Kush është klasë e mesme në Shqipëri? Ku janë?

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Mustafa Nano

1_3400.jpg


“Kemi krijuar një klasë të mesme”, tha Berisha me mburrje para ca ditësh, dhe është hera e parë, në dijeninë time, që ai e përmend termin “klasë e mesme”, apo “shtresë e mesme”.

Duhet të ketë qenë i vetmi leader politik i qendrës së djathtë në Europë që s’e kish zënë n’goje asnjëherë, deri në atë moment, këtë term.
Pse vallë?
Nuk e di. Të shumtën e herëve nuk jam në gjendje të di pse Berisha thotë një gjë, e jo një gjë tjetër, apo pse e thotë sot, e jo në një kohë tjetër. Por po marr versionin, që statistikat apo statisticienët e vet i kanë thënë se kjo klasë e mesme është rritur në numër e në ndikim. Ajo teorikisht ka ekzistuar gjithnjë (me fjalë të thjeshta është ajo që thoshte Ben Blushi, teksa ishte marrë si shkarazi me këtë argument në fund të një shkrimi të tij mbi të majtën në botë e në Shqipëri: ka një shtresë, e cila nuk është as e pasur, as e varfër; janë të mesmit), por praktikisht ajo ka qenë inekzistente për disa vite me radhë pas vitit 1990 në pikëpamje sasiore e cilësore. Askush nuk mund të fliste për klasë të mesme në vitet 1992, 1993, 1994 etj. Sigurisht, mes masës së madhe të varfër e ca pasunarëve që po krijoheshin në atë xhungël kapitaliste të mungesës së rregullave e të privatizimeve klienteliste, ata që s’ishin as të varfër e as të pasur ishin thjesht ca njerëz që rropateshin gjithë ditën e ditës fillimisht për të fituar bukën e gojës, e më pas për vënë ndonjë lek mënjanë për kohë të vështira, të cilat në fakt erdhën me ’97-n. Këta nuk mund të quheshin të mesëm as sipas përkufizimit, që i kërkon të mesmit në mes (që në thelb është përkufizim weber-ian). Por duhet thënë se sot, njëzet vjet pas përmbysjes së komunizmit, kemi një klasë të mesme.

Po kush është në terma konkretë klasa e mesme?
Aspekti ekonomik është një gjë, por nuk mjafton për të përkufizuar një shtresë të tërë. Ne, mjaft të biem dakord, mund ta veçojmë shtresën e mesme mbi bazën e të ardhurave a të fitimit, por me këtë nuk kemi veçuar atë shtresë që në jetën nacionale luan rolin që luan shtresa e mesme, e që rëndom nuk është vetëm rol ekonomik. Klasa e mesme pra nuk është vetëm e thjesht një klasë ekonomike. Ajo është socio-kulturoro-politiko-ekonomike. Klasa e mesme ka vlerat e saj, ka stilin e vet të jetesës, ka një standard të caktuar jetese, ka deri dhe shije e tabiate etiko-morale të njëjta. Të kuptohemi, shtresa e mesme ka shtresime të vetat, ashtu si ka dhe ndërprerje me shtresat e tjera, e në këtë kuptim vlerat, stili, standardi i jetesës, shijet, morali etj., nuk janë kaq idiosinkratike; mund të flitet për vlera, stil, moral e shije që e përkufizojnë, jo me saktësi, por në përgjithësi, këtë shtresë.

Kush bën pjesë pra në shtresën e mesme në Shqipëri?
Kam ngasjen për të bërë përjashtimet në fillim. Kudo në botë, gjyqtarët, një pjesë e atyre që janë drejtues në administratën publike, pjesa më e madhe e politikanëve e ministrave, bëjnë pjesë në shtresën e mesme, ndërsa këtu te ne këto kategori i përkasin shtresës së kamur, ose thënë ndryshe, shtresës së lartë. Këta të fundit kanë shtëpi të mëdha, rëndom vila, i çojnë fëmijët nëpër kolegje e universitete të shtrenjta jashtë vendit, kurohen nëpër spitale të shtrenjta private, gjithnjë jashtë vendit, bëjnë pushime në plazhe të shtrenjta e përveç kësaj, kanë dhe apartamente në bregdet, e përgjithësisht bëjnë një jetë që nuk e justifikojnë dot me të ardhurat legale që marrin. Shkurt, është një anomali shqiptare.

Duke hequr mënjanë këtë sërë, mund të flasim rehat-rehat për shtresën e mesme, ku bëjnë pjesë, si kudo tjetër, profesionistë, administratorë, një pjesë e madhe zyrtarësh, gazetarë, pedagogë universitarë, ushtarakë, biznesmenë të mesëm, dhe në fund një pjesë zanatçinjsh, teknikësh e specialistësh me arsim të mesëm që punojnë për hesap të tyre.
Fjala vjen, ca hidraulikë, zdrukthëtarë, elektricistë etj, mund të klasifikohen pa frikë në shtresën e mesme, pasi kanë një makinë, fëmijët i çojnë nëpër shkolla private, kanë një apartament të vetin banimi, punojnë shumë nga e hëna në të premten, kanë të punësuar 1-2-3-4-5 të tjerë, fundjavave dalin nga Tirana, pushimet e verës mund t’i bëjnë dhe jashtë Shqipërisë, e dallohen për një tog të përbashkët vlerash, shijesh e qasjesh morale, që mund të thuhet se i përkasin shtresës së mesme: shenjtërojnë punën e familjen, paguajnë taksat, nuk janë besimtarë praktikantë, shohin programet televizive të mbrëmjes, sidomos lajmet, votojnë, por nuk janë fanatikë të ndonjë partie e nuk marrin pjesë në tubimet elektorale, rëndom nuk lexojnë gazeta, nuk arrijnë të kuptojnë homoseksualët, por nuk kanë urrejtje për këta të fundit, nuk janë racistë, por nuk kanë empathi për romët që lypin e që s’kanë një strehë ku të fusin kryet, janë patriotë, por nuk ndjekin rrugëve e shesheve harbimet nacionaliste, fëmijët i edukojnë me disiplinë e me vlera familjare etj., etj. Siç shihet, një pjesë të këtyre qëndrime etiko-morale janë dhe të asaj pjese të intelligentsia-s shqiptare që mund të kategorizohet, për arsye ekonomike, te shtresa e mesme.

Pak më sipër fola për një anomali shqiptare. Por ka dhe një të dytë, dhe kjo është anomali që duhet t’na shqetësojë më shumë. Në ndryshim nga gjetkë, shtresa e mesme në Shqipëri dallohet për një drojë e tërheqje socio-politike. Gjetkë pra, n’daç për forcën sasiore (shtresa e mesme është më e madhja në numër), n’daç për motivimin civil e civik, që i buron prej shqetësimit për të mbrojtur statusin që ka e shanset për t’u ngjitur më lart në hierarkinë sociale, n’daç për një terezي financiare, n’daç dhe për një nevojë për sundimin e ligjit e të rregullit, shtresa e mesme është shumë aktive, e nuk lejon asnjë instancë të pushtetit ta nëpërkëmbë.
Këtej nga ne, shtresa e mesme është e përgjumur, e nëse demokracia shqiptare është duke hequr, kjo ndodh edhe për shkak të çmobilizimit e shkrehjes së kësaj shtrese, e cila hëpërhë i kënaqet gjendjes ekonomike që ka, e nuk e vret mendjen për të kërkuar një rol që i takon në shoqërinë shqiptare. Diskutimi mbi klasën e mesme sigurisht që duhet të synojë më së pari e mbi të gjitha konsolidimin e saj si faktor e aktor ekonomik (të mesmit, ngaqë janë shumë e ngaqë janë ‘të mesëm’, janë motori i një ekonomie nacionale), por duhet të synojë edhe vitalizimin civilo-politik të kësaj klase, në mënyrë që t’i jepet mundësia të luajë rolin e vet në ‘sferën publike’ (të Jurgen Habermasit). Ben Blushi ecte kësaj ane, kur e shihte shtresën e mesme në këtë funksion si ‘fren’ (për të parandaluar rreziqet e shoqërisë), por duhet bërë çmos që kjo shtresë të çlirohet nga droja, nga frika, nga kompleksi ndaj pushtetit. Vetëm në këtë rast klasa e mesme do të jetë një klasë njimend e mesme.
 
Pe: Kush është klasë e mesme në Shqipëri? Ku janë?

U be dhe Mustafai te korrigjoje Berishen ...
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top