë shndërrohet në një kafehane të madhe me tifozë që ndjekin live finalen e Kupës së Kampioneve.
Në këtë vend nuk bën më përshtypje se Turqia, fjala vjen, po zhduk nga themelet fshatra të tëra kurde, se refugjatët po përmbysin Europën, se kriza botërore po thellohet, se pasiguria për të nesërmen po bëhet gangrenë. Shqiptarët po stërviten të bëhen spektatorë të kualifikuar dhe profesionistë, komentatorë e kritikë të shfaqjeve argëtuese që jep sa qeveria po aq edhe opozita. Dhe kryeshfaqja që po prodhon humor po aq sa edhe videot që shqiptarët presin të shohin në pranverë, është reforma në drejtësi.
Nuk kam shkruar asnjë radhë për këtë çështje, sepse që në fillim, duke e ditur se ne kemi një klasë karagjozësh në politikë, serioziteti dhe dramaciteti i kësaj ngjarjeje jo vetëm që nuk do të krijonte klimën për të ulur kokën dhe për të bërë një reflektim të thellë, por përkundrazi, karagjozët tanë këtë radhë do të kishin rastin që të shkëlqenin me artin e tyre të klounit, këtë radhë ata do të na shkrinin gazit të gjithëve. Më ka ardhur sinqerisht keq për ambasadorin Lu i cili gjatë gjithë kohës, edhe nga mënyra se si e artikulonte rëndësinë e kësaj reforme, linte të kuptohej se ishte fjala për një gjë serioze dhe dramatike. Mirëpo ai duhet ta ketë kuptuar besoj se përballë ka karagjozë që janë specializuar sidomos për të kthyer në qesharake çdo gjë që është serioze në këtë vend. Gaztorët e Parlamentit nuk bëjnë më përshtypje, por sa herë kryqeveritari i këtij vendi hap gojën dhe telendis ndonjë intervistë me gazetarë të huaj, këtej e tutje duhet të shqetësohemi të gjithë sepse me ato që thotë duket se nuk është mirë dhe ka filluar rrjedhjen mendore dhe po shfaq defekte psikomotore mu ashtu si ato makinat e vjetra me naftë që punojnë me dy kandele.
Megjithatë, tani ai është në fazën që na bën për të qeshur. Mjaft të shohësh intervistën e fundit në gazetën zvicerane ku ai flet sikur të jetë qendra e botës, pastaj tregon se është dhe artist dhe i mençur, i gjykon zviceranët dhe u thotë se janë monotonë, bën si garip fejsbuku dhe hiqet si i mençuri i dynjasë. Ata e marrin seriozisht dhe e pyesin për punësimin, sepse halucinacionet e tij nuk i kuptojnë, por ai ia hedh fajin diktaturës. Ata e dinë që në Shqipëri është një i marrë tjetër që nga fundi i karrierës së tij politike si kryeministër rrëmbeu mikrofonin në një tubim të rëndësishëm të NATO-së dhe i lemerisi të gjithë kur shpiku termin e albanofobisë. Jam i sigurt se kur dëgjojnë edhe këtë kryeministër që flet përçart, ata me të drejtë po na e heqin vizën dhe ndoshta të trishtuar mendojnë se vendi është kthyer në çmendinë dhe jemi të pafat.
Nuk prodhojmë dot politikanë që të na drejtojnë, nxjerrim për çdo sezon karagjozë që zbavitin dynjanë dhe të çmendur që na qeverisin me hallate dhe me pornovideo.
g.shqip
 
Titulli: Ky vend i bukur plot me karagjozë

:(...........................
 
Titulli: Ky vend i bukur plot me karagjozë

Si perfundim .....me vjen keq per Shqiperine
Eshte nje vend kaq i bukur me nje gjeografi aq te vecante saqe te ben ta dashurosh, e enderroj cdo nate qytetin tim me mer malli , madje mezi pres te vi koha e beharit per ta shijuar detin tim qe me mungon prej kohesh, por ...kur i kthehem atij realiteti me ze frika .... Sidomos aksidentet qe ndodhin cdo dite ...nuk ka rruge nuk ka sinjalistike nuk ka kultur e njerez me edukat.... Me kap ankthi sa here mendoj te vi me pushime ...por e dua aq shume vendin tim
 
Titulli: Ky vend i bukur plot me karagjozë

Te kap ankthi vetem nga varferia e skajshme kudo ,le me te tjerat..
Nejse nisur qe nga titulli shume i goditur si titull,fatkeqesisht cdo gje tjeter qe mund te shtoj do te interpretohet per keq keshtu qe duhet te kuptojne disa se duke thene te verteten e hidhur per ate qe ndodh ne vendin tone nuk do te thote me patjeter qe sje patriot/e,por qe jemi te vetedijshem rreth atij realiteti dhe si pasoje nje hap drejt rruges per permiresim..!

Kush kuptoi,kuptoi... :)
 
Back
Top