Kush nderton shkolla private, perfiton toke me cmim '1 Euro'

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Për të rritur cilësinë e arsimit, qeveria ka menduar të stimulojë sektorin privat, për të ndërtuar sa më shumë shkolla dhe si lehtësi u ofron toka me çmim simbolik “1 Euro”, për përdorim deri në 99 vjet. Projektligji u miratua dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, në të cilin nuk munguan debatet nga ana e opozitës. “Qeveria mbështet krijimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore, publike apo private nëpërmjet dhënies për përdorim të hapësirave publike truall”, shpjegoi specialistja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Më parë, kjo ministri, së bashku me institucionet e linjës do të ngrenë një grup pune për identifikimin e tokave të lira, në pronësi të shtetit, mbi të cilat nuk ka pretendime pronësie.

Projekti parashikon disa kushte që duhet të përmbushin subjektet private të interesuara, përfshi edhe entet publike të këtij sektori. Investimi duhet të jetë të paktën dy herë më i lartë se vlera e tokës që ndodhet brenda vijës së verdhë të qytetit, shkolla e arsimit parauniveristar duhet të ofrojë arsim profesional, kurse tarifat e shkollimit duhet të jenë nën mesataren e tregut si dhe të ofrojnë bursa studimi.

Ky propozim, i cili kaloi vetëm me votat e mazhorancës shkaktoi diskutime të zjarrta në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

“Tregu i arsimit privat ka arritur pikun dhe nuk shikoj hapësira për të tjera shkolla, aq më tepër duke parë rezultatet e deritanishme në disa universitete private, të cilat nuk kanë qenë pozitive. Nuk e kuptoj se çfarë kërkoni të realizoni me këtë projekt”, iu drejtua Braçe deputetëve të mazhorancës. Kryetari i komisionit, Edmond Spaho, tha se ka pasur interesime për zhvillimin e këtij sektori, por kjo deklaratë shkaktoi të tjera reagime nga opozita. “Na tregoni se cilët janë klientët që do të përfitojnë tokat, atëherë do ta votojmë si projektligj”, u shpreh me ironi Braçe. Sipas Mimi Kodhelit, qeveria ka detyrime ndaj ish-pronarëve dhe po tregon neglizhencë për zgjidhjen e problemit./Shqiperia
 
Back
Top