eGo0sTyle
System Engineer
![proteste-e-pronareve-300x190.jpg proteste-e-pronareve-300x190.jpg](https://fv.al/data/attachments/61/61064-c628c529db9c83a9d21caf8e33e0adc4.jpg?hash=xijFKducg6)
Shkurtimet në buxhet do të prekin edhe kompensimin e ish-pronarëve. Qeveria ka vendosur të ulë me 3 milionë dollarë kompensimin e ish-pronarëve për këtë vit.Kështu, nga 6 milionë dollarë që ishte parashikuar që të ndaheshin për këtë vit, fondi është ulur gjysmë, duke e çuar vetëm në 3 milionë dollarë. Nga ana tjetër, fondi prej 14 milionë dollarësh që prek pronarët e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje në proces legalizimi nuk do të preket. Qeveria kishte parashikuar 14 milionë dollarë për këtë kategori pronarësh, dhe ky fond nuk do të preket. Në këtë mënyrë, për këtë vit, kompensimi te shpronësuesit do të ketë afërisht 7 milionë dollarë gjithsej. Kjo për shkak se vitin e kaluar nuk u bë kompensim financiar dhe për këtë vit ishte parashikuar fondi prej 10 milionë dollarësh. Me shkurtimin prej 3 milionë dollarësh, fondi për këtë vit do të jetë 7 milionë dollarë, që pritet të ndahet në ditët e para të muajit gusht. Për fondin e kompensimit të pronave për vitin 2011 do të konkurrojnë 1012 pronarë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë me dije se në fillim të muajit gusht do të ndajë fondin për fituesit në bazë të kritereve të reja të qeverisë. Sipas tabelës, Tirana, Shkodra dhe Korça kanë numrin më të madh të aplikimeve, me respektivisht 377, 168 dhe 140 kërkesa. Kërkesat do të kenë sërish si kriter kualifikimi datën e vendimit për kthimin e pronës. Por, ndryshe nga vitet e tjera, ka ndryshuar formula e sasisë së tokës që do të kompensohet. Qeveria ka vendosur të mos përdorë më kriterin e kompensimit deri në 200 metra katrorë, por deri në 600 metra katrorë, të ndarë në disa fasha. I vetmi kriter për subjektet është që të kenë një vendim të njohur për kompensim, ndërsa radha e kompensimit do të bëhet sipas kronologjisë së tij, pra nga vendimi më i vjetër. Vendimi ka përcaktuar vetëm tri kushte, sipas të cilave, asnjë prej ish-pronarëve që ka përfituar më parë kompensim financiar, nuk mund të aplikojë. Për këtë vit nuk ka pasur, të paktën deri tani, ndonjë ndryshim në llogaritjen e vlerës së tokës për efekt të kompensimit financiar. Vlera e parave që parashikohet të ndahet është rreth 1 miliard lekë, pasi mbart edhe vlerën e pashpërndarë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, ndryshimi i formulës pritet të mos e rritë numrin e përfituesve, pasi më shumë se 90 për qind e aplikuesve kanë më shumë se 200 metra katrorë tokë për t’u kompensuar financiarisht.
1012 pronarë në garë
Këtë vit janë kualifikuar 1012 pronarë që kanë bërë kërkesë për t’u kompensuar financiarisht. Kreu i AKKP-së, Elvis Cefa, është shprehur se pritet që një masë prej rreth 200 pronarësh që kanë aplikuar do të mund të përfitojnë kompensimin. Tirana, Shkodra dhe Korça kanë numrin më të madh të aplikimeve, me respektivisht 377, 168 dhe 140 kërkesa.
Kompensimi 2011, me formulë të re
Sipas formulës së re, për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 metra katrorë, masa e kompensimit do të jetë 200 metra katrorë. Pra, kush ka një pronë mbi 200 metra deri në 1500 metra, do të kompensohet maksimalisht me 200 metra katrorë, kjo e konvertuar në para. Për pronarët që kanë poseduar prona nga 1500-3000 metra katrorë, sasia e tokës që do të kompensohet në të holla është 300 metra katrorë. Për pronat nga 3000 metra deri në 5000 metra, sasia e kompensimit do të jetë 400 metra katrorë në para. Për pronat nga 5000-10 000 metra, sasia e kompensimit në para do të jetë vetëm për 500 metra, ndërsa për pronarët që kanë më shumë se 1 hektar tokë, do të kompensohen për 600 metra katrorë. Më parë nuk kishe rëndësi sa tokë kishte pronari, 1000 apo 100 mijë metra katrorë, kompensimi ishte vetëm për 200 metra katrorë. Ndryshimi i vendimit erdhi pas ankesave të pronarëve dhe rekomandimeve nga BE. Edhe me këtë llogaritje pronarët e mëdhenj nuk janë plotësisht dakord, por të paktën ka një mënyrë më të mirë të vlerësimit të pronarëve nga sasia e dëmit që i është bërë nga regjimi komunist që i ka marrë tokat.
Panorama.