KODI I NUREMBERGUT

Eksperimentet Mjekësore të Lejueshme

Masa e madhe e provave para nesh, dikton se disa lloje eksperimentesh mjekësore mbi qeniet njerëzore, kur mbahen brenda kufijve të arsyeshëm, të përcaktuar mirë, përputhen me etikën e profesionit të mjekut në përgjithësi.
Protagonistët e praktikës së eksperimenteve njerëzore e justifikojnë këndvështrimin e tyre me arsyetimin, se këto eksperimente japin rezultate për të mirën e shoqërisë, të cilat nuk mund të arrihen me mjete ose mënyra të tjera studimi. Të gjithë bien dakord, gjithsesi, se duhen ruajtur disa parime bazë, në përputhje me konceptet morale, etike dhe ligjore:

1. Pëlqimi vullnetar i subjektit njerëzor është absolutisht thelbësor. Kjo do të thotë se, personi i përfshirë duhet të ketë zotësinë ligjore për të dhënë pëlqimin e tij; duhet të jetë në një gjendje të tillë që të jetë i aftë të ushtrojë lirisht të drejtën e zgjedhjes, pa ndërhyrjen e ndonjë elementi force, mashtrimi, gënjeshtre, trysnie, dredhije, ose ndonjë forme tjetër detyrimi ose shtrëngimi; dhe duhet të ketë njohuri të mjaftueshme dhe aftësi për të kuptuar elementët e çështjes në fjalë, të tilla që ta bëjnë që të jetë i aftë të marrë një vendim të mirë menduar dhe të mirë informuar.
Ky element i fundit kërkon, që para pranimit të një vendimi miratues nga subjekti i eksperimentit, atij duhet t’i bëhet e ditur natyra, kohëzgjatja dhe qëllimi i eksperimentit, mjetet dhe metodat me të cilat do të kryhet; të gjithë shqetësimet dhe rreziqet, që është e arsyeshme të priten dhe pasojat mbi shëndetin ose personin e tij, që mund të vijnë nga pjesëmarrja e tij në eksperiment.
Detyra dhe përgjegjësia për sigurimin e cilësisë së pëlqimit bie mbi individin, që merr nismën, drejton ose përfshihet në eksperiment. Kjo është detyrë dhe përgjegjësi personale, e cila nuk mund t’i delegohet një tjetri, duke iu shmangur ndëshkimit.

2. Eksperimenti duhet të jetë i tillë, që të sjellë rezultate të vlefshme për të mirën e shoqërisë, që nuk mund të arrihen me mjete ose metoda të tjera studimi dhe jo të llojit rastësor e të panevojshëm.

3. Eksperimenti duhet të konceptohet dhe të bazohet në rezultatet e eksperimentit me kafshë dhe dijeninë e historisë natyrore të sëmundjes ose problemit tjetër, që po studiohet, në mënyrë që rezultatet e pritshme, të justifikojnë zhvillimin e eksperimentit.

4. Eksperimenti duhet të kryhet në mënyrë të tillë, që të shmanget çdo vuajtje fizike e mendore dhe çdo dëmtim të panevojshëm.

5. Nuk duhet të kryhet asnjë eksperiment, nëse ka një arsye apriori për të besuar se mund të ndodhë vdekje ose dëmtim me pasojë paaftësinë; me përjashtim, ndoshta, të atyre eksperimenteve në të cilët mjekët eksperimentues shërbejnë edhe vetë si subjekte.

6. Shkalla e rrezikut të ndërmarrë nuk duhet të kalojë kurrë atë të përcaktuar nga rëndësia humanitare e problemit, që duhet zgjidhur nga eksperimenti.

7. Duhet të bëhen përgatitjet e duhura dhe të sigurohen mjedise të përshtatshme, për të mbrojtur subjektin e eksperimentit nga çdo mundësi, sado e vogël, për dëmtim shëndeti, shkaktim paaftëse ose vdekje.

8. Eksperimenti duhet të kryhet vetëm nga persona shkencërisht të kualifikuar. Në të gjitha fazat e eksperimentit, duhet të kërkohet shkalla më e lartë e aftësisë dhe kujdesit, nga ana e atyre që e kryejnë ose përfshihen në eksperiment.

9. Gjatë kohëzgjatjes së eksperimentit, subjekti njerëzor duhet të ketë lirinë t’i japë fund eksperimentit, nëse ai ka arritur gjendjen fizike ose mendore, në të cilën vazhdimi i eksperimentit, atij do t’i dukej i pamundur.

10. Gjatë kohëzgjatjes së eksperimentit, shkencëtari i ngarkuar me detyrën, duhet të jetë i gatshëm të ndërpresë eksperimentin, në çdo fazë, nëse ai ka ndonjë shkak për të besuar, në ushtrim të mirëbesimit, aftësive superiore dhe gjykimit të kujdesshëm, që kërkohet prej tij, se vazhdimi i eksperimentit ka të ngjarë të rezultojë në shkaktimin e dëmtimeve, paaftësisë ose vdekjes së subjektit të eksperimentit.

Në foto: Gjyqi i Doktorëve, Nuremberg 1946-1947

241794735_10157704949760738_1822238090055109056_n.jpg
 
Top