Kush e rrenoi karakterin e shqiptareve! Ne vend te nje editoriali…

Malsi

Anëtar i Nderuar
220px-At-Pjetër-Meshkalla-s.j.jpg

Rralle Shqiperia komuniste ka njohur nje gjest guximi si ky i meposhtmi. I takon nje prifti katolik, At Pjeter Meshkalles, qe ne mes te luftes kunder besimeve fetare; ne kundershtim me gjithe udhezimet e Enver Hoxhes i nis nje leter Kryeministrit Mehmet Shehu. Ja drejton zyrtarisht, duke perdorur stilin dhe gjuhen e panjohur ne komunizem, por duke i thene disa te verteta per te cilat do te dridhej gjithkush. Duket se edhe Shehu edhe Hoxha jane shokuar me guximin e Atit. Edhe pse ne moshe te thyer ai u arrestua dhe u denua me burg. Letra e tij, hedh drite mbi disa ane thellesisht negative qe komunizmi kultivoi ne Shqiperi. Duke e konsideruar nje gjest te mirefillte dissident, ne po e botojme sot te plote letren e shkruajtur 49 vjet me pare:

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu

Tiranë

Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i këthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por, unë dëshroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. اë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcënime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Ju, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.



Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime

Mehmet Shehu Pjetër Meshkalla

në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqnisë Jezu.



5 Prill 1967.




opinion.al
 
Back
Top