Kordoni sanitar atlantik


Screenshot-2020-10-08-at-10.34.44-PM.jpg

Në kapërcyellin midis shekullit të XIII-të dhe atij të XIV-të gjeografia e Europë Lindore kishte një pamje krejtësisht ndryshe nga kjo aktuale dhe ofronte një kuadër politik jashtëzakonisht të copëzuar, në të cilin po fitonin konsistencë me ngadalë ato forca që do të influenconin në mënyrë përcaktuese ndaj historisë së ardhshme. Rusia ishte një masë principatash, midis të cilëve Dukati i vogël i Moskës nuk kishte dalë akoma si bërthama e shtetit të ri rus. Mbretëria e Polonisë, që në shekullin e mëparshëm ishte katandisur në një pafundësi shtetesh të vogla, nuk përfshinte as Silezinë, as territoret balltike të Pomerelisë dhe në lindje mezi takonte me Galicinë. Bë brigjet e Balltikut, midis derdhjes së Vistulës dhe asaj të Nevës, shtrihej territori i Urdhërit Teuton. Midis principatave ruse dhe Polonisë ndodhej si pikë Shteti Lituanez. Pjesa jugore e Ukrainës së sotme, ashtu si Gadishulli i Krimesë, ishte nën dominimin e khanëve tatarë.
Qysh nga dekadat e fundit e shekullit të XIII-të dhe për rreth nje shekull e gjysmë, Lituania i shtyu kufijtë e saj drejt lindjes, pa hasur në pengesa të konsiderueshme. Të mundura ushtritë e Urdhërit Teuton dhe të zgjeruar drejt veriut territoret e saj, përpara mesit të shekullit të XIV-të Lituania ishte bërë “një i fuqishëm” që shtrihej nga Deti Balltik deri thuajse në Detin e Zi.

Në 1386 Duka i Madh lituanez Jogaila (emri i të cilit do të bëhej i njohur në Europë në formën polako – latine Jagiello, domethënë Jagellon) arriti që të pagëzohej, pasi duke u lidhur në martesë me mbretëreshën 11 vjeçare polake Jadwiga (që do të bëhet Shën Edviga, patrona e mbretëreshave, e Polonisë dhe e vetë Bashkimit Europian), mund të krurorëzohej Mbreti i Polonisë me emrin Vladislavi i I-rë (1386 – 1434). Në këtë mënyrë Lituania mbeti një Dukat i Madh nën sovranitetin polak. Në bazë të marrëveshjeve paraprake të nënshkruara me eksponentët e aristokracisë polake, kreu i dinastisë së Jagellonëve impenjohej që të bashkonte posedimet e tij lituaneze dhe ruse me Kurorën e Polonisë, të bënte luftë kundër Kalorësve Teutonë, të mbështetej tejk Kisha katolike dhe të mbështeste përpjekjet e kryera nga misionarët gjermanë e polakë për të konvertuar lituanezët paganë.
Me 5 korrik 1410 ushtritë e sovranit të ri polak dhe të kushëririt të tij lituanez Vytautas (1350 – 1430) mundën Kalorësit Teutonë në Grunwald, duke i dhënë fund kështu fuqisë së Urdhërit Teuton në rajonin balltikas. Me Vytautas, që vazhdoi me politikën e ekspansionit lituanez në jug dhe në lindje, duke pushtuar pjesë të mëdha të territorit rus dhe duke tërhequr në sferën e tij të influencës tatarët e Krimesë, Dukati i Madh i Lituanisë “arriti shtrirjen e tij më të madhe territorial, duke arritur deri në Detin e Zi, me një sipërfaqe prej rreth 1000000 kilometrash katrorë, domethënë më shumë se trefishi i sipërfaqes së Italisë aktuale”.
Në shekullin e mëpasëm, me 10 janar 1569, një Dietë e përbashkët lituano – polake ratifikoi në Lublin bashkimin e të dy shteteve. Lindte kështu Republika e Dy Kombeve (në polonisht Rczeczpospolita Obojga Narodów), që do të mbetej shteti i Europës me sipërfaqe më të madhe deri në shekullin e XVII-të, kur vullneti i fuqisë së aristokracisë polake u rigjallërua nga miti i origjinës sarmatike, frymëzues i një lloj mesianizmi politik që u shpreh në këtë lejtmotiv: “Polonia caput ac regina totius Sarmatiae!”. Me fjalë të tjera, “do t’i takonte Polonisë që të vihej në krye të një formacioni sllav që do të bashkonte pothuajse tërësinë e popujve të Europës Qendrore e Lindore”, të ashtuquajturën “Sarmaci të Europës”.
Në të vërtetë, i tronditur nga luftërat e brendshme të shkaktuara nga sistemi klientelist dhe nga fuqizimi i kërcënimit të fuqive periferike emergjente si puna e Rusisë (“Sarmacia aziatike”) dhe Prusisë, sistemi gjeopolitik unitar i realizuar nga Jagellontët përfundoi duke u zhdukur progresivisht si pasojë e ndarjeve të Polonisë, të ndodhura përkatësisht në vitet 1772, 1793 dhe 1795.

Ideja e rikthimit në jetë e Republikës së Dy Kombeve u rimor në periudhën e mërgimit parisian nga Princi Adam Jerzy Czartoryski (1770 – 1861), “ky aristokrat që për ndjekësit e tij ishte “Mbreti pa kurorë” i Polonisë”, i cili theksonte se me mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe Turqisë do të ishte e mundur të ringjallej Polonia, të inkorporoheshin rajonet lindore të Prusisë dhe të rindërtohej një shtet polako – lituanez i federuar me estonezët, letonezët, ukrainasit, çekët, sllovakët, hungarezët, rumunët dhe sllavët e Jugut. Në këtë mënyrë, fuqia prusiane do të ridimensionohej ndjeshëm dhe Rusia do të detyrohej që të abdikonte në rolin e saj në Lindjen europiane. Por projekti i Czartoryski, që përkrahësve të tij duhet t’u jetë dukur i realizueshëm në periudhën e lëvizjeve antiimperialiste të periudhës 1848 – 1849, dështoi prej çinteresimit perëndimor dhe prej intransigjencës hungareze ndaj çekëve, sllovakëve e rumunëve, përveçse prej armiqësisë së Rusisë dhe Prusisë.

Ajo që favorizoi rishfaqjen e projektit qenë humbja e Rusisë, e Gjermanisë dhe e Austro – Hungarisë në Luftën e Parë Botërore, pse jo edhe tronditja e prodhuar në Rusi me Revolucionin e Tetorit. Pas luftës së bërë midis Rusisë e Polonisë dhe të përfunduar me 18 mars të 1921 me traktatin e paqes së Rigës, Marshalli Józef Piłsudski (1867 – 1935), kreu i përkohshëm i shtetit të rilindur polak, hodhi idenë e një federate shtetesh, që e shtrire “midis deteve” Balltik dhe të Zi, në polonisht do të quhej Międzymorze, në lituanisht Tarpjūris dhe në latinisht, me një neologjizëm pak në lartësinë e traditës humanistike polake, Intermarium. Federate, trashëgimtare historike e entitetit të vjetër polako – lituanez, sipas projektit fillestar të Piłsudski (1919 – 1921) do të duhej të përfshinte, përveç Polonisë si forcë hegjemone, edhe Lituaninë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Është evidente se projekti Intermarium ishte i drejtuar si kundër Gjermanisë, të cilën do ta pengonte që të rindërtohej si fuqi perandorake, ashtu edhe kundër Rusisë, që sipas projektit shtesë të Marshallit polak, të mbiquajtur “Prometeu”, duhej të shpërbëhej ne komponentët etnikë të tij.

Për Francën, projekti rezervonte një interes të caktuar, pasi do të lejonte që të bllokohej njëkohësisht Gjermania dhe Rusia nëpërmjet një blloku qendro – lindor të hegjemonizuar nga Polonia. Por mbështetja francize nuk ishte e mjaftuar për të realizuar projektin, që u zëvendësua nga sistemi i brishtë i aleancave të flakur tej nga Lufta e Dytë Botërore.
Një variant më kurajoz i projektit Intermarium, i përpunuar nga Marshalli midis viteve 1921 e 1935, hiqte dorë nga Ukraina dhe nga Bjellorusia, por në këmbim zgjerohej në Norvegji, Suedi, Danimarkë, Estoni, Letoni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Greqi, Jugosllavi dhe Itali. Dy detet bëheshin tashmë katër, pasi Detit Balltik dhe Detit të Zi i shtoheshin Deti Adriatik dhe Mesdheu. Por edhe kjo tentativë dështoi dhe rezultati i vetëm që aleanca të cilën Polonia nënshkroi me Rumaninë.

Ideja e një entiteti gjeopolitik qendroeuropian e ndodhur midis Detit Balltik dhe Detit të Zi u ripropozua në termat e një “Europe të Tretë” nga një bashkëpunëtor i Piłsudski, Józef Beck (1894 – 1944), që në vitin 1932 mori drejtimin e politikës së jashtme polake dhe arriti një pakt aleance me Rumaninë dhe Hungarinë.
Më pas, gjatë konfliktit të dytë botëror, qeveria polake e Władisław Sikorski (1881 – 1943) – në mërgim fillimisht në Paris e më pas në Londër – i paraqiti qeverisë çekosllovake, greke e jugosllave perspektivën e një bashkimi qendroeuropian të ndodhur midis Detit Balltik, Detit të Zi, Detit Egje dhe Detit Adriatik; por, duke parë kundërshtimin sovjetik dhe dyzimin polak ndaj federimit me Poloninë, plani u desh që të lihej menjanë.

Me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe prishjen e Traktatit të Varshavës, ideja e Intermarium ka rimarrë energji, duke marrë forma të ndryshme si Këshilli i Bashkëpunimit i Detit të Zi, Partneriteti i Lindjes dhe Grupi i Vishegradit, më pak ambicioze dhe më shumë të reduktuara karshi varianteve të projektit “klasik”.
Por sistemi i aleancave që më shumë i afrohet skemës së Intermarium është ajo e teorizuar nga Stratfor, qendra studimore amerikane e themeluar nga George Friedman, me rastin e krizës ukrainase. Nga ana e tij, Gjenerali Frederick Benjamin “Ben” Hodges, Komandant i ushtrisë amerikane në Europë (i dekoruar me Urdhërin e Meritës në Republikën e Polonisë dhe me Urdhërin e Yllit në Rumani), ka shpallur një “pozicionim paraprak” (“pre-positioning”) të trupave të NATO-s në të gjithë zonën, në kurriz të kufijve perëndimorë të Rusisë, që përfshin territoret e shtetet balltike, Poloninë, Ukrainën, Rumaninë dhe Bullgarinë. Nga Deti Balltik në Detin e Zi, si në projektin fillestar të Piłsudski.

Me 6 gusht të vitit 2015 Presidenti polak Andrzej Duda ka inauguruar lindjen e një aleance rajonale të frymëzuar në mënyrë eksplicite nga modeli i Intermarium. Një vit më pas, nga 2 deri më 3 korrik të 2016, në mjediset e Radisson Blue Hotel të Kievit, në praninë e Presidentit të Radës ukrainase Andriy Paruby dhe të Presidentit të Institutit Kombëtar për Kërkimin Strategjik Vladimir Gorbulin, pse jo edhe të personaliteteve politike e ushtarake të ardhur nga pjesë të ndryshme të Europës, është zhvilluar konferenca inaugurale e Intermarium Assistance Group, gjatë së cilës është paraqitur projekti i bashkimit të shteteve të ndodhur midis Detit Balltik dhe Detit të Zi.

Në muajin në vazhdim, dy detet qenë bërë tre: me 25 dhe 26 korrik 2016, Forumi i Dubrovnikut mbi temën e “Forcimit të Europës – Të Lidhim Veriun me Jugun” ka nxjerrë një deklaratë të përbashkët në të cilën është paraqitur Iniciativa e Tre Deteve, një plan që ka për qëllim “të lidhë ekonomitë dhe infrastrukturat e Europës Qendrore e Lindore nga veriu në jug, duke zgjeruar bashkëpunimin në sektorin e energjisë, transporteve, të komunikimeve dixhitale dhe në përgjithësi të ekonomisë”. Iniciativa e Tre Deteve, e konceptuar nga administrate Obama, me 6 korrik të 2017 është pagëzuar nga Donald Trump me rastin e vizitës së tij në Varshavë. Iniciativa, që sipas thënies së Presidentit Duda lind nga “një koncept i ri për promovimin e bashkimit europian”, përfshi 12 vende të ndodhura midis Detit Balltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik dhe pothuajse të gjithë anëtarë të Aleancës Atlantike: Estoni, Letoni, Lituania, Poloni, Sllovaki, Republikë Çeke, Austri, Slloveni, Kroaci, Hungari, Rumani, Bullgari.

Në profiling ekonomik, qëllimi i Iniciativës së Tre Deteve konsiston në goditjen e eksportimit të gazit rus në Europë nëpërmjet favorizimit të eksportimit të gazit natyror të lëngëzuar nga Amerika: “Një terminal në portin balltik të Świnoujście, i kushtuar rreth 1 miliard dollarë, do t’i mundësojë Polonisë që ta importojë gaz natyror të lëngëzuar amerikan në masën e 5 miliard metrave kub në vit, të zgjerueshme më 7.5 miliard. Nëpërmjet këtij dhe terminaleve të tjerë, midis të cilëve një i projektuar në Kroaci, gazi i ardhur nga Shtetet e Bashkuara apo nga vende të tjera nëpërmjet kompanishë amerikane, do të shpërndahet me gazsjellës të posaçëm në të gjithë “rajonin e tre deteve”.
Kështu makrorajoni i tre deteve, duke qenë i lidhur me kufizime energjitike, përveçse ushtarake, më shumë më Uashingtonin sesa me Brukselin dhe me Berlinin, do ta copëtonte në fakt Bashkimin Europian dhe, duke e gllabëruar herët apo vonë Ukrainën, do ta shtrëngonte më tej kordonin sanitar përgjatë vijë së kufirit perëndimor të Rusisë.


bota.al
 

Attachments

  • Screenshot-2020-10-08-at-10.34.44-PM.jpg
    Screenshot-2020-10-08-at-10.34.44-PM.jpg
    268.9 KB · Shikime: 0
  • Screenshot-2020-10-08-at-10.34.44-PM.jpg
    Screenshot-2020-10-08-at-10.34.44-PM.jpg
    268.9 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top