Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Kur flasim për shqipen

Kur flasim për shqipen
1266835171-shqipe.jpgAutori i "Shqipes totalitare" vepra që së fundi për kontributin në mendimin kombëtar, fitoi çmimin "Gjergj Fishta", vazhdon të ngrejë shqetësimin për shqipen publike dhe çështjet e saj më kyçe. Autori i "Shqipes totalitare" vepra që së fundi për kontributin në mendimin kombëtar, fitoi çmimin "Gjergj Fishta", vazhdon të ngrejë shqetësimin për shqipen publike dhe çështjet e saj më kyçe.


Ardian Vehbiu pohon se përdorimi dhe mirëmbajtja e saj nuk mund t'iu besohet emocioneve politike, entuziazmit romantik për lashtësinë dhe krenarisë provinciale të koleksionistëve.


Si diskutohet për gjuhën shqipe në kuvendet publike mbarëshqiptare? اfarë i intereson publikut të dijë dhe si ndërlidhet kjo me qëmtimet dhe interesat e specialistëve të fushës? ا'trajta po merr debati për gjuhën në moshën e Internetit dhe të prurjeve gjerësisht anonime në debatin vetë?


1. Shqipja gjuhë e lashtë


Asnjë diskutim i mirëfilltë për shqipen nuk do të respektohej nga publiku i gjerë, nëse nuk do t'i kushtonte vëmendje historisë së gjuhës.
Ende bij të Rilindjes, ne shqiptarët jo vetëm e respektojmë lashtësinë, por vetvetiu e duam të lashtë gjithçka që respektojmë.


Megjithatë, mosha e një gjuhe nuk matet dot në mënyrë kalendarike, ndryshe nga dokumentet, të cilat datohen; dhe shqipja jonë është po aq "plakë" sa edhe çdo gjuhë tjetër indo-europiane.


Për gjuhëtarët, historianët dhe antropologët historia e shqipes është burim i çmuar njohurish për marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera dhe evoluimin e strukturave të saj; por edhe për historinë e hershme të vetë shqiptarëve dhe të parëve të tyre, arbërve e më tej në të shkuarën, sidomos po të kihet parasysh se shqipja dokumentohet me shkrim relativisht vonë.


Përndryshe, lashtësia e shqipes dhe fytyra e saj legjendare në parahistori, si tema të nxehta të debatit publik, janë shkëputur tashmë nga tryezat akademike, për të kërcyer drejt hapësirave irracionale të mitit, ku qarkullojnë ngazëllyeshëm sot e kësaj dite.


2. Shqipja e pastër


Opinioni mbarëshqiptar e ka ruajtur ndjeshmërinë ndaj fjalëve të huaja në shqipen e ligjërimit publik, sidomos kur këto fjalë janë huazuar së voni ose po sillen në përdorim nga ligjërues individualë të shkujdesur dhe snobë.


Nga ana tjetër, nocionet e pastrimit dhe të pastërtisë së shqipes i kanë rrënjët në filozofinë dhe vizionin kulturor të Rilindjes sonë kombëtare dhe të romantizmit përkatës; por të tejbartura në realitetin e sotëm gjithnjë kërcënojnë t'i imponojnë debatit publik pseudo-probleme.


Opinioni publik vëren, me të drejtë, edhe se përmbytja e leksikut nga fjalë të huaja tradhton një pafuqi ose sëmundje jo aq të shqipes vetë, sesa të institucioneve që merren me mirëmbajtjen e saj.


Megjithatë, nga kaosi i sotëm në normën leksikore nuk dalim dot duke pastruar, fshirë me fshesë ose dëbuar fjalët që s'na pëlqejnë. Në thelb, nocionet mitike të pastërtisë dhe të pastrimit i referohen një modeli arkaik të mirëmbajtjes së gjuhës nëpërmjet dezinfektimit.


Aq më tepër që, sikurse e di çdo kopshtar i mirë, kopshti nuk selitet vetëm duke ia qëruar barërat e këqija; duhet treguar kujdes e vëmendje edhe për perimet vetë.
Prandaj ia vlen të diskutojmë, seriozisht, si mund ta pengojmë këtë vërshim fjalësh të huaja ose si t'ia forcojmë imunitetin shqipes, përballë agresionit që i vjen natyrshëm e detyrimisht nga jashtë; duke mbajtur parasysh se përmbytja nuk mund të ndalet e tëra, por vetëm të mbahet nën kontroll e të kanalizohet me mençuri.


3. Shqipja e pasur

Shqipja mund të jetë vërtet gjuhë e pasur në fjalë, shprehje dhe forma; por pasuria e shqipes sot u përngjan më shumë magazinave pa inventar dhe arkivave të fjetura të një muzeu ku fjalët ruhen të kataloguara shkeleshko.


Prej shekujsh dijetarë të përkushtuar i kanë dhënë kulturës shqiptare lista dhe fjalorë fjalësh e shprehjesh të rralla, të qëmtuara poshtë e lart trojeve shqiptare e të organizuara në stenda po aq baroke e të admirueshme sa ato të entomologëve: flutura, brumbuj e kandrra shumëngjyrëshe kapur lëndinave gjuhësore e ngulur me thumba në kartonet arkivore, për kënaqësinë e vizitorit gjuhëdashës e të rafinuar.


Mirëpo sot shqipes i lypen më shumë fjalë monedha në qarkullim tregu, sesa njësi të çmuara koleksionesh numizmatike; sepse visaret në fjalorët nuk përdoren dot me përfitim, sa kohë që publiku nuk i njeh as i arrin dot në trajtat ekzistuese, as i ndien t'i tringëllijnë në xhep.


Si çdo gjuhë tjetër moderne, shqipja do të pasurohet në ligjërim e sipër - si gjuhë e politikës dhe e shkencës, e sallës së gjyqit dhe e teatrit, e gazetës dhe e poezisë, e tempullit dhe e galerisë së artit, e romanit dhe e Internetit, në një shoqëri plurale dhe të hapur ndaj diversitetit.


Edhe në këtë kontekst, debati publik bën mirë t'i rrijë larg kapardisjes provinciale me "pasurinë" leksikore të shqipes; sepse shqipja që sot flasim e shkruajmë mbetet e varfër për nga shprehësia dhe zhdërvjelltësia, madje artificialisht e varfëruar; dhe kjo nuk ndodh ngaqë po shpërfillen fjalorët e fjalëve të rralla, plaka e të harrueme; por për shkak të lëvrimit asimetrik që i është bërë dhe po i bëhet shqipes publike vetë.


Pasuria e gjuhës nuk ndahet dot nga pasuria e kulturës; dhe kjo e dyta varet prej zotimit tonë kulturor të përgjithshëm, duke filluar që nga mësuesja e klasës së parë fillore, deri në lartësitë e Nobelit të letërsisë.


4. Standardi dhe gegërishtja


Nga të gjitha keqkonceptimet, ky i standardit gjuhësor është më i mbarsuri me konflikt; meqë kërcënon të futë në luftë kulturore veriun me jugun, të majtën me të djathtën, katolikët me ortodoksët; duke u shndërruar në metaforë kobzezë të të gjitha kundërtive të qena e të paqena që e përçajnë sot shoqërinë dhe kulturën shqiptare.


Natyrisht, kultura bashkëkohore shqiptare e kërkon debatin të gjallë për standardin; çështja këtu është nëse ky mund të mbahet larg pseudo-debatit për marrëdhëniet e toskërishten me gegërishten.


Në fakt, problemet e sotme të shqipes publike janë probleme të zhvillimit dhe të modernizimit mbarëshoqëror, të cilat pak lidhen me rrënjët dialektore të standardit, grupet ua/ue dhe paskajoren e flijuar... prandaj edhe nuk mund të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme veçse brenda standardit vetë.


Për fat të keq, edhe në këtë aspekt shqetësimi publik ka mbetur peng i një vizioni historik-romantik që refuzon të marrë parasysh se, para se të mbështetet në këtë ose në atë dialekt a variant letrar dhe pavarësisht nga mënyra e dhunshme si u imponua gjatë regjimit komunist, standardi ekzistues ngrihet kryesisht mbi ç'kanë të përbashkët dialektet mes tyre.


Nëse disa përdorues sot e kanë të vështirë ta përvetësojnë dhe ta përdorin standardin siç duhet, kjo me siguri varet, para së gjithash, nga statusi i tyre social; sikurse lidhet pastaj edhe me plogëtinë e vetë institucionit të autoritetit dhe të modelit në ligjërimin shqip, në të gjitha fushat.


Përfundime

Shqipja publike, përdorimi i saj dhe mirëmbajtja, sikurse kujdesi për lëvrimin e saj janë çështje tepër kritike për t'iu besuar emocioneve politike, entuziazmit romantik për lashtësinë dhe krenarisë provinciale të koleksionistëve.


Debati publik për gjuhën ndikon drejtpërdrejt në shkallën e integrimit të ndërsjellët midis kësaj dhe kulturës, në një periudhë kur areali shqiptar në Ballkan dhe anembanë botës po komunikon së brendshmi më dendur e më frytshëm se kurrë më parë.


U takon specialistëve të gjuhës dhe intelektualëve publikë të luftojnë për ta mbajtur këtë debat larg pasioneve të diletantëve dhe të fokusuar në çështjet e mirëfillta të përdorimit dhe shëndetit të gjuhës shqipe, veçanërisht të shqipes publike, në rrethanat e sotme sociale dhe kulturore, kur shqiptaria ballafaqohet gjerësisht me sfidat e integrimit në Europë.

Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back