eGo0sTyle
System Engineer
Seanca e 6 korrikut, ku do të jepet vendimi për pretendimin e PS-së për garën e Tiranës, nuk do të jetë e fundit për trupën e Kolegjit Zgjedhor.Partia Demokratike është duke përgatitur një padi që do ta dorëzojë brenda ditës së martë për ndarjen e mandateve të këshillit të minibashkive në Tiranë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi për të ndarë mandatet në këto njësi vendore, për shkak se nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej pesë votash. Përfaqësuesit e majtë në KQZ, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, nuk e votuan projektvendimin e përgatitur nga administrata, me pretendimin se në tabelat përfundimtare nuk ishin përfshirë votat e hedhura gabim dhe që dolën gjatë hapjes së 1793 kutive. Sipas Kodit Zgjedhor, nëse një vendim nuk miratohet në KQZ, njëra prej palëve, që në këtë rast do të jetë Partia Demokratike, duhet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor brenda pesë ditëve. Vendimi u rrëzua ditën e enjte dhe në këtë mënyrë demokratët kanë afat deri nesër për t’u ankuar.
Debati
Në mbledhjen e zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të enjten e kaluar socialistët kërkuan që të përfshihet edhe vullneti i zgjedhësve që ka gabuar në hedhjen e votës në 8 maj. Sipas tyre, këto vota janë njësoj me ato të hedhura gabim për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Në vendimin që ka ardhur për miratim janë përfshirë edhe votat e hedhura në kutinë e gabuar në momentin e parë, kur doli Vendimi 709. Gjatë javës së kaluar, kur u bë hetimi, pas urdhërimit të Kolegjit u gjetën vota të hedhura gabim që u përkisnin Këshillit Bashkiak të Tiranës. Nëse KQZ-ja sillet për të lexuar votën e çdo qytetari, duhet t’i përfshijë edhe këto fletë votimi. Po këta që kanë votuar për partitë dhe që dolën këtë radhë, çfarë janë që nuk janë përfshirë në tabelën përfundimtare? Katundarë dhe fshatarë janë këta?”, u shpreh Gjonçaj. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, tha se urdhri i Kolegjit ishte vetëm për votat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Parimisht jam dakord me faktin se çfarë u gjet në ato kuti duhet të përfshihet në rezultat. Por, vendimi i Kolegjit është për të lexuar votat e hedhura për kryetarin e Bashkisë. Unë jam dakord që të kalojë ky variant i aktit”.
Ndarja e mandateve
Në zgjedhjet e tetë majit koalicioni “Aleanca për qytetarin” fitoi shumicën në këshillat e shtatë njësive bashkiake si dhe kryetarin në po shtatë njësi. Nga ana e tyre, socialistët kanë maxhorancën në katër minibashki. Vetëm në 2 nga 11 minibashki kryetari i saj do të jetë në opozitë për Këshillin. Kështu, në Njësinë Nr. 1, Lindita Nikolla e PS-së, e zgjedhur edhe për katër vjet të tjera, do të ketë përballë 14 këshilltarë të djathtë, ndërsa e majta ka fituar 13 vende. E njëjta situatë është edhe në Njësinë Nr. 2, ku Elez Gjoza i LSI-së do të jetë në opozitë me Këshillin, pasi e majta ka fituar 14 mandate, ndërsa e djathta 13.
Njësitë Bashkiake
Njësia Bashkiake Nr. 1
Aleanca për të Ardhmen 13 mandate
Aleanca për Qytetarin 14 mandate
Njësia Bashkiake Nr. 2
Aleanca për të Ardhmen 14 mandate
Aleanca për Qytetarin 13 mandate
Njësia Bashkiake nr. 3
Aleanca për të Ardhmen 11 mandate
Aleanca për Qytetarin 12 mandate
Njësia Bashkiake nr. 4
Aleanca për të Ardhmen 13 mandate
Aleanca për Qytetarin 14 mandate
Njësia Bashkiake nr. 5
Aleanca për të Ardhmen 15 mandate
Aleanca për Qytetarin 12 mandate
Njësia Bashkiake nr. 6
Aleanca për të Ardhmen 14 mandate
Aleanca për Qytetarin 13 mandate
Njësia Bashkiake nr. 7
Aleanca për të Ardhmen 14 mandate
Aleanca për Qytetarin 13 mandate
Njësia Bashkiake nr. 8
Aleanca për të Ardhmen 9 mandate
Aleanca për Qytetarin 14 mandate
Njësia Bashkiake nr. 9
Aleanca për të Ardhmen 13 mandate
Aleanca për Qytetarin 14 mandate
Njësia Bashkiake nr. 10
Aleanca për të Ardhmen 9 mandate
Aleanca për Qytetarin 10 mandate
Njësia Bashkiake nr. 11
Aleanca për të Ardhmen 12 mandate
Aleanca për Qytetarin 15 mandate
PD: Rama po sulmon Kolegjin
Partia Demokratike reagoi dje sërish ndaj deklaratave të një dite më parë të kreut të PS-së, Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare, duke i cilësuar ato si sulme ndaj Kolegjit Zgjedhor. Në një konferencë për shtyp, kryesuesja e listës së kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, tha se pavarësisht qëndrimit të ndërkombëtarëve për të mos sulmuar institucionet e pavarura, kreu i PS-së tha se nuk do ta njohë vendimin e Kolegjit, nëse ai nuk është në favor të tij. “Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të mos nxitohemi me deklarata dhe të presim fundin e procesit zgjedhor dhe vendimin e institucioneve të pavarura. Por, ndryshe nga këto, Rama dje në Asamblenë e PS deklaroi se do të ndërpresë bojkotin e gjatë 2-vjeçar dhe nga ana tjetër sulmon hapur Kolegjin Zgjedhor se nuk do të pranojë asnjë rezultat të tretë zgjedhor që nuk është në favor të tij”, tha Tabaku. Sipas saj, “Qytetarët vendosën tashmë se kush është fituesi për Tiranën dhe z. Rama të pranojë zgjedhjen që kanë bërë qytetarët. Z Rama sulmon Kolegjin Zgjedhor dhe kjo sjellë është e papranueshme. Por, përse z. Rama kërkon të mbytet zëri i qytetarëve dhe përse nuk kërkon të dëgjohet zëri i qytetarëve që e nxori humbës atë në Tiranë?”.
Panorama.