PRISHTINE- Në takimin e radhës së CEFTA-s, organizatës më të rëndësishme ekonomike për rajonin, Republika e Kosovës nuk e ka të garantuar se do të jetë pa UNMIK-un. Ndonëse do ta përdorë fusnotën, UNMIK-u do të jetë i ftuar në takime, për shkak të të drejtave legale që ka.
Gazeta Kosovare “Koha Ditore” ka arritur të sigurojë nga BE-ja një kopje të marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal të arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj të Serbisë.
Sipas marrëveshjes, UNMIK-u do të ftohet në takimet e të gjitha organizatave ku është nënshkruar më herët në emër të Kosovës (shembull CEFTA v.j.). Në marrëveshje potencohet se misioni i OKB-së ka të drejtë juridike që të përfaqësohet në këto mekanizma, kur bëhen ndryshime, dhe varet nga vullneti i tyre (UNMIK-ut v.j.) nëse do të marrin pjesë në takime.
Marrëveshja, për më shumë, nuk i garanton Kosovës të drejtën për të përdorur flamurin e vet në këto organizata.
Sipas marrëveshjes, “organizatorët do të inkurajohen që të mos përdoren simbolet kombëtare, përveç ato të tyret dhe simboleve të BE-së”, thuhet në marrëveshje.
Denominimi është paralajmëruar se do të përdoret edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Rrjedhimisht, Kosova nuk do të mund ta përdorë flamurin as në marrëdhëniet me BE-në, sic shkruan "Koha Ditore".
(m.a/BalkanWeb)