Kultivimi i bimëve narkotike në Kosovë

Lauri

Anunnak
Rritja e numrit të keqpërdoruesve të substancave narkotike gjatë viteve të fundit në Kosovë, ka stimuluar edhe kultivimin e bimëve narkotike në këtë vend, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, por edhe personat që kanë abuzuar me substanca narkotike.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se në Kosovë ekzistojnë kushte klimatike të atilla për kultivim vetëm të bimëve të kanabisit dhe jo të llojeve tjera të bimëve narkotike.

“Mund të themi se vetëm lloji i drogës, apo bima kanabis-sativa, është bimë, e cila kultivohet në Kosovë. Viteve të fundit, është vërejtur, sipas punës që ka bërë Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e narkotikëve, se kemi pasur numër të madh të rasteve, kur policia ka konfiskuar bimë që janë kultivuar në Kosovë”.

“Nëse i referohemi vetëm vitit 2009, kemi pasur mbi 33 mijë bimë kanabisi të konfiskuara, të cilat janë kultivuar në Kosovë”, thotë Sadriu.

Faktet për kultivimin e kanabisit në Kosovë i pohojnë edhe personat që kanë abuzuar me substanca narkotike. Njëri prej tyre, i cili thirrej me emrin Asi, thotë se ka qenë abuzues i mjeteve narkotike për nëntë vjet me radhë dhe se tash e një vit nuk e bën një gjë të tillë.

Por, ai thotë se ka biseduar me kultivues të narkotikëve, ndërkaq që edhe vetë ishte përpjekur të kultivojë bimë të kanabisit.

“Kultivohen... Shumica e tyre e kanë për biznes. Kushedi se ku e kanë gjetur vendin dhe e mbjellin. Kur tregojnë, thonë ‘i kam 100 fara’, por nuk tregojnë se ku i kanë, sepse frikohen se ua merr”.


“Por, e di se në tre vjetët e fundit, sipas tregut, ka pasur shumë bimë (narkotike) të mbjella në Kosovë. Për shembull, ka edhe të tillë që e mbjellin vetëm një bimë për vete dhe e rrisin për vete. Unë, personalisht, e kam mbjellë para pesë vjetësh një të tillë, por ka dështuar”, rrëfen personi i quajtur Asi.


Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sadriu, thotë se të gjitha rastet e kultivimit të narkotikëve janë shqetësuese.

“Për ne, si Polici e Kosovës, edhe një rast i vetëm është shqetësues. Pavarësisht faktit që në Kosovë ka raste që kultivohet, bazuar në informacionet që kemi ne nga rajonet, do të thotë Kosova qëndron shumë poshtë, sa i përket kultivimit. Mirëpo, është shqetësues”, thekson Sadriu.

Ndryshe, Asi thotë se kultivuesit e bimëve narkotike, në Kosovë kanë gjetur një treg të volitshëm që i stimulon ata të mos heqin dorë nga kultivimi i këtyre bimëve

“Numri i përdoruesve të marihuanës në Kosovë është i madh dhe çdo person që e kultivon, për shembull, ka leverdi të madhe prej asaj pune”.

“Ato shpërndahen me disa qese të vogla, të cilat kushtojnë nga 5 euro. Por, varet se si rritet një bimë. Nëse rritet deri në 3 metra, atëherë këso qese të vogla dalin diku rreth 600 copë... edhe e vlen”, tregon Asi.

Por, Policia e Kosovës ka paralajmëruar aksione të shtuara në kuadër të strategjisë për parandalimin dhe luftimin e narkomanisë, si dhe kultivimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Zëdhënësi Sadriu thekson:

“Mund të themi se gjatë sezonit veror do të ketë operacione të shtuara, sidomos në vendet ku dyshohet se kultivohet kjo bimë. Gjithashtu, strategjia mundëson edhe stimulimin e informacioneve”.

“Bashkëpunimi me qytetarë është në nivel të kënaqshëm, momentalisht. Por, ne, si Polici e Kosovës, kërkojmë që ai të rritet, sepse kjo dukuri është rrezik potencial për shoqërinë”.

Sidoqoftë, Policia e Kosovës vetëm gjatë ditës së djeshme, në rajonin e Ferizajt dhe në rajonin e Prizrenit, ka sekuestruar 7.5 kilogramë substanca narkotike, që, sipas policisë, dyshohet të jetë heroinë e destinuar për tregun evropian.
/rel/
 
Back
Top