Kjo vjeshtë e Orion Shimës

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Nga Parid Teferiçi

Gjithçka tretet dhe zhduket, apo jo? Natyra është përherë e njëjta, por asgjë nuk mbetet nga çfarë i shohim. Me ndryshimet që kap tek ajo, arti ynë duhet të japë drithërimën e saj të vazhdimësisë. Duhet të na japë disi shijen e Përjetësisë së saj.
Paul Cézanne


Çdo punë e re e Orion Shimës përcjell befasi dhe vijimësi. Befasi në tendosjen çdo herë drejt një pike të re ekuilibri – të beftë dhe të brishtë – duke u shtyrë me vetëdije përtej lehtësive të përvojës dhe marifeteve të zejes. Dhe vijimësi jo si rrjedhojë e inercisë së kërkimit në një drejtim të përcaktuar, e ngulmimit në një repertor motivesh e temash të parapëlqyera. Vijimësia e Orionit nuk vjen nga rutina, por nga një koherencë e thellë e brendshme, nga besnikëria ndaj temperamentit të tij dhe nga sinqeriteti me veten. Pikërisht kjo koherencë bën që punët e reja, përveç risive që sjellin në vetvete, të na ndriçojnë më mirë dhe punët e mëparshme, gjer dhe ato më të hershmet, të na qartësojnë pozicionin e secilës në trajektoren krijuese të autorit. Madje edhe faza e tij zanafillore, ajo informale dhe lëndore, sikur rigjallërohet nga pikturat e njëzet viteve më pas, në të cilat shfaqet suvaja e vrazhdë e ndonjë muri që ndan përdhunshëm një peizazh apo rrethon një kopsht.

o-1024x683.jpg


Ndjeshmëria e thellë e Orionit për natyrën është dëshmuar tashmë prej dekadash, duke kulmuar me ekspozita të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, më e fundit e të cilave vjet në Berlin. Por kjo ndjeshmëri lidhet pak, ose aspak, me shqetësimet dhe modat ambientaliste, të cilat e kanë rikthyer fuqishëm natyrën në muret e galerive.
Arti i shekullit të kaluar e shpërfilli natyrën, madje e urreu. Mbase u vel nga tërë ekskursionet e mëparshme romantike në kërkim të ekzotikes, piktoreskes, idilikes, sublimes, e më pas nga piknikët e hareshëm impresionistë, kur dilej nga studiot për ajër të pastër, ngjyra të pastra, flirte në dritë të diellit dhe flirte me dritën e diellit. Mbase natyra nuk premtonte më risi dhe origjinalitet, ndryshe nga makinat, idetë, apo vetë arti. U duk sikur korbat e pikturës së fundit të Van Gogut të kishin marrë me vete në terr edhe fushën me grurë tok me qiellin.

o2.jpg


Natyra ndjell te soditësi ndjesi të larmishme (paqe, frikë, ngushëllim, etj.), ndonëse ajo është krejt indiferente ndaj njeriut, madje edhe natyra “e zbutur” dhe e kultivuar prej tij. Kur flasim për “mëshirën e natyrës” ne nënkuptojmë të kundërtën, por ajo nuk është as e mëshirshme dhe as e pamëshirshme, por thjesht indiferente. Orioni na e përcjell më fort se kurrë më parë këtë indiferencë dhe i kundërvë asaj indiferencën “e pafajshme” të dordolecëve.
“Mund të ketë gjithmonë një kohë për pafajësinë / Por kurrë një vend.” – thotë Wallace Stevens në poemën e tij madhore, “Aurorat e vjeshtës”. Në këto piktura jemi diku ‘nga anët tona’, në një vjeshtë si tonat dhe, hëpërhë, vlen prezumimi i pafajësisë. Frutat janë pjekur dhe kanë nisur të bien përdhe. Fushat e begata janë harruar dhe po kalben. Një kalë nuk po bart kallinjtë, nuk po shin në lëmë, por po kullot mes gjelbërimit të fundit, ose po shëtit një djalë mes arës së pakorrur. Dhe djaloshi nuk duket i lidhur me tokën, por herë si një turist i ngeshëm dhe herë si dikush që mezi pret të largohet nga çasti në çast, duke mbytur në vete pendime, qortime, a thjesht një lamtumirë. Një atmosferë e ngarkuar me kujtime dhe parandjenja, me ngurrime të pjekurisë së parë dhe kryeneçësi fëmijërore. Gjendemi në një tokë ku janë harruar “Bukoliket” dhe “Gjeorgjiket” e Virgjilit (madje, më shqip, edhe “Bagëti e bujqësi” e Naimit), ku është këputur zinxhiri i cikleve stinore dhe breznore të punës së njeriut, e cila e kthen natyrën në kulturë. Vetëm dordolecët vijojnë me përkushtim e stoicizëm detyrën e tyre deri në fund, deri kur dëbora, dheu dhe harresa të mbulojnë gjithçka.

o3.jpg


Të ashtuquajturat “motive vjeshte” janë të mbarsura me trashëgiminë e një lirizmi të rrezikshëm, i cili shpie shpesh në sheqerosje, shëmti dhe kitsch. Por Orioni është, si gjithmonë, i përkorë në mjetet retorike. Ai nuk e idealizon natyrën, nuk e antropomorfizon, madje nuk vihet ta imitojë dhe kopjojë, por tendos të gjitha shqisat të kapë timbrin e saj. (Cézanne e quante harmoni paralele me natyrën, ndërsa Braque unison). Dhe timbri i përzishëm i vjeshtës i mëson të mos kërkojë pajtim me fatalitetin e kohës, as ngushëllim nga harresa që sjell kalimi i saj.
Një popull i cili, pasi përjetoi gjatë socializmin si tranzicion drejt parajsës komuniste, vijon ende tranzicionin, po aq të gjatë tashmë, të shkëputjes prej tij, duket i kryqëzuar në indiferencën stoike të dordolecëve, këtyre totemeve, këtyre “njerëzve të zbrazët” të Eliotit, të cilët e ngushëllojnë se bota merr fund “jo me një gjëmim, por me një psherëtimë”, madje pa u ndier fare. Por, nëse i kthehemi “Aurorave të vjeshtës” së Stivensit, edhe “kjo është hiçgjë, nëse nuk përmblidhet tek një njeri i vetëm”. Për fat, Orioni dëshmon se kemi mes nesh ende njerëz të tillë jo indiferentë.

//arteka.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top