Kompetencë profesionale apo... Aleksandër Kocani .....Vija e masave?! Përtej

WxP

Staf në FV.AL
Kompetencë profesionale apo...

Aleksandër Kocani

.....Vija e masave?!
Përtej një fasade të dukshme dhe, shpesh iluzore, një vëzhgues i vëmendshëm dhe i ekuilibruar do të konstatonte, midis të tjerave, se në Shqipëri po bëhet sa mundet që të shpërbëhet institucioni i brishtë i kompetencës profesionale, që u trashëgua nga shoqëria e mëparshme. Pa dashur të bëj histori, mund të them vetëm se kjo kompetencë e krijuar në një shoqëri tepër të politizuar që, herë-herë edhe braktisej apo anashkalohej kur e lipnin interesat e ideologjisë dhe politikës komuniste, si një ndër arritjet e sistemit të shkollimit shqiptar, përbën një nga trashëgimitë institucionale e cila lipset të mbrohet dhe zhvillohet më tej. Dhe ajo gradualisht po shpërbëhet në mjaft fusha të shoqërisë së sotme shqiptare. Personalisht do të parazgjidhja të përqendrohesha në fushën e arsimit dhe shkencës, por inkompetenca po fiton terren gjithandej. Mjafton që të kujtojmë si shembull krizën energjitike të vjeshtës që kaloi (apo mos jemi akoma në “krizë”, sepse energjia elektrike po na ndërpritet paradoksalisht 4-5 orë në ditë!). Zor se del ndokush me mend në kokë, që të na mbushë mendjen se kjo krizë nuk erdhi (apo nuk u parandalua) edhe nga inkompetenca profesionale, e cila jo rrallë fshihet prapa një vetëreklame me fraza bombastike e terminologji “moderne”, “liberale” etj. Por, që në fakt përfaqëson një shikim libresk të gjërave dhe paaftësi e papërgjegjshmëri profesionale e morale për të zgjidhur problemet konkrete. Apo të marrim zhvillimin ekonomik. Në 15 vjet tranzicion nuk po shohim akoma “dritë përtej tunelit”. E pra jemi vend i vogël dhe, siç thonë specialistët e ekonomisë (të cilët, natyrisht nuk i dëgjon kush, sepse si kompetentë që janë nuk “falen” në tempullin e pushtetit), formula e zhvillimit ekonomik është e thjeshtë. Mjafton pak vullnet politik për ta kërkuar dhe zbatuar! Për ata që nuk duan apo nuk munden ta kuptojnë këtë, po i përmend si shembull faktin se në tregun global shumë përmasësh që po krijohet, jemi ndër të pakta shtete ish-komuniste, ndoshta edhe i vetmi shtet, që nuk kemi përcaktuar “vendin që ne duhet të zemë atje”, në përputhje me një skemë të zhvillimit ekonomik.
Një vështrim i shkurtër në “fabrikën” e kompetencës profesionale
Të gjithë e dinë se është kryesisht arsimimi, drejtimi “strategjik” që prodhon kompetencë profesionale në çdo fushë. Ka shumë tregues që flasin për një rënie cilësore e sasiore në formimin që jep shkollimi parauniversitar dhe ai universitar. E kjo vjen, në radhë të parë, nga rënia e nivelit të mësimdhënies të mbërthyer nga sindroma e “riprodhimit mekanik”. Nuk mund të mohohet se që nga fillimi i viteve 90-të, janë bërë shumë përpjekje për të futur metodat bashkëkohore në mësimdhënie, kryesisht në nivelin parauniversitar të shkollimit. Por ne që jemi pedagogë dhe që përballemi me kontigjentet që vinë nga ky nivel, konstatojmë me keqardhje se nga viti në vit “indeksi” i riprodhimit mekanik po rritet. Për më tepër, kjo rritje po shoqërohet edhe me defekte të tipit logjik në arsyetim, ndërtim fraze dhe në paraqitjet me shkrim. Veçanërisht, kjo bie në sy në provimet me shkrim (që nga 1997 në shkollën e lartë provimet bëhen kryesisht me shkrim). Dhe në se masat e marra nuk japin rezultat, “a qua bon!”, siç thonë francezët (d.m.th., sa para bëjnë!). Nuk ka dyshim se ndër këto masa ka nga ato që, të marra veçmas, duken racionale, por që, me sa duket, nuk futen në një kornizë tërësore eficiente. E nëse nuk ka eficiencë, nuk ka rezultat, atëherë mbetet të ndërrohen masat. Këtu hallkë kryesore, duam apo nuk duam, është niveli profesional i mësimdhënësve, mësuesve dhe pedagogëve. Le të marrim mësuesit. Kush e njeh arsimin parauniversitar e di se në nivelin e formimit të nxënësve, peshën kryesore e kanë mësuesit e shkencave ekzakte: matematikë, fizikë, kimi dhe biologji. Formalisht këtu duhej të renditej edhe informatika (apo kompjuteri), por për këtë lëndë nuk ka traditë mësimdhënie dhe mësues të përgatitur. Në disiplinat ekzakte është krijuar dhe po thellohet hendeku, midis një brezi relativisht të vjetër mësuesish të ngritur nga pikëpamja profesionale dhe brezit të ri të mësuesve që kanë nivel të ulët profesional dhe që në jo pak raste, shfaqin sindromën e të “gjithëditurit” (a thua se janë politikanë!). Po të vëzhgohet me kujdes, se ku shkojnë nxënësit e mirë që formëson brezi i mësuesve të përgatitur, mund të konstatohet se ata, në më të shumtën e tyre, venë në ato degë të universiteteve që konsiderohen si më të preferuara: kryesisht në mjekësi, ekonomik, arkitekturë, shkenca sociale e juridik. Janë shumë të rrallë ata nxënës të mirë që shkojnë në matematikë, fizikë, kimi dhe biologji. Me sa duket, nuk motivohen as si studentë dhe as si mësues të ardhshëm. Si rrjedhojë, për këto disiplina nuk sigurohet as edhe një prodhim minimal mësuesish me nivel të mirë formimi shkencor. Perspektiva duket e zymtë. Brezi i formuar i mësuesve të këtyre disiplinave, do të vijë një kohë që do të dalë të pension dhe atëherë do të bjerë në mënyrë drastike niveli i mësimdhënies së tyre. Kjo “këmbanë” ka kohë që po bie, por nuk duan ta dëgjojnë! Ky brez, në një farë mënyre figurative, “ka dalë disi në pension” nga pikëpamja e indiferencës (që herë-herë ja le vendin edhe një farë persekutimi për disa prej tyre) që tregojnë ndaj tij instancat zyrtare. Dhe këtu ka një paradoks. Nga njëra anë kemi opinionin publik, kryesisht nxënësit, prindërit dhe të afërmit e tjerë të tyre, i cili i vlerëson dhe i mban në gojë për mirë (në pamundësi që të përmenden të gjithë, nuk po vihen emra). Nga ana tjetër, është burokracia e verbër dhe injorante e sistemit arsimor që nuk di të vlerësojë dhe të nderojë këtë pasuri kombëtare. Fakt është se këta mësues të respektuar (shoqërisht, por jo zyrtarisht) trajtohen njëlloj si mësuesit e lëndëve më me pak peshë formuese në shkollë, sa do që ndryshimi në kontribut që japin të parët është fare i dukshëm si në sasi, por sidomos në cilësi. Të mos flasim pastaj për diferencat qesharake, në trajtim në raport me mësuesit e rinj të këtyre disiplinave, kur këta të fundit (po të kishin “i fije mend”, siç do të thonin shkodranët), do të duhej të kërkonin vetë të bëheshin “nxënësit” e mësuesve me formim të lartë e më me përvojë mësimdhënie. Do të ishte me përfitim të madh për ta, që të asistonin në orët e mësimdhënies të kolegëve më të vjetër (kjo vlen edhe për pedagogët e rinj). Këtë as e nxit, por as edhe nuk e pengon kush. Thjesht, është çështje mendësie. Filozofët e vjetër na mësojnë se kur di pak, ka të ngjarë që të besosh se di shumë dhe e anasjellta. Në këtë drejtim, unë do të bija dakord me idenë e kolegut tim të filozofisë, z.Ledian Rusta, të botuar para disa ditësh në një artikull te gazeta “Metropol”, se në arsimin shqiptar është i domosdoshëm një evolucion rrënjësor i mendësive. Jemi në një shoqëri kapitaliste, por ende na mundojnë mendësitë e shoqërisë socialiste, e cila, midis të tjerave, përdorte edhe modelet “rrafshuese” në vlerësimin e kontributit të individit, duke mos motivuar rritjen e këtij kontributi në sasi dhe sidomos në cilësi. Këtu jo pak rol luajnë edhe mendësitë që lidhen me të ashtuquajturën “vijë e masave”, sipas të cilave të gjithë kontribuojnë njëlloj dhe pra duhet të vlerësohen njëlloj. Nuk ka individë që dallohen, që “dalin një kokë më lartë”. Të gjithë në rresht, të gjithë njësoj kompetentë! (Ku është këtu konkurrenca?!) Edhe me këtë mendësi mund të shpjegohet, për shembull, fakti se përse një instrument kaq delikat të njohjes shkencore empirike, siç është anketimi, po e përdorin me papërgjegjshmëri mjaft OJF dhe nëpunës qyqarë të sistemit arsimor. Atyre ka shumë të ngjarë “t’u jetë mbushur mendja” se koncepti i kompetencës profesionale është diçka boshe (dikur thuhej në mënyrë denigruese – koncept borgjezo-revizionist apo mikroborgjez), se të gjithë janë të aftë të bëjnë anketimi (mjaft që t’u thotë “Partia”). E nuk na mbetet tjetër veçse të konstatojmë me keqardhje se sa të drejtë kishte sociologu rus Sorokin, kur tallej në fillimet e shekullit të kaluar, me gjithë sojin e sorollopin e “të gjithëditurve anketaxhinj”.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top