Ke vendosur të shkosh në Vlorë? Bëje!

  • Në Vlorë gjashtë ditë para 100-vjetorit të Pavarësisë. Ja si është qyteti në këtë prag feste
Nga: Olsi Avdiaj

-Më shumë se kurrë këto ditë Vlora është kthyer në një vend pelegrinazhi kombëtar për të gjithë ata që duhet të jenë të paktën për pak orë në “qytetin e flamurit” për këtë 100-vjetor të pavarësisë. Me një ide të çuditshme në kokë u nisa të enjten për të rrahur kryq e tërthor Vlorën. Doja të shihja sesi është qyteti gjashtë ditë para përvjetorit, një njëqindvjetëshi që nuk mund të përjetohet tjetër herë.

timthumb.php


Edhe pse për disa ditë koha nuk ka qenë nga më të përshtatshmet, kam fat. ثshtë kohë shumë e bukur. Dielli i ngrohtë ka zënë qytetet nga Tirana në Vlorë pas javës gri me shi. Dy orë e 30 minuta të lënë kohë që të sodisësh edhe qytetet e tjera kalimthi, ndonëse në Vlorë kam vendqëndrimin. Autostrada e re është pak e mërzitshme, por sa kaloj Levanin me shpejtësi jam tek Pusi i Muzinit.

Pres që ngjyrat e flamurit të më vrasin sytë dhe hamendësimi im nuk pa baza. Vlora ka “veshur” fustanin e saj kuqezi e në çdo cep ngjan si një “vajzë e bukur”. Posterat e Ismail Qemalit që në hyrje të urojnë mirëseardhjen.

Kudo që kalon, nga hyrja e re e poshtë për tek Kalaja, por edhe më tej, e kuqja me shkabë të del përpara. Bjeri po të duash nga Tansballkanikja, nga bulevardi kryesor që të çon në Skelë e më pas tek Uji i Ftohtë, apo futu nëpër lagje, stolitë janë të njëjta. Me një ndryshim të vogël. Me një përmasë apo një tjetër simbolet kombëtare pothuajse të gjithë i kanë gozhduar nëpër mure, dritare, fasada apo maja pallatesh. Për të qenë i sinqertë kam kohë që udhëtoj drejt Vlorës, por këtë nëntor edhe pse në fillim të tij atmosfera e festës është ndier dhe amplifikuar dita-ditës dhe sidomos këtë javë është zbuluar. “Qyteti i flamurit” i mbuluar me flamuj, po përjeton ditët e fundit të rrumbullakosjes së 100 viteve pavarësi, është pothuajse gati për ta nisur festën këtë të diel e ta përfundojë në fund të javës.

E nis shëtitjen nga hyrja e qytetit, aty ku vlonjatët e quajnë “Te Tullat” apo “Policia”. Majtas, djathtas, kudo “me detyrim”, e njëjta pamje dhe e njëjta ngjyrë. Me dëshirën për të parë çdo cep të qytetit më të rëndësishëm të Shqipërisë, kaloj rrugicë më rrugicë dhe kudo duket sikur Ismail beu ka lënë amanet shtëpi më shtëpi Flamurin. Vendos që Sheshin e Flamurit ta vizitoj të fundit për të parë se çfarë ndodh realisht tek monumenti. Më thonë se në kthim autobusi që kalon nga hyrja e Vlorës deri në Skelë, ka ndërruar drejtim.

***

Rrugës më bën përshtypje se dekori i Bashkisë së Vlorës dhe ai qytetarëve bëjnë garë me njëri-tjetrin, për ta kthyer qytetin në atmosferën e 100 viteve përpara, ku në këto rrugë kalonin delegatët që merrnin pjesë në formimin e shtetit shqiptar. E njëjta gjë edhe kur zbret djathtas nga “اolja”. Te kisha po kështu. E kuqja të verbon. Kudo festa është bashkëngjitur me jetën e përditshme, edhe ambulantët e dyqanet që shesin flamuj, bluza, kapele apo sende të tjera. Me qëllimin për të gjetur një suvenir të veçantë për 100 vjetor, bredh anë më anë. Kërkoj diçka origjinale nga ky qytet dhe pas më shumë se një orë ecejake, asgjë nuk më mbush mendjen. Pasi mbaroj një xhiro afër qendrës dhe pak në periferi mes pallateve, marr bulevardin për poshtë nga shkolla “Ali Demi” drejt Skelës. Kjo është rruga e madhe e Vlorës që të çon tek porti dhe më pas te Vlora e dytë siç i them personalisht qytetit që është shtrirë nga “Skela” e deri tek Kalaja. Diku te “Kali i Trojës”, një pallat në fasadën e tij disakatëshe ka shtrirë një flamur qindra metra katrorë dhe në një ditë të bukur dhe të ngrohtë si ajo e së enjtes, bie në sy menjëherë. Gjatë rrugës mund të pengohesh nga flamujt të ngulur në mes të rrugës. Përshtypje të bën fakti se kudo ka njoftime për festë më 28 nëntor. Ajo është dita e shenjtë e qytetarëve vlonjatë, të vjetër dhe të rinj. Pallatet e larta të Skelës, bëjnë garë se cili ka flamurin më të bukur e më të lartë. Edhe pse mundohem që gjej më të lartin, më del një tjetër. Nuk ia vlen. Të gjithë ngjajnë bukur. Edhe dekori i përshtatur në rrugë “bën hije”. Një miku im më thotë se në mbrëmje, bulevardi ngjan më bukur. Dritat i japin atmosferë qytetit.

***

Të vizitosh Vlorën dhe të mos takosh njerëzit vitalë të këtij qyteti në prag pavarësie, udhëtimi do dukej i mangët. Të qetë dhe impulsivë, kjo përzierje i bën të veçantë vlonjatët. Në fillim duket sikur ata nuk e kanë mendjen te festa. Por nuk është kështu. Sapo hap temën e 100-vjetorit, transformohen dhe mendimi shkon te “dita e madhe” që pothuajse të gjithë e konsiderojë të vjedhur nga Tirana zyrtare. “Respektojmë shtetin dhe festën që është e të gjithëve, por më 28 nëntor dhe në Vlorë duhet të ishin bërë festimet e mëdha nga qeveria”, thotë Veliu një mesoburrë që takojmë në Skelë. Sapo i “gërvisht” pak për flamurin dhe 100-vjetorin, çelen dhe nxjerrin para krenarinë se flamuri, ai që ngriti flamurin dhe formoi shtetin shqiptar në një kohë të vështirë është vlonjat. Pas shumë bisedave, nëpër kafenetë e Skelës kuptohet qartë se festa këtu nuk është e vakët, por e gjallë dhe kudo me mënyrën e tyre festohet deri në datën e madhe, të mërkurën tjetër. Të mos flasim për shpenzimet që cilido ka bërë me mënyrën e tij dhe që nuk janë të pakta. Vetëm për të dekoruar ambientet private apo publike. Edhe pse ka nga ata që pranojnë vendimet e shtetit, të gjithë janë të bindur dhe ftojnë çdo shqiptar në Vlorë më 28 nëntor. “Këtu do të jetë festa e vërtetë. Asnjë nuk duhet ta humbasë Vlorën më 28 nëntor. 100-vjetori nuk vjen më”, thotë اimi një vlonjat tipik (i qetë dhe impulsiv) i ulur tek kafet para Universitetit.

***

Udhëtimi për në Skelë e më pas në “Ujë të Ftohtë” nuk është vetëm panoramik. Më intrigon dëshira për të parë Muzeun e Qeverisë së parë shqiptare dhe zyrën e Ismail Qemalit. Në horizontin e bulevardit duket një flamur gjigant në një shtyllë më se 30 metër e lartë që bie në sy që nga xhamia. Pyes e më thonë që ai flamur duket nga çdo majë pallati. Poshtë tij, një shqiponjë me një 100 në gjoksin e saj mban fortë shtyllën e flamurit. Dy simotra më tej, të tregojnë rrugën për nga “Tuneli”. Faktikisht edhe pse e bëj shpesh rrugën Tiranë-Vlorë dhe zbres në “Skelë” nuk kam pasur kohë ta shoh këtë muze. Me vete kam edhe katër miq, të ardhur dhe ata si unë, studentë në universitet dhe kureshtarë për ta parë Muzeu e Qeverisë. Na thonë se në ditë të caktuara aty ka fluks turistësh, më së shumti shqiptarë nga trojet jashtë kufijve. Prandaj përgatitem të gjej aty një radhë njerëzish. Hidhemi afër portit dhe realiteti nuk është ai që prisnim. Na duhet të kalojmë nëpër një shesh që po rindërtohet, gjithë pluhur e i pushtuar nga punëtorët që me ngut të madh duhet ta mbyllin projektin përpara datës 28. Punohet natë e ditë. Kjo nuk të lë shije të mirë. Përse punimet nuk janë mbyllur që në tetor? Kaloj mjegullën e pluhurit, ndaloj te dera e muzeut që ndodhet fare afër bregut. Si mur ndarës shërben gardhi i portit. Një punonjëse që po pastron na thotë të presim. ثshtë orar pushimi, jo vizitash. Nuk kam çfarë të bëj. Kënaqem duke parë bustet e ministrave të parë të Shqipërisë e nis kthimin për te Sheshi i Flamurit me një zhgënjim të dytë në xhep. Muzeu sikur duhej të ishte hapur nga mëngjesi deri në mbrëmje këto kohë! I justifikoj, duke menduar se nga e hëna e në vazhdim, do të kenë javë tmerrësisht të lodhshme.

***

E bëj me autobus rrugën deri te Sheshi i Flamurit që deri para pak ditësh e kisha parë të rrethuar me blloqe betoni, aspak bukur. Autobusi tani të lë diku afër xhamisë dhe nuk parakalon më para monumentit. Kjo është bërë zonë vetëm për këmbësorë. Ka marrë statusin “monument kulture”. Diku nga ana e varrezave të dëshmorëve ndërtohet podiumi i festës që organizon Bashkia e Vlora. Që prej së dielës këtu do të ketë aktivitete pa fund. Hoteli që po ndërtohet në themelet e atij të vjetrit është mbështjellë me të kuqe ashtu si edhe Bashkia.

Eci edhe pak në këmbë për ta parë sheshin me sytë e mi. Po i jepet dora e fundit e rikonstruksionit. I shëmtuar siç ishte, nuk është më, sadoqë, edhe këtu, punimet janë lënë për orën e fundit. Tre-katër punëtorë po bojatisin stendat lëvizëse. Mekanizmi i flamurit po rregullohet, për të varur aty simbolin tonë kombëtar në ditën e shënuar. Ndërkohë kanë mbërritur fëmijë pa fund. Secili dëshiron të ketë një foto-kartolinë në shesh, në zonën ku u ngrit flamuri edhe pse shtëpia e vjetër Vlorave dhe ballkoni më i famshëm i Shqipërisë nuk është më, por e zëvendësuar nga një shtëpi tjetër muze të cilën duhet ta vizitosh nëse shkon. Ka nga ata që kacavirren në krahët dhe qafën e Ismail beut dhe monumentit gjigant të pavarësisë për të kapur një pozë sa më të bukur si kujtim. Më thonë se punimet gjatë gjithë këtyre ditëve janë bllokuar nga kureshtarët që kanë ardhur nga çdo cep i vendit dhe trojeve shqiptare jashtë, por edhe të huaj. Djem e vajza të veshur me flamur, parakalojnë para monumentit. Duan ta rrokin prej mesi Ismailin apo Isën. Këtu e prek vërtet festën. Sheshi të mbush sytë.

Nëse e ke vendosur të shkosh në Vlorë më 28 nëntor, bëje! Mjafton të jesh aty, pa ftesë në kartë, po me zemër.:shqip1:

 
Titulli: Ke vendosur të shkosh në Vlorë? Bëje!

S'do kisha pas deshire me t'madhe ne kte rast, por ja qe largesia ben te veten :'(
 
Titulli: Ke vendosur të shkosh në Vlorë? Bëje!

un po e festoj ne Shkoder me than te drejten.
 
Titulli: Ke vendosur të shkosh në Vlorë? Bëje!

Nuk do kem dot mundesi te jem atje, por ja kalofshit sa me bukur ju qe e keni... :( :fla: ::fla
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top