KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet, në lista 1 779 357 votues!

KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet, në lista 1 779 357 votues!

f1_01-gjithcka-balline-2-hiqet-41383329286.jpg
Prishtinë, 1 nëntor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar si të rregullt fushatën parazgjedhore të subjekteve politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Për 30 ditë me radhë, 103 subjekte politike kanë zhvilluar fushatat e tyre duke paraqitur para votuesve programet elektorale.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë fushata ka qenë e qetë, pa incidente, pa ndonjë ngritje të nivelit të fushatave. “Pra, mund të them se fushata ka qenë megjithatë dinjitoze dhe shpresoj se edhe dita e zgjedhjeve do të jetë e tillë”, është shprehur Daka.

Daka ka theksuar se KQZ-ja i ka përfunduar të gjitha punët sa i takon përgatitjeve për zgjedhje dhe, siç është shprehur ajo, tashmë nuk ka asnjë çështje të hapur për diskutim rreth zgjedhjeve. Ajo tha është në finalizim e sipër vetëm çështja e dorëzimit të materialit josensitiv dhe sensitiv, dhe kjo deri në ditën e zgjedhjeve do të përfundojë.

Lidhur me fushatën zgjedhore, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë deponuar 193 parashtresa. Kryeshefi i Sekretariatit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku ka thënë për Rel se shumica e ankesave janë shqyrtuar.

“Në PZAP deri më tash janë paraqitur 193 parashtresa, prej tyre 35 apele dhe 158 ankesa. Prej ankesave, të miratuara janë 53 ankesa, e 42 janë refuzuar. Katër ankesa janë hedhur si të palejuara, katër janë hedhur si të parregullta dhe si e pas-afatit është një ankesë. Dy ankesa janë adresuar në PZAP, por kanë pasur të bëjnë me Komisionin e Pavarur të Mediave. Kështu që prej këtyre ankesave, 52 janë tërhequr nga subjektet politike”, ka theksuar Desku.

Subjekti politik, i cili më së shumti ka paraqitur ankesa është Vetëvendosje, pasuar nga LDK-ja, PDK-ja dhe iniciativat e caktuara qytetare.

Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e 3 nëntorit është bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil. Ky ekstrakt është përpiluar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, gjegjësisht Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Megjithatë, zyrtarët e subjekteve politike, kanë pasur vërejtje lidhur me atë se në këtë listë ekzistojnë ende emrat e personave, të cilët nuk jetojmë më.

Lidhur me këtë çështje, Valdete Daka tha se pastrimi i listave nuk varet nga KQZ-ja.

Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1 milion e 779 mijë e 357 emra të votuesve të ndarë në 38 komuna, që paraqet rritje për 191 103 votues, apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top