Kosova e shqetësuar me Vatikanin

Kresha

A pretty face can never trick me
Analistë kosovarë mendojnë se Ipeshkvia e Kosovës duhet të ndërhyjë për këtë çështje.

Katolikët e Kosovës janë ndjerë keq nga deklarata e kardinalit të Kishës Katolike Romake dhe anëtarit të Këshillit Papnor, Walter Kasper, se Vatikani nuk do ta njohë Kosovën “hatri” i Kishës Ortodokse Serbe. Përfaqësuesit katolikë kosovarë thonë se janë duke e kërkuar deklaratën origjinale të kardinalit romak, për të reaguar më pas, nëse kjo është e vërtetë. Madje, duke mos dashur që t’iu besojnë citateve që janë dhënë nga mediet, është Dom Lush Gjergji ai i cili, sipas sekretarit të Kishës Katolike në Kosovë, Dom Shan Zefi, personalisht ka ndërhyrë që të verifikojë origjinalin e kësaj deklarate.

“Ne këtë lajm e kemi marrë përmes medieve dhe jemi në pritje të tekstit ose deklaratës origjinale. Shpeshherë mediet qëndrojnë njëanshmërisht, bëjnë shkëputje, prandaj edhe nuk do të komentojmë asgjë deri sa të marrin origjinalin e deklaratës, për të cilën ende nuk kemi marrë përgjigje”, tha Shan Zefi.

Ndryshe, një ditë më parë kardinali i Kishës Katolike Romake dhe anëtar i Këshillit Papnor, Walter Kasper, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Kathpress” se Vatikani nuk do ta njohë Kosovën shkaku i respektit që ka ndaj Kishës Ortodokse në Kosovë.

“Ne e dimë se Kosova për Serbinë është plagë dhe dhimbje e rëndë. E dimë gjithashtu se ky vend është edhe djepi dhe qendra e ortodoksizmit serb. Ne këtë e kuptojmë dhe dëshirojmë ta respektojmë këtë”, ka thënë anëtarit të Këshillit Papnor, Kasper. Më pas ai ka shtuar edhe se Vatikani është shumë i shqetësuar për shkak të, siç shprehet ai, “brutalitetit të caktuar kulturor”.

Analistë kosovarë, ndërkaq, mendojnë se Ipeshkvia e Kosovës duhet të ndërhyjë për këtë çështje. “Edhe pse Vatikani nuk merret direkt me politikë, ai ka ndikim të madh në politikën ndërkombëtare, prandaj besojmë se duhet të ndërhyjë Ipeshkvia e Kosovës, në mënyrë që këtë çështje ta kthejë në binarë si ka qenë më parë kur Vatikani është ai që gjithmonë ka përkrahur Kosovën”, tha analisti Qemajl Morina.

Kurse për analistin Halil Matoshi një deklaratë e tillë nga ana e Vatikanit është shumë e padrejtë, e cila, sipas tij, ka ardhur edhe shkaku i Papës së tashëm, i cili është diametralisht i kundërt me Papa Gjon Palin II.

Papa i kaluar jo vetëm se e ka përkrahur moralisht lëvizjen çlirimtare për pavarësinë e Kosovës, ai ka dhënë edhe kurajë, duke e quajtur si lëvizje për liri e pavarësi, tha Matoshi.

“Unë jam shumë i bindur se po të ishte konjuktura e Papa Gjon Palit II , tashmë Vatikani edhe do ta njihte Kosovën dhe kjo jo pse në Kosovë është një influencë e komunitetit katolik roman, ku një pjesë e mirë e kombit është e këtij besimi, jo vetëm për shkak se kulturalisht kosovarët dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve i përkasin qytetërimit katolik dhe jo vetëm për shkak se në zemër të Kosovës po ngrihet katedralja ndër më të mëdhatë në rajon, por pse Vatikani do të duhej ta njihte Kosovën prej vetë principeve të së drejtës dhe të së mirës biblike”, u shpreh Matoshi për Zëri.

Prandaj, sipas tij, kjo deklaratë është e njëanshme edhe e padrejtë, duke pasur parasysh se ka ardhur edhe nga propagandat e kishës ortodokse, e cila kishë këtu merret me propaganda e jo me humanizëm dhe besim në një Zot. Derisa analistët shprehin shqetësimet dhe në anën tjetër Kisha Katolike në Prishtinë angazhohet për të kuptuar realitetin e përmbajtjes së deklaratës që ka ardhur nga Vatikani, Qeverinë e Kosovës nuk e brengos aspak një qëndrim i tillë. Kjo pasi që, sipas tyre, nuk është qëndrim i Vatikanit, por i një kardinali.

“Kjo është deklaratë e një kardinali, i cili nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Vatikanit. Vatikani gjithmonë ka pasur qasje pozitive, përkundër faktit që nuk ka vendosur akoma për njohje formale”, është shprehur Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. /zeri/
 
Back
Top