Kush ishin dhe kush jane ‘skofiaret’

“30 VJET SKOFIARE” – MONOGRAFI

Kompleksi Vokalo-Instrumental “Skofiarët” u themelua ne vitin 1983 në Gjakovë, dhe është ndër grupet e rralla në trojet shqiptare që me një formacion të veçantë orkestral për nga përbërja e instrumenteve, me një entuziazëm, dashamirësi dhe fanatizëm, të jashtëzakonshëm, kultivojë, ruajti dhe shpërndau këngën e lehtë shqipe dhe atë qytetare, që nga viti 1984, kur u prezantuan për herë të parë publikisht. “Skofiarët” gjithnjë u prezantuan me nivel të lartë të interpretimit, harmonisë orkestrale, të ekzekutimit të këngëve dhe melodive, me një përkushtim të paparë nga një formacion i vogël orkestral prej gjithsejtë5- 6 instrumenteve, të gjitha me tela dhe dridhje si dhe një fis-harmonike në mesin e tyre.
Ideator dhe themelues i këtij grupi ishte Muharrem Mici, i cili duke qenë në atë kohë Redaktor i Programit Muzikor në Radio-Gjakovë, gëzoi përkrahjen e këtij institucioni për mbështetje në realizimin e veprimtarisë së “Skofiarëve”.
Fillimisht Grupi “Skofiarët” ushtrimet i zhvillonte në mbrëmje në lokalet e Radio Gjakovës. Përbërja fillestare e grupit ishte formacion me instrumente tërësisht me tela dhe rezonator: dy mandolina, dy kitare, dhe një kontrabas, ndërkohë që pas një periudhe të shkurtër u ndie i nevojshëm edhe tingulli i një harmonike e cila po ashtu ju bashkua këtij formacioni.

Përbërja e grupit në njerëz dhe me rolet e tyre ishte:
MUHARREM MICI…………………………Solist i Grupit dhe Mandolinë e parë.
BESIM PENI ……………………………………………………..Mandolinë e dytë.
BUJAR DOMI……………………………………………………..Kitare –ritëm.
ISA BALLATA……………………………….Kitare ritëm e ndonjëherë edhe solo
RUZHDI SADIKU ………………………………………………Fis-harmonike dhe solist.
BASHKIM BERISHA…………………………………………Kontrabas
Punën intensive për paraqitjen e tij të parë Grupi “Skofiarët” e fillon që në Shtator të vitit 1983 deri në Maj te vitit 1984, kur edhe bënë prezantimin e parë publik në Koncertin festiv të Radio-Gjakovës, me rastin e pesë-vjetorit te themelimit të këtij institucioni, që ishte iniciativë e dy bashkëpunëtorëve të ngushtë në radio, Ali Saraqinit–drejtor dhe Muharrem Micit-redaktor i programit muzikor. Ky Koncert i madh festiv ka qenë ndër koncertet më të përgatitura dhe me pjesëmarrjen më masive dhe më atraktive të artistëve të prezantuar brenda me një destinim të caktuar ideo-artistik, duke pasur për regjisor një nga profesionistët më në zë të asaj kohe në Kosovë, Muharrem Qena, artist i deshmuar dhe regjisor teatri e filmi.. Pjesmarrës në këte koncert ishin Kori i Radiotelevizionit të Prishtinës që në përbërjen e tij kishte mbi 70 anëtarë, Orkestra popullore e Radio-Gjakovës me rreth 15 anëtarë, Grupi i solistëve popullor me 10 veta, ”Skofiaret” me 8 antar, në mnesin e të cilëve merrnin pjesë edhe dy fëmijë–Shkelzen Doli solist dhe violinist (tani violinist yni i njohur në orkestrën e Filarmonisë së Vjenës) dhe Laura Bytyçi, një vajzë e re këngëtare, që të dy në atë kohë, nxënës të shkollës fillore të ushtruar dhe të përgatitur mirë për një interpretim të vockël–pjesë refreni tek kënga “Dashuria jonë”, që ishte marr nga filmi Shqiptar ”Kur po xhirohej një film”. Pjesë e Programit ishin edhe disa nga aktorët e Teatrit Popullor të Gjakovës si dhe pjesa statike e moderatorëve dhe udhëheqësve të programit së bashku me pjesën teknike të realizimit të këtij programi në skenë. Ideja e programit ishte sikur po realizohej një emision i radios në studio. Pjesëmarrësit përbënin mbi 100 veta të vendosur në skenën e sallës koncertale të Pallatit të Kulturës”Asim Vokshi” në Gjakovë, që ishte një skenë e paparë me artist të zhanreve të ndryshme, të gjithë të pranishëm tërë kohën në skenë pa krijuar në asnjë moment monotoni në skenë.
Dhe, befasia më e madhe e gjithë këtij programi të përshkruar me pak fjalë dhe numrit të artistëve pjesëmarrës, ishte padyshim paraqitja e Grupit argëtues “Skofiarët”, të cilët në skenë sollën freski të paparë deri më atëherë me pikat e tyre të zgjedhura me shije si në ngjyrë, ritëm dhe harmoni, ashtu edhe në tingëllimë. Edhe vet përbërja e formacionit ka zgjuar kureshtjen e padiskutuar të spektatoreve, sepse spektatori nuk kishte pritur që një formacion me ato pak instrumente ashtu të vogla (mandolinat) në pamje por edhe në numër, mund të tingëllonin aq bukur duke dhënë edhe ritëm edhe harmoni por edhe vijën melodike prezente përmes mandolinës së parë, ndërkaq mandolina e dyte dhe fis-harmonika me lëvizje të lehta që sakaq hyjnë dhe dalin si pa u diktuar, e plotësonin harmoninë e kitarave dhe kontrabasit në mënyrë perfekte, duke i dhuruar spektatorit apo dëgjuesit një tingëllimë tepër fisnike dhe të ëmbël, ashtu siç tingëllojnë zakonisht instrumentet me rezonator.
Befasia e “Skofiareve” e prezantuar në këtë koncert u shndërrua në një “bum” të madh tek spektatori në sallë, por edhe tek ai i cili koncertin e ka parë më vonë përmes ekranit të Televizionit të Prishtinës. Koncerti dhe posaçërisht paraqitja e “Skofiareve” në skenën e madhe të Pallatit të kulturës aso kohe ishte bërë temë trajtimi e shumë bisedave mes adhuruesve të muzikës përgjithësisht, e të asaj të lehtë në veçanti, që bëri edhe jehonë tek mediat e shkruara.
Artikulli i Ramiz Kelmendit. – shkrimtar, gazetar dhe publicist i njohur në Kosovë, me titull: ”Mbanie në mend këtë emër: – “SKOFIARET”, menjëherë pas këtij spektakli në Gjakovë, bëri jehonën më të madhe aso kohe, duke dhenë mendime dhe përshtypje nga më të mirat si spektator i drejtpërdrejtë në sallë. Ja se si e përshkruan ai atmosferën në sallë: “Dëgjova Korin, dëgjova orkestrën popullore dhe solistët e njohur Kosovarë por ama,…po ama… kur ja thanë ”Skofiaret” çdo gjë ndryshoi…”. Duke i shtuar kësaj edhe transmetimin e drejtpërdrejte të Televizionit te Prishtinës, (atëherë i vetmi televizion në Kosovë) që kishte bërë të mundur përjetimin e këtij koncerti nga një auditor më i gjere, mund të kuptohet se sa ndikim të madh bën përjetimi i drejtpërdrejtë dhe mendimi i shprehur me kompetencë nga një dorë mjeshtërore në mediat e shkruara atëherë në gazetën “Rilindja”, pastaj në revistën “Zëri i rinisë”, etj. E gjithë kjo jehonë mediatike ne kuptimin e mirë të fjalës, për “Skofiaret”, paraqitjen e tyre dinjitoze, repertorin e këngëve, tingëllimën dhe përbërjen specifike dhe unikale të formacionit, informimi i shpejtë, etj., kishte bërë ndikimin e padiskutueshëm dhe krijimin e opinionit për një formacion të suksesshëm të cilit nga dita në ditë po i rritej nami.
Pas një kohe të shkurtër vijnë edhe sukseset tjera të “Skofiareve”, kësaj radhe regjistrimi i këngëve në shiritat celuloid në produksionin e RTP-së së atëhershme. U incizuan 20 pika muzikore të cilat u shpërndanë shumë shpejtë nëpër të gjitha radiostacionet lokale të cilat ishin të vendosura në qendrat më të mëdha urbane në Kosovë. U realizuan shumë shpejtë edhe disa xhirime studike televizive nga Televizioni i Prishtinës, tani shumë kualitative falë mundësive teknike që kishte arritur produksioni i atëhershëm i RTP-së me teknologjinë me të re që kishte instaluar në studiot e veta. Këto xhirime u transmetuan në programin festiv të vitit të ri, ku “Skofiarëve” ju dha një hapësirë relativisht e madhe.
Hapat e popullaritetit për “Skofiaret” në ketë kohë ishin shumë të mëdhenj. Produksionit të RTP-së ju shtua shumë shpejtë edhe njësia për prodhimin e Audio kasetave, që ishte një risi për Kosovën e viteve të 80-ta. Kaseta e parë e këtij produksioni që u botua për herë të parë në Kosovë, ishte Kaseta me Albumin e parë të KVI “Skofiaret” me 11 pika muzikore e titulluar: ”ME SKOFIARET”. Dalja e kasetës së parë në Kosovë me “Skofiaret”, ishte një përzgjedhje meritore që i bëhej atëherë kualitetit por edhe një mirënjohje e veçantë për grupin “Skofiaret” në popullarizimin e këtij grupi dhe vlerave që sillnin ata përmes programit të tyre në ketë kasetë. Edhe ky rast ishte një ngjarje e madhe për ketë formacion të vogël.
Më 6 Qershor 1985, ”Skofiaret” organizojnë një koncert recital në Palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, që ishte edhe paraqitja e parë në një koncert të pavarur të Skofiarëve. Kjo paraqitje e suksesshme në mënyrë të mëvetësishme në një koncert të madh recital, ”Skofiareve “ ju dha kurajën për punë dhe angazhime akoma më të mëdha. I njëjti koncert u dha të nesërmen më 07 Qershor 1985 në Prishtinë, në sallën e madhe sportive të Pallatit te rinise, që u cilësua si një paraqitje dinjitoze e “Skofiareve”, e të cilëve ju bë një mikpritje madhështore si nga organizatori ashtu edhe nga publiku në sallë. Koncerti u përcoll nga mjetet e informimit, të cilat u shprehen jashtëzakonisht mirë për interpretimet e Muharrem Micit ,Shqipe Bashes, Ruzhdi Sadikut etj, por pati shume fjalë të mira edhe për përformancen e formacionit orkestral, i cili krijoi një imazhe specifik të muzikimit dhe harmonisë mes instrumenteve. Mes tjerash gazetari i të përditshmes “Rilindja” të asaj kohe z.Sami Piraj–kritik muzikor thekson: ”Koncerti i Skofiareve nga Gjakova imponoi një program që kushtëzoi edhe qasje të mirëfilltë e njëherësh ata dhanë një imazh që nuk ishim mësuar ta dëgjonim gjerë më tani”.
Duhet theksuar edhe faktin se aso kohe nuk kishte ngjarje të rëndësishme që organizohej diku në Kosovë, e të mos ishin prezent “Skofiaret” me programet e tyre. Menjëherë pas botimit të albumit të parë, janë paraqitur kërkesa për xhirime televizive, me emisione muzikore dhe foljore-muzikore dhe kjo jo vetëm në TV por edhe në Radio. Pas xhirimeve që u bënë për RTP, pas një kohe të shkurtër “Skofiarët” u ftuan për xhirime edhe nga RTV i Shkupit, të cilat u realizuan në disa nga vendet turistike në Republikën e Maqedonisë, si në Ohër, Strugë, etj. Programi i realizuar me TV Shkupin është pritur jashtëzakonisht mirë dhe ai cikël emisionesh është përsëritur kohë pas kohe disa herë. Të njëjtat emisione i ka transmetuar në termine tjera kohore edhe RTP-ja.
Befasia e ardhëshme e kohës që do të sillnin “Skofiaret” me punën e tyre në vitin 1986, ishte Botimi i Albumit te dytë nga një shtëpi tjetër diskografike, kësaj radhe në Serbinë e atëhershme, respektivisht shtëpisë diskografike “Diskos”. Si Albumi i parë, ashtu edhe albumi i dytë u priten jashtëzakonisht mirë dhe ngrohtë nga auditori i asaj kohe, duke i dhenë vend meritor informimit të auditorit përmes medieve të shkruara të asaj kohe për botimet e reja të “Skofiareve”. Kësaj radhe në Albumin e dyte “Skofiaret” u prezantuan me 12 pika muzikore. Ato u incizuan në studiot e Radiotelevizionit te Shkupit. Risi në ketë paraqitje të “Skofiareve” ishte prezantimi i dy solisteve te reja: Shqipe Basha dhe Valdete Meqa si dhe ritëm kitaristit Ilir Lyta.
Krahas përgatitjes se programit për albumin e dytë, ”Skofiaret” filluan përgatitjet serioze edhe për premierën e tretë të koncertit të madh recital në vitin 1986 në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi, me mysafirë të nderuar siç ishin, tenori i njohur Bashkim Paquku dhe Shkrimtari e humoristi i popullarizuar me poezitë për fëmijë, z.Rifat Kukaj, të cilët e nderuan koncertin e “Skofiareve” jo vetëm me pjesëmarrje por dhe me paraqitjet e tyre shume dinjitoze dhe domethënëse e me vlera të pakontestueshme.
Premiera e tretë e Koncertit të “Skofiareve” u mbajt në Qershor të vitit 1986 po në Pallatin e Kulturës në Gjakovë. Me ketë rast formacioni i KVI-“Skofiaret” u paraqit në përbërje: Muharrem Mici, Bujar Domi, Ruzhdi Sadiku, Bashkim Berisha, Ilir Lyta, Bujar Bakalli, Shqipe Basha,Valdete Meqa dhe Melita Bytyqi-mysafire. Përveç Bujar Bakallit dhe Melita Bytyqit që ishin në cilësinë e mysafirëve të programit, të gjithë të tjerët ishin drejtpërdrejtë pjesëmarrës edhe të Albumit të dytë. Krahas koncerteve “Skofiarët” morën pjesë aktive edhe në Festivalet e ndryshme në Gjakovë në vitin 1987/1988 dhe “Zambakun e Prizrenit” 1994. Po ashtu ata patën paraqitje edhe në programet e zgjedhjes së “Sportistit të Vitit” në Gjakovë.
Në Dhjetor të vitit 1987 “Skofiaret” organizuan edhe një Koncert në sallën e kuqe të pallatit të rinisë në Prishtinë së bashku me mysafirët: Bashkim Paquku e Rifat Kukaj, koncert ky që u prit jashtëzakonisht mirë dhe u vlerësua si shumë i suksesshëm. Gazetari i “Botes se re” z.Baton Haxhiu që kishte përcjell koncertin, mes tjerash shkruante: “Publiku i impresionuar me këngët e këtij grupi, me duartrokitje të gjata përcolli çdo këngë të kënduar dhe në veçanti përshëndeti pjesëmarrjen e Bashkim Paçukut etj”, për të vazhduar pastaj: “Koncerti që organizoi ky grup duhet të jetë mësim për Estradat muzikore të Kosovës, se koncertet nuk organizohen vetëm sa për të mbushur arkën por edhe për të kënaqur publikun” dhe krejt ne fund ai thotë: ”Ju lumtë Skofiareve”.
Në ndërkohë, ”Skofiaret kanë vazhduar me aktivitete të ngjeshura prezantimi në mediat elektronike ku janë bërë shumë incizime tonike në Produksionin e RTP-ës, duke rritur kështu fondin e incizimeve. Janë incizuar dhe xhiruar disa programe tjera edhe me videokaseta si dhe për çdo vit te ri “Skofiaret” kanë qenë në “Top Listë “ për xhirimet e programeve televizive në RTP por edhe ne RT e Shkupit,TV Shqiptar, etj.

Muaji Maj i Vitit 1990, Skofiarët i dërgon në një koncert të madh në Lubjanë dhe pikërisht në hallën e madhe Tivoli, ku ishin të pranishëm rreth 7000 njerëz . “Skofiaret” ishin këtu si mysafir për nderë të një vjetorit të daljes së revistës se pavarur Politike-Kulturore ”Alternativa” në Lubjanë dhe ishin të dërguar nga Dega e LD të Kosovës në Gjakovë, e që ishte nga revistat e rralla me një zë të lirë për Kosovën dhe ngjarjet e hidhura të luftës dhe okupimit serb atje. “Alternativa” ishte i vetmi mjet i informacionit që vinte në Kosovë përmes rrugëve ilegale. Në mesin e të pranishmëve të shumtë, përveç shqiptareve që kishin ardhur nga të katër anët e globit, kishte edhe mjaft mysafir të tjerë, shumica prej të cilëve ishin Slloven, e ne mesin e tyre edhe Ministri i punëve të brendshme të asaj kohe në Slloveni. Paraqitja e “Skofiareve” u përcoll me duartrokitje frenetike duke i ndalur në skenë për disa minuta. Kjo, padyshim se ishte një nga ngjarjet shume të rëndësishme për “Skofiaret” në një pjesëmarrje të tillë por, në një kohë shume të vështirë për fatet e popullit të Kosovës. Gjatë këtij viti “Skofjarët” patën edhe një paraqitje para dy mysafirëve të nderuar nga Kongresi amerikan Josef Diogardit dhe Tom Lantoshit të cilët vizituan Gjakovën. Skofjarët edhe me këtë rast u pëlqyen dhe lanë mbresa të mira për të pranishmit.
Viti 1993. Edhe një datë tjetër e shënuar për “Skofiaret”. Në këtë periudhë vlen të përmendet emisioni televiziv një orësh që e xhiroi TV Shqiptar, me solistin e këtij grupi z. Muharrem Mici, që kishte shkuar kësaj radhe në Shqipëri në shoqëri me Korin e Burrave të Gjakovës për të dhenë Koncerte në Tiranë, Durrës, Korçë, etj. Me ketë rast Muharrem Mici si solist i njohur i RT të Prishtinës por edhe në cilësinë e udhëheqësit të KVI “Skofiaret” nga Gjakova, rrëfen për auditorin e gjerë Shqiptar një emision foljorë-muzikor në të cilin shpalos për herë të parë për opinionin Shqiptart jo vetëm programin e interpretimeve të tija nga repertori i këngëve popullore të cilat tashmë ishin te njohura dhe të popullarizuara mjaft, por tani edhe për punën dhe programet e grupit “Skofiaret” nga Gjakova, natyrisht me ilustrime të drejtpërdrejta muzikore, pra me këngë sidomos nga Albumi i parë.
Pas viteve të `90-ta janë vështirësuar dukshëm kushtet për mbarëvajtjen e provave të cilat mbaheshin në Pallatin e Kulturës ”A.Vokshi”, sepse filloi dalëngadalë rrënimi i institucioneve të kulturës dhe mediave, aty ku më së shumti ishte prezent ky grup.
Në vitin 1995 nga Produksioni “CATTI” është botuar Albumi III-të me këngë nga repertori i këtij grupi në të cilin janë paraqitur 10 këngë. Pjesëmarrës ne ketë album kanë qenë : Muharrem Mici, Ruzhdi Sadiku, Bujar Domi, Elizabeta اarri dhe Ilire Vinca. Edhe Albumi i tretë u pritë jashtëzakonisht mirë dhe për një kohë shumë të shkurtër kënga “Një dite maji” ishte bërë “hit” i kohës në të gjitha territoret ku banojnë Shqiptaret.
Në dhjetor të vitit 1995 në përgatitjet për programin e vitit te Ri 1996 ekipi i TV Prishtinës ishte i detyruar që ilegalisht të xhironte programin për Kosovë e qe duhej të transmetohej nga Televizioni Shqiptar, meqë TVP-ja ishte e okupuar nga forcat serbe. Në ketë program morën pjesë edhe “Skofiaret”. Veç tjerash u xhirua për tërë publikun shqiptar edhe kënga ”Një ditë maji”, e cila me programin e vitit të ri 1996 u bë një ndër këngët me te popullarizuara të kohës në Kosovë dhe Shqipëri.
Prej vitit 1996 deri pas luftës, pra deri pas vitit 2000 aktivitet i Skofiareve ka vazhduar me ritme më të ngadalësuara dhe shumë më të vështirësuara për shkak të okupimit të Kosovës nga Serbia dhe ky aktivitet është realizuar kryesisht nëpër evenimente të ndryshme kulturore, të cilat organizoheshin kryesisht nëpër restorante të caktuara të shqiptareve në Kosovë.
Pas një përgatitje të mirë pas luftës, në vitin 2001 është edituar Albumi i IV-të nga Produksioni muzikor “Labia” i cili pas një kohe shume të shkurtër është shitur dhe është ribotuar përsëri, me çka dëshmohet se edhe programi i Albumit të katërt është pritur po ashtu shumë mirë. Edhe në ketë album protagonistet kryesor ishin Muharrem Mici, Ruzhdi Sadiku, Miranda Hashani, Elizabete اarri dhe Artan Kastrati në kitare. Ne vitin 2003 është xhiruar me Televizionin 21 një emision dokumentar me Skofiaret, i cili është pritur shume mirë dhe pjesa muzikore e tij është akoma aktuale dhe e dëgjueshme edhe në ditët e sotme, e që kohe pas kohe transmetohet në këtë Televizion. Pjesa orkestrale është punuar Mandolina 1 dhe 2 nga Muharrem Mici,fis-harmonika dhe pjesa kryesore e harmonisë Ruzhdi Sadiku, kitare ritëm dhe solo Artan Kastrati, kurse aranzhimet i ka bërë Ruzhdi Sadiku.
Viti 2001 sjellë një sihariq nga Londra. Menjëherë pas editimit të këtij Albumi, nga Anglia, respektivisht nga Londra, për gazetën “Bota Sot” (që ishte gazeta më e lexuar atëherë) vjen artikulli i Profesor Akil Kocit me kryetitullin: “Gjakova Skofiare” dhe nëntitullin e cilësuar: ”Gjakova ka pasur shumë këngëtarë e orkestra të njohura, por “Skofiaret” në mënyrë të padiskutueshme janë sinonim i Gjakovës. Kur ata ja nisin këngës, meritojnë respekt të madh”, (“Bota sot” 21 dhjetor 2001). Ky profesor i nderuar, ish pedagog në Akademinë e muzikës, ish redaktor përgjegjës i programeve artistike në Radio Prishtinë e pastaj Redaktor përgjegjës në TV e Prishtinës, i cili këtij albumi i bënë një analize të thukët si në fushën e interpretimit ashtu edhe të orkestrimit dhe ekzekutimit. Mes tjerash ai shkruan: “Si të dëgjohen tingujt e parë të këtij ansambli, çdonjëri e kupton se janë “Skofiaret”, sepse ata e kane arritur ketë me punën e tyre të palodhur në të gjitha aspektet e muzikimit. Mandolina ne duart e Muharrem Micit, është magjike, mu si vargu i poetit më të mirë, ndërkaq fis-harmonika e Ruzhdi Sadikut tingëllon si një orkestër që shpesh na përkujton harmonicistët më të mirë francez”, për te vazhduar pastaj: “aty është edhe një Elizabete dhe një Mirandë, që do të thoshim pa teprim së bashku me ketë grup qëndrojnë si dy Zonja të vërteta të muzikës sonë të lehte Shqiptare. Skofiaret paraqesin një tërësi unike edhe pse janë pak instrumentist, tingëllojnë si një orkestër dhome”. Koci në vazhdim pyet: ”Pse këta “Skofiaret”, a nuk ditën, apo nuk deshën të ekzekutojnë këngë pa vlera me melodi e tekste shkel e shko e të fitojnë euro me pak mund, si disa nga kolegët e tyre gjakovarë e kosovarë të cilët e harruan këngën e tyre te bukur shqipe dhe këndojnë “krijime” dhe stërkrijime nga arsenali me vulgar dhe kështu e shkatërrojnë këngën tonë të bukur shqipe”.
Këto citate nga artikulli i profesor Akil Kocit, të shpalosura në gazetën “Bota sot” të vitit 2001, si shkas kishin botimin e Albumit të katërt të “Skofiareve” me titull “Kush i këndoi dashurisë”. Duhet theksuar se pas luftës “Skofiaret” kanë pasur një aktivitet mjaft të dendur me prezantimet e tyre në shumë ngjarje kulturore të realizuara anë e mbanë Republikës së Kosovës dhe më gjerë, e të cilët kudo që janë shfaqur janë prezantuar me sukses dhe janë pritur jashtëzakonisht mirë.
Viti 2003, muaji Nëntor, ”Skofiaret” organizojnë një Koncert me këngëtaren e mirënjohur Anita Take nga Shqipëria. Ishte ky një koncert i madh i cili u mirëprit jashtëzakonisht mirë, me duartrokitje frenetike dhe ovacione dashamirësie, në një takim të dy gjeneratave duke pasur parasysh moshën e Anita Takes që i takon një brezi më të vjetër. Kjo ishte një surprizë e jashtëzakonshme që i bëhej publikut gjakovarë, me paraqitjen e “Skofiareve “ në një koncert të përbashkët me Anita Taken, njërën ndër pionieret e para të këngës së lehtë shqipe të pasluftës së dytë botërore. Koncerti i përbashkët i “Skofiareve” me këngëtaren Anita Take, bëri një jehonë të madhe tek dashamirët e këngës së lehtë shqipe, e në veçanti pas transmetimit të këtij koncerti në valët e Radio-Gjakovës, gjë që nxiti debate shumë pozitive në mesin e adhuruesve të këngës së lehtë, duke e vlerësuar këtë si një gjest dhe një kontribut të jashtëzakonshëm të “Skofiareve” në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta të muzikës së lehtë shqipe. Ishte pra ky një koncert që do të mbahej në mend si një surprizë, për një kohë të gjatë.
Viti 2007–botohet Albumi i V-të i “Skofiareve. Një album tjetër i radhës dhe mjaftë cilsor i edituar nga Produksioni ”Kastrati” dhe i realizuar në studion “Roni” të Ruzhdi Sadikut, me një program jashtëzakonisht të pasur, me laramani pikash muzikore të zgjedhura me shije dhe të realizuara me këngë solo, duete dhe potpuri, të cilat sollën një freski programore duke thyer monotoninë muzikore e kohës. Ky ka qenë njëherësh një nga albumet me të mëdha të edituara si në sasi ashtu edhe në cilësi. Albumi i realizuar me tri potpuri prej nga 7-8 minutash si dhe tetë pika tjera të realizuara si interpretime solistike dhe duete, zgjatë plotë një orë. Interpretimet janë realizuar nga grupi i këngëtareve pjesëmarrës në album, tri potpuri me 19 këngë të zgjedhura, 5 interpretime solistike janë realizuar nga Muharrem Mici, kurse të tjerat nga Elizabete e Artemida Qarri si dhe Miranda Hashani. Pjesa orkestrale është realizuar nga Muharrem Mici – mandolinë 1 dhe 2, Fis-hamonika dhe aranzhimi – Ruzhdi Sadiku, si dhe Solo e ritem kitare – Artan Kastrati. Ky ka qenë një ndër programet më të pasura dhe me voluminoze të realizuara nga “Skofiaret”, e që edhe sot dëgjohet me ëndje dhe e ruan aktualitetin, si program i muzikës së lehtë shqiptare.
Skofiaret vazhdojnë të angazhohen dhe të punojnë në programe te reja muzikore. Besojmë se me te gjitha programet qe kemi realizuar gjere me tani, i kemi qëndruar besnik stilit tonë të interpretimit dhe muzikimit përgjithësisht, duke pasur gjithnjë për kriter zgjedhjen e mirë të pikave muzikore, cilësinë e interpretimit vokal dhe ekzekutimit instrumental, harmonisë, timbrit dhe tingëllimit të përgjithshëm, që do te krijoi imazhin e muzikës Skofiare. Shpresojmë në suksese te reja.
Viti 2012. “Skofiaret“ rifreskojnë memorien e adhuruesve të muzikes skofiare me Albumin e VI-të, të titulluar: “Hite të Skofiareve 1984-1995”, në të cilin janë prezantuar këngët më të bukura të “Skofiareve” brenda 11 viteve, këngë që u popullarizuan përmes albumeve të botuara më parë si dhe disa këngëve tjera që nuk ishin në albumet e botuara më herët. Si gjithë albumet tjera edhe ky solli një risi që u prit mirë dhe me dashamirësi nga adhuruesit e këngës skofiare.
Viti 2012 është i rëndësishëm për “Skofiaret” edhe për arsyen tjetër madhore se ata ishin pjesëmarrës të Koncertit të madh “100 vjet Shtet Shqiptarë”, organizuar më 28 Nëntor 2012 në Gjakovë për nderë të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar. Në këtë koncert ata shpalosën këngë nga repertori i tyre dhe me interpretimet e realizuara, këtij koncerti i dhanë një peshë të jashtëzakonshme, i cili i tillë u përshkua me duartrokitje frenetike nga auditori i madh në sallën e Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”.

Muaji Nëntor i Vitit 2013, i sjelle “Skofiaret” në skenën madhështore të Televizionit Klan në Shqipëri dhe pikërisht në skenën e bukur të netëve të “Këngëve te shekullit”, një projekti të jashtëzakonshëm “Nata e Serenatave”. Ishte kjo një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur, e organizuar mjaft mirë dhe e punuar me profesionalizëm dhe me shije të jashtëzakonshme në përzgjedhjen e këngëve, këngëtarëve, punën në skenë, formacionin orkestral e shumë e shumë finesave tjera, që së bashku e rrumbullaksojnë ketë projekt si një nga projektet më të realizuara ndonjëherë. Një lloj projekti kushtimisht të ngjashëm, “Skofiarët” e kishin realizuar në Kosovë duke filluar që nga viti 1984 e këtej, me vënien në repertorin e tyre pothuajse të gjithë arsenalin e këngëve të interpretuara në “100 këngët e shekullit” në Shqipëri, respektivisht në Teatrin e Televizionit Klan, gjatë këtyre 30 viteve të punës dhe aktivitetit të tyre përmes koncerteve, paraqitjeve të ndryshme publike por edhe Albumeve të botuara gjate këtyre viteve si dhe paraqitjeve publike në Radio dhe Televizion, gjithandej trojeve ku banojnë shqiptaret dhe me gjerë.
Paraqitja e “Skofiareve” në teatrin e Televizionit Klan dhe pikërisht në ”Natën e Serenatave” që përkon me natyrën e këngëve që ky formacion kultivon nder vite, ishte një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për “Skofiaret” si formacion Vokalo-instrumental, por edhe për Gjakovën e Kosovën, që panë në skenë “Skofiaret” nga Gjakova, se cilët janë dhe kush ishin edhe më parë, sepse kishte vite që emri i tyre ishte lakuar për të mirë në qarqe te ndryshme muzikore e kulturore edhe në Shqipëri. ”Skofiaret” në ketë mbrëmje-koncerti u dëshmuan për vlerat që ngërthejnë në veten e tyre. Kjo u vërejt qartazi edhe nga vet publiku në sallë që duartrokiti frenetikisht paraqitjen e “Skofiareve” dhe ndali
për një kohë Skofiaret në skenë për ti duartrokitur dhe përshëndetur si formacion të vogël por shume simpatik dhe të ëmbël nga Gjakova–përkatësisht Kosova.
Natyrisht se edhe ne u ndamë të kënaqur për mikpritjen që na u organizua nga organizatori por edhe nga shpërblimi i madh i publikut që na u dha me duartrokitjet e tyre dhe ovacionet gjatë tërë kohës sa ne ishim në skenën e teatrit të televizionit Klan në Shqipëri. E gjithë kjo, ne si Skofiar na bëri që të ndjehemi mirë për paraqitjen tonë karshi miqve, dashamirëve dhe adhuruesve tanë edhe këtu në Kosovë e Gjakovë. Kjo ka qenë poenta kryesore e gjithë qëndrimit tonë që nga fillimi i aktivitetit e gjerë më tani dhe natyrisht se kjo na ka ndihmuar ne për ta ruajtur modestinë dhe për ta shtuar elegancën në paraqitjet tona publike.
Në vitin jubilar të shenimit të 30 vjetorit të punës së frytshme të “ Skofiareve”, mediat i dhanë publicitet dhe hapësirë të dukshme angazhimit të pandalshëm të ”Skofiareve” ,në të gjitha etapat e aktivitetit të tyre.
Gusht 2014. Zëri i Amerikës në Uashington, i jep publicitet dhe një rendësi të jashtëzakonshme punës së këtij grupi dhe në prag të manifestimit të 30 vjetorit te “Skofiareve” zhvillon një intervistë me themeluesin dhe solistin e këtij grupi z. Muharrem Mici.
Fundi i Gushtit 2014. Radio-Gjakova i jep po ashtu një publicitet meritor 30 vjetorit të “Skofiareve” përmes një emisioni të gjatë “Fresku veror”, ku ishte i ftuar z. Muharrem Mici, i cili i bëri një vështrim përgatitjeve qe po bëjnë “Skofiaret” për shënimin e ketij përvjetor të rëndësishëm.

20 Shtator 2014. RTK – Programi i mengjezit, po ashtu fton në studion e këtij Televizioni z.Muharrem Mici për të prezantuar tri dekada të punës së “Skofiarëve” dhe angazhimeve që po bëhen për shenimin e këtij përvjetori jubilar.
Por puna e “Skofiarëve” nuk përfundon këtu. Në Koncertin që do të mbahet në shënim të 30-vjetorit të punës dhe aktivitetit, adhuruesve të “Skofiarëve” do t`ju shtojmë edhe një dhuratë speciale, me botimin e albumit të shtatë që ruan natyrën dhe kriteret e punës sonë në ketë fushë, dhe që është edhe një dëshmi se vazhdojmë të punojmë dhe të jemi aktiv për aq sa kemi kohë dhe mundësi. Do të angazhohemi që vazhdimisht të sjellim risi me repertorin, këngët dhe paraqitjet tona ashtu si gjithmonë deri me tash, për t`ju kënaqur juve spektator, adhurues dhe qytetarë te nderuar.
gazeta 55
Albumi-1-pare-final-intrenet.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top