Koncepti i objektivitetit dhe subjektivitetit

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Për të qenë më korrekt me veten le të bëjmë një përkufizim të saktë të objektivitetit dhe të subjektivitetit me qëllim që të jemi më të saktë në arsyetimin tonë të më poshtëm, për trajtimin e kësaj teme, që për mendimin tim është shumë interesante.

Atëherë çdo të thotë objektiv: Që ekziston jashtë ndërgjegjjes dhe pavarësisht prej saj, që nuk varet nga ndërgjegjja dhe që është parësore kundrejt saj.

Bota objektive, realiteti objektiv, dukuri objektive, e vërteta objektive.

Njeriu objektiv - që gjykon drejt dhe nuk niset nga interesat, nga ndjenjat ose nga qëllimet vetiake, që nuk ndikohet nga ndonjë paramendim. I PAANSHثM.

Njeriu subjektiv- që niset nga dëshira vetiake dhe jo nga faktet ose nga gjendja e vërtetë. Mendjemadhësia, prepotenca, arroganca, euforia e pa bazuar, mbulimi i të metave, fshehja e gjendjes reale, rrumbullakosja dhe ilustrimi i gjërave me fraza bombastike e bujë etj, pra i ANSHثM.

Mirëpo duke u thelluar më tepër të përkufizimi, se të them të drejtën më pëlqen më shumë të merrem me subjektin njeri, në mendje më shkon një pyetje që ashtu si hiena nuk më ndahet për asgjë çast. Pyetja është: “Historikisht njeriu objektiv ka qenë dhe është me pakicë në raport me njeriun subjektiv apo është më pikatore”?.

Mendoj se për mua është kjo fjala e fundit, sepse për të qenë njeri i paanshëm kërkon disa veti me bazë genetike që përbën substraktin bazë, pastaj se si plotësohet dhe orientohet ky është problem tjetër.

Por le të merrem që në kohët më të lashta me ata që unë i quaj të tillë, pavarësisht nga kufizimet e tyre, sepse përsosmëria është e pafundme.

Po e hedh vështrimin nga lindja e largët, pa u futur në mitologji dhe pa u futur në filozofinë budiste që hodhi devizën e famshme: “Si të jemi të aftë të përballojmë dhembjen”, e cila ishte derivat i devizës së famshme NJIH VETVETEN, jo të jesh vetevetja, si e përdorin rëndom subjektivet në maxhorancë, por nejse. . .E kam fjalën për Konfucin e para 2500 vjetëve, për këtë mendjendritur, që unë kam pas fat të lexoj veprën e tij “Filozofia dhe mësimët e tij nga libri ndryshimëve”.

Konfuci nuk e konsideronte veten autor të asaj që ai u mësonte njerëzve, por trashëgues dhe transmetues të mësimeve të lashtësisë, të përcjella gjatë shekujve. Shumë interesante dhe e çiltër kjo, e cila më kujton Gëten në bisedat e tij me Ekermanin, në lidhje me origjinalitetin, i cili i thotë Ekermanit: “Flitet shumë për originalitetin, por ç’kuptohet vallë me origjinalitet”?.

Bota fillon të ndikojë mbi ne që nga çasti kur lindim dhe deri sa vdesim. Në çdo drejtim. Prandaj ç’mund të quajmë tonen përveç forcës, energjisë, vullnetit?.

Sikur unë të nisja të numëroja një nga një gjithçka që kam marrë nga paraardhësit e mëdhenj dhe nga bashkëkohësit, pak gjë do të mbetej imja. Ndaj nuk është aspak pa rëndësi se në ç’periudhë ushtron mbi ne ky ose ai personalit i shquar.

Ja pra ku kemi një konvergjencë midis dy personaliteteve në kohë të ndryshme.

Po kthehem te Konfuci për të shkruajtur disa nga aforizmat e tij shumë të famshme: “Mos u shqetëso që asnjeri nuk të njeh, përpiqu të bëhesh i denjë për njohjen”. A të bën të mendosh gjatë ky aforizëm?. Patjetër që po. Por ka një përpjestim të drejtë që merr formen e një ligjësie që do të thotë: “Sa më e thellë të jetë njohja, aq më objektiv do të jetë vëzhgimi dhe gjykimi”.

Ja dhe një tjetër për njerëzit subjektiv: “Njerëzit e zakonshëm janë shumë të penguar, ata rrallë kanë një kapacitet të mjaftueshëm dhe nuk kanë kurrë shanse. Kur në raste të rralla ata i kanë të dyja, nuk ka të ngjarë të jenë në gjendje të durojnë vuajtjet. Po shkruaj dhe të fundit në këtë trajtim të çështjes për të përligjur atë që kam thënë më sipër: “Ata që kanë lindur të ditur janë më të mirët. Ata që njohin me anë të të mësuarit vijnë më pas. Ata të cilët studiojnë vetëm kur bien në një rrugë pa krye radhitën të tretët. Ata të cilët nuk studiojnë edhe kur janë në rrugë pa krye, konsiderohen njerëz me nivelin më të ulët”. Megjithëse kam shumë për të folur për aforizmat e këtij njeriu objetiv, i cili e ka hedhur shumë thellë shigjetën në shpirtin njerëzor, më duhet ta le për t’u hedhur në antikitetin grek; sigurisht për temën për të cilën po shqyrtoj.

Pa u futur te mendimtarët grek, më ka bërë përshtypje njëri prëj tre tragjedianëve, dhe pikërisht Euripidi, sepse në krahasim me Eskilin dhe Sofokliun të cilët e shkruanin veprën, pavarësisht se subjektet i merrnin nga mitologjia, nuk u mor me edukimin e polisit; thelbi i këndvështrimit të tij ishte njeriu duke u futur në thellësi të subjektit. Kjo që risia që u fut nga Euripidi; pra tendenca kozmopolite, e cila u përqafua më vonë nga periudha aleksandriane; të përfaqësuar nga Teokriti, Kalimahu, Menadri etj.

Nga Euripidi kam zgjedhur veprën “Alcesta” dhe veprën “Medea” për të ilustruar ndonjë pasazh prej tyre, të cilat kanë shumë domethënie në lidhje me temën që po trajtoj. Në tragjedinë “Alcesta”, nuk po merrem me subjektin, i cili është marr nga miti i Alcestës në mitologji: po merrem me dialogun e të birit, i cili ishte princ dhe babait që ishte mbret. Princi i drejtohet të atit që të jepte jetën për të, sepse kështu e kishin vendosur moirat, 6 muaj pasi të martohej me Alcestën do të vdiste: Vetëm babai ose nusja mund ta shpëtonin nga vdekja duke dhënë jetën për të. Por ç’ndodhi?.

Babai e refuzoi djalin e vetëm princ duke i thënë këto fjalë: “Djalë i dashur, ashtu si ti do të shijosh lindjen dhe perëndimin e diellit çdo ditë, ashtu dhe unë pavarësisht nga mosha dua ta shijoj”.

Në këtë dialog ishte thelbi i gjithë kësaj vepre, të cilën Euripidi me shumë kurajo dhe paanshmëri e hodhi ne treg. Paanshmërinë ai e kërkonte dhe të njerëzit më të afërt. Nga vepra “Medea”, subjekti i të cilës është marr nga miti i Medeas. Po shkruaj disa fraza të marra nga kjo tragjedi:

“E kush nga njerëzia s’është i këtillë?

Tani e kuptove se çdo rob këtu,

Vetën do më shumë, se sa ndonjë tjetër?

Si s’të mbushët mendja,

Kur shikon se ati nuk i do të tijtë,

Vetëm pse ka dashur të marrë një grua tjetër? Ose kjo tjetra:”

Prandaj më e mirë është rrug’ e drejtë,

Ajo ku natyra më ka bërë të aftë.

Po e mbyll me Euripidin, ndonëse do të kisha për të thënë më tepër, por më duhet të vazhdoj rrugëtimin tim drejt Platonit. Abstraksioni i tij in konkreto si dhe aftësia e përgjithësimit e vënë me të drejtë siç thotë Emersoni; në babain e filozofisë.Vepra më madhështore e tij është “Republika”, dhe nga kjo vepër do të shkëpus disa fraza, të cilat janë tepër objektive, si dhe stili i thjeshtë e harmonik që të bëjnë ta ndjesh shijen e filozofisë. Në librin e parë, ai thotë: “Ata që janë të dhënë pas parasë, robtohën që të vënë sa më shumë mënjanë, mbasi kjo është puna e tyre, qoftë edhe për të mirat që të tjerët përfitojnë nga kjo, për këtë arsye është vështirë të merresh vesh me ta, sepse nuk dinë të adhurojnë gjë tjetër përveç parasë”.

Besoj që nuk ka vend për koment për objektivitetin e kësaj fraze. Si, po subjektivet? Oh jo, ata janë e kundërta e kësaj fraze!... Po nga libri i parë: “Atëherë, thashë unë, ta vendosim: “Një njeri i drejtë nuk ngrihet mbi një njeri që është i ngjashëm me atë, por mbi atë që nuk është i ngjashëm, ndërsa një njeri i padrejtë ngrihet si mbi njerin ashtu dhe mbi tjetrin”.

Mirë e ke edhe këtë, u përgjigj ai.

Mos vallë, pyeta unë, njeriu i padrejtë ka pamjen e një njeriu të zgjuar dhe të shkathët, kurse i drejti jo?. E si mund të jetë ndryshe… Dhe nga libri i gjashtë një frazë: “Ndërkaq ne mund të pohojmë se një shpirt pa kulturë dhe pa hir është për nga natyra i prirë që të mos ketë sensin e masës”. Po e mbyll me Platonin se komentet për ato që shkruajta janë të tepërta për mendimin tim. Një tjetër filozof nga antikiteti romak do ta sjellja si një argument për temën që po trajtoj. Lukreci me veprën e tij “Mbi Natyrën”, ky përfaqësues i shkollës Epikuriane e hedh guximshëm vrojtimin e tij objektiv mbi natyrën. Po shkruaj një frazë nga kjo vepër:

“Sa fort kënaqesh kur shikon nga bregu,

Ndonjë njeri që e ka zanë stuhia,

Mbrenda në det e jep e merr mes valëve,

e kjo të ndodh jo sepse ti defrehësh,

me t’keqe t’tjerëve, por sepse e sheh vetën,

jashta rreziku që e ka zanë at’tjetrin,

Prap zemra t’ndien kënaqësi të madhe,

Kur ti se largu, pa të keqën tande,

Vren si përleshen burrat ndërmjet tyre,

Atje në shesh të luftës së përgjakun,

Por s’ka kurkund kënaqësi ma t’madhe,

Se ather kur gjindesh mu në majë të shkencë,

N’tempujt e kthelltë, që ka ndërtue vetë dija,

Dhe andej se nalti të shikosh njerzinë,

E cila endet shendet poshtë e lart,

Për me gjetë rrugën e vërtet të jetës,

Dikush përpiqet me zotësinë e vet,

Dikush edhe me fisnikri të gjakut,

Kush natë e ditë mundohet me gjithë shpirt,

Të fitojë shumë e t’sigurojë pozitën,

Të shkretët ju për ata mend që keni!

Ju kanë vu perde sytë e nuk shikoni,

Se në ç’errësinë të thellë, në çfarë rrëziqesh,

Kalon kjo jeta jonë, cilado qoftë,

Mos jeni shurdhë e nuk ndigjoni fare

Cka vetë natyra plasi tue bërtit:

Ta rueni mirë shendetin që gëzoni,

Ta shporrni zemrën hallesh dhe tmerrësh,

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Prandaj ky tmerr e kjo errësinë e shpirtit,

Duhet të zhduken jo me rreze t’diellit,

As me shigjetat vezulluese t’ditës,

Por me vëzhgim t’vëmendshëm të natyrës.



Kjo frazë është marrë nga libri i dytë i veprës. Për të përligjur objektivitetin e këtij filozofi, ja se ç’thonë mendjendriturit e antikitetit romak; shkruar nga përkthyesi veprës: “Ndër të parët që e çmuen Lukrecin, qe Ciceroni, i cili u kujdes edhe për botimin e veprës. Ciceroni rrëfen vetë se në poemën “Mbi natyrën” shfaqej një mendje e lartë dhe një artist. Virgjili në një varg të “Gjeorgjikave” thotë për Lukrecin: “Si lumë ai që arriti të zbulojë të fshehtat e natyrës dhe zhduku frikën e ferrit”. Ovidi, qysh i ri, atëherë kur kish filluar të kuptonte nga filozofia, i entuziazmuar prej veprës, shkroi për poetin këto fjalë: “Kangët e të lartit Lukrec do të sosën vetëm atë ditë që do të soset bota”.

Po mua më mbetet për të bërë koment?.

Më e ndershme është të mos flas fare…

ثshtë interesante se si këta shpirtra të mëdhënj, mjeshtra të vëzhgimit objektiv, kanë një ngjashmëri mes tyre. Ja si i përshkruan Dante Aligeri në veprën e përbotshme të tij “Komedia hyjnore”. “Në limb ndodheshin shpirtrat e mëdhenj;” Ata kishin shikim të qetë e të ngadaltë.

“Në pamje me autoritet të madh,

Flisnin fort pak, fjala u rridhte si mjaltë”.



Të më ndjeni, nuk jam ndonjë panagjirik, sepse kjo do të më vriste brenda vetes. Do të më vinte në një pozicion mvartësie duke i parë këta si idhuj; në asnjë mënyrë nuk është ashtu. Për mua këta janë si repertitoret që emëtojnë valë objektivititi qoftë në thellësi të qenies njerëzore, po ashtu dhe në vështrimin e realitetit pa syzat e iluzionit; pa ambicie, si thotë Shekspiri nëpërmjet personazhit të Hamletit “Ambicia është hija e një ëndrre”, pa dëshirë; siç e përshkruan Shopenhaueri të “Metafizika e dashurisë” të kapitulli për “Gjeniun” i cili ka parasysh pikërisht këta. Bukur e përshkruan punonjësin e bursës së Amsterdamit, të cilit nuk i bën përshtypje gumëzhitja e sallës, sepse ai e sheh botën si dëshirë duke u futur brenda saj me etjen për të fituar para në lojën e bursës. A mund prej tij të këtë objektivitet? Ai është subjektiv i pastër!.

Por këta repertitorë ulen herë pas herë në platën e një lartësie dhe e shohin botën me objektivitetin me të pastër. Prandaj në shikimin e tyre ka qetësi olimpike, që Dantja e përshkruan kaq bukur, sepse ata janë zotër të vetvetes, sepse një ekuilibër i brendshëm u ka dhënë këtë qetësi, sepse nga ky ekuilibër u ka ardhur ajo harmoni dhe thjeshtësi. Ata e njohin masën.

Gëtja në gjithë krijimtarinë e tij u mbështetë në këtë trinitet: “Thjeshtësi e madhërishme, qetësi olimpike, ndriçim diellor i mendjes”, ndaj dhe veprat e tij u vunë në panteonin e krijimtarisë njerëzore.

Me të drejtë mund të mendoni se kam tendencën, ose në “gjuhën moderne trendi”, ta përziej trajtimin e një temë filozofike me letërsi. Por përcaktimin më të bukur për mendimin tim, e ka bërë Kamyja në preferencën e tij për të qenë “filozof shkrimtar”. Me siguri ky përfundim i Kamysë nuk erdhi ashtu kot pa asnjë hulumtim tek paraardhësit e tij. Mendoj se ka pas parasysh Monteskjen të “Letrat persiane”. Didroin të “Nipi Ramonit”, Volterin të “Kanditi” etj, e mbi të gjitha, kryeveprën e Niçës “Kështu foli Zarathustra”.

Pas këtij sqarimi për pozicionin tim, po vazhdoj me trajtimin e temës. Por meqë e lakova pak si tepër Kamynë, po merrem me veprën e tij “I huaji”, vepër, e cila i përshtatet me së miri konceptit të objektivitetit dhe si rrjedhoj edhe të subjektivitetit.

Kolona bazë e kësaj vepre ishte të qenurit i tepërt i gjeniut, në një botë ku objektiviteti më i pastër, paragjykohet nga shumica subjektive. Fisnikëria e lartë e personazhit Merso shikohej si një indiferencë e rrezikshme ndaj shoqërisë ku jetonte. Ai vrojtonte realitetin me saktësinë e një makine. Kjo ishte paanshmëria e një njeriu objektiv. Por absurditeti i racës njerëzore ushqehet nga fenomeni “rast”. I shkreti njeri vetëm këtë fenomen s’ka për ta zgjidhur kurrë deri sa të ketë ekzistencën e tij; gjithmonë pranë tij si shkëmbi i Tantalit do të rri ky fenomen. Por ky fat qëlloi Mersonë. Më pas, gjithë elita e subjektiveve e qëlloi me inatin më të tërbuar. Britmat e shpirtit të tyre dukej sikur thoshin: “Kush je ti që do të na i heqësh syzet e subjektivitetit!.

Ti duhet të vritesh, se nuk je rregulli, je përjashtimi, je atavizëm, je pa mëshirë . . . .??!

Ky qe fundi i absurdit. Për argument po marr dhe veprën “Rënia”.

Nëpërmjet një monologu dramatik dhe një bashkëbisedimi me një personazh memec, Kamyja ka derdhur zhdërvjëlltësinë më të madhe të shpirtit; në një vëzhgim objektiv të shumë gjërave, një vallëzim me mendimin që rrallë mund të gjendet. Por le të shkruaj disa pjesë nga “Gjykatësi pendestar Zhan Batist Klamansë”.

Parisi është joshës vërtetë për syrin e njeriut, një dekor i mrekullueshëm ku banojnë katër milion silueta. Afro pesë milion në regjistrimin e fundit? Ashtu de, ndërkohë do të kenë lindur fëmijë të tjerë. Nuk më vjen çudi. Gjithmonë më është dukur se bashkëqytetaret e mi kishin dy pasione të tërbuara: Idetë dhe kurvërinë. Mbarë e prapë, si të thuash. Madje të kemi kujdes mos t’i rëndojmë; s’janë vetëm ata, gjithë Europa aty ka arritur.

Nganjëherë mendoj se çdo të thonë për ne historianet e ardhshëm. Atyre do t’u mjaftojë vetëm një fjali për njeriun modern; ai kurvërohej dhe lexonte gazeta. Pas këtij përkufizimi të fortë, trajtimi i temës do të merrte fund, në mund të shprehem kështu.

Holandezët, oh jo, jo, janë shumë më pak modern! Ata janë të ngëshëm, shihni vetë ç’bëjnë ata. Po ja, këta zotërinjtë këtu jetojnë me punën e atyre zonjave aty. Bile, si meshkujt dhe femrat janë krijesa borgjeze të thella, të ardhura këtu, si zakonisht, nga mitomania apo nga budalleku. Nga fantazia e tepruar ose nga mungesa e saj me një fjalë. Herë pas here këta zotërinj, na përdorin thikën apo revolverin, po mos kujtoni se kanë dëshirë për një gjë të tillë. Ua do roli, kjo është e gjitha, dhe vdesin nga frika duke lëshuar fishekët e fundit. Kështu, pra, mua ata më duken më të moralshëm se të tjerët, se ata që vrasin familje, çikë e nga një çikë. Nuk e keni vënë re se shoqëria jonë është e organizuar mirë për këtë lloj larje hesapësh!?.

Ju keni dëgjuar, natyrisht, për ata peshq të vegjël të lumenjve brazilianë që sulmojnë me mijëra notarin e pakujdesshëm, e përlajnë brenda pak çastesh, duke e kafshuar nga pak me shpejt derisa e katandisin në një skelet të pastër xhami?. Epo ja, ky është organizimi i tyre. Doni një jetë të pastër?. Si gjithë të tjerët?. Ju thoni po, natyrisht. Si të thuash jo?. Dakord. Do t’ju përlajnë. Ja pra një zanat, një familje, defrime të organizuara. Dhe dhëmbët e vegjël sulmojnë mishin deri në kocka. Mirëpo, po ia vesh kot. Nuk duhet thënë organizimi i tyre. Ky është në fund të fundit uni; kush e kush të përlajë tjetrin.

Më vjen vetëm të qesh, të qesh. E vërteta zakonisht është e hidhur, por e domosdoshme për të qenë objektive.

Ja dhe një fragment tjetër po nga kjo vepër: “Në të kundërt, një ballkon natyror, pesëqind a gjashtëqind metra përbri ndonjë deti, ende i dukshëm dhe gjithë dritë, ishte vendi ku merrja frymë më lirshëm, sidomos po të isha vetëm, lart përmbi milingonat njerëzore. Me vete shpjegoja lehtë se predikimet, ato vendimtaret, mrekullitë të bëheshin në lartësi të arritshme.

Në çdo orë të ditës ngjitësha, në brendësi të vetvetës dhe ndër të tjerët, mbi një lartësi, ndizja aty zjarre të dukshme, dhe drejt meje ngrihej një përshëndetje e gëzueshme. Kështu, pra, të paktën, unë kënaqësha me jetën dhe me përsosmërinë time.

Pa dyshim, unë bëja nganjëherë sikur e merrja jetën seriozisht. Mirëpo, shumë shpejt, më dilte përpara kotësia e vetseriozitetit dhe vazhdoja vetëm të luaja rolin tim, ashtu si mundja. Doja të dukësha si i dobishëm, i zgjuar, i virtutshëm, patriot, i revoltuar, zemërbutë, solidar, mësimdhënës. Po ndalem me kaq, e kuptuat tani që isha si holandezët që janë pa qenë: Unë mungoja pikërisht atëhërë kur zija më shumë vend.

E sinqertë dhe entuziaste kam qenë nëpër pjesë që i shfaqnin për qejfin tonë. Në të dyja rastet kishte një rregull loje që nuk ishte serioz, dhe që ne kënaqëshim duke e marrë si të tillë. Dhe sot e kësaj dite, si ndeshjet e të dielës, në stadiumin e mbushur plot e përplot, dhe teatri, që e kam dashur me një pasion të pashoq, janë të vetmet vende në botë ku e ndiej vetën të pafajshëm.

Një vepër tjetër tepër interesante për temën që po trajtoi është dhe eseja e Emersonit. Ja se ç’shkruan te kapitulli “Intelekti”.

E vërteta ishte brenda nesh para se të pasqyrohej nga objektet natyrore; dhe gjeniu i thellë do të hedhë ngjashmërinë e gjithë krijesave në çdo prodhim të talentit të tij.

Rregulli i detyrës intelektuale është saktësisht paralel me rregullin e detyrës morale. Vetmohimi, jo më pak i rreptë se ai i shenjtorit, kërkohet prej dijetarit. Ai duhet të adhurojë të vërtetën, të prijë çdo gjë për të dhe të zgjedhë disfaten dhe dhimbjen, në mënyrë që thesari i tij i mendimeve të shtohet më shumë.

Zoti i ofron çdo mendjeje zgjedhjen e vet midis së vërtetës dhe shplodhjes. Merr kë të duash, por kurrë nuk mund t’i kesh të dyja. Midis këtyre, njeriu lëkundet si një lavjerrës. Ai, tek i cili mbizotëron dëshira për shplodhje do të pranojë besimin e parë, filozofinë e parë, partinë e parë politike që do të takojë, ashtu ai dhe i ati i tij. Ai fiton pushim dhe reputacion, por mbyll derën e së vërtetës.

Ndërsa ai, tek i cili mbizotëron dashuria për të vërtetën, do të qëndrojë larg gjithë zinxhirëve dhe do të mbetët mbi ujë. Do t’i ruhet dogmatizmit dhe do të njohë gjithë mohimet e kundërta, midis të cilave, si mure, lëkundet qënia e tij.

Ai i nënshtrohet vështirësisë së pasigurisë dhe mendimit jo të përkryer, por është kandidat i së vërtetës dhe respekton ligjin më të lartë të qenies së tij.

Ai duhet të masë me këpucët e tij rrethin e tokës së gjelbër, për të gjetur kështu njeriun që mund t’i tregojë të vërtetën. Atëherë do të mësojë se ka më shumë bekim dhe madhështi në të dëgjuarit, sesa në të folurit. I lumtur është ai që dëgjon; i trishtuar është ai që flet. Për sa kohë që dëgjoj të vërtetën, unë lahem nga një element i mrekullueshëm dhe nuk jam i ndërgjëgjshëm për kufijtë e natyrës. Sugjerimet janë një mijë herë më shumë nga ajo që dëgjoj dhe shikoj.

Ujërat e thellësisë madhështore kanë hyrje dhe dalje nga shpirti.

Por nëse flas, atëherë unë përcaktoj, kufizoj dhe jam më e vogël. Kur Sokrati flet, Lysis dhe Meneksenus nuk turpërohen, sepse nuk janë duke folur. Edhe ata janë të mirë. Po ashtu në kohën që flet, ai ndryshon nga ata, i dashuron ata. Sepse një njeriu i vërtetë dhe natyra i përmban dhe është e njëjta e vërtetë që artikulon një gojëtar: por tek gojëtari, për arsye se ai mund ta artikulojë atë, ajo duket mjaft e vogël dhe ai i kthehët kësaj heshtjeje të zbukuruar me shumë nderim dhe respekt. Një shprehje e lashtë thotë: “Le të jemi të heshtur, sepse dhe zotat të tillë janë”. Heshtja është një tretës që na lejon të jemi më madhështorë dhe universalë. Ai që i lë të gjitha, merr më shumë. Kjo është e vërtetë sa intelektualisht aq dhe moralisht”.

Një udhëzim i vyer për njeriun që zgjedh rrugën e të vërtetës, e objektivitetit.

Ja dhe një pjesë tjetër po nga kjo ese marrë nga kapitulli “Përvoja”.

“Jeta e së vërtetës është e ftohtë dhe mjaft e vajtueshme; por ajo nuk është skllave e lotëve, trillimeve dhe turbullimeve. Ajo nuk synon punën e tjetrit, as merr faktet e tij. Një nga mësimet kryesore është të njohësh veten. Kam mësuar se nuk mund të kem faktet e të tjerëve, por kam një çelës për faktet e mia, që më bind ndaj gjithë mohimeve të tyre, ashtu si dhe ata kanë çelësat e tyre. Një njeri simpatik gjendet në dilemën e notarit mes të mbyturve, pas të cilit kapën të gjithë dhe, nëse ai u afrohet për ndihmë, ata do ta fundosin. Ata duan të shpëtohen nga të këqiat e veseve të tyre, por jo nga vetë veset. Mëshira do të humbiste kot me këtë prirje të varfër të simptomave. Një fizikant i mençur do të thotë: “Dil prej kësaj, si kusht i parë i këshillës”.

Në Amerikën tonë llafazane, jemi rrënuar nga natyra jonë e mirë dhe nga të dëgjuarit në të gjitha anët. Ky pajtim largon fuqinë për të qenë të dobishëm. Njeriu nuk duhet të shohë tjetër veçse përpara. Një vëmendje e veçantë është përgjigja e vetme ndaj mendjelehtësisë së mërzitshme të të tjerëve: Vemendje ndaj një qëllimi, që i bën nevojat e tyre mendjelehta.

Njerëzit e përçmojnë dijën dhe jetën intelektuale, dhe nxitën nga veprimet. Unë jam mjaft e kënaqur me dijen, vetëm sikur të dija. Ku është një defrim madhështor dhe për mua do të ishte mëse i mjaftueshëm. Të dish pak, do të vlente sa shtrenjtësia e kësaj bote. Gjithnjë e dëgjoj ligjin e Adrastisë që thotë: “اdo shpirt, i cili ka arritur një të vërtetë, duhet të jetë i sigurt nga rreziqet deri në një kohë tjetër”.

E di që bota, më të cilën bisedoj në qytet dhe nëpër ferma, nuk është ajo, që unë mendoj. Mund ta vë re ndryshimin dhe do ta vë re edhe në të ardhmen. Një ditë do ta njoh vlerën dhe ligjin e këtij mospajtimi. Por më duket se përpjekjet manipuluese për të kuptuar botën e mendimit, kanë fituar shumë. Mjaft njerëz të etur vazhdimisht bëjnë eksperimente të tilla, duke u bërë qesharakë. Ata fitojnë sjellje demokratike, nxjerrin shkumë nga goja, urrejnë dhe mohojnë. Më keq akoma, vë re se, në historinë e njerëzimit, nuk ka as edhe një shëmbull të vetëm suksesi, duke marrë provat e tyre të suksesit. E them këtë në mënyrë polemike apo në përgjigje të pyetjes, po a nuk e kuptoni botën tuaj?.

Por qëndroftë larg meje dëshpërimi, i cili paragjykon ligjin më një empirizëm të përbuzur, përderisa nuk ka bërë kurrë një përpjekje të drejtë, por, megjithatë, pati sukses. Durim, durim, në fund do të fitojmë. Duhet të jemi shumë dyshues për mashtrimet e elementit të kohës. Duhet një sasi e konsiderueshme kohë për të ngrënë, për të fjetur apo për të fituar njëqind dollarë dhe shumë më pak kohë për të zbavitur shpresën dhe zbulimin, që bëhet drita e jetës sonë. Mbjellim kopështin, hamë darkë, diskutojmë për punët e shtëpisë, por këto gjëra nuk na bëjnë përshtypje, harrohen javën tjetër; e megjithatë në vetminë tek e cila kthehet çdo njeri, ndodh një zbulim, të cilin me kalimin në botët e reja, ai do ta mbajë përherë me vete. Harroje qesharakën, harroje disfaten: ngrehu përsëri zemr’e vjetër! _ duket sikur thotë_ ka ende fitore për drejtësinë; dhe romanca e vërtetë për kuptimin e së cilës bota ekziston, do të jetë shndërrimi i gjenisë në fuqi praktike.

Shumë e bukur dhe qartë për mendimin tim. Edhe këtu del e qartë mos pajtimi me realitetin e njeriut gjenial me objektivitet të pastër.

Për ilustrim të temës, do të kaloja tek një filozof tjetër, dhe pikërishtë tek Niçja.

Ja seç shkrun ai te vepra: “Përtej të Mirës dhe së Keqës”: “Mendimet tona më fisnikë duken marrëzira, ndërsa në disa raste krime: Kur padrejtësisht arrijnë në veshë që nuk janë bërë për ta. Ekzoteriku dhe esoteriku, siç dallohej dikur midis filozofëve, indianë apo grek, persiane dhe myslimane qofshin ata, me një fjalë kudo besohej në një hierarki dhe jo në njëjtësi dhe në barazi të drejtash, nuk dallohen njëri nga tjetri për faktin që ekzoteriku qëndron jashtë dhe shikon, vlerëson, mat dhe gjykon nga jashtë: gjëja më thelbësore është se i shikon gjërat nga poshtë lart, ndërsa esoteriku nga lart poshtë! Ka lartësi të shpirtit që, duke vështruar nga to, deri edhe tragjedia pushon së qeni tragjike; dhe, sikur e gjithë e keqja e botës të mblidhej në një të keqe të vetme, kush do të mund të guxonte të vendoste që pamja e saj do të bindte dhe do të detyronte medoemos pikërisht për të pasur mëshirë dhe pra për të dyfishuar dhimbjen?. .

Ajo që shërben si ushqim dhe gjallërim për tipin më të lartë të qënieve njerëzore, për një tip njerëzor shumë të ndryshueshëm dhe më të ulët duhet të jetë pothuajse një helm. Virtutet e njeriut të rëndomtë, tek nje filozof, ndoshta do te thonë vese dhe dobësira; mund të ndodhë që tek një njeri i një dere të madhe, pasi çoroditet dhe bie në fund, arrin vetëm në këtë mënyrë në zotërim të cilësive të larta, për hir të ndihet nevoja, në botën e ulët ku është zhytur, për ta nderuar tashmë si shenjtor. Ka libra që kanë për shpirt dhe shëndet një vlerë të kundërt, sipas asaj që shërben shpirti me i ulët, forca më e ulet jetësore, ose përkundrazi ajo më e larta dhe më e fuqishmja; në rastin e parë ata janë libra të rrezikshëm, që të lodhin dhe të prishin, në të dytin janë thirrje të tellallit, që i shtyjnë më trimat në trimërinë e tyre. Librat për të gjithë janë gjithmonë, libra të qelbët, atyre u ngelët ngjitur era e njerëzve pa rëndësi. Zakonisht, atje ku populli ha e pi, madje atje ku i thurr lavdë nderimit të vet, bie erë e keqe. Në qoftë se dëshirohet të thithet ajër i pastër.

Në këtë fragment Niçja e përcakton shumë qartë njeriun subjektiv, i cili është ekzoteriku, i cili i sheh gjithmonë gjërat nga poshtë lart, Ndërsa esoteriku është njeriu objektiv, i paanshëm, shpirti i të cilit ngrihet në lartësinë e shqiponjës duke mos njohur asnjë kufi kafazësh, siç thotë me të drejtë Shopenhaueri në shprehjen e tij të famshme; ai vrojton si një zot “spektaklin njerëzor”.

Jo më kot shqiponja ishte mikja e Zarathustrës, të cilën Niçja e kishte vendosur si simbol të krenarisë dhe të shikimit depërtonjës nga lart poshtë. Për ta mbyllur, po shkruaj një fragment nga vepra “ Udhëtari dhe hija e tij” dhe pikërisht “Udhëtim në Adë” - Edhe unë kam qenë në botën e nëndheshme, si Odiseu, dhe do të kthehem shpesh aty. Që të mundja të flisja me disa të vdekur, jo vetëm që sakrifikova desh, por nuk kurseva as vetë gjakun tim. Katër çifte nuk më refuzuan sakrificat që iu afrova: Epikuri dhe Montenj, Gëtja dhe Spinoza, Platoni dhe Rusoi, Paskali dhe Shopenhaueri. Me këta doja të flisja, pasi kam shetitur gjatë i vetmuar, këta dua që të më japin gabim dhe të drejtë, këta dua të dëgjoj kur i japin gabim dhe të drejtë njëri-tjetrit. اfarëdo lloj gjëje që të them, të vendos, të mendoj për vete e për të tjerët, mbi këta tetë njerëz dua të fiksoj sytë dhe të shikoj sytë e tyre të fiksuar mbi mua.

Le të më falin të gjallët, nëse ndonjëherë këta më duken si hije, kaq të zbehtë e të trishtuar, të shqetësuar dhe medet, të etur për të jetuar, ndërkohë ata të tjerët më duken kaq të gjallë, sikur tashmë, pas vdekjes, nuk mund të lodhen kurrë nga jeta. Por ajo që ka rëndësi është vitaliteti i përjetshëm: e ç’na duhet “jeta e përtejme” dhe në përgjithësi jeta?...........



Rovena Vata
B:botimeshqiptare,.f.b
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top