Kur t'i thoni Po e Jo filxhanit të kafesë

sensuu

sweet
V.I.P
Kur t'i thoni Po e Jo
filxhanit të kafesë


Shiko fotografinë 1729380

Kafeja përfaqëson pijen aromatike më të konsumuar në të gjithë botën. Efektet e saj të mira apo të dëmshme për organizmin janë vënë në pikëpyetje që në lashtësi. Duke u bazuar në studimet e kohëve të fundit, nuk ka asnjë arsye për ta braktisur kafenë, pasi efektet e saj dobiprurëse janë më të mëdha se efektet e dëmshme. Kafeja rekomandohet të konsumohet nga individë që gëzojnë shëndet të plotë. Në rast se vuani nga ndonjë sëmundje, atëherë është mirë që para se të konsumoni kafe, të këshilloheni me mjekun. Kafe normale apo e çkafeinizuar? Kafeina është një substancë e cila ndikon në sistemin nervor, duke rritur kapacitetin mendor dhe kapacitetin perceptiv. Kjo substancë mund të shkaktojë pagjumësi dhe palpitacione (rrahje zemre) në rast se konsumohet në sasi të mëdha. Kafeja nuk ka të njëjtin efekt si drogat, kështu që nuk krijon adiksion fiziologjik. Në treg mund të gjejmë dhe kafe pa kafeinë, ose ndryshe të çkafeinizuar, e cila i është nënshtruar një procesi shtesë i cili largon kafeinën. Kafeina nuk mund të largohet plotësisht (deri në 85-95%). Megjithatë, kjo lloj kafeje nuk do të sjellë të njëjtat përfitime për shëndetin. Përfitimet e kafesë Të mbush me energji. Hulumtues të ndryshëm kanë gjetur se kafeina stimulon sistemin nervor, duke lehtësuar koordinimin, duke përmirësuar gjendjen emocionale dhe motivacionin. Gjithashtu rrit energjinë, rezistencën dhe shpejtësinë ndërkohë që ul lodhjen. Ndihmon në përqëndrim. Kjo nuk përfaqëson risi për shumicën nga ne, megjithatë studimet e kohëve të fundit kanë vërtetuar se kafeina rrit kapacitetin për të qëndruar në një gjendje me alertë dhe përqëndrim maksimal. Me rritjen e aktivitetit mendor ka gjasa që të mos keni gjumë, pavarësisht se shumë personave kafeina u shkaktn përgjumje dhe ëndrra që duken si të vërteta. Redukton dhimbjen e kokës. Pirja e një filxhani kafeje mund të reduktojë ose eliminojë dhimbjen e kokës, pasi kafeina ka vetinë e zgjerimit të enëve të gjakut në tru. Gjithashtu, në të njëjtën kohë kjo substancë favorizn efektet analgjezike të aspirinës. Shmang formimin e trombeve në gjak. Së shpejti do të përdoren preparate me kafeinë për të shmangur formimin e trombeve në enët e gjakut të cilët mund të shkaktojnë infarkt kardiak dhe emboli cerebrale. Disa studime kanë treguar se kafeja nuk rrit presionin arterial, nuk ndikon në ritmin kardiak dhe nuk provokon infarkt. Redukton riskun për të vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se kafeja përfaqëson një substancë mbrojtëse e cila mund të reduktojë riskun për të vuajtur nga Parkinsoni: ata që nuk pijnë kafe kanë një risk 2 deri 3 herë më të lartë për të zhvilluar këtë sëmundje. Përmirëson astmën dhe alergjitë. Kafeina zgjeron bronket, duke shmangur krizat e astmës dhe alergjitë e tjera. Aktualisht, kafeina është pjesë përbërëse e një sërë medikamentesh që përdoren për problemet në rrugët e frymëmarrjes. Parandalon formimin e gurëve në veshka dhe në tëmth. Disa studime kanë treguar se pirja e një filxhani kafe në ditë ndihmon në parandalimin e formimit të gurëve renalë dhe biliarë. Kjo vjen si pasojë e efektit diuretik të kafesë; pra duke u rritur eliminimi i urinës largohen dhe mineralet të cilat në kushte të tjera do të grumbulloheshin në trup. Nuk rrit riskun për të zhvilluar osteoporozë. Hulumtimet e fundit kanë treguar se konsumi i moderuar i kafesë nuk rrit riskun për të zhvilluar osteoporozë. Në rast se ju merrni mjaftueshëm kalcium me anë të dietës, kafeina nuk do të modifikojë kalciumin në kockat tuaja. Nuk provokon ulcer. Ulcerat provokohen nga bakteri Helicobacter pylori dhe jo nga konsumi i kafesë. Marrja me tepri e kafesë (më shumë se katër filxhanë në ditë) rrit prodhimin e lëngut gastrik dhe mund të përkeqësojë lezionet ekzistuese të stomakut. Duke qenë kështu, njësoj siç ndodh me ushqime të tjera irrituese, kafeja nuk rekomandohet në rastin e problemeve gastrointestinale. Kafeja ul riskun për të zhvilluar kancer. Ka disa studime shkencore të cilat raportojnë se kafeja nuk shoqërohet me risk për të zhvilluar kancer. Jo vetëm kjo, por konsumi i më shumë se dy filxhanëve kafeje në ditë parandalon disa lloje kanceri si për shembull kancerin e zorrës së trashë dhe atë të fshikëzës së urinës, pasi kafeja përmban 300 lëndë antioksiduese. Përveç kësaj, po shihet mundësia që kafeja të jetë pjesë e medikamenteve të reja kundër kancerit. Nuk ndikon në shtatzëni. Aktualisht dihet se konsumi i dy filxhanëve kafe në ditë nuk ndikon në riprodhueshmëri dhe nuk sjell asnjë pasojë negative për gratë shtatzëna. Parandalon kariesin. Kafeja parandalon rritjen e baktereve në gojë në rast se merret pa sheqer dhe pa qumësht. Ul depresionin. Depresioni është një sëmundje më vete dhe duhet trajtuar nën mbikëqyrjen mjekësore të një specialisti. Megjithatë, studimet e botuara nga qendra hulumtimi me famë botërore kanë zbuluar se konsumi i moderuar i kafesë ndihmon në përballimin me depresionin, pasi kafeina është një stimulues natyral që sjell energji. Redukton riskun për të zhvilluar diabet. Sipas studimeve, pirja e 2 deri 3 filxhanëve kafe në ditë mund të reduktojë deri në 30% riskun për të zhvilluar diabet, pasi përbërësit e kësaj pije ulin përqëndrimin e sheqerit në gjak.

KUR TI THONI JO KAFESE

Konsumi i tepërt i kafeinës mund të provokojë përshpejtim të ritmit të zemrës, palpitacione, rritje të presionit arterial, irritueshmëri, pagjumësi, ankth, dridhje, aciditet gastrik, shtim të urinimit, të përziera ose të vjella. Ju vetë, në bazë të përvojës, duhet të njihni kufijtë tuaj për sa i përket sasisë së kafesë që mund të konsumoni. Mos pini kafe pas orës 18.00 në rast se doni të bëni një gjumë të mirë. Në rast se doni të lini kafenë, ndërpriteni në mënyrë graduale. Kjo pasi ndërprerja e menjëhershme e kafeinës mund të shkaktojë dhimbje koke, përgjumje dhe gjendje ankthi.


ALMEDICUS
 
Back
Top