Ambasadori i Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zllatko Kramariq, e ka njoftuar ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Alush Gashi, lidhur me rastin tragjik të familjes Hoxha nga Tërrnja e Therandës, e cila fundjavën që shkoi kishte pësuar një fatkeqësi automobilistike afër Shibenikut të Kroacisë, nga e cili kanë mbetur të vdekur katër anëtarë të kësaj familjeje kosovare teksa po ktheheshin nga Perëndimi në Kosovë.
Ambasadori kroat i ka shprehur ngushëllime ministrit Gashi për këtë rast, ndërkohë që e ka njoftuar edhe për gjendjen shëndetësore të anëtarëve të tjerë të familjes Hoxha, të cilët janë transferuar nga autoritetet kroate në spitalet e këtij vendi për trajtim mjekësor, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ambasadori Kramariq – theksohet më tej – e ka siguruar ministrin Gashi se autoritetet shëndetësore të këtij vendi, po bëjnë krejt çka është e mundur që trajtimi i të mbijetuarve të familjes Hoxha, gjendja e të cilëve është e rëndë, të jetë sa më korrekt.
*Telegrafi*