Kush i do romët?

eGo0sTyle

System Engineer
arber2.jpg


Nga Arbër Zaimi

Javën e fundit isha duke udhëtuar për në Prishtinë me linjën e zakonshme të autobusave. Rruga e Kombit barazohet me rehatin, pamja e rrugës është impresionuese, tabela monumentale “Mirëseerdhët në Tunel” të shtje ndërmend batuta të natyrës seksuale, por tabelat e mëvonshme nga brenda tunelit nuk hezitojnë ta esëlltojnë udhëtarin duke i përsëritur çdo 500 metra parrullën urdhëruese “Ngadalë”. E kështu, mes bisedash e komentesh shumë shpejt mbërrin dogana, rudimenti acarues i një kufiri që kurrë s’ka patur pse të ndodhej aty. Policët janë shumë të mirësjellshëm në të dyja anët e kufirit, ata e dinë dhe e duan vendin e tyre që rri këtej e andej kufirit.

Pasi na ktheu pasaportat me shumë mirësjellje, pa bërë as pyetje e as vërejtje, polici shqiptar i Republikës së Kosovës urdhëroi të zbresin nga sediljet e pasme një familje rome me pasaporta të Republikës së Shqipërisë. Hutimit të tyre polici iu përgjigj edhe më ashpër, duke u thënë se nuk kishin mjaftueshëm pare për të hyrë në Kosovë. E ata në fakt s’kishin nga 70 euro (për romët Kosova na qenka bash si Europa për shqiptarët), kështu që zbritën kokëulur në orën dhjetë të natës, mes një shiu të imët e një ere therëse për t’u kthyer në këmbë drejt doganës shqiptare. Aty natyrisht që do të qëndronin ulur në shkallët e betonta deri sa të vinte ndonjë mjet që të mund t’i kthente prej nga kishin ardhur.

Pyetjeve të mia të mirësjellshme polici i Kosovës iu përgjigj po me aq mirësjellje. Ai më shpjegoi se si romët vijnë në Kosovë për të lypur, për t’u endur rrugëve, për të vjedhur apo për të shitur fëmijët e tyre. Nuk kish kurrfarë urrejtje demonstrative në fjalët e tij, polici qe i bindur që po më thosh të vërtetën, ndërkohë që prej gojës lëshonte rresht një sërë paragjykimesh të sinqerta e naive. Më pas nuk harroi të më sqaronte se ai vetë ishte një kontrollor i thjeshtë dokumentash, e nuk kishte ndonjë urdhëresë të veçantë për të favorizuar shqiptarët sipas ngjyrës së lëkurës. Ai nuk e dinte se duke pyetur vetëm romët nëse kishin pare në xhep, e duke mos më pyetur as mua, e as ne “gaxhojtë” e tjerë po shkelte rëndshëm ligjin. Nuk e dinte se duke presupozuar pa kurrfarë baze e pa kurrfarë hetimi se romët do të lypnin, do të vidhnin e do të prishnin rendin ai po merrte atribute që nuk i takonin. Nuk e dinte që në marrëveshjen mes dy “qeverive” tona udhëtimi i lirë garantohet për këdo. E gjithsesi polici veproi. Që të shkruajmë atë çka dihet ashiqare, e vërtetë është se romët do të lypnin në Ferizaj. E vërtetë është edhe se ata trafikohen e janë viktima të shumë fenomeneve negative. Ajo çka më shqetësoi mua nuk ishte dalja në pah e problemit, por qasja ndaj tij. Që kur iu lejoka një funksionari të vendosë sipas mendjes së vet për trajtimin subhuman të disa njerëzve? Që kur u lejoka të paragjykosh prej ngjyrës së lëkurës apo prej veshjes? Që kur u zgjidhkan problemet duke i nxjerrë njerëzit anash rrugës, duke i lënë në mëshirë të shiut e të brymës? Edhe nga ana tjetër thuhet se nuk diskriminojmë kënd – po patjetër, ne romët i kemi vëllezër, mjafton të mos lypin, të jenë të kulturuar, të mos enden siç e kanë zakon, e të kenë pare në xhep.

Në doganën e Morinës nuk ka qendër pritje, apo shërbim social, e midis dy shteteve nuk ekzistojnë marrëveshje institucionale për të trajtuar raste të tilla. Aty presupozohet që muri ka rënë, apo që s’ka ekzistuar kurrë. Por jo për të gjithë… romët janë të destinuar të priten andej njësoj siç priten edhe këtej. Tepër simbolike është çapitja e tyre e trishttë mes doganave të atdheut A dhe atdheut B. Ne shqiptarët kemi luksin të kemi dy vende “tonat”. E gjendja e romëve është pezulltia…

Burimi : Shekulli.
 
Titulli: Kush i do romët?

Kam frikë se po i shkojmë për fërkeme dikujt që
ka vepruar me ne ashtu dikur, jo moti...
 
Back
Top