Krimi në familje dhe realiteti ynë

AnGeLiC

VIP
V.I.P
Erion Muça

Vrasja e një gruaje të re nga ana e bashkëshortit gardist nuk është se nuk të lë pa fjalë dhe reagim për vetë rrethanat e para dhe pas ngjarjes. Ashtu sikundër dajë dhe nip vrasin në përleshje babain e djalit dhe bashkëshortin e motrës së dajës. Një 15-vjeçare u detyrua nga familja të fejohej dhe martohej me një burrë sa dyfishi i moshës së saj, i cili edhe e përdhunoi. Tre ngjarjet e rënda që prekën kryeqytetin, por edhe vendin, këto ditët e fundit janë dhe duhen parë si këmbana alarmi për të gjithë shoqërinë tonë. Nuk kam ndërmend të analizoj nga pikëpamja publicistike sesa më tepër nga këndvështrimi ekonomik, sociologjik dhe psikologjik. Në këto raste nuk mjafton vetëm analizimi i shkaqeve të atribuara tek plagët shoqërore, por edhe pafuqisë së kontribuesve dhe instancave përkatëse jo të gatshme për t’i minimizuar ato.

Natyrisht shkaku parësor i ngjarjeve është ana ekonomike e familjeve shqiptare dhe mungesa e qëndrueshmërisë financiare të tyre që krijon këto reaksione dramatiko-tragjike. Janë kurbat e skajshme të gjendjes ekonomike të shumë familjeve që sjellin këto ngjarje, të kthyera edhe në fenomene apo mani mediatike me efekt zinxhir dhe të ripërsëritur. Eshtë pamundësia ekonomike që nxit sherrin në një familje, por është edhe bollëku që të dergon drejt veseve ku finalizim kanë vrasjet. A jetojmë në një shoqëri kaotike ku është e vështirë të kurohen dhe parandalohen plagët ekonomiko-sociale?! A është shoqëria jonë e prirur drejt degjenerimit si rrjedhojë e injorancës apo depresioni është kthyer tanimë në një gangrenë që po merr jetë njerëzish!?.

Depresioni, nuk ka rëndësi që ekziston, por sa të përgatitur jemi për ta parandaluar dhe përballuar suksesshëm atë. Sa të fortë janë shqiptarët psikologjikisht për mos të rënë viktima të tij. Sa të përgatitur janë shqiptarët për mos t’i parë psikologët gabimisht psikiatër?!. Sa të aftë dhe kompetentë janë psikologët në terapitë e tyre me njërez me depresion që të shtojnë besimin e pacientëve dhe tërësisë që janë profesionistë?! Si është raporti midis personave që kurohen dhe nuk vetëflijohen apo me personat që kurohen dhe “shpërthejnë”, duke krijuar ngjarje me viktima?!. A jemi ne shoqëri që kemi një marrëdhënie të mirë dhe humane mes njëri-tjetrit në raport me vendet e tjera, duke patur vepra minimale penale për frymë apo çalojmë në këtë drejtim?! A na ka penguar individualizmi i thellë brenda nesh që sillemi ftohtë dhe “guximshëm”, duke tejkaluar caqet dhe mos kufizohemi në kontrollimin e veprimeve që na kthejnë nga njerëz në vrasës.

Të gjitha këto pyetje kanë si fillim një konstatim të dhimbshëm. Konstatimi është se familja shqiptare po e humbet konsolidimin. Familja nuk është më për shumë individë streha ku kushdo është i sigurtë dhe i mbrojtur nga ligësia apo egërsia e shoqërisë. Sakrifica për fëmijët, për hir dhe për të ardhmen e tyre nuk po mjafton, që shumë individë të përhumbin në egoizmin e tyre duke i lënë jetimë që herët. Pasojat dhe shanset, që këta fëmijë të rritur pa prindër mund të multiplikojnë tragjeditë në të ardhmen, si të pambrojur nga keqshoqërimi apo nga veset, janë të mëdha. Në vend që të mbrojmë familjen duke luftuar me ato fenomene që e cënojnë, ne e dëmtojmë atë duke e nxjerrë të pambrojtur përballë shoqërisë. Në vend që të përballemi ethshëm me plagët e shoqërisë po luftojmë me protektorët e stabilitetit si fillim shpirtëror dhe si rrjedhojë profesional. Në vend që të ndikojmë në frenimin e dhunës e tolerojmë atë, nga humanizmi dhe mirësia, por precipitojmë në çdo moment të varemi nga liria e pakushtëzuar, duke shijuar në frenetizëm momentin pamenduar për të nesërmen. Kacavirremi nëpër degët e jetës si shimpanze për të kapur mundësitë dhe kur i kapim na rrëzohet pema (familja) ajo që na mbështeti dhe pa të cilën nuk mund të arrinim asgjë.

Nuk ka kuptim që të reagojmë as nuk mjafton që plagët e shoqërisë t’i konstatojmë apo të nisim t’i kurojmë. Konstatimi është pasiv dhe kurimi fatkeqësisht po rezulton i pjesshëm dhe i pamjaftueshëm që të reflektojë në minimizimin e ngjarjeve tragjike. Rasti nga rasti ngjan pak pasi dinamikat ndryshojnë por shkaktarët kryesorë janë dy. Varfëria dhe pamundësia për të jetuar normalisht dhe tejngopja dhe shfrenimi i pakontrolluar financiar dhe fuqia iluzive materiale që të ofron ajo, nëpërmjet së cilës transformohesh duke mos u njohur, si ishe dhe si je. Në vend që një i varfër të përpiqet dhe rreket të gjej veten financiarisht me pune të ndershme duke u rropatur priret drejt veseve apo parave të pista duke shuar familjen nga keqmenaxhimi i vetes. Në vend që një i pasur të kontribuojë në projekte bamirësie apo filantropi, që mund ta plotësosnin shpirtërisht, siç bëjnë sot në masë miliarderët e botës, harbohet dhe degradon në degjenerim familjar, shthurje, jetë luksi dhe „bobash“ duke shpërdoruar dhe çuar dëm të vetmen mundësi i del në jetë për të kontribuar me mirësi sadopak në barazinë sociale.

Kjo nuk është logjikë, por egoizëm i sëmurë psikopatik tipik dhe shpirtngurtësi injorantësh, të pasuruar rishtas, për të cilët leku është gjithçka, por në fakt po provohet e kundërta. Ne vetëm vitet e fundit e kemi njohur depresionin dhe rrjedhimisht e barazojmë me çmendurinë apo psikopatinë. Ky këndvështrim është pengues për parandalimin, por edhe kurimin e tij. Shqiptarët urrejnë të etiketohen të çmendur dhe injoranca e barazimit midis psikiatrisë dhe psikologjisë e mjegullon rëndësinë e ndarjes së këtyre dy drejtimeve. Nëse shkaqet që i shtyjnë individët në vrasje brenda familjes i presupozojmë të jenë ekonomike, në rradhë të parë faji bie mbi pamjaftueshmërinë apo mungesën e vizionit të politikave sociale-financiare. Këto politika përgjithësisht nuk përmirësohen, azhornohen dhe rimodelohen bazuar në informacionin faktik dhe praktik, që të shërbejnë më shumë dhe në masë nuk kanë arritur t’i sigurojnë derimë tani, një minimum të ardhurash këtyre familjeve që të jetojnë në kushte minimale deri mesatare.

Nëse do të rimodeloheshin dhe të përshtateshin duke marrë parasysh edhe krimin në familje duke plotësuar nevojën financiare për jetesë normale atëherë do të ishte faji i individit që nuk impenjohet aq sa duhet për të punuar duke përmirësuar kësisoj edhe të ardhurat familjare. Nëse shkaqet që i shtyjnë individët në vrasje brenda familjes i presupozojmë të vijnë nga tejngopja apo keqpërdorimi i pasurimit atëherë themi që instancat shtetërore e kanë më të lehtë ndëshkimin sesa parandalimin e veprave penale nëpërmjet sensibilizimit. Kjo kategori i ka të gjitha mundësitë e mundshme të përballojë jo vetëm kostot e seancave të psikologut, por edhe fushata specifike konkrete në ndihmë të sëmurëve, në pamundësi përballimi të kostove të kurimit të sëmundjeve psikologjike, sociale apo dhe të tjera. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e studimeve sociale në Shqipëri kanë problematika madhore në metodologjinë dhe menyrën si realizohen. Ato jo vetëm nuk kanë shpesh fuqinë e duhur t’i imponohen dhe bashkangjiten politikave publike sociale që t’i përmirësojnë ato, sepse shpërfillin dukshëm mentalitetin, tendencat dhe prespektivën, duke minimizuar mundësinë e integrimit në këto politika.

Ne si shoqëri jemi shumë të painformuar për ekzistencën e sëmundjeve socio-psiqike që bota i njeh ndër shekuj, por evidentojmë disa siptoma të panjohura me të cilat përballemi si: çrregullimet e personalitetit, reagimet të pakontrolluara sociopatike, reagimin e dhunshëm, shpërthime emocionale të menjëhershëm etj; për pasojë as nuk kërkojmë ndihmën e specialistëve. Shpesh psikologët në rastet e pakta të personave që trajtojnë koncentrohen vetëm tek përmirësimi apo shërimi i personit të trajtuar por ende jo tek promovimi i informacionit që do të përbënte ndërgjegjësim për evidentimin dhe parandalimin që në gjenezë të sëmundjeve sociale. Këto tërapi individuale dhe sidomos efektet pozitive të tyre duhet të kthehen edhe në fushata apo kauza publike informuese, duke parandaluar dhe zvogeluar në këtë menyrë, rastet tragjike të cilat fatkeqësisht po vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Shekulli
 
Titulli: Krimi në familje dhe realiteti ynë

Eh,derivati me i keq i shoqeris sociale ne Shqiperi jane; Varferia dhe idiotesia.
Mire thote zotria siper dhe ka te drejte deri diku.
Por Konceptet sociale qe te ndryshojne duhet te luftohen pike se pari ne rrenjet e mentalitetit te dhunshem,posedues.
E kjo qe te ndodhe ,shoqeria duhet te kete aksese ku te informohet.
Shkollimi duhet te jete paresor.
Mbi te gjtiha integrimi i femres,liria e saj,duhet te jete primare.
Ne forme qe familja te jete e shendetshme dhe e vyer si qeliza baze e nje jete sociale.
Kur njeriut para se ti lindin mendimi ne tru,i linde instikti i dhunes,ketu ka marre fund gjithcka.
 
Back
Top