Kosovë -Nishani: Dialogu i vetmi mjet pajtimi me Serbinë: Mos prekni kufijtë

Violetta

>> KS- AL. etnike <<

Kosovë -Nishani: Dialogu i vetmi mjet pajtimi me Serbinë:
Mos prekni kufijtë

57774_2.jpg

Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realiteti i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit, deklaroi sot në Prishtinë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, në cilësinë e presidentit, Nishani është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Të dy presidentët mbajtën një konferencë për mediat pas takimit. Ndërkohë, po sot në nder të kreut të shtetit shqiptar, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne.

Kuvendi seancë solemne, Nishani: Kosova kryefjala e aktivitetit tim
Kreu i shtetit shqiptar gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, në seancën solemne të mbajtur në nder të tij, duke shprehur mirënjohjen e thellë për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë, theksoi se cështja e Kosovës do të jetë kryefjala e aktivitetit të tij presidencial.

“Angazhohem para jush dhe popullit të Kosovës se gjatë mandatit tim, Kosova do jetë kryefjala e aktivitetit tim, për njohjen e saj, si dhe mbështetja e saj për nismat rajonale dhe rrugën e integrimit euroatlantik. Mbetem i bindur se ju do gjeni kurajën për tu ngritur mbi motivet politike për të gjetur zgjidhje për cështje të Kosovës”- deklaroi Nishani.

Nishani ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë se cështja e kufijve të Kosovës është e mbyllur.
“Mbështesim bisedimet teknike Kosovë-Serbi, dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës, marrëveshjet duhet të arrihen sa më shpejt që të sigurojmë pjesëmarrjen e Kosovës në cështjet rajonale. Shpreh qëndrimin e Shqipërisë se cështja e kufijve është e mbyllur dhe ne njohim kufijtë e Kosovës”,- u shpreh Nishani.

Nishani-Thaçi: Prioritet përshpejtimi i axhendës integruese

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Siç bën të ditur zyra e shtypit e kryeministrit të Kosovës, në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.

Mësohet se kryeministri Hashim Thaçi fillimisht i uroi mirëseardhje Presidentit shqiptar Nishani, në vizitën e tij të parë zyrtare në këtë cilësi në Republikën e Kosovës. Në vazhdim, Kryeministri Thaçi bëri një ekspoze të arritjeve të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

“Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i axhendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO” – theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Thaçi për mikpritjen dhe theksoi se forcimi i marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është në interes strategjik të të dyja vendeve.

Konferenca Nishani-Jahjaga
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani theksoi vizita e tij e parë si President në Kosovë do të shënohet si kujtimi më i bukur në jetën e tij. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se Kosova e pavarur është tashmë një realitet i pamohueshem, duke nënvizuar përparimin e madh që është bërë së fundi. Në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, i pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më efikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme. E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit”.

Qëndrimin e Nishanit e vlerësoi dhe presidentja kosovare Jahjaga, e cila shtoi se dialogu ka nxjerrë gjithmonë Kosovën fituese ndaj nuk ka arsye që të mos vijojë. “Dialogu është e vetmja alternativë që duhet të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër që ka pas ky proces deri tani sa dialogu dhe ky duhet të mbyllet në interes të integrimit europian. Dialogu realizohet si një proces i vullnetshëm dhe duhet të jetë i qëndrueshëm. Kosova nuk ka dalë humbës në gjithë proceset e bisedimeve, por fitues. Dhe në gjithë marrëvëshjet e zhvilluara deri tani kemi qenë fitues”.

Më tej ishte Nishani që komentoi dhe përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Shqipërisë, ky moment do të shënojë një hap tjetër historik për Kosovën. “Momenti i heqjes së mbikëqyrjes së Kosovës është një moment tjetër historik që hap rrugë të re në konsolidimin e shtetit, të institucioneve të saj, në zhvillimin e prosperitetit. Marrëdhëniet kanë qenë të shkëlqyera dhe do të mbeten të tilla. Në këtë kontekst zhvillimet do të njohin gjithmonë bashkëpunim dhe frymë miqësie dhe kontribut të vazhdueshëm”.

E pyetur se cfarë përfaqëson heqja e mbikëqyrjes për Kosovën në marrëdhëniet me Shqipërinë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, "kufiri mes Kosovës e Shqipërisë do të jetë një kufi europian që bashkon njerëzit”.


Nishani-Krasniqi: Hapësira të reja bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin diskutoi për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe për mundësitë e gjera të bashkëpunimit të ndërsjellë. Duke e uruar Presidentin Nishani për detyrën me përgjegjësi që ka marrë në krye të shtetit shqiptar, Krasniqi, sipas burimeve zyrtare të Kuvendit, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e saj të pakursyer dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimeve. Duke folur për përgatitjet në Shqipëri dhe Kosovë për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, Krasniqi theksoi se po krijohen hapësira të reja të zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai u shpreh se Kosova po e forcon shtetësinë e saj dhe se klasa politike e Kosovës ka arritur konsensus për çështjet e rëndësishme me peshë kombëtare.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka quajtur privilegj të madh që vizitën e parë të tij, si president, po e bën pikërisht në Kosovë, rruga e së cilës për liri dhe dinjitet ka qenë e vështirë dhe me shumë sakrifica të sa e sa brezave. Ai shprehu kënaqësinë për zhvillimet pozitive në Kosovë, duke nënvizuar se nuk ka dimension më të madh për një vend dhe një komb sesa liria. Vetëm duke e gëzuar lirinë krijohen mundësitë e gjera për demokraci të mirëfilltë dhe për zhvillim ekonomik, theksoi Presidenti Nishani. "Pranoni gatishmërinë time, jo vetëm për të qenë mik, me secilin prej jush, por edhe për t’u angazhuar për të gjitha çështjet me interes për Kosovën", iu drejtua Presidenti Nishani kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa pas takimit ka folur në seancën solemne të Kuvendit, mbajtur për nder të tij.

Nishani-Mustafa: Shkëmbimi i përvojave nevojë dhe interes i përbashkët
Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe kryeqyteteve. Mustafa e njohu Presidentin Nishani me zhvillimet në qytetin e Prishtinës dhe u shpreh se shkëmbimi i përvojave mes dy kryeqyteteve është një nevojë dhe interes i përbashkët.

Për nder të vizitës se Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, asambleja komunale e Prishtinës mbajti një mbledhje ceremoniale, të cilën e përshëndeti Presidenti Nishani. Duke iu drejtuar anëtarëve të kësaj asambleje Nishani tha se "jam në vizitën e parë si President i Shqipërisë, jashtë vendit, në Kosovë. Ka qenë një dëshirë e hershem që një vizitë të tillë zyrtare ta bëja në Kosovë. Këtu midis jush e ndjej veten njësoj si në Tiranë, midis bashkëpunëtorëve të mi".

Ai shprehu bindjen se "bashkëpunimi juaj me qytete tjera si Tirana, apo bashki të tjera, është një nevojë dhe një interes i përbashkët". Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, të mërkurën në mbrëmje shtroi një darkë për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Axhenda
Pas takimit me homologen kosovare, Presidenti Nishani takohet me Isa Mustafën, Kryetar i Prishtinës ndërsa në mesditë, takohet me Kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi, e më pastaj do mbahet Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani.

Sipas axhendës së njoftuar nga Presidenca kosovare, pasdite bëhen Homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë në Familjen Rugova.Në vazhdim, Presidenti Nishani viziton Kishën Katolike në Binçë të Vitisë. Të premtën, paradite Presidenti Nishani mban një ligjëratë në Universitetin AAB si dhe do të zhvillojë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” dhe vizitë në familjen Jashari. Vizita do bëhen edhe pasdite te Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan dhe vizitë në familjen Haradinaj, pas vizitës në Manastirin e Deçanit.
Pasdite Presidenti Nishani do jëtë në vizitë edhe në Prizren, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Xhaminë e Sinan Pashës.

(d.b/e.m/er.nu/BalkanWeb)
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top